LIFESTYLE / Bie 5 kile në peshë brenda gjysmë ore, ja sekreti i vajzës shqiptare

September 9, 2019 16:41

LIFESTYLE / Bie 5 kile në peshë brenda gjysmë ore, ja sekreti i vajzës shqiptare

PESKARA – Një rënie spektakolare në peshë, që ka befasuar dietologët dhe nutricionistët në mbarë botën, ka realizuar e reja shqiptare Ina Koka, me rezidencë në qytetin e sipërcituar italian.

Burimet pohojnë për Gojët e Liga se ç’është më e rëndësishmja, rënia drastike në peshë është kryer duke mos lënë asnjë pasojë në funksionimin normal të organizmit të vajzës, e cila është shquar që e vogël për vullnetin dhe këmbënguljen.

Të vetmet ndryshime në përditshmërinë e jetës së Ina Kokës, saktësojnë burimet, do të kenë të bëjnë me disa kufizime hapësirash dhe lëvizjesh, pasi subjekti do të mbahet nën vëzhgim për një kohë ende të pasaktësuar.

Gjithçka nisi të hënën e kaluar në portin e Peskarës, kur shqiptarja e guximshme 28 vjeçare po zbriste nga trageti i linjës së Palermos.

Burime ende të mjegullta, pohojnë se pasi zbriti nga trageti, Ina Koka u ftua nga një grup karabinierësh të rastësishëm, të peshohej në një peshore profesionale, thjesht për të shuar një kuriozitet.

Mesa duket, aparati në fjalë kishte dhe një skaner të bashkëngjitur, i cili konstatoi se trimëresha shqiptare kishte të lidhura në trup disa pako që stononin me linjat përgjithësisht të rregullta të vajzës.

Këtu filloi të ndodhë edhe mrekullia shkencore. Sapo karabinierët i kërkuan Inës të hiqte pakot e huaja nga trupi, gjithsej pesë copë nga një kile secila, peshorja fiksoi parametrat idealë të së resë: 53 kilogramë, për 170 cm gjatësi trupore.

Edhe pse me modestinë e saj, Ina u kërkoi karabinierëve të shpjegohej, se nuk ishte ashtu siç dukej, se në këtë mes kishte një keqkuptim etj, uniformat me zemërgjerësi nuk e lejuan të lodhej në sqarime teorike.
“Nuk ka nevojë, signorina, shifrat flasin vetë,” e qetësuan ata, duke e përgëzuar për vullnetin dhe guximin, në një kohë kur bashkëmoshataret e saj i dorëzohen jetës sedentare.

 Sipas nutricionistëve që ende presin të dhëna mbi përmbajtjen e pakove, kjo mrekulli dietologjike e ka zanafillën nga Amerika Latine dhe ajo qëndrore, ku sipas traditave të lashta acteke dhe inkase, femrat e reja mund të humbasin goxha peshë nëse marrin rrugët nëpër aeroporte, porte e pika kufitare me pako të lidhura pas trupit.

SHËNIM: Gojët e Liga është një rubrikë satirike e dhënë pas ushqimit të shëndetshëm  

September 9, 2019 16:41
Komento

1 Koment

  1. E vjeter September 10, 11:43

    Ooo po kjo qeka e vjeter. Sa djem e vajza trimeresha e kane krye kte diete ne 30 vite……

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*