Ligji i Luftës, Kotzias: Traktat të ri Miqësie mes Shqipërisë dhe Greqisë

INTERVISTA July 16, 2015 20:56

Ligji i Luftës, Kotzias: Traktat të ri Miqësie mes Shqipërisë dhe Greqisë

Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias në një intervistë për “Vizon Plus” shprehet se shpreson që deri brenda vitit të ardhshëm Shqipëria dhe Greqia ta mbyllin çështjen e kufirit detar.

Kotzias thotë se palët kanë arritur një marrëveshje për të ngritur një grup teknik me ekspertë, i cili do të evidentojë nëse ka patur ndonjë gabim në marrëveshjen mes dy vendeve dhe nëse nuk do të ketë një zgjidhje të plotë, atëherë do të shihet për mënyra të tjera për të arritur një marrëveshje.

Përsa i përket Ligjit të Luftës mes dy vendeve, kryediplomati grek deklaron se i propozoi palës shqiptare që Shqipëria dhe Greqia të bëjnë një Traktat të ri Miqësie.

 

Cili është qëllimi i vizitës tuaj këtu në Shqipëri dhe në rajon?

Mendoj se kemi nevojë për më shumë siguri dhe stabilitet në të gjithë rajonin e Ballkanit dhe për këtë Greqia e Shqipëria mund të luajnë një rol pozitiv.

Ne jemi dy kombe të vjetër në këto anë të Botës, kemi një miqësi të vjetër. Por duhet të shohim sesi mund të gjejmë zgjidhje për problemet që vijnë nga e shkuara dhe sesi mund të krijojmë një të ardhme pozitive, nëpërmjet bashkëpunimit në të gjitha fushat, si arsimi, kultura, ekonomia, e drejta ndërkombëtare, etj.

Cilat ishin temat kryesore të prekura gjatë takimeve me autoritetet shqiptare dhe cilat janë përfundimet kryesore të vizitës tuaj?

Mendoj se një nga gjërat më të rëndësishme është orientimi europian i Shqipërisë. Për këtë, ne kemi firmosur një marrëveshje të veçantë për mbështetjen që Greqia mund t’i japë Shqipërisë për ta ndihmuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Kemi diskutuar gjatë për Bashkimin Europian dhe për rolin e dy vendeve tona në këtë kontinent. Së dyti, diskutuam për atë që ju e quani “problemi i detit”. Si mund të arrihet tek një zgjidhje dhe mendoj se kemi arritur një marrëveshje për të ngritur një grup teknik me ekspertë, i cili do të evidentojë nëse ka patur ndonjë gabim në marrëveshjen tonë apo nëse ka patur keqkuptime, në mënyrë që t’i korrigjojmë ato dhe nëse nuk do të gjejmë një zgjidhje të plotë, atëherë mund të shohim mënyra të tjera për të arritur një marrëveshje. Shpresoj deri brenda vitit të ardhshëm duhet ta mbyllim këtë kapitull, pasi kemi shumë gjëra për të bërë së bashku. Është për të ardhur keq që nuk po i përdorim në maksimum mundësitë tona për këtë bashkëpunim. Së treti, diskutuam për të ashtuquajturën “situatë lufte”. Siç e dini, ne grekët mendojmë se nuk ka ndonjë situatë lufte. Është bërë një deklaratë në 1986 nga qeveria greke që i ka dhënë fund kësaj gjendjeje lufte. Kemi një traktat miqësie mes Greqisë dhe Shqipërisë. Ne i kemi dhënë mbështetje Shqipërisë për integrimin në NATO dhe aty nuk jemi vetëm dy vende mike, por edhe aleate. Kështu që nuk jemi duke bërë asnjë lloj lufte. Por unë e mirëkuptoj kërkesën e palës shqiptare që kërkon të ketë një zgjidhje për këtë çështje. Kështu që do të rishikojmë dhe rifreskojmë marrëveshjen mes Greqisë dhe Shqipërisë që ne e quajmë “Traktati i Miqësisë” i vitit 1996. Dhe në marrëveshjen e re mund të përfshijmë bashkëpunimin në një sërë fushash, si energjia, diplomacia, etj. Mund të përfshijmë aty një deklaratë të re në lidhje me bashkëjetesën paqësore të dy vendeve. Ne nuk mendojmë se kemi nevojë për një gjë të tillë, por kam kuptuar se pala shqiptare ka nevojë dhe ne do ta bëjmë këtë. Kjo do të ndihmojë për një frymë më të mirë mirëkuptimi mes dy popujve. Më pas kemi diskutuar për të drejtat e minoriteteve, minoritetit grek në Shqipëri, si të krijohet një klimë dhe kushte më të mira për ata që jetojnë këtu dhe në të njëjtën kohë kemi biseduar edhe për emigrantët shqiptarë në Greqi. Siç e dini, ne kemi dërguar në parlament dhjetë ditë më parë një ligj të ri që i jep mundësinë të gjithë qytetarëve nga familjet shqiptare që kanë lindur në Greqi që të marrin nënshtetësinë greke, duke krijuar lehtësira për ta arritur këtë edhe për prindërit e tyre. Ramë dakord se kemi shumë interesa të përbashkëta dhe shumë ura lidhëse, atë të minoritetit grek në Shqipëri, atë të shqiptarëve që jetojnë në Greqi, kemi interesa të përbashkëta ekonomike dhe tregtare. Siç e dini, Greqia është investitori më i madh në Shqipëri. Kemi diskutuar dhe mendoj se vitin e ardhshëm do të realizojmë një forum të madh ekonomik për lidhjet mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe për mundësitë e forcimit të tyre. Gjithashtu mendoj se mund të realizohet një bashkëpunim me universitetet greke për të bërë një konferencë të madhe në lidhje me atë që mund të jetë perspektiva e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kemi diskutuar gjithashtu për nevojën e bashkëpunimit në të gjitha fushat, në veçanti në arsim dhe kulturë. Siç e dini kemi firmosur një marrëveshje për rishikimin e teksteve shkollore, pjesën më të madhe për librat e historisë në shkolla për të parë se çfarë tablloje i paraqitet grekëve për Shqipërinë dhe anasjelltas. Duhet të kemi libra më miqësor mes dy popujve. I kam thënë të gjithëve se ne jemi shumë krenarë, jemi me fat që kemi emigrantët shqiptarë në Greqi. Pasi familjet e tyre po punojnë shumë fort, po integrohen gjithnjë e më shumë në ekonominë dhe shoqërinë greke. E shoh këtë si profesionist, si pedagog universiteti. Ka kaq shumë studentë të mirë që vijnë nga Shqipëria. Dhe m’u bë qejfi që dëgjova nga një deputet i parlamentit shqiptar se disa nga ish-studentët e mi tani janë profesionistë të mirë në universitetet shqiptare. Kemi diskutuar për gjithçka që na shqetëson në lidhje me marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe sesi mund t’i shtyjmë ato përpara. Por edhe për problemet rajonale, si për shembull raportet tona me Kosovën, me fqinjin tonë që ka Shkupin si kryeqytet, quajeni FYROM, ose FYROM Maqedoni, si të doni. Kemi diskutuar sesi mund të gjejmë zgjidhje për problemet që vijnë nga e shkuara dhe sesi mund të gjejmë një rrugë më të mirë për të ardhmen e përbashkët. Ne duhet të bashkëjetojmë, pasi nuk ka popuj të tjerë në gjithë rajonin që të kenë lidhje kaq të forta mes familjeve, mes njerëzve, mes minoriteteve, mes gjithçkaje, sa Greqia dhe Shqipëria. Kemi shumë gjëra të përbashkëta.

Si do t’i sheshoni diferencat që ekzistojnë në disa çështje. Si për shembull, në rastin e kufirit detar. Çfarë do të bëni nëse nuk do të ketë një marrëveshje?

Mendoj se do të gjejmë një marrëveshje nëpërmjet grupit teknik të ekspertëve, por nëse nuk do ta arrijmë, atëherë ligji ndërkombëtar na jep shumë mundësi dhe instrumenta për të gjetur zgjidhjen, nëpërmjet një pale të tretë, duke shkuar në gjykatë, por do ta bëjmë së bashku.

Po në lidhje me pronat e popullsisë çame si do të veprohet? Edhe kjo është një çështje e nxehtë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Unë them gjithmonë se ne jemi një shtet i së drejtës, në Greqi mbizotëron shteti ligjor. Kështu që gjithkush, përfshirë edhe shtetasit shqiptarë mund të shkojnë në gjykatat greke për të kërkuar të drejtat e tyre, nëse mendon se i ka humbur ato përgjatë historisë. Dhe nëse nuk e fiton të drejtën aty mund të shkojë deri në Gjykatën Europiane të Drejtësisë. Gjëja më e rëndësishme është se ne kemi zgjidhje për rastet individuale, vendime gjykatash, të cilat nuk sjellin hije në marrëdhëniet tona, mes shteteve dhe popujve tanë. Nuk duhet të jetë një çështje mes nesh, mes Greqisë dhe Shqipërisë si shtete, por duhet të zhvillohet në rrugë normale ligjore, përmes gjykatave.

Ju nuk e shikoni këtë çështje si një problem në marrëdhëniet mes dy vendeve?

Jo, nëse dikush mendon se nuk ka marrë atë që i takon, atëherë duhet të shkojë në dyert e gjykatave dhe të kërkojë të drejtën e tij. Kjo ka të bëjë me çdo shtetas shqiptar që ka humbur pronën e tij për të gjitha ato që ndodhën në shekullin e 20-të. Por, nuk është për shtetasit shqiptarë që ishin kriminelë, apo pjesëmarrës në akte kriminale dhe e kanë humbur pronën e tyre nëpërmjet gjykatave. Po flasin për shqiptarët normalë që i kanë humbur pronat përgjatë gjithë historisë së shekullit të 20-të, ku siç e dini ka patur shumë lëvizje dhe njerëzit kanë humbur në shumë raste pronat, të drejtat, shtëpitë, etj. Por, nuk po flasim për një grup të veçantë që i është drejtuar gjykatave dhe i ka humbur të drejtat me vendime të këtyre gjykatave në vitet ’40 të shekullit të kaluar. E kam fjalën për njerëzit normalë që kanë të drejtë të shkojnë në gjykata. Edhe shtetasit grekë i drejtohen gjykatave. Edhe qytetarët e vendeve të tjera bëjnë të njëjtën gjë. Kjo nuk i dëmton marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ju folët për një “Traktat Miqësie”, por a do të abrogonte ky dokument ligjin e luftës që është në fuqi?

Ne mendojmë se nuk jemi në luftë. E gjithë historia e luftës është mbyllur. Pala shqiptare, dhe unë e respektoj, mendon se duhet të gjejmë një formulim më të mirë për ta mbyllur këtë. Kështu që propozimi im ishte, dhe mendoj se pala tjetër e pranoi, që të bëjmë Traktatin e ri të Miqësisë dhe në kuadër të këtij Traktati ne do të vendosim aty gjithçka do të jetë e nevojshme që pala shqiptare të ndihet më mirë me këtë moment historik.

Si mendoni se do të ndikojë kriza greke te qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje. A rrezikojnë ata të humbasin vendet e punës dhe të kthehen këtu në Shqipëri?

Ju e dini se ne kemi shifra papunësie rreth 27 %, ndërkohë që në radhët e të rinjve kjo shifër shkon deri në 60 %. Kështu që nuk mund të themi se asnjë shtetas shqiptar nuk do të humbasë vendin e tij të punës. Ky do të ishte një iluzion. Mendoj se kjo është një periudhë e vështirë për këdo që jeton në Greqi dhe gjithashtu edhe për shtetasit shqiptarë. Kjo ka një kosto edhe për Shqipërinë, pasi shumë familje këtu jetojnë përmes të ardhurave të të afërmëve të tyre në Greqi. Mendoj se është në interes të përbashkët të Greqisë dhe Shqipërisë që ne ta kalojmë këtë krizë, duke gjetur zona të reja zhvillimi dhe rritjeje.

A janë të kënaqura bizneset greke me kushtet që kanë gjetur këtu në Shqipëri?

Mendoj se pjesa më e madhe e bizneseve greke janë të mira, disa nuk janë më të mirët. Por, ata janë duke e shijuar jetën dhe biznesin e tyre këtu në Shqipëri. Ndonjëherë kërkojnë më pak burokraci, ndonjëherë u duket sikur burokracitë këtu janë më të mëdha sesa edhe në Greqi. Por ndonjëherë janë më të lumtur sesa në Greqi.

INTERVISTA July 16, 2015 20:56
Komento

6 Komente

  1. Taulant July 17, 01:16

    Ligji i luftes u duhet per te ardhmen, e cila nuk dihet se c’mund te sjelle. Pozicionet e varrezave hipotetike, te cilat perkojne me shkrimet e emrave te vendeve shqiptare ne muret e parlamentit grek dhe me hartat e te ashtuquajturit vorioepir, tregojne qe greku mbetet grek sic kabere qe nga koha e Bizantit.

    Reply to this comment
  2. Arben July 17, 04:35

    SHUME FJALE, SI PERFUNDIM LIGJI I LUFTES MBETET NE FUQI.

    Reply to this comment
  3. Panajot Karkaculi July 17, 06:53

    Abrogo lignin e sekuestros se pronate ne parlament jo me traktat miqesie se e ke nje.

    Jepi shembull dhe shokut Ram -iz te Abrogoj lignin 7051

    Reply to this comment
  4. komunalja July 17, 07:09

    C’ti besosh ketij plere qe mashtron hapur se s’ka ligj lufte?! Shteti Shqiptar te mos merret me klloune!

    Reply to this comment
  5. Frroku July 17, 07:33

    Qe te behet traktati i miqesise, duhet dhier traktati i luftes. Te dyja bashke s’mund te jene ne fuqi.

    Reply to this comment
  6. petrit July 17, 14:26

    Dinakeri e hipokrizi tipike greke.
    Eshte nenshkruar edhe me pare nje traktat miqesie midis Shqiperise e Greqise e ne momentin qe shteti grek miratoi ne parlamentin e tij pranimin e Shqiperise ne NATO, duhet ta shoqeronte edhe me nje shtojce per heqjen e ligjit te luftes me Shqiperine.
    Eshte teresisht absurde qe te nenshkruash nje traktat te nje aleance nderkombetare ushtarako-politike si NATO e me dinakeri te mbash nje ligj lufte me fqinjin.
    Pikerisht per te mos ju kthyer shqiptareve pronat e tyre ne Greqi, mbahet pezull formalisht ai ligj qesharak.
    Nuk ju a ndalojme shqiptareve came, deklarojne me hipokrizi shtetaret greke, – qe te ndjekin problemin e pronave ne gjykatat e Greqise.
    Nderkaq kur ka nje ligj lufte me Shqiperine, cilido shqiptar cam qe nuk ka nenshtetesine greke, do te perballet me qendrimin e prere te cdo gjykatesi grek, se asnje shtetasi shqiptar me te cilet Greqia eshte “ne gjendje lufte”, nuk e ka te drejten per te kerkuar pronen e tij

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*