Likujdimi i biznesit nga privatizimi i HEC-ve, pak ditë para zgjedhjeve

Edlira Shehu March 8, 2013 12:45

Likujdimi i biznesit nga privatizimi i HEC-ve, pak ditë para zgjedhjeve

Paratë e privatizimit të 4 HEC-eve, të kaluar mes debatesh në Kuvend, dekretuar dy ditë më parë nga Presidenti, Bujar Nishani, pritet të kalojnë në arkën e shtetit pas një muaji e gjysëm. Ashtu sic Ministri i Financave, Ridvan Bode ka premtuar pak kohë më parë, 110 milionë eurot që do të vijnë nga privatizimi i 4 HEC-eve do të shkonin për të likujduar biznesin, ku sipas përllogaritjeve të vetë sipërmarrjes fatura financiare që shteti i ka sipërmarrësve është 20 miliardë lekë. Por shuma e privatizimit të HEC-ve nëse do të kalojë vërte për likujdimin e biznesit, do të mund të merren prej tyre në pikun e fushatës elektorale. Kjo pasi procedura është e tillë dhe do të jetë fundi i majit, kur sipërmarrësit mund të kenë “fatin” e tyre, të marrin paratë që kanë investuar në punët publike. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se dhe në këtë pikë do të ketë një përzgjedhje të bizneseve që do të likujdohen më parë, sipas një kriteri të përcaktuar, por që con në logjikën e thjeshtë, se bizneset që do të jenë më dorëlëshuarit në fushatë mund të marrin ndonjë “kothere” nga shteti. Nga ana tjetër sipërmarrësit në momentin që qeveria po përdor metoda të tilla, kur deklaron se do të ketë heqje TVSH-sh për një makineritë dhe pajisjet, kur flet për rritje të dyshemesë së heqjes së taksimit mbi të ardhurat personale, po vuan mungesë të theksuar likujditeti. Raporti më problematik i tyre mbetet me qeverinë dhe bankat. Qeveria që nuk i likujdon për punët e kryera, bankat që po cojnë në konfiskim të pasurive të tyre për shkak të mos pagesës së kësteve. “Ngrirja e përkohshme e kredisë, do të bënte të mundur që unë të mund të investoja paratë e mija në një objekt tjetër që të më jepte mundësinë të paguaja kredinë. Por banka nuk më toleron në këtë pjesë”, shprehet një sipërmarrës. Shto këtu dhe faktin që është pjesë e punëve publike të palikujduara ende, biznesi mbetet në udhëkryq dhe në prag falimentimi. Por pavarësisht nga kjo, sipërmarrësit e kanë të vështirë që ngrenë zërin e tyre, pasi prag zgjedhjet e përgjithshme mund të shkojnë dhe për gjoba të tjera që vendosen në mënyrë arbitrare nga punonjësit e tatimeve “me urdhër nga lart”. Megjithatë drejtuesit e Ministrisë së Financave shprehen se kushtet për punët e sipërmarrësve janë të mira dhe se ky dikaster po punon për të likujduar ata.  Flitet gjithashtu për celjen e një fondi prej 6.5 miliardë lekësh, por që ende ka mbetur një thashethem korridoresh dhe një shpresë e vakët për biznesin.  I gjithë cikli i mbyllur i mënyrës se si po operon shteti me biznesin referohet dhe në të dhënat zyrtare të vitit që kemi lënë pas. Këto të dhëna flasin se për burimet e financimit të konsumit privat gjatë tremujorit të parë të vitit 2012 komponenti më i qëndrueshëm i të ardhurës konsumatore, paga, vlerësohet të ketë shënuar rënie në terma realë që nga tremujori i dytë i vitit 2011. Prirja rënëse e të ardhurave nga tatimi i të ardhurave personale është dëshmi për rënie të mëtejshme të pagës edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2012, reflektim i drejtpërdrejtë i mungesës së likujditetit nga bizneset.  Por krahas problemeve me likuiditetin, mungesën e kredive nga bankat dhe rënien e shitjeve, biznesi vendas vazhdon të përballet me rritje të kostos së prodhimit. Këtë e dëshmojnë të dhënat zyrtarë të INSTAT-it, ku thonë se në tremujorin e katërt të vitit 2012, indeksi i çmimeve të prodhimit arriti 113.1%, duke shënuar një rritje prej 0.3% kundrejt tremujorit të tretë 2012. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të prodhimit është +0.1%. Industria nxjerrëse shënoi një rritje prej 0.5%. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimeve të produkteve në aktivitetin “Nxjerrja e produkteve energjetike” me 2.6% etj.  Në këtë mënyrë edhe pse bizneset mund të marrin një “kothere” nga arka e shtetit do ta kenë të vështirë të ngrihen në këtë periudhë krize dhe penalizimi të vazhdueshëm gjatë këtyre viteve.

 

Edlira Shehu March 8, 2013 12:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*