Lila synon surprizën në “Ullevaal”

Gazeta "Dita" March 20, 2013 08:46

Lila synon surprizën në “Ullevaal”

Mbrojtësi kuqezi ka studiuar kundërshtarin dhe beson se Shqipëria mund të marrë edhe fitoren në Oslo

Dritan Ikonomi

Andi Lila është optimist i përjetshëm. Mbrojtësi kuqezi është shprehur dje se ka besim për një rezultat pozitiv në takimin e së premtes, madje duke shtuar se Shqipëria ka mundësi të marrë më tepër se vetëm një  barazim. Për më tepër, Lila nuk do ta quante surprizë  nëse Shqipëria do të dilte me duart plot nga stadiumi “Ullevaal”  i Oslos. “Unë jam tip optimist dhe futem në lojë  për të fituar në çdo ndeshje”, tha Lila dje në  kompleksin “Tropikal”, ku po stërvitet kombëtarja. “Nuk i dihet asnjëherë, futbolli kështu e ka. Humbëm ndeshjen e parë me Islandën dhe më pas fituam ndeshjen e dytë me Slloveninë, rezultatet që ndoshta nuk priteshin. Kështu që në  bazë të kësaj logjike, nuk do të ishte çudi nëse e mundim Norvegjinë në fushën e saj. Mendoj se edhe skuadra jonë ka në përbërje lojtarë që kanë  një farë moshe dhe kanë arritur një nivel pjekurie. Besoj se është në formë shumë të mirë  dhe shpresoj në një rezultat pozitiv”. Duke ndjekur të  njëjtën linjë si trajneri Xhani De Biazi, edhe Lila shton se në varësi të lojës mund të kënaqej me barazimin në fund, por në fushë do të hyjë me synimin për fitore. “Në varësi të lojës, barazimi mund të  jetë një rezultat i mirë, por unë futem për fitore”. Për sa i përket grupit kuqezi, kavajasi shprehet pa mëdyshje se aty janë lojtarët më të mirë për momentin. “Besoj se të gjithë lojtarët që grumbullohen në kombëtaren shqiptare janë më të mirët dhe më në  formë të momentit. Kjo nuk vihet në diskutim”, tha Lila.

Kundërshtari

Lila tregon se bashkë me ftesën për t’u bashkuar me kombëtaren, ai ka marrë nga trajneri edhe një  dvd me ndeshje të Norvegjisë, për ta studiuar sa më mirë. “Para dy javësh, trajneri na ka nisur një dvd me ndeshje të Norvegjisë. Unë i kam parë me kujdes dhe kam vënë re se norvegjezët janë lojtarë shumë të fortë fizikisht dhe në lojën në ajër. Në goditjet standard janë gjithashtu shumë të fortë dhe kanë në përbërje lojtarë shumë të mirë e me eksperiencë të madhe”. Më tej, Lila nuk futet në detaje se si mund të luajë skuadra, duke ia lënë gjithçka trajnerit. “Se si do të jetë strategjia jonë dhe ku se ku do të bazohet loja, atë do ta vendosë trajneri. Ne kemi për detyrë të zbatojmë udhëzimet dhe unë besoj te rezultati pozitiv”. Të njëjtën gjë thotë lojtari edhe për rolin e tij, i cili ka ndryshuar shpesh në fushë.

Gjyqtari, “armiku” i vjetër

Nuk do të jenë vetëm sulmuesit norvegjezë  ata nga të cilët duhet të ruhet Lila në ndeshjen kundër Norvegjisë. Ai duhet të bëjë kujdes edhe një  nga “armik” i vjetër, Kevin Blom. Është gjyqtari i ndeshjes, ai që ka gjykuar edhe ndeshjen “famshme” të  Josip Kuzhes, 0-2 në Bosnjë. Në atë takim, Lila, përveçse luajti mesfushor i majtë, u ndëshkua edhe me karton të  kuq nga holandezi. “Unë kam marrë kartonë jo vetëm me gjyqtarin holandez, por edhe me të tjerë, pasi të gjithë  e dinë që unë luaj fort në fushë. Por, në  Bosnjë kartoni i kuq për mua ishte i ekzagjeruar. Tani më  mbetet të shpresoj se ai nuk do të bëjë të  njëjtin gabim, jo thjesht me mua, por për secilin nga ne”, tha Lila, për gjyqtarin holandez që ka pasur gjykime problematike edhe në ndeshje të tjera, përveç Shqipërisë.

Gazeta "Dita" March 20, 2013 08:46
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*