Ikonë e muzikës shqiptare

July 12, 2018 09:49

Ikonë e muzikës shqiptare

 

Ilir Balili

Një mëngjes, kur po zbrisja për të pirë një kafe me një mikun tim, buzë Lanës pranë pallateve Shallvare, më del përpara një çift të rinjsh ku djaloshi u shkëput nga vajza në krah të tij e me një pamje të menduar pyeti:

– Zotëri a e njeh dhe nëse e di ku banon këtu kompozitori Limos Dizdari, pse dua të konsultohem me të, për ca këngë të miat si fillestar i kësaj fushe?

E pashë djaloshin e pagjumë dhe vura buzën në gaz, duke i dëftuar se Limos Dizdari e ka shtëpinë atje sipër, e bëra me dorë pallatin, por ai ka gati dy dekada “i mërguar”; shtëpisë këtu ia ka vënë çelësin, dhe banon familjarisht në Ksamil të Sarandës, ku hedh në piano ende muzikë…

Djaloshin me leshra të gjata e mjekër si në motet e rilindjes e vura re që u trishtua me përgjigjen time, por prapë falënderoi e më tha se do të nisemi për ta takuar kudo që të ndodhet… Më dha dorën dhe u ndamë mirësisht tek kryqëzimi i një prej urave të Lanës, që këmbejnë udhëtarët.

Ai iku por mua m’u shpërfaq Limosi i sjellshëm, i ditur e plot muzë në muzikë, që kurdoherë përcillte mirësi e mirënjohje.

***

Me këtë njeri do të shkoja një periudhë kohe në muajt korrik-gusht të vitit 1981 jashtë vendit në një festival europian që u zhvillua për një javë në Kanstinen të Finlandës, ku Limosi ishte si të thuash kryesori i koncertit tonë dhe me përgjegjësi për mbarëvajtjen e tij. Por veprimtaria e ansamblit do të përfshinte edhe plot koncerte të tjerë në Finlandë, Suedi e Danimarkë.

Para se të niseshim për në aeroportin e Rinasit më kërkoi të shkonim bashkë në varrezat publike për t’i vënë një tufë lule nënës së tij që prehej prej vitesh aty.

– Dëgjo më tha, nuk i dihet jetës, ndaj më duket sikur i marr leje, ajo më jep bekimin me vete, pse mbrëmë më doli në gjumë, më zgjati duart e më mori në grykë, ndaj dua t’i vë një tufë me lule.

Fjalët e Limosit më bënë një përshtypje të thellë e krejt të veçantë.

Ansambli ynë në përbërje të radhëve të tij kishte artistë të dëgjuar, me çmime e me vlerësime popullore si tenori me zë kumbues Ramiz Kovaçi, Fehmi Shaqiri, një fenomen i koreografisë sonë, por edhe të tjerë me plot vlera, që premtonin si Irma Zyberi, Caje Puleshi etj.

Atë të enjte, avioni MALEV i linjës Tiranë-Budapest gati u mbush edhe me grupin tonë. Pas një qëndrimi disa orësh në aeroportin e kryeqytetit hungarez, morëm linjën për në Berlin të Gjermanisë Lindore, ku shëtitëm e fjetëm një natë, për të marrë trenin që nisej nga Berlini e soste në brigje të Balltikut, ku vagonat tona u futën në tragetin madhështor “Viking”. “Vikingu”, u fut fjordeve të njohura e udhëtoi për orë të tëra gjithë natën derisa afër mëngjesit vagonat tona shkelën në stacionin e Stokholmit. Kishim mbërritur disa ditë para se të zhvillohej festivali në Finlandë, ndaj u bisedua dhe u vendos të jepej një koncert më pjesëmarrje të madhe në parkun mbretëror “Skansen” në kryeqytetin e Stokholmit. Ishte koncerti i parë që jepej në një plate si stadium i lojërave me dorë që nxinte disa mijëra spektatorë. Artistët tanë me 18 lloje kostumesh, bënë një stinë livadhesh Maji me ngjyra të ndezura që ngjalli interes të thellë dhe nga zjarrmia e dinamika e çuditshme, e valleve tona dhe e këngëve klasike e popullore.

E gjithë kjo tablo u pasqyrua nga gazetat e shumta ditën e nesërme, ku në faqet e para të tyre ishin botuar foto nga koncerti me këngë e valle të një vendi jo shumë të njohur në gadishullin nordik.

– Albanët, Albanët janë në brigje të detit Adriatik, karshi Italisë, sqaronin njëri-tjetrin spektatorët vendas por edhe turistë të ardhur nga vende të tjera deri nga Afrika e largët…

Në këto raste ka vend për të shkruar më gjatë për të gjithë artistët gjithë emocione që u lodhën për ditë me përgatitjet dinjitoze, por themi se ka vlerë publike një moment që e përjeton njeriu vetëm kur ndodhet larg mëmëdheut.

Ishte koha, kur do të vinte radha të prezantohej një valle epike kosovare, që të ngriheshin nga emocionet leshrat e kokës përpjetë, ku në krye të valles printe  Çeti (Shefqeti), një valltar i përveçëm virtuoz, veshur me tirq, këmishë e plis (qeleshe) borë të bardhë dhe prezantuesja jonë valltarja Amylda Dymi, përcolli në anglisht vallen, e cila në substancë tha:

– Tani të nderuar spektatorë e miq, do të shijoni një valle kosovare të vëllezërve tanë etnikë, që ndodhen në Jugosllavi.

Në çast nga spektatorët ngrihet një shqiptar i mërguar në Suedi, me emrin Hasan Berisha, i cili ndërhyri e shpjegoi me zë të lartë në shqip e suedisht:

– Kosova jonë është denbabaden e tana shqiptare…

Të 10000 spektatorët, u kthyen me kërshëri nga ky patriot i malluar por krejt i qartë.

Kulmin e suksesit ansambli artistik i Shqipërisë i udhëhequr nga Artisti i Merituar Limos Dizdari e arriti në qytetin Kuastinen në Finlandë diku nga mesi i atij shteti me 4.6 milionë banorë, por me territor të zgjeruar deri në polin e veriut. Limosi kishte njohuri për kryeqytetin e Finlandës, dinte edhe histori sherresh e luftrash mes tyre me anglezët.

Koncertet në festival vijuan përditë në ato netë të bardha ku i shijuam për herë të parë për një javë dhe ansambli shqiptar zuri vendin e parë në të gjitha drejtimet ndërsa vendin e dytë e zuri Bullgaria fqinje me ne. Ishte  shumë interesante se gjatë udhëtimeve të tjera u dhanë koncerte edhe  në Kopio Finlandë dhe në parkun e madh TIVOLI në Kopenhagen të Danimarkës ku pati mbi 15.000 spektatorë. Artistët tanë shijuan duartrokitje dhe qindra tufa me lule, një stinë e plotë paravere, vlerësim krenarie.

Limosi, një tip i çuditshëm, komunikues e serioz, merakli e me sedër dha një model duke prezantuar artin, kulturën e një populli krenar që rronte në hise të tij, ashtu siç e pruri historia.

Dua të nënvizoj se një profesor i dëgjuar i gadishullit skandinav me të cilin u takua edhe kompozitori Limos Dizdari ishte profesori Alaken, i cili bëri vlerësime të larta për Shqipërinë e historinë e saj, vlerësime të cilat ai i  dërgoi me shkrim në Shqipëri. Ishte ndoshta një fat që këtë ansambël e udhëhoqi  artisti i dobishëm Limos Dizdari e Femi Shaqiri dhe ky grup kulturor ishte hera e parë që jepte koncerte në pjesën më të madhe të gadishullit skandinav.

***

Nuk e mendoj të tepërt të kujtoj edhe një ndodhi me nënën e Misto Mames, heroit  të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që derdhi gjakun për çlirim në moshën 22 vjeçare, e cila shpesh i dilte përpara Limosit:

– Djalo, të keqen, zemra e nënës e do ta dëgjojë më shpesh këngën tënde që ke shkruar për Miston e që e këndon Vaçe Zela, se më kërren mallin për të…

Dhe sigurisht kompozitori i ndjeshëm merrte shokë në Radio Tirana dhe ia plotësonte dëshirën nënës flokëthinjur e zemërbardhë…

Kam plot mbresa për të dhe për figura të shquara të artit, që kam pas rastin t’i njoh e të mësoj prej tyre. Ndaj kushdo ndjehet krenar edhe me këtë ikonë të muzikës sonë, por edhe për faktin se ky artist i vërtetë e dëftoi veten se nuk shter nga shpirti muzikor e krijues, që nuk e kishte vetëm profesion, por përcjell ende dufin e kontributin në qendrën e artit DEA  dhe organizon muzikë e konkurse të ndryshme, si Këngët e Tokës, Miqtë e Muzikës e të tjera projekte që pasojnë me shumëzim…

Shkruaj këto mbresa sigurisht të reduktuara, por muzika si gjini qelqore e gati mëmësore, është  tejet delikate e trembet nga terrori që përcjell koha sulfurike dhe istikamet përkatëse,  tek sherrxhinjtë me ndjesi të krisura që kërkojnë t’u ngjajnë cikloneve në këneta me ujë të ndenjur.

Muzika e Limos Dizdarit me të tjerë misionarë të artit, lyp vlerësim, nderim dhe përkujdesje për të prekur e ksehasur shpirtin në gjallje, përmbi shpinë të tokës…

July 12, 2018 09:49
Komento

6 Komente

  1. demo July 12, 11:34

    Po vetem sherret me Englezet ju ka treguar Limosi,po perleshjet me Sovjetiket e Stalinit nuk ua tregoi?

    Reply to this comment
  2. Berti July 12, 16:53

    Limos Dizdari eshte padyshim nje nder figurat me te shquara te muzikes shqiptare, autor i shume veprave duke filluar me koncert simfonik per violine dhe orkester e duke mbaruar me kenget e mrekullueshme per te rritur e per femije, qe njerezit prej dekadash nuk i harrojne si “Keputa nje gjethe dafine”, nder me te bukurat e kengeve shqiptare. Arti i Limosit eshte i tille sepse krijimtaria e tij mbeshtetet ne vlerat e muzikes popullore. Kujtoni filmin “Rruge te bardha” dhe do te gjeni nje motiv nga Shqiperia e mesme qe e ben kete film nder kryeveprat e kinematografise sone. Kujtoni kengen “Vajza e valeve’ per te kuptuar si e thith ai motivin e kenges popullore te Jugut. Por c’te hyjme ne veprat e tij, Cili kompozitur tjeter si ai coj pianon ne Butrint per te organizuar nje veprimtari per rinine qe mbahet mend prej gjysem shekulli. Cili krijues tjeter ka ngritur nje qender arti,- e ku ne Ksamilin e larget- , si “Dea” , nje oaz i merekulleshem vlerash te shumta, ku organizon prej afro 20 vjetesh veprimtari qe cmohen edhe nga personalite te huaja te fushes se muzikes. Cili krijues ne keto vite te quajtura te demokracise ka lene me deshire Tiranen per te jetuar ne fshat, vec atij. Artistet e medhej jane te tille sepse sfidojne normen, rutinen, autoritetin fals, komoditetin siperfaqesor, qe vene ne dispozicion te artit kulturen, dijet, trashegimine, rehatine e famen. Kur te cmohet Limosi dhe “Dea” e tij sic duhet, jam i bindur qe nderi nuk do t’i takoje vetem ketij artisti te madh, te cilit i uroj jete te gjate e te tjera krijmei te bollshme, por edhe atyre segmenteve te shtetit, qofte edhe Qeverise, qe do ta kuptojne sado vone e me ne fund se emri i artistit dhe vepra e tij jjeton nder dekada kurse zyrtaret shkojne e vijne.

    Reply to this comment
  3. Flatun Ramadani July 13, 02:41

    Falenderim personal per shkrimin, i nderuar Ilir Balili!
    Te pershendes dhe uroj nga larg (pertej Oqeanit Atlantik) te keni shendet, jete te gjate dhe te mirat, qe deshironi ne familjen tuaj.
    Te shkruash per Limos Dizdarin, per kete personalitet te shquar te kultures tone kombetare, eshte nje detyrim dhe pergjegjesi morale. Ai eshte artisti, qe flet me ane te notave te pentagramit, i qete, i dashur, i thjeshte, i palodhur, zemermire dhe i perkushtuar per gjinine e muzikes, ne te cilen ka derdhur dhe vazhdon te derdhe talentin dhe krijimtarine e tij frymezuese.
    Kam patur rastin te takohem me kete burre, me kete personalitet, me kete kompozitor virtuoz, kur ishte pjese e politikes shqiptare. Isha vet’ i dyte. U paraqitem ne zyren e tij. Me ka lene pershtypje te pashlyeshme per menyren se si na priti, me cfare qetesie fliste dhe si e zgjidhi kerkesen e nje qytetari te panjohur, trainer shahu i femijeve te tij…Personalitet, qe te inkurajon dhe te imponon respekt, nderim dhe dashuri.
    Urimet me te mira per Artistin e Popullit, Limos Dizdari, mete vertete ikone e muzikes shqiptare!

    Reply to this comment
  4. Guri Naimit D(Dh Xhoga) July 13, 04:09

    Shembell qe na imponon rrespekt e konsiderate;
    Limoz Dizdari.
    Faleminderit penes se Ilir Balilit,sjelle kete “Perle “po e quaj, te fjales dhe mendimit letrar me kryefjale nje nga ASAT e kultures dhe muzikes shqiptare i ralli Limoz Dizdari, qe mi lumte komentuesit BERTI, bere permes komentit te tij, nje autopsi te shkelqyer veprimtarise Tij.
    Ky koment duhet vecuar e derguar Partiakeve sa Qeveritareve tane,qe ti therresin mendies e te bejne ate c’ben ky atdhetar i madh, si Limoz Dizdari,qe sfidon gjithe ate emigracion,(nes tyre dhe une)marre rruget e mergimit lene atdheun, ne duart e ketyre politikaneve,(sidomos opozita),sot e 27 vjet.
    Ja akti i Limoz Dizdarit, 20 vjet ne ate Butrintin e lashte,braktisur Tiranen,ku ka len nje jete gjurne, na mban gjalle kulturen dhe artin shqiptar.
    Tu befshin ditet 1000je i nderuar artist Kompozitor e mbi te gjitha; NJERI ATDHETAR, sa beni.
    Faleminderit atyre artisteve pjesmarres ne ate aktivitet,qe atdheu yne shqiperia, ka paraprire ne vite,deri ne Vendet Skandinave,si shkruan pena juaj i nderuar Ilir Balili.
    Po e nenvizoj ate fjaline e fundit te komentit te Bertit:
    …edhe atyre segmente te shtetit edhe Qeverise,qe do ta kuptojne sado vone e me ne fund,se emri i artistit dhe vepra e tij jeton nder dekada,kurse Zyrtaret,.. shkojne e vine”,Ata ti vene gishtin kokes.shtoj une.

    Nga Toronto ju pershendes miq e shoke vertet atdhetare.une 82 vjecari rrugeve te emigracionit,me mendien ne atdhe.
    Mire te gjeca.Atdhe i POPULLIT tim.
    Jete te gjate Limoz Dizdarit me shoke.
    Nje jete mes Jush.

    Toronto12-07-2018 Guri Naimit D.(Dh.Xhoga)

    Reply to this comment
  5. Nene Pashako.. July 13, 13:25

    Po na turperove sa zhgarravit mo “demo”…pse keshtu.
    Nuk i bie fyellit as ne nje brime! Ku s’futesh.
    Nene Pashako.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*