“Sindroma e lavdisë tek artistët dhe problemet e qeverisë”

September 22, 2018 12:22

“Sindroma e lavdisë tek artistët dhe problemet e qeverisë”

Limos Dizdari, një ndër kompozitorët më të njohur shqiptarë, mund të konsiderohet tashmë në të gjitha aspektet si një banor i Ksamilit. I përfshirë në politikën aktive në vitet ’90, ai ka zbuluar një copë parajsë njëzet vjet më parë dhe që atëherë vijon të besojë se është më mirë t’i qëndrosh larg rrëmujës, hipokrizisë dhe falsitetit të Tiranës. Një marrëdhënie komplekse të cilën ai e shpjegon më së miri në intervistën e mëposhtme që dha për Javaneës, së bashku me konsideratat për muzikën, artet e kulturën në përgjithësi.

– Zoti Limos, pyetja e pare lidhet domosdoshmërisht me vendin e banimit qe ju keni zgjedhur prej vitesh. Dikush mund te pyesë, se me çfarë e mbush ditën njeri nder muzikantet më të mëdhenj te vendit, në një vend që mund të konsiderohet për një moment si një “cep i humbur” i Shqipërisë?

–  Vendi që kam zgjedhur për të jetuar është shumë i bukur dhe nuk hoqa shumë për ta gjetur. Gjithë vendi ynë është shumë i bukur. E vështirë është të përcaktosh qëllimin dhe interesin për kontributin tënd social që kërkon të realizosh.

Nuk do të isha dakord me përkufizimin jo fort te gjetur…”cep i harruar “, por do të preferoja përkufizimin e Mitrush Kutelit, që do të thoshte…”në një cep të Ilirisë se poshtme “, ku, së bashku me Adrianën, të shërbenim, si një vlerë dhe argument i shtuar, për njerëzit, ambientin dhe komunitetin e kësaj zone të mbipopulluar, si një angazhim profesional e intelektual për të gjithë.

Ditët, edhe për mua, janë njësoj si në të gjithë Shqipërinë, ndryshimin e bëjnë vetëm, cilësia e ajrit, peizazhi natyror. Dhe, mbi te gjitha: Qëllimi që i ke vënë vetes tënde në atë shumë ditësh që quhet “jetë” – ne Ksamil.

Limos Dizdari

– … nuk ka ndryshime të tjera ..?

–  Unë fola për çfarë është mirë e më mirë. Mos ndoshta Ju me pyesni çfarë është keq e me keq.  Kur je nëe Ksamil, në Valbonë, në Skrapar apo në Belsh etj., nuk është njëlloj si kur je në Tiranë, Korçë, Shkodër apo në Vlorë. Pyetja shtrohet: a kanë të drejtë banorët e Ksamilit të ndjehen si të barabartë, diku a në diçka, si të gjithë banorët e tjerë të metropoleve?

Edhe savanat afrikane, ashtu të zhuritura nga dielli përvëlues, zbukurohen kur tek- tuk, gjendet ndonjë akacie, me gjethet e të cilave ushqehen xhirafat, ndërsa me ato  kafshë të larta, të bukura e aristokrate, afrikanet mburren. A nuk është kështu?!

Besoj se kështu duhet të ndodhë edhe me njerëzit. Kudo ku jetojnë, ata duhet të kenë diçka, me të cilën të veçohen nga të tjerët, a të mburren.

– Pse shkuat pikërisht ne Ksamil?

–  Fillimisht, që në kohën e sistemit komunist, kërkova që në Teatrin e Kukullave të mund ta ndërtoja e të ishte funksional, edhe si Teatër për muzikën e dhomës. Dhe bëra propozimin qe, me kohë, të ngrija edhe një muze për Parlamentin shqiptar, duke nxituar të them se: anëtarë të tij kanë qenë: Noli, Avniu, Mjeda. Nuk fola më për propozimin e fundit, që e bëra me gjysmë zëri.

Si për çudinë time, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Jashar Menzelxhiu, më tha:- Hajde të shkojmë së bashku ta shohim. U befasova nga ky qëndrim i atij njëriu të qeshur e dashamirës. Pastaj më pyeti se sa lekë ke menduar të kërkosh. Shumë i ndrojtur, i kërkova një shumë modeste, rreth 250 – 300 mijë lekë të vjetra. E çfarë do të bësh me to? – më pyeti. Fola për çatinë e saj, për sistemin elektrik…banjat dhe për ndonjë orendi më specifike, për rolin që ky Teatër do të kryente. E, më posaçërisht, për nevojën e karrigeve, që kërkonin një ndërhyrje. Pastaj ai tha se riparimet do t’i bënte komunalja dhe veç atyre, premtoi se do jepte jo 250 mijë leke, por 500 mijë lekë. Jo të vjetra, por të reja.

Entuziazmin e kisha shume të madh dhe atë e ndava me Ibrahim Madhin, Robert Radojën dhe me Muharem Denisin. Të gjithë muzikantët u entuziazmuan. Ky gëzim zgjati pak. U gjend dikush, që në këtë kuti me bojë të bardhë, të hidhte, jo një pike, por shume bojë të zezë. Pak vite më vonë erdhi liria e vertete e demokracise…Gati-gati iu luta Kryeministrit F. Nano, por nuk degjoi. Po keshtu, vazhdova edhe me Kryeministrin E.Rama. Madje, shkoi edhe me keq. Kur më zgjodhën Kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, me një grup prej tyre, kërkuam të na jepej Kalaja e Vasiliqisë në Himarë, për një administrim artistik. Por, siç mora vesh nga një aviator helikopteri, z. Nano ia kishte premtuar Berluskonit.

Kurrë nuk mora vesh sepse edhe Berluskoni nuk mori gjë.

Insistues në ëndrrën time, pranova të vija në Ksamil, që e gjeta tërësisht të shkatërruar. Megjithatë, edhe pse kemi hequr keq, nuk jemi penduar. Ka nga ata qe me quajnë të guximshëm. E vërtetë është. Unë atje bëj pjesë, por si unë ka edhe shume të tjerë. Ata që bëjnë komplimente të tille, i llogaris si frikacakë e dembelë.

– A mund ta shtjelloni me mirë këtë ide që hodhët pak më parë?

–  Dakord… Po riprodhoj një dialog te shkurtër me një burrë rreth te 50-ve, që u bë në Sarandë, para pak ditësh e që nuk njihesha. Ai më pyeti: Pse ike në Tirane, ti ke bërë punë të mira për Sarandën dhe të donin…I zënë ngushtë, u përgjigja thjeshtë:

– Më kërkoi Tirana. Siç duket, isha i nevojshëm për atje.

– Po pse nuk e kundërshtove, se me siguri do ta kishin anuluar kërkesën….

– Me sa duket, nuk e mendova mirë…

– Mos ndoshta të kish ikur mendja…?..diçka të tillë…

Ky muhabet bëhej te shkallët e Sarandës, afër Gjykatës së rrethit, kur altoparlanti i saj lajmëronte:  Limos Dizdari, si i paditur në gjykatë, në sallë…

 

– Çfarë gjyqi, pse i paditur???!!

–   Pse nuk e dini…!! Mund të akuzohesh edhe pse kërkon të zbatohet ligji…Kam 18 vjet, që e kërkoj atë zbatim. Edhe vete ligji, ka 20 vjet qëe lutet të zbatohet… Ka më shumë se 40 vjet, që Ismail Kadare thoshte: “dhe e gjitha kjo ndodhi, se asaj i rrinte shumë mirë pardesyja.”

Këto m’u kujtuan në atë moment. Ndoshta edhe melodia me ato vargjet që këndon Edi Rama…zhurmë…zhurmë…sa shumë zhurmë… Mund të më shërbenin si një filxhan, me çaj kamomili.

– Le te kthehemi tek arti, me një pyetje paksa skematike. Me çfarë po merreni aktualisht?

–  Kam përfunduar një operetë për fëmijë me temë “ORËT”, me libret të një krijuesi nga Saranda. Kam aplikuar në Ministrinë e Kulturës për të bërë të mundur realizimin skenik të kësaj vepre. Këtë kërkesë, e përsëritëm dy herë. Ajo nuk kishte mundësi të akordonte më shumë se 27 % të një shume, matanë modestes, që kishim kërkuar për realizimin e asaj vepre. Rekomandimi që na erdhi ishte që t’i drejtoheshim biznesit vendas. Këtu nuk paguan njeri.

E falënderuam dhe e mbyllëm me kaq. Kam dashur të bëj një festival për fëmijë dhe jam përgatitur për të. U jam drejtuar kolegeve të mi kompozitorë e poetë, të cilët më janë përgjigjur me krijimet e tyre të reja. Përfitoj nga rasti të falënderoj kolegët: Nexhmedin Doko, Edmond Zhulali, Josif Minga, Agim Reza, Agim Krajka, Adrian Hila, Adem Daci etj.,etj., krijues nga Përmeti, Delvina apo Tepelena, si dhe posaçërisht poetët e qytetit të Sarandës, shumë të gatshëm për të dhënë kontributin  e tyre për realizimin e këtij festivali. Ky projekt ka ngelur pezull.

Po mundohem  të përfundoj një balet-opera,  të mbështetur mbi romanin Santa- Qua-ranta, të shkrimtarit  Luan Rama, për balerinën Isador Dunkan, që për 7 muaj e gjysmë ka jetuar ne Sarandë në kohen e krizës së madhe të shekullit të kaluar, ku shëroi plagët e saj të rënda me lotët e nxehtë të nenave shqiptare. Ishte amerikane dhe gruaja e industrialistit Singer dhe vdiq si gruaja e poetit S .Esenin. Shpirti ma do ta përfundoj këtë vepër, por gjyqet ma rendojnë se tepërmi këtë shpirt. Për kaq sa jam këtu, kam kërkuar, në mënyrë të përsëritur, të ringre një ansambël të qytetit të Sarandës, si dikur, shumë i suksesshëm. Është me mirë kur këndon gjithë qyteti, se sa kur paguan taksapaguesi i tij, për koncerte play-back e ne mëshirë të korentit.

– Edhe për këtë keni ngelur pezull? !!

– Bëjmë shume koncerte me fëmijët, mundësisht pa leke, sepse nuk kemi financime. As vete nuk e kuptoj pse hasim në kaq shume pengesa. Ka diçka që nuk shkon. Përpiqem për qytetin tim, por pa sukses. Ka një heshtje të madhe. Vetëm Heshtje. Përpiqem me te gjitha forcat e mia të ndez llampat e dritës e të dijes, por shoh qartë e konkretisht duar të pista, që, me një zell të shfrenuar, thyejnë poçat e kulturës e të artit.

– Ka një debat të vjetër sa edhe tranzicioni shqiptar, rreth rrugës që ka ndjekur muzika e lehtë në dy dekadat e fundit. Tallava, muzikë me tone orientale, muzike komerciale, ritme të huazuara nga gjini si: rap, dance, house etj. Si e sheh syri dhe si e dëgjon veshi i një kompozitori me famë të madhe dhe përvojë të gjatë, këtë produkt që ka mbushur radiot, televizionet, lokalet dhe dyqanet muzikore?

– Këtu në Sarandë, ka një shprehje që dëgjohet me raste: “në det, ka peshk me bollëk, por ai është i nakatosur me ujë”. Te ne, padyshim që ka muzikë, por është aq shumë e rrethuar me zhurma, sa të brengos shumë, se të kujton fatin e saj si të njëjtë me atë të manushaqeve. Kemi muzikë, por me shumë pak identitet dhe kjo thellon edhe më shumë mungesën e emocionit artistik. Ka institucione, por ato nuk kanë funksione, sepse shteti nuk pranon të mbajë përgjegjësi, njësoj sikur të themi që kemi pushkë, por nuk kanë gjilpërë. Ka shembuj, sa të duash.

– I di qeveria këto?

–  Ju lutem bëjini pyetjet më mirë: – pse duhet t’i dijë, a i intereson, kush ia tha  e  kush  i  kërkoi  llogari? Avokat Ngjela thotë: Asgjë nuk mund të bëhet, po nuk i deshi qejfi Kryeministrit. Na vjen keq, por kjo është e vërtetë shume shqetësuese. Ky piktor me mendje të ndriçuar, i pajisur me një vullnet për ta patur zili, bashkëjeton me mediokritetin, për shtatë palë qejfe…?!!! Hata e madhe. Është e pamundur ta besoj, edhe pse e thashë vet. Ka një sqimë të lartë në jetën e tij dhe është i edukuar me një estetikë që të bën të çuditesh, se si ky aristokrat  i fjalës, vizionit  dhe etikes, futet të lahet në të njëjtën vaske me mediokritetin …Është e pamundur…E ka një hall. Me siguri që fshihen qëllime të errëta… Megjithatë… Njerëzit nuk duhet të harrojnë kurrë se ditët e kalendarit, si ato të mira, edhe ato të liga, rrokullisen njëlloj, si për pushtuesin edhe për të pushtuarin.

– Shteti dhe arti e kultura? Si qëndron aktualisht ky trinom? Sa dhe si investohet për artin e kulturën në vendin tonë?

–  Ka shumë investime, të shpallura e të pashpallura. Ka shumë pak produkt me vlerë: Ka humbur qëllimi, kontrolli, përgjegjësia dhe morali. Fonde ka shumë. Ky fakt na gëzon, por njëkohësisht dhe më frikëson. Kam përshtypjen gjer në bindje, se me to bëhen QOKA.

– Çfarë mund të shtoni diçka më shumë për procesin krijues?

– Kohë më parë, tek të gjithë krijuesit, ishte shfaqur një sindromë, gjatë procesit të tyre krijues: kërkonin me çdo kusht, mund e sakrificë, vetëm lavdinë: donin të bënin vetëm vepra të bukura, të veçanta, të suksesshme. Në kërkim të lavdisë. Edhe pse u mungonin shume gjera të rëndësishme si ekonomia, kushtet e jetesës e mbi të gjitha Liria e pa kufizuar, prapëseprapë, mendjen e kishin tek Lavdia. Të dukej sikur ngjanin me elefantët që bëjnë një rruge shumë të gjatë e të mundimshme për të gjetur atë lloj argjile, që i ndihmonte kundër parazitëve. Një arsye më shumë, në këmbënguljen e tyre, që edhe fakti se ata kishin përvetësuar këshillën e Arkimedit: ose hesht, ose thuaj diçka më të vyer se heshtja!

– Po Liria ju mungonte…apo jo ..?

–   Jo, për çfarë lirie po flisni… Unë isha i lirë të doja Atdheun tim e t’i këndoja atij bukur, mundësisht si P. Gaci, P. Jakova,  A. Prodani, K. Laro, Ç. Zadeja. V. Koreshi, Dh. Xhuvani etj., etj. e pothuaj të gjithë… të heshtnim dhe mundoheshim të bënim diçka më të vyer.

– Ksamili është një shembull perfekt i tranzicionit shqiptar, ku natyra e mrekullueshme duket se ka qenë në kontradiktë të përhershme me dallgën e madhe të ndërtimeve pa leje e të shkatërrimit, që përjetoi ai breg ne vitet e fundit. Si e përjetoni këtë kontradiktë? Sa ju mungon Ksamili i dikurshëm?

– Unë nuk besoj se vetëm Ksamili, është një shembull i veçantë tranzicioni, për mua, është gjithë Shqipëria si e tillë. Kjo që ndodhi tek ne nuk ishte e rastësishme, por e menduar dhe e realizuar mençurisht, pa gabime, shpejt e me guxim prej militantësh, si për të provuar se lufta brenda llojit, ka të garantuar suksesin e kërkuar. Ndërtimet pa leje, të ndërtuara pa një plan urbanistik, uzurpimet e hapësirave publike buzëdetit, që shërbejnë si sherr civil i përhershëm, mes njerëzve, në këto hapësira pa zot, por të ruajtura mirë me “trima”, sypatrembur.

Ksamili i dikurshëm? Jo…Nuk me mungon, sepse natyra është po aty ku ka qenë, ka pësuar ca ndryshime, por me kohë ato do të përmirësohen dhe ajo që është me e rëndësishme, jam i bindur se do të shkoje “haku te i zoti”.

– Ka një konstatim që dëgjohet gjithnjë e më shumë se, muzika që realizohej në sistemin e kaluar, kishte karakter pllakatik, ndërsa sot në demokraci, ky fenomen nuk ndodh. Është e vërtetë? Cili është komenti juaj?

– Po, kishte një fryme apo me mirë te themi, kishte një tendence te tille, por duhet të sqarojmë me parë, se ka një ndryshim të madh e të theksuar midis sloganit politik, që në shumë raste ishte i dhunshëm e i papranueshëm, dhe pllakatit artistik, me ide dhe emocione konkrete, te qarte e te dobishëm. Fjala është, kur flasim për Atdheun, për Luftën Çlirimtare, apo për Kombinate, Hidrocentrale ose për grumbullime te mëdha Sociale; nuk është njëlloj si kur shkruajmë për dashurinë, divorcin apo emocione të tjera të problematikave të njeriut të thjeshtë. Dimensioni i konceptit, i tingullit dhe përmasat e trupave qe ekzekutojnë këto vepra, rriten. Dhe bashke me to rriten dhe emocionet shoqërore monumentale. Ne te gjitha këto raste, përgjegjësinë e vlerës së tyre e ka marre përsipër fjala dhe tingulli dhe poeti e kompozitori. Por jo te gjitha faqet e kësaj gjinie muzikore, janë me vlera te arrira. Shumë herë me to, historia luan si ia do qejfi. Ato bien e ngrihen në vartësi të politikës e kujtesës njerëzore. Por, në këto vepra muzikore, ka faqe mahnitëse e kaq befasuese, sa na duket se bëjmë të njëjtin gabim, sikur thyejmë monumente te mëdha, qe historia nuk na i pranon, ne asnjë kohe e për çdo arsye. Le te citojmë disa shembuj, si një pjese e rëndësishme e historisë sonë, e lënë ne harrese: marshin e P.Jakovës, marshin ”Revolucioni marshon” te T. Hoshafi, marshin “Parti e punës, parti e trimave” e Ç. Zadejes, ”O parti, pranvere e kësaj toke” te F. Dedes, hymnin apotheoze te P. Gacit ”Për ty Atdhe” e shume e shume te tilla qe ka çdo kompozitor, te cilat nuk i klasifikoj si pllakatike. Ka me shume se 50 vjet qe me ndjek ne mendje, një pllakat i jashtëzakonshëm, i Naxhi Bakallit…”Afrika këput prangat” apo pllakati  për 25-vjetorin e çlirimit te Atdheut, i realizuar nga B. Dizdari, pllakatin shumë tipik e të realizuar artistikisht për sigurimin e shtetit te S. Markos, pllakatin e Z. Matit, monumentin “Lart frymën revolucionare” te M. Dhramit dhe monumentin “Malësori” të Ll. Nikolli, dy vepra, si shume te tjera, te burgosura ne bodrumet e Galerisë së Arteve. I kam kërkuar tek disa drejtore të këtij institucioni per t’i marre ne inventare te përkohshëm, me përgjegjësi te plotë me penalitete te larta, por nuk kam mundur të bëj gjë pa ndihmën dhe mbështetjen e Kryeministrit. E vlerësoj lart këtë disipline artistike institucionale, por them se përjashtimi, forcon rregullin. Të gjitha këto vepra që citova apo kalova nëpër mend e që populli i ka të fiksuara në kujtesën e tij historike, ne nuk duhet t’i harrojmë dha as t’i nënvlerësojmë. Autorët kanë veç të drejtën t’i redaktojnë, t’i pastrojnë, t’i lëvdojnë e të mburren me vërtetësinë e tyre historike, ku si në asnjë rast tjetër janë të përjashtuar të paaftët e batakçinjtë, qofshin edhe me grada e me tituj. Me këtë rast dua të besoj se jo te gjithë gjenitë që bënë muzikë mahnitëse për Kishën, ishin besimtarë. Ata besonin, vetëm të bukurën dhe madhështoren. Këtë bënë dhe shqiptarët. Kërkuan me këmbëngulje Lavdinë.

– Në vështrimin tuaj, si qëndron raporti i qeverisjes me popullin?

– Sistemet shoqërore nuk rrëzohen me pamflete, refleksione, facebook, qytetari digital apo grumbullimin e kapitali kombëtar në pak duar, shpeshherë të pasigurta e të pista. Këto sisteme bien vetëm kur Qeveritë dhe Shteti, nuk marrin përgjegjësinë e nevojshme të keqqeverisjes së vendit e të popullit, si dhe bashkëjetesat e saj me mediokritetin, në nivele alarmante. Me sa duket, është e vërtetë, ajo që është thënë edhe më parë: nuk ka Qeveri të keqe, por ka Qeveri që nuk do popullin  e saj.

– Kjo intervistë na krijon përshtypjen se nuk keni shumë dashuri për këtë qeveri… 

– Kontratën për dashurinë dhe respektin, unë e kam vetëm me popullin, me një bilete vajtje-ardhje. Unë kam detyra ndaj tij, ai ka plotësisht të drejtë të më gjykojë. Po Qeveria?!!!

Intervistoi: Skënder Minxhozi

September 22, 2018 12:22
Komento

5 Komente

  1. M.Hajati September 22, 12:53

    Nji interviste e mrekullushme me shije humorit brenda me kritika te urta modeste e te sakta por dhe me nji rrenqethje te trupit ne kujtesen e gjithe asaj kohe krijimtarie historike arti qe pershkon i madhi kompozitor i nderuar Limoz Dizdari ne aromen e kendeshme tek nji gjethi dafine.
    Pershendetje edhe pse nuk njihemi ne biseda por qe te njohim me “shkrolat” e bukura qe i jep jete ne 5 vizat stoike te pentagramit me celsin qe veq Ti din ta vendosish ku magjepse shpirtat dhe zemrat e njerezve.
    Pershendetje!!!

    Reply to this comment
  2. cudi; po pse vetem jashari.....ja "vari" !?!?!? September 22, 15:32

    na doli dhe ..limon..tosi, “anti”..socialist… i mjeri une; .. i “vetmi” ne planet, qe s’mendoj keshtu .

    Reply to this comment
  3. po kush do jete, koka e kesaj MOSTRE???? September 22, 15:43

    thone se masonet drejtojne boten, nga duan ata (e besoj) . por ne shqiperi, egziston nje “masoneri”, anti komuniste e pa pare, qe punon kriminalisht ne…ILEGALITET, te plote .

    Reply to this comment
  4. Pellazgos September 22, 17:41

    Po pse Santa Quaranta Italisht dhe jo Agios Saranda Epirotshe dhe paraturqisht zoti Dizdari?
    Do i behej qejfi edhe heroit Epirote Jeorgios Kastriotis qe u be Iskander dhe mb e vone Ghergj.
    Te pakten keshtu thote “historiani” filo turk Xhufi qe eshte nje nga mijerat antugreke,anti Epirote anti njeri.
    E mb ri eshte simbol thote Ng j.g ela Spartakos kur zonja Kocaqis thote tek programa Zona e Lire te Canit qe te ndryshojne mbiemrat arabe,se emrat i kini bere si Brazili Evropiane si Eduart,Elvis,Erion,Endrit,Elton etj.
    Kombi wshte respekt,lufte,nder,sakrifice zoti Dizdari dhe state mb e popull qe urren te paret e tij eshtevpopola Albanese e Beluskonit.

    Reply to this comment
  5. Dori September 23, 10:39

    I neruar Limoz, me beri pershtypje ideja juaj per ngritjen e nje Muzeu te Parlamentarizmit Shqiptar, i cili me 27 Mars 2020 mbush plot 100 vjet (edhe 20 muaj). Ju e keni prishur gojen me pushtetaret e tjere, prishe edhe nje here me Gramoz Rucin, thuaji ta ngreje. Sepse per fat, godinen e ka ne mes te Tiranes qe ruhet si Monument Kulture. I thuaj te ndjeke shembullin e Jozefina Topallit , e cila per sa kohe qe ndejti ne krye te Parlamentit e pergatiti dhe e botoi nje album dinjitoz per Historine e Parlametit Shqiptar…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*