Liposarkoma, çfarë është dhe si duhet trajtuar?

November 9, 2019 08:51

Liposarkoma, çfarë është dhe si duhet trajtuar?

Pranvera Kola

Liposarkoma është një tumor malinj (me ecuri jo të mirë) që lind nga qelizat yndyrore jonormale të indeve të buta dhe të thella, që shumohen në mënyrë të parregullt dhe të pakontrolluar (qelizat mezenkimale). Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita” se në përgjithësi, liposarkomat janë një ndër llojet e tumoreve që prekin indet e buta dhe nuk zhvillohen nga lipomat, të cilat janë tumore beninje të qelizave yndyrore (me ecuri të mirë). Qelizat e liposarkomës janë të ngjashme me qelizat dhjamore, por mendohet se zhvillohen nga indet më të thella të dhjamit dhe jo nga qelizat sipërfaqësore dhjamore që ndodhen nën lëkurë, ose mukoza. Sipas saj kjo sëmundje prek kryesisht moshat e mesme. Në vijim të shkrimit mjekja tregon se cilat janë shkaqet më të shpeshta që ndikojnë në shfaqjen e kësaj patologjie, shenjat për të cilat duhet të kërkoni menjëherë ndihmë të specializuar mjekësore, si dhe gjithccka duhet të dini rreth diagnostikimit, parandalimit dhe trajtimit të saj.

Kush rrezikon më shpesh nga kjo patologji dhe në çfarë zonash të trupit shfaqet?

Kjo patologji prek kryesisht personat e moshës së mesme dhe zhvillohet në zona të tilla, si: kofsha, rajoni gluteal (të ndenjurat), midis shpatullave, në supe, në këmbë dhe në pjesën e poshtme të brendshme të barkut. Megjithëse liposarkomat mund të zhvillohen pothuajse kudo në trup, shumica e tyre e tyre preferojnë të zhvillohen në bark dhe në gjymtyrë. Edhe pse nuk dihet se çfarë e shkakton zhvillimin e liposarkomave, ato zakonisht zhvillohen pas traumave dhe paraqiten si “një gungë e fortë”. Studimet kanë treguar se traumat apo dëmtimet nuk përbëjnë faktor rreziku në vetvete.

Por çfarë konsiderohen si faktorë rreziku për zhvillimin e liposarkomave?

Sikundër e theksuam edhe më lart ende nuk dihet saktësisht shkaku i vërtetë i kësaj patologjie. Megjithatë, janë listuar një sërë faktorësh që shtojnë rrezikun për zhvillimin e këtyre tumoreve. Faktorët e rrezikut për zhvillimin e liposarkomave mund të përfshijnë rrezatimin, tumore të caktuara me predispozicion familjar (neurofibromatoza, sindromi Gardner), dëmtimi i sistemit limfatik. Faktor rrisku mund të jetë edhe ekspozimi ndaj kimikateve të caktuara (për shembull polyvinyl chloride, dioxin).

Cilat janë shenjat klinike që shoqërojnë shfaqjen e liposarkomave?

Shumë pacientë me liposarkoma nuk ndiejnë fillimisht shqetësime të dukshme që të kuptojnë se kanë të bëjnë me këtë sëmundje. Pjesa dërrmuese e tyre kërkojnë ndihmë të specializuar mjekësore vetëm në rastet kur shfaqen shenja të tilla si: enjtje të dhimbshme ose shfaqja e gungave nën lëkurë, mpirje, ndjesia e djegies në vendin e ënjtur. Shenja të tjera dalluese të kësaj patologjie janë edhe dhimbjet e barkut, kapsllëku (konstipacioni), ndjesia e ngopjes së shpejtë pas ngrënies, jashtëqitjet me gjak (këto shenja janë të pranishme tek pacientët që zhvillojnë liposarkoma në zonën e barkut). Po ashtu mund të ndjeni dhimbje gjoksi, shpine, vështirësi urinimi ose të shoqëruar edhe me dhimbje, si dhe të përziera, të vjella. Mund të shoqërohet edhe me zgjerimin e venave në formën e variceve, me lodhje ose dobësi të shprehur, kufizim të lëvizjeve, veçanërisht të gjymtyrëve të prekura.

Si mund ta kuptojmë që simptoma e lodhjes ka të bëjë me këtë patologji dhe jo të tjera?

Në këto raste lodhja mund të përshkruhet si mungesë energjie dhe motivimi (si fizike, ashtu edhe mendore). Kjo lodhje është ndryshe nga përgjumja, një term që përshkruan nevojën për të fjetur. Shpesh një person ankon se ndihet i lodhur dhe i takon mjekut të bëjë dallimin midis lodhjes dhe përgjumjes, megjithëse të dyja mund të jenë prezente në të njëjtën kohë. Lodhja mund të jetë gjithashtu edhe një përgjigje normale ndaj aktivitetit fizik dhe mendor, e cila në shumicën e individëve normalë lehtësohet shpejt (brenda një dite, zakonisht në varësi të intensitetit të aktivitetit) duke zvogëluar aktivitetin. Pra duhet një vëmendje e madhe në diferencimin diagnostiko të kësaj simptome.

Si vendoset diagnoza?

Natyrisht që këto shenja klinike mund të jenë të pranishme edhe në shumë sëmundje të tjera. Prandaj diagnostikimi i liposarkomës do të plotësohet nga mjekët së pari me ekzaminimin fizik të pacientit dhe me ekzaminimet laboratorike dhe radiologjike. Ekzaminimet me rreze X dhe rezonanca magnetike japin informacione për pozicionin anatomik të tumorit, kufizimin e tij si edhe nëse janë përfshirë elemente kockore dhe më tej. Sigurisht që diagnoza do të konfirmohet nga biopsia e indeve përkatëse. Rëndësi i kushtohet ekzaminimit të thoraksit (zona e kraharorit) pasi ky është vendi më i zakonshëm i përhapjes së metastazave.

Cilat janë opsionet e trajtimit të liposarkomës?

Trajtimi i liposarkomës është kryesisht kirurgjikal, me qëllim largimin tërësisht të masës tumorale dhe parandalimin e përsëritjes së tij duke hequr të gjitha qelizat e tumorit. Në të kaluarën, opsioni kirurgjikal për tumoret që preknin gjymtyrët ishte amputimi (prerja e gjymtyrës). Aktualisht, vetëm rreth 5 përqind e pacientëve që zhvillojnë liposarkoma të gjymtyrëve i nënshtrohen amputimit. Po ashtu, heqja e masës tumorale në zonat e tjera të trupit ku ai zhvillohet mbetet opsioni i zgjedhur. Sidoqoftë, shumë pacientë trajtohen nga një kombinim i kirurgjisë me terapinë e rrezatimit. Në fakt shumë pacientëve u zhvillohet terapi rrezatuese përpara operacionit me qëllim për të tkurrur masën tumorale. Ndërsa kimioterapia mbetet për t’u diskutuar dhe varet nga rasti i paraqitur.

Cila është prognoza e liposarkomave?

Prognoza e liposarkomave ndryshon me llojin dhe vendndodhjen e tumoreve. Tumoret e ekstremiteteve që trajtohen në mënyrën e duhur kanë një prognozë relativisht të mirë. Sidoqoftë ekzaminimi nëpërmjet biopsisë i qelizave të tumorit është vendimtar në prognozën e liposarkomave. Shumica e liposarkomave zhvillohen te njerëzit me faktorë rreziku të njohur. Si pasojë nuk ka asnjë mënyrë për të parandaluar liposarkomat përveçse të shmanget ekspozimi ndaj faktorëve të rrezikut që përmendëm më lart. E rëndësishme është që me shfaqjen e masave, apo gungave në pjesë të ndryshme të trupit tuaj duhet të paraqiteni menjëherë te mjeku për të bërë diagnostikimin në kohë të sëmundjes, si dhe përcaktimin e trajtimit që duhet ndjekur.

Shkaktohet nga faktorë të tillë, si:

  • Tumore të caktuara me predispozicion familjar.
  • Dëmtimi i sistemit limfatik.
  • Ekspozimi ndaj kimikateve të caktuara (polyvinyl chloride, dioxin, etj).

 

Duhet të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore kur keni shenja të tilla, si:

  • Enjtje të dhimbshme, ose shfaqje të gungave nën lëkurë.
  • Mpirje, ndjesi të djegies në vendin e enjtur.
  • Zgjerim të venave në formën e variceve.
  • Lodhje ose dobësi të shprehur.
  • Kufizimi të lëvizjeve, veçanërisht të gjymtyrëve të prekura.
  • Dhimbje barku
  • Kapsllëk (konstipacion)
  • Ndjesi të ngopjes së shpejtë pas ngrënies.
  • Jashtëqitje me gjak.
  • Dhimbje gjoksi, shpine.
  • Vështirësi urinimi ose të shoqëruar edhe me dhimbje.
  • Të përziera, të vjella, etj.
November 9, 2019 08:51
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim