Liria e shtypit nuk është “armë pa leje”!

September 9, 2018 10:45

Liria e shtypit nuk është “armë pa leje”!

 

Kristo  MËRTIRI

-Ti, miku ynë i vjetër, nuk ke patur dhe as ke frikë nga e kaluara, e sotmja dhe e nesërmja. Pas 40 viteve bujk nëpër arat e gazetarisë që e deshe dhe sakrifikove aq shumë, tani duhet të thuash mjaft të pathëna publikisht. Muzgu i jetës po na troket fort dhe kemi ende këllqe të parëna e të pangrëna nga kostot e paguara herët. Por faqen nuk e bëre pis kurrë.

Edhe Xhelil Aliun tonë, së fundi, e kuptuam mirë se ku i rrihte çekani. Se atdhetarët e kulluar nuk kanë nevojë për dylbi a furca e as për reklama marramendëse nga tezgat e tregut të demokracisë së tregut. Të dyve një Vjosë u ka larë, rritur e përkundur brigjeve dhimbjeshumë !…Por një mesditë, sikur na ra tavani i kafenesë “Ali Pasha Tepelena” mbi kokë : Po ligjëronte e jepte leksione gazetarie një këllirë që ndoshta ka abuzuar më shumë se kushdo me Lirinë e Fjalës. Janë nga ata tipa që për ca kohë u ngjitën si me katapult dhe paguheshin jo pak si shefa nëpër emisione televizive apo në krye të sektorëve në median e shkruar. U drodhën, u ngjitën e u përdrodhën si kulpër pas pronarëve e drejtorëve. Veçse nuk u mbahet mend gati asnjë shkrim. Dhe sot paskan mbetur jashtë atij çanakut vetëlëpirës e po ngjajnë me çapaçulët që nuk i përfill më njeri, pasi e kanë çakërdisur mizorisht fjalën. Ore babam, mos e harro llafin e gjyshit tënd, “nuk mbulohen dot Goliku e Trebeshina me një grusht dheu”! Ne të njohim mirë denbabaden dhe me siguri e ke hedhur pas krahëve një diarre erërëndë që shkelte çdo parim e normë qytetare, zakonore, shoqërore, profesionale e pse jo ligjore. Dhe ndoshta me të drejtë nuk dëshiron t’ia përmendim as emrin. Por ne vërsnikët e tu na trazoi jo pak ajo këllirë që dikur derdhi mbi emrin tënd broçkulla e llum në disa edicione lajmesh për 24 orë, duke fshehur autorësinë e të vërtetat vezulluese. Thonë se është ethe e butë e tinëzar me karakter plasteline. Dhe ti e bëre zemrën hambar, u tregove fisnik dhe nuk e padite as publikisht e as në Gjykata. Sot e kësaj dite nuk je takuar ende, nuk të njeh fare personalisht dhe minimalisht nuk ka kërkuar asnjë ndjesë ! Shkurt muhabeti, sic thosh patriarku i publicistikës shqiptare, Dritëroi i pavdekshëm : Edhe liria e madhe është një dalldi…Ata janë nga ajo racë që sokëllasin nga istikamet e dhuruara në media dhe vazhdimisht “betohen për të vërtetën e puthen me gënjeshtrën”. Mjafton ta kenë grurë me eprorët dhe tutorët e kamur e të dhjamur…

Miqtë e mi të veçantë që jetojnë e punojnë te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit dhe pa asnjë teserë partiake në xhep, i thonë gjërat acik, pa arra në gojë e pa fjalë rrumbullake. Dhe asnjëherë nuk bëjnë dardha në shënëndre. Sepse mashtruesit zakonisht hiqen të drejtë si drapri dhe e kthejnë ekranin në bedena të rëndomta hakmarrëse. Duke e përdorur fjalën si “armë pa leje” ose sa për beriha e zhurmë. Madje gënjeshtrat i stolisin me penj të kalbur e bojëdalë. Për rastin konkret, ata kanë shumë të drejtë që zemërohen përballë një kokëtuli që mund të tundë e shkundë ndonjë diplomë kallpazane gazetari dhe qëllon kuturu e pa asnjë fije përgjegjshmërie e ndershmërie (Madje vërsnikët e mi punëtorë,-e them për herë të parë,-përgatitën me emrat e mbiemrat e tyre edhe një kërkesë padi, që unë ia preva me mirëkuptim udhëtimin e rrallë kolektiv). Akoma më keq nëse ndërsehet nga dikush si zagar gjahu aguridh nga kolibet e falura djallëzisht dhe me shënime anonime, pa autor ! Sinqerisht, me kalimin e kohës kam pritur ndonjë reflektim njerëzor e dinjitoz, por më kot. Me dhimbje e them : Edhe në gazetarinë e Tranzicionit pa fund, mjaft vlera janë kthyer në antivlera. O Zot, na ruaj nga orekset e Sanco Pancës !,-do lutej me siguri Ndoc Gjetja ynë fatgremisur, për këta shqytarë “modernë” e besnikë verbëranë lidhur te paraja-maskaraja. Të zhytur në atë pragmatizmin provincial e vulgar, të pashpirt e që duan vetëm veten dhe atë gomarin e famshëm, realisht luftojnë me mullinjtë e erës. Dhe të dalë ku të dalë, “e zbrazin një herë ciften me sacma të mbushura me thërrija për t’i bërë morra” në ekrane, pordhale e gazeta telendare. Shumë prej tyre kanë mbetur mballomatarë dhe ndoshta nuk e meritojnë asnjë sekondë emrin e shenjtë Gazetar. Deri kur kjo kohë e sertë e andralla shumë, do të sundohet nga dhelpra dinake e Polit(h)ikës e nga mjaft mashtrime të pëgëra ? Thjesht sepse “Sanco i shkretë duhet të vuajë dalldisjet e të zotit”, por edhe jargët e vetes. Dhe shpesh i largohen asaj mençurisë së moçme shqiptare, që nganjëherë fjala është më e rëndë se plumbi. Aq më tepër kur shitet me megafon, kamera e mikrofonë përmes tregut të ekraneve farfuritëse apo nëpër sallhane të mykura. Sepse “të vjen keq kur dalin në televizor disa kryeredaktorë(shërbëtorë) dhe flasin për moralin e gazetarit. Ata janë vetë të pamoralshëm”. Dhe fjalën nuk e vënë fare në kandarin e profesionalizmit e të shtetit të së Drejtës. Se për kulturë e qytetari as që bëhet llaf. Në 40 vitet e mia të Gazetarit profesionist, kam falur edhe kundërshtarë të shkolluar e injorantë. Dhe disa prej tyre arrita t’i bëj edhe miq. Por ndonjë xhambaz e këllirë që guxon ende të shesë xhaba e publikisht britma për Lirinë e Medias, kur vetë e shkel me të dyja këmbët, kjo s’ka prapanicë të qëndrojë ! Dhe sipas tij kujton se është vënë “pikërisht në shërbim të asaj lirie që ne e kërkojmë me forcë,jo për vete,por si frymë dhe gjak për demokracinë”(?!). O Zot, o Perëndi e madhe, na mbaj gojën kyçur e fiqirin në kokë, se mund të tromaksim dynjanë me ndonjë ulërimë !

Zakonisht, qeni që leh nuk ha, por nxit të tjerët të hanë. Aforizma agolliane mbetet postulat i paprekshëm sot e kësaj dite. Fjala vjen, gjatë këtij Tranzicioni brinjëdalë nuk u shtuan në media vetëm furtunat sensancionale, por edhe tabori me “analistë” që përmbytin ekranet mbrëmave. Disa nga ata lenë vilat luksoze për pak orë dhe rrezëllijnë para publikut nga studiot pendëfryra në televizione ! Dhe kolegët e brezit tim që nuk lanë vend të Atdheut pa shkuar mes njerëzve në qytete e fshatra, në fusha e male, në shi e dëborë, pa fuoristrada e autostrada, pa diktofonë, pa celularë, pa internete e salltanetet e kësaj kohe me lehtësira të mëdha. E, megjithatë, pak, fare pak e kanë prekur e njohur realitetin lakuriq nëpër krahina e zona të thella. Madje, nganjëherë ngatërrojnë e korkolepsin edhe gjërat më elementare. Nuk dinë t’ua thonë saktë shikuesve e lexuesve as edhe emrat e qyteteve e fshatrave(!). Sepse gati përditë rrotullohen e rrotullohen rreth selive qendrore partiake e shtetërore në metropol. Përfytyroni për pak çaste sikur një ditë e vetme të mos ketë komunikatë nga Policia e Shtetit !…Por jo çdo informatë përbën lajm, sidomos ato që rrjedhin nga gjirizet e kronikës së zezë që po lemerisin të rinj e të moshuar. Asnjë shoshë a sitë profesionale nëpër vrapin ogurzi për të dalë të parët në ekrane, tamam si korrierë e tellallë transmetues vulgarë. Të thatë e të thantë, bubullues e arrogantë që miqtë e mi i quajnë lukuni shurdhuese për shushatjen e dremitjen e opinionit publik. Kopjacë të rëndomtë të njeri-tjetrit nga zyrat e kafenetë, pa shkuar hiç në vendngjarje e pa u thelluar aspak te shkaqet e sebepet. Përtojnë të heqin edhe inicialet dhe…Yrrja-Byrrja ! Pa saktësuar faktet. Mirëpo shkopin,-thonë bashkëfshatarët e mi,-po e ndyve të tërë, s’ke ku e kap dhe as e heq dot zvarrë. Dhe marrin yrysh, lëshojnë fjalë e komente azate pa fre e pa zot, që më tepër të mpijnë trurin dhe njeriu nuk dallon dot grurin nga thekra. Të tilla këllira e sëmurin rëndë besueshmërinë në media. Sëmundje që do kohë të kurohet e shërohet plotësisht. Shkurt, të publikosh fjalë me jastëk e përtej përroit psikik. Se nuk ngul këmbë kot i mençuri : Edhe kur thonë të vërtetën, gënjeshtarëve nuk u beson kush. Përjashto kronikën e zezë, siç theksonte pa dorashka Xhelili i rrallë që i fali shumë Radio Tiranës, gjithçka që transmetohet nuk e kalon unazën e Kryeqytetit ! Dhe i ngopin shikuesit e lexuesit “me petulla të vizatuara” keq e pa asnjë gram profesionalizmi, qytetarie e idealizmi, duke dredhur zinxhirin ose shkoqisin tespihet nëpër metropol.

-Mos e lëndo shumë zemrën, miku ynë i vjetër ! Edhe mendjemadhësia boshe shkon kaluar, ama një ditë kthehet në këmbë. Në fund të fundit, këllirën edhe me ujë luleshqerre ta lash, nuk e bën dot të bardhë!…

Çdo e vërtetë ka dy anë. Jo rastësisht kujtova një fabul ezopiane: ”Një mushkë, e dhjamur dhe kaba nga racionet e bollshme të misrit që hante, një ditë teksa hidhej, shkelmonte e kërcente nëpër fusha, mendoi me vete:”-Nëna ime ka qenë me siguri nga racë e zgjedhur dhe unë jam po aq e mirë sa ajo!” Por u lodh shpejt nga të hedhurit pupthi e nga galopi dhe u kujtua që ati i vet nuk kishte qenë gjë tjetër veçse një gomar…(Është mirë t’i shohim të dyja, para se të shpallim cilët jemi. Nuk e mbaj mend kush e tha i pari : Një gazetar i vërtetë i shpjegon shumë bukur ato që nuk i di…

September 9, 2018 10:45
Komento

8 Komente

  1. Titulli tingellon bukur .Por liria e shtypit s'eshte vetem e atyre qe pretendojne shtypin te vetin ,Revire personale . September 9, 12:21

    Korrekt eshte gjithmon ajo qe mendoj e shkruaj un !

    Korrekt s’eshte gjithmon ajo qe mendoj e shkruaj un .

    Kush ka te drejte ?

    Ti qe pretendon shtypin e lirine e shtypit si nji pjes
    e nji grupi te caktuar ,
    apo
    Ti qe nuk di ku fillon liria jote e mbaron e tjetrit ?!

    Ti qe ke lirine e shprehjes dhe imponohesh opinionit
    me botekuptimin tend absurd vs Realitetit Shqiptare
    endur midis te vertetes dhe te pavertetes ,
    injorances e mangesise se njohjes vertet te fenomeneve ne ate shoqeri ,kush eshte e drejta dhe jo
    ne ato interpretime shpesh gropteske ,jashte
    se vertetes ,duke mos qen aspak realiste ne mendimet
    qe hedh per shtyp ?
    Mos shtypni opinionin me opinionet tuaja shpesh absurde shprehje e panjohurise dhe mundeses se llogjikes njerezore .

    Reply to this comment
  2. MH September 9, 14:15

    Z.Gazetar Kristo Mertiri Nga kjo qe vecoj e shkruar nga Ti:
    “” Një gazetar i vërtetë i shpjegon shumë bukur ato që nuk i di…””

    Ti,tashti po na spjegon ato qe di apo ato qe nuk di.

    Reply to this comment
  3. Arianiti September 9, 14:41

    Shkrimi eshte domethenes. Teper korekt. Abuzuesit permes medias, si shembujt qe sjell z.Mertiri, jane real, me emer e mbiemer. Dhe fatkeqrsisht hiqen per gazetare. Gazetari nuk ka kete mision. Spekullantet mbeten spekullante.
    Respekte autorit te ketij shkrimi dinjitoz.

    Reply to this comment
  4. Edlira September 9, 15:35

    Bukur thuhet per ata te vetquajturit gazetare qe “kane mbetur mballomatare”, qe “leshojne fjale e komente pa fre e pa zot, qe me teper te mpijne trurin…”. Roli i gazetarit eshte i njohur; ne radhe te pare te respektoje te verteten, pavaresisht komenteve qe ben, per ti sherby demokracise e per rrjedhoje fuqizimit te vete shtetit. Aq me keq kur faktet falsifikohen.
    Dita, beni mire qe botoni shkrime si ky. Te gjithe kemi nevoje per to.

    Reply to this comment
  5. Besnik T. September 9, 15:42

    Xhelil Aliut, te cilit i drejtohet disa here gazetari, eshte ikona e radiotelevizionit shqiptar. Eshte nder per kedo qe i drejtohet atij, gazetar e shembull i rralle i njeriut me kulture.

    Reply to this comment
  6. Koli September 9, 20:27

    I nderuari Mertiri!
    Je idealist ,por me kete shkrim je larg nga realizmi i Migjenit te madh!
    Ke shkruar shume,por pa asnje emer nga maskarenjte!
    Keshtu mund te shkruash per te gjithe boten pa gervishur njeri!

    Reply to this comment
  7. Dashamiresi D September 10, 14:40

    Koli komntues, shok e mik i vertete i Kristo Mertirit ,me komentin..keshille miku. Me te dhe une.
    Dashamiresi.

    Reply to this comment
  8. Abdyl bakiu September 14, 23:27

    Gazetaria e mire eshte kur shkruan per te verteten e prekur me dore dhe e pare me sy.
    Por gazetar i mire eshte edhe ai qe komenton te vertetat sidomos ato te verteta qe i ndjejme dhe i shohim perdite. Pikerisht kjo eshte merita e ketij shkrimi. Jo me kot thote autori qe media nuk eshte arme pa leje. Se ndryshe do vriteshin njerez e do hapeshin plage te reja

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*