Të varfërit u varfëruan aq shumë, saqë morën Urinë e tyre, e futën në një shishe dhe shkuan ta shisnin. E blenë të pasurit: të pasurit, të cilët në jetë kishin ngrënë gjithçka; nga haviari, te palca e qenve. Por ndjesinë e Urisë së të varfërit nuk e kishin provuar kurrë.
Pra, të pasurit e blenë, e paguan mirë, dhe të varfrit u lumturuan. Për ca kohë ecën disi përpara, por pak më vonë u kthyen po aq të varfër sa më parë. Atëherë paketuan Etjen e tyre dhe shkuan ta shisnin.
E blenë të pasurit: të pasurit të cilët në jetë nuk kishin lënë gjë pa pirë, por nuk e kishin shijuar ende Etjen e vërtetë; atë etjen e të skamurit që ta shkreton buzën.
Pra, të pasurit e blenë Etjen, dhe e paguan mirë. Të varfërit u lumturuan. Dhe vazhduan ca kohë zvarritjen, por pak më vonë ishin prapë po aq të varfër sa më parë.
Atëherë morën Zemërimin e tyre, e futën edhe atë në një shishe dhe shkuan ta shisnin.
E blenë të pasurit edhe Zemërimin. Të pasurit të cilët në jetë kishin patur kokëçarje, ishin ndjerë të nxehur e të inatosur, por Zemërimin e vërtetë shkatërrues nuk e kishin provuar kurrë.
Kështu që e blenë nga të varfërit që e kishin me shumicë. Dhe e paguan mirë. Të varfërit u lumturuan ca kohë, por mjaftoi pak për t’u rikthyer sërish tek varfëria.
Atëherë shitën gjithçka njëra pas tjetrës: Revoltën, Mosbindjen, Muzikën, Fjalët, Letërsinë, Kujtesën, Ndërgjegjen Klasore, Dhunën…
Të pasurit akumulonin. Në kantinat e tyre ata kishin tani mijëra e mijëra shishe. Përkrah verërave të cilësisë më të lartë, qëndronin shishet ku ishte mbyllur e gjithë kultura e të skamurve: mllefi i tyre, fuqia revolucionare, zemërimi i punëtorëve të krahut, dhimbja nga padrejtësitë; krenaria, vendosmëria, indinjata! Gjithçka e taposur mirë. Derisa…
Derisa pas disa gjeneratash, të varfërit kishin shitur gjithçka. Ata u bënë më të varfër se kurrë. Atëherë morën Varfërinë, e futën në shishe dhe shkuan ta shisnin edhe atë. E blenë të pasurit, që donin të ndiheshin aq të pasur sa ta kishin të vetin edhe mjerimin e të mjerëve.
Kur mbetën pa gjë fare, të varfërit… u armatosën! Dhe jo me thika e me pirunë, por me pistoleta e me armë! Po, po! Sepse revolucioni nuk është një drekë solemne: revolucioni është një akt dhune, force!
Dhe ashtu të armatosur, të varfërit marshuan drejt ndërtesave të Sunduesit. Arritën. Dhe aty ishte Sunduesi. I vështronte nga ballkoni, nga dritaret. Qëndronte serioz dhe i shikonte.
Të varfërit e armatosur qëndruan të heshtur, të palëvizur. Nuk bënë asgjë. Nuk bënin dot asgjë.
Sepse pa uri dhe pa zemërim, pa etje dhe pa krenari, pa indinjatë dhe pa kulturë, pa kujtesë dhe pa ndërgjegje klasore, nuk kryhet revolucioni.
Kështu që, pasi priti pak, sunduesi la ballkonin dhe zbriti në kantinë. Aty nga shumë shishe që ishin blerë prej të varfërve, kapi njërën. Një të vetme.
Ishte Liria.
Liria e tyre, e të varfërve. E paketuar bukur. E kishin fituar gjyshërit e tyre, e kishin shitur baballarët. Sunduesi ua riktheu atyre që prisnin poshtë ballkonit. Ata e morën dhe… provuan të bënin një parti, një rreth shoqëror, një himn, një flamur. Por nuk arritën të bënin asgjë.
Sepse liria, e vetme, nuk shërben.
Atëherë, sunduesi rrëmoi në xhepa. Gjeti një kuti me karamele. E hapi dhe ua hodhi të varfërve. Që nga ajo ditë, ata u rikthyen të lirë.
Të lirë për të përtypur karamele…
——-
“Liria e të varfërve” është shkruar nga Ascanio Celestini, shkrimtar, regjisor, dramaturg, datëlindja 1972.