Lirizmi i Kristaq Lakës si një metaforë përjetësie

April 8, 2018 10:51

Lirizmi i Kristaq Lakës si një metaforë përjetësie

 

Llambro RUCI

Vjershërimi i Kristaq Lakës është një befasi  e këndshme: detajet, figurat, ngjarjet, përbëjnë një ylber me ndjenja, që përfshin harkun e jetës së një njeriu me përvojë të shumëtrajtshme nga fëmijëria në pjekuri, mes sublimes së luftëtarit për liri dhe rojes të atdheut në piramidën e shenjtë, mes gëzimit dhe trishtimit dashuror a lirikës nën një lis, mes meskinitetit dhe heroizmit pa bujë të njerëzve që ndërtuan Shqipërinë.

Boshti i përmbledhjes, duke ndjekur shkallët e viteve,  pasqyron nyjen, që lidh heroin lirik me origjinën, duajt e mallit, siç thotë poeti, peizazhin e përmalluar me një jetë me drurë, gjethe, zogj, stinë që këmbehen, me njerëz të gjallë, me dashuri, mundime, qëndresë të heshtur, me gjithçka të bukur te pritja e nënës, te gjimnazistët e hovshëm, mësues e nxënës në një humbëtirë, në piramida ku jeta dhe vdekja përgjonin njëra-tjetrën…

Mes vjershërimit shpërthen etja rinore për të shpalosur çdo drithmë shpirti, por dhe brengën e moskuptimit dhe të ndarjes, miqësinë e sinqertë dhe sakrificën e ndërgjegjshme. Hijeshia  e vargut të Lakës përputhet me një ndjenjë të pastër e të furishme, që nuk ka asnjë rezonancë me poezinë banale të shpërdorimit a të përdorimit të trupit me perversitete, që jo pak shkruhen sot. Dhe këto lirika dashurie kanë një veçori të këndshme: ndërthurjen me gjithë elementet natyrorë, duke formuar një sfond a skenë për ndjenjën  e brishtë: Kallëzat me përkëdhelje /Mbi flokë na vallëzonin,/ Shenjë u bënin harabelave/ Që gjetkë mos na kallëzonin.

Padyshim ashtu si gjithë kolonjarët feksin për patriotizëm, edhe në vargun e Lakës ai është nderim për Luftën, për heronjtë e saj me ideale të ndritura, për historinë shqiptare me dramat e copëtimit dhe rrebeshet, që e rrrahën pa mëshirë këtë tokë të shtrenjtë e të bekuar.

Poezitë e lindura nga mësuesia në Skroskë përbëjnë një metaforë në vetvete. Sot është e vështirë të kuptohen rrethanat, vështirësitë, sakrificat e brezave të mësuesve që në mënyrë sublime i shërbyen atdheut, të nxënit të vogëlushëve në fshatra të thella e të izoluara, ku hovi rinor gërshetohej me trishtim, vetmi, thashetheme të një mjedisi që kishte mbetur ende në osmanizëm. Është një ditar i denjë për sociologji, sepse zbërthen nga përvoja personale një botë sot të panjohur dhe të paperceptueshme. Po vë të plotë vjershën e mëposhtme “Në shi” dhe lexuesit e poezisë mund të bëjnë një paralele me vjershën mbresëlënëse të Kadaresë “Mësuesja e fshatit” dhe mund të qëndrojë denjësisht përballë saj:  E shtuna na shtyn drejt familjes/ Dhe dalim në xhade e rrimë,/ Buritë presim në vend të ziles, /Presim, por s’ndihet makinë!…Orët kalojnë… Të sfilitur,/ Të qullur nuk ngjajmë me njeri,/ Dora si mërzi mbetet ngritur,/ Dhe presim, dhe presim në shi.

Është një poezi që ka shumë dashuri e dhimbje, shumë humanizëm, përballë  një realiteti  të pamëshirshëm, brutal, që të rrënonte rininë përgjithmonë: sa vajza korçare, vlonjate, girokastrite u endën grykave dhe ckërkave anemabanë Shqipërisë për të ndriçuar mendjet  e vogëlushëve të pafajshëm, por mbetën pa u martuar sikur të ishin qyqe? Dhe i shkuan vitet, siç pohon dhe poeti, në dhoma kolektive, pa zjarr, me mure të lyera me bajga si stalla (për stallat kujdeseshin më shumë!).

Nuk mund të ceken të gjitha motivet e këtij vjershërimi shumëplanësh të përmbledhjes të lidhur me botën dhe njerëzit, por do të ndalem te poema “Nakati (Viti i Zi ’97)”, që përbën një risi për origjinalitetin dhe forcën e vargut.

Është një krijim unik me ritëm, figuracion, skena, personazhe, peizazh (“Hëna duket si një vrimë në kafkën e botës”), që rindërtojnë në mënyrë grafike një dramë të paparë në historinë e Shqipërisë: grabitjen spektakolare të kursimeve të njerëzve dhe vithisjen e vendit në praglufte civile, përplasjen për herë të parë Jug-Veri pas epokës otomane kur Ali Pasha luftonte për territore me bushatllinjtë.

Poeti krijon me mjeshtri tablonë e haresë dhe çmëndurisë kolektive për fitime përrallore me kursimet  e shqiptarëve, pa djersë dhe, përballë rrënimin e piramidave, duke i zënë të gjithë poshtë si një tërmet i beftë shkatërrimtar. Me penelata piktorike Laka vizaton ankthin dhe drobitjen para portës së ferr-parajsës, sporteleve me hekura të kryqëzuara ku është mbyllur magjia, shpresat, ëndrrat për fitim nga piramida-pema  e mrekullisë: Përpara sporteleve,/ Me buzëqeshjen përgjysëm të ngrirë,/ Duart e zgjatura ngjajnë me një pyll të prerë që s’lëviz /Dhe të shtrira mbeten në trishtim shkretëtirë.

Shembja e piramidave, protesat popullore, hapja e depove të armëve dhe armatosja e popullsisë, ishin një prag-gjëme kombëtare, që përfshiu në një marrëzi kolektive fëmijë dhe të rritur, që loznin me armët, me vdekjen. Bandat gjithandej, bashkë me shtetin që u shkërmoq, në fillim atje te ura e Mifolit në hyrje të Vlorës që ndezi revoltën ndaj dhunës shtetërore, pastaj në Tepelenë, Përmet, Sarandë… Ishte një tmerr i vërtetë, kur pasiguria në rrugë, në shtëpi, në automjete  ishte si një anakondë që të mbështillte për qafe. Nën dritaret tona nuk fluturonin pëllumba, por fërshëllenin breshëri me plumba. Dhe nëse: Populli i pambrojtur, si syri,/ Syri, si populli i pambrojtur, si në erë;/ Populli njërin sy në shënjestër/ Syrin tjeter të nxjerrë…

atë e shpëtuan bijtë e vet që në në një marrëzi kolektive vendosën një rregull minimal bashkëjetese: mbaj mend  se në Tiranë policia ishte zhdukur nga faqja e dheut dhe qytetin e morën për ca ditë në dorë ca djem guximtarë, që duatrokiteshin me hare nga qytetarët, që kërkonin pak siguri për vete dhe fëmijët.

Kjo poemë me pasurinë gjuhësore dhe me një larmi autentike ndjenjassh të vitit të zi ’97, është një krijim me origjinalitet të spikatur, plot ritëm dhe befasi figurative, por njëherësh dhe një dokument autentik historik për psikologjinë dhe pasojat fatale të asaj gjëme, që po të mos ishte mënçuria e popullit, mund të kthehej në fatalitet…

Përmbledhja “Lirikat e fshehura” e Kristaq Lakës me realizmin e mprehtë, detajet e qëmtuara me kujdes, idetë që burojnë nga një gërshetim fatlumë mes përvojës jetësore dhe larmisë figurative, shënojnë një poezi origjinale plot freski dhe natyrshmëri. Ajo dëshmon, siç është pohuar shpesh, se prekja nga afër e fenomeneve dhe ngjarjeve, njohja me njerëzit dhe botën e tyre, nuk është një formulë e thatë, por një instrument për krijime të veçanta, që i bëjnë të mundur lexuesit të njohë realitete dhe ndjenja, që nuk i përjeton dot përmes një uni të mbyllur që rikrijon mjedise a botë ireale, të cilat nuk lidhen me historinë dhe jetën e shqiptarëve.

April 8, 2018 10:51
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*