Lista e PS , propozimet konkrete për paketën fiskale

Edlira Shehu December 20, 2012 16:06

Lista e PS , propozimet konkrete për paketën fiskale

Ndryshimet fiskale të propozuara nga qeveria dhe që priten të miratohen sot në Kuvend, kanë cuar partinë më të madhe opozitare të prezantojë dje mundësitë që duhet ta përmirësojnë këtë paketë duke kërkuar lehtësimin nga barra fiskale të një sërë kategorie biznesesh që nxisin rritjen ekonomike të vendit.  Në listën e propozimeve të kësaj partie janë heqja e akcizës për naftën, që të përdoret për bujqësinë, heqja e TVSH-së për makineritë për bizneset e vogla, si dhe shfuqizimi i nenit të projektligjit që parashikon rritjen e gjobave për bizneset që nuk deklarojnë punonjësit. Deputetja Mimi Kodheli tha se, ndryshimet e paketës fiskale duhet të parashikojnë lehtësimin e barrës fiskale për bujqësinë, duke hequr akcizën për naftën që përdoret si dhe heqjen e TVSH-së për inputet bujqësore, pasi në kushtet aktuale sektori bujqësor ka njohur rritje me 3 herë të shpenzimeve. Pavarësisht se qeveria në ndryshimet e saj të paketës fiskale ka propozuar heqjen e TVSH-së për makineritë kur ka investime mbi 500 mijë euro, deputetja socialiste u shpreh se Partia Socialiste do të kërkojë në seancë uljen e mëtejshme të kufirit, me qëllim që të ndihmohen edhe bizneset e vogla.

 

Partia Socialiste ka dorëzuar tashmë në Kuvend 4 drafte me amendime, që pritet të shtrohen për diskutim dhe votim. Përsa i përket sektorit bujqësor, amendamentet e Partisë Socialiste parashikojnë heqjen e taksave për plehrat kimike dhe për makineritë që importohen për qëllime investimi në këtë sektor. Po ashtu, për naftën që përdoret në bujqësi, amendamenti i PS-së parashikon zerimin e akcizës ndërsa për farërat, fidanët dhe vaksinat, një tatim me 10 për qind. Po ashtu, Partia Socialiste kërkon uljen e kufirit të investimit për të cilin makineritë që importohen kategorizohen si furnizime të përjashtuara. Një amendament tjetër, i propozuar edhe një vit më parë, është ai për uljen e tatimit për energjinë nga 20 në 6%. Kjo masë, sipas Partisë Socialiste do të ndikojë në uljen e ndjeshme të faturës për familjarët shqiptarë. Po ashtu, në amendamentet e saj që do të debatohen në seancë plenare është edhe ndryshimi i mënyrës së tatimit për të ardhurat nga punësimi. Referuar draftit të dorëzuar në Kuvend nga Partia Socialiste, pagat e ulëta deri në 20 mijë lekë nuk duhet të tatohen, ndërsa pagat nga 20 mijë deri në 40 mijë të tatohen me 7 për qind, pagat nga 40 mijë deri në 70 mijë të tatohen me 10 për qind ndërsa pagat e larta mbi 70 mijë lekë të tatohen progresivisht deri në 20 për qind. Përmes një amendamenti tjetër, Partia Socialiste kërkon shfuqizimin e nenit 5 të projektligjit që parashikon 5-fishimin e gjobave për bizneset që nuk deklarojnë numrin e punonjësve, duke e cilësuar këtë masë si një efekt negativ për biznesin. Një pjesë e këtyre propozimeve kanë marrë refuzimin e shumicës parlamentare në daljet publike ku është diskutuar për ndryshimin e mënyrës së taksimit.

 

Ja propozimet e PS-së për lehtësimin e barrës fiskale

 

  1. Të hiqet akciza për naftën e fermerëve. Kjo do të thotë që një litër naftë nga 180 lekë që është të bëhet plotë 135.6 lekë. Pra, për një litër naftë fermeri shqiptar do të kursejë 44.4 lekë dhe kjo është një shumë e konsiderueshme për fermerin shqiptar.
  2. Ulja apo zerimi i inputeve të tjera të produkteve të bujqësisë, apo heqja e TVSH-së për plehrat kimike. Heqja e TVSH-së do ta ulte me 1/6 çmimin e të gjithë plehrave, të cilat përdoren në këtë sektor, pra të një inputi shumë të rëndësishëm në këtë sektor.
  3. Për farërat, fidanët dhe vaksinat të ketë një tatim me 10 për qind nga 20 për qind që është aktualisht
  4. Të hiqet TVSH për bizneset e vogla dhe të mesme. Është shumë e rëndësishme që të hiqet realisht TVSH-ja jo për investimet miliarderëshe, por edhe për bizneset e vogla që sot vuajnë krizën dhe që kanë shumë të nevojshme.
  5. Një propozim tjetër është të mos rriten gjobat. Është propozuar të hiqet neni 5 i ligjit që e rregullon këtë marrëdhënie, sepse nëpërmjet le të themi “rregullimit” që qeveria i bën ligjit për procedurat tatimore gjobat shumëfishohen.
  6. Të ulet TVSH e energjisë për familjarët nga 20 % në 6 %. Në këto kushte familjet shqiptare do të kursenin rreth 5 mijë lekë të vjetra në muaj, për një mesatare të harxhimit të energjisë, që do të thoshte është e barabartë me 6 mijë lekë të reja në vit apo 60 mijë lekë të vjetra në vit.
  7. Përjashtimi nga TVSH-ja i barnave dhe i shërbimeve mjekësore. Hapi i parë drejt riheqjes së kësaj mase që rëndon në buxhetet e qytetarëve shqiptarë do të ishte me të vërtetë një aset i mirë që qytetarët jo vetëm të marrin një shërbim, i cili nuk kushton, për aq kohë ata paguajnë sigurime shëndetësore, por një shërbim, i cili do të ishte cilësor në ndihmë të njerëzve në nevojë, por pa dyshim edhe të gjithë qytetarëve që këtë shërbim e kërkojnë ta marrin falas dhe ashtu siç duhet.
  8. Taksimi progresiv. Propozimi është që për pagat deri në 20 mijë lekë nuk do të ketë taksim mbi të ardhurat. Për pagat nga 20 deri në 40 mijë lekë, ai do të jetë vetëm 7%; nga 40 deri në 70 mijë lekë do të jetë 10%; nga 70 deri në 100 mijë lekë do të jetë 15%; nga 100 deri në 150 mijë do të jetë 18% dhe mbi 150 mijë lekë do të jetë 20%.
Edlira Shehu December 20, 2012 16:06
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim