Lista që do turpëronte çdo President

December 4, 2013 01:30

Lista që do turpëronte çdo President

REDAKSIONAL
Kolopuçi i KLD-së

Dje duhet të ketë qenë një ditë e zymtë, gati-gati e papërballueshme për Bujar Nishanin. Paradite, ai ka mësuar se këshilltari i tij për marrëdhëniet me publikun, ishte nisur drejt policisë së Tiranës, për t’u marrë në pyetje si i dyshuar në disa afera korruptive të konsumuara që në kohën kur punonte në Ministrinë e Brendshme së bashku me Nishanin. Në drekë Presidentit i duhej të mblidhte KLD-në, një mbledhje e detyruar nga skandali i plasur në sistemin e drejtësisë pas fakteve dhe video-filmimeve të kryera nga emisioni “Fiks Fare”. KLD-ja u mblodh, shkarkoi gjykatësin e Pukës që hetoi emisioni i “TCH” por…ajo që doli nga mbledhja e KLD-së ishte një situatë ku e ku më e rëndë se sa rrjeti i mitmarrjes që u zbulua në Pukë. KLD-ja shpërndau dje një  raport që evidentonte gjendjen e gjyqësorit në Shqipëri dhe të situatës me krerët e gjykatave. Përmbajtja e këtij raporti e kthen ekspozimin e tij nga vetë KLD-ja në një “autogol” të rëndë, pasi nuk ka nevojë për defter e kalem për të zbërthyer këtë raport. Dokumenti flet aq qartë…sa vetëm KLD-ja mund të ketë aftësinë për të mos ia dëgjuar oshtimën. Situata përmblidhet në pak fjalë kështu: Nga 23 gjykata të shkallës së parë që ka ky vend, 14 prej tyre i kanë kryetarët “pezull”, të komanduar ose jashtë afateve. E njëjta situatë vijon dhe me gjykatat e Krimeve të Rënda. Ndërsa për Gjykatat e Apelit, nga 7 të tilla vetëm njëra prej tyre ka kryetar që funksionon sipas ligjit. Sa i përket gjykatave administrative, nuk gjendet asnjë kryetar i vetëm që ushtron këtë funksion me kompetencë të plotë. Më pas shkojmë tek emrat e gjykatësve, në pjesën dërrmuese të tyre ata janë njerëz të infiltruar në sistemin e drejtësisë pas vitit 2008 dhe janë lidhje të ngushta të Shkëlzen Berishës dhe të Argita Berishës. I kanë borxh karrierën dhe pasurimin fëmijëve të ish-kryeministrit, e kanë lidhur besën fort me ta. Shembulli dhe treguesi më spektakolar është ai i Joana Qeleshit, e komanduar si kryetare e Gjykatës së Durrësit. Qeleshi ka punuar deri në vitin 2010 në zyrën avokatore të drejtuar nga Argita Malltezi dhe Flutura Kola. Ishte ajo vajza e “vogël” që sapo kishte mbaruar studimet dhe që atëherë Argita dhe Flutura e dërgonin në QKR, taksa e tatime që të dorëzonte dokumentet të cilat duhej të regjistronte kjo studio. Emri i saj dilte thuajse në çdo akt të QKR-së kur media nisi botimin e dosjes Fazlliç në vitin 2008. Joana Qeleshi është një person që di shumë nga sekretet e ruajtura me fanatizëm të vajzës së ish-kryeministrit. Është ndër më të besuarat e Familjes. Mjafton vetëm komandimi i saj në një gjykatë tepër të rëndësishme si ajo e Durrësit, që KLD-ja, e gjitha, pa asnjë përjashtim të askujt, të na sqarojë se mbi ç’bazë u zgjodh zonja Qeleshi. Çfarë kishte aq mbresëlënëse në CV-në e saj? Si e besuan një gjykatë me punë tepër voluminoze dhe me dosje të rëndësishme në duart e kësaj vajze? KLD-ja ka detyrimin të thotë gjithashtu se përse mbahen të varur dhe si në “çengel” krerët e disa gjykatave prej më shumë se 3 vitesh, kur mandati i një kryetari gjykate është 4 vite. Zor se mund të gjendet një justifikim racional që do shpjegonte pamundësinë e KLD-së për t’i dhënë drejtim kësaj situate. Duket si një skemë e mirë organizuar për të mbajtur me çdo kusht “njerëzit e besës” në kreun e gjyqësorit. Është një skemë që do turpëronte çdo President Republike që njëkohësisht është dhe kreu i KLD-së. Por gjurmët dhe tentakulat e Familjes së ish-kryeministrit janë të ngulura shumë më thellë nga ç’mund të vërtetojë ky raport i KLD-së. Për shembull pjesa dërrmuese e stafit drejtues dhe të pedagogëve në Fakultetin Juridik të Tiranës janë po ashtu  të uzurpuara nga “ma t’besuarit e krejtave”. E njëjta situatë paraqitet dhe në shkollën e Magjistraturës. Pra, Familja, jo vetëm mban aktualisht gjyqësorin nën zaptim dhe kontroll arbitrar, por kontrollon në mënyrë integrale dhe kapilare edhe “filizat e ardhshme” të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Praktikisht situata tregon se kanë arritur jo vetëm ta pushtojnë sistemin por edhe të sigurohen se do e mbajnë gjatë nën zgjedhë. Duke parë këtë realitet, do ishte paradoks dhe idiotësi t’ia besoje mëkëmbjen e sistemit dikujt si Presidenti Bujar Nishani. Ai është  thjesht një kolopuç  që bën si i thonë, është shumë i vockël përballë këtij pushtimi të madh, është pjesë e ingranazhit që tjetër kush ia tërheq fijet, asgjë më tepër.  Ndaj dhe rrugët bëhen të qarta: Ose ky sistem do na mbajë të gjithëve nën zgjedhë dhe të ngujuar, ose këtij sistemi i do dhënë derma një orë e më parë, nga themelet. Çdo manovër tjetër do ishte lojë kolopuçësh.

***

Lista që do turpëronte çdo President

Kryetarët e komanduar dhe pa mandat në 14 gjykata të Shqipërisë në shkallë të parë, ndërsa situata në gjykatat e Apelit është dhe më alarmante vetëm kreu i Apelit të Tiranës është rregullisht i mandatar. E njëjta situatë dhe me gjykatat e krimeve të rënda dhe ato administrative

Këshilli i Lartë i Drejtësisë po përpiqet të bëjë një farsë lidhur me kryetarin e Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, duke analizuar mundësinë e shkarkimit të tij nga detyra. Sipas një materiali që vetë KLD ua ka shpërndarë anëtarëve të saj për mbledhjen e sotme, rezulton se Shtjefën Lleshi me vendim nr.286, datë 21.03.2012, pra një vit e gjysmë më parë, rezulton pa mandat si kryetar gjykate dhe vendi i tij i punës është shpallur vakant.  Përpjekja e KLD-së për të shqyrtuar rastin e tij korruptiv, pas transmetimit të emisionit “Fiks Fare”, është një përpjekje për të shpëtuar sistemin korruptiv dhe këtë gjyqtar nga penalizimi dhe për t’i quajtur si masë ndëshkimore atë që në të vërtetë ai nuk e ka më si detyrë, postin e kryetarit të Gjykatës së Pukës. Duke qenë prej një viti e gjysmë në detyrë për shkak të mos emërimit të një kryetari tjetër, autoriteti i gjykatës është shkatërruar, pasi të gjithë e kanë parë atë si një drejtues të përkohshëm në ikje. Kjo ka bërë që kancelarja të sillej si e zonja e shtëpisë, duke ndarë zarfet me lekë, sekretarja po ashtu, dhe gjithë gjykata të vazhdonte pazaret në vend të punës. Por një situatë e tillë alarmante nuk është vetëm në Gjykatën e Pukës. Vetëm në 9 gjykata të Shqipërisë në shkallë të parë kemi kryetarë të emëruar dhe riemëruar brenda mandatit dhe 14 të tjera, pra shumica e gjykatave të Shqipërisë, drejtohen njësoj si në Pukë nga kryetarë pa mandat ose të komanduar.
Raporti i KLD-së: Ju prezantojmë kaosin
Plot 14 gjykata të vendit vazhdojnë të drejtohen me gjykatës të komanduar si kryetar, ose vazhdojnë detyrën edhe pa mandat. KLD, e cila ka detyrë funksionale menaxhimin e sistemit të drejtësisë, e ka krijuar këtë pasiguri tek gjyqtarët me qëllim që t’i ketë ata nën kontroll dhe të ndjehen të pasigurt. Kështu, rezulton se:
Në Gjykatën e Beratit, Agron Valva është kryetar i deleguar prej shtatorit 2012, ndërkohë që vendi është shpallur vakant nga marsi i vitit 2012.
gjykatatNë Gjykatën e Dibrës, kryetari Halil Vani është i deleguar nga tetori i vitit 2012.
Në Durrës, Joana Qeleshi, e njohur si ish- pjesë e studios së Argita Berishës, është e deleguar nga korriku i vitit 2013.
Në Korçë, Admir Belishta prej prillit 2011 vazhdon detyrën, ndërkohë që është shpallur vendi vakant.
Në Krujë, Rexhina Merlika vazhdon detyrën, ndërkohë që është shpallur vendi vakant nga marsi i vitit 2013.
Në Kukës, Granit Qypi, i deleguar, ndërkohë që është shpallur vendi vakant në qershor 2010.
Në Kurbin, Alfred Gjoni vazhdon detyrën ndërkohë që është shpallur vendi vakant në mars 2012.
Në Lushnjë, Anila Karanxha, e deleguar, ndërkohë që është shpallur vendi vakant në maj 2013.
Në Sarandë, Alltun Çelaj vazhdon detyrën ndërkohë që është shpallur vendi vakant në mars 2012.
Në Shkodër, Arbër Çela i deleguar, ndërkohë që është shpallur vendi vakant në shtator 2012.
Në Tropojë, Dritan Seçi vazhdon detyrën, ndërkohë që është shpallur vendi vakant në mars 2012.
Në Vlorë, Skënder Haluci, i deleguar, ndërkohë që është shpallur vendi vakant në mars 2012.
Në shkallën e parë të Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, i deleguar, ndërkohë që është shpallur vendi vakant në nëntor 2010.
Apeli, situatë më dramatiket
Situata në Gjykatën e Apelit është më dramatike. Nga 7 gjykata vetëm një ka kryetar me mandat, ajo e Tiranës, ndërsa gjashtë të tjera, përfshi atë të Krimeve të Rënda, janë me komandim ose vazhdojnë detyrën pa mandat. Pa mandat është dhe kryetari i Gjykatës Administrative në Tiranë, Durrës, Korçë, Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër. Kjo situatë absurde në sistemin e drejtësisë shqiptare vjen nga fakti se drejtuesit e KLD, Bujar Nishani dhe Elvis Çefa, kanë ngrirë emërimet për shkak të situatës politike dhe për të mbajtur në lojë miqtë e familjes Berisha, të infiltruar në gjykatë. Kjo ka bërë që KLD të humbasë funksionin e saj dhe të jetë përgjegjëse për situatën dramatike ku ka përfunduar drejtësia shqiptare.

 

***

KLD, një ç’organizim të organizuar në drejtësi!

Nga Mero Baze
ww.gazetatema.net

Këshilli i Lartë i Drejtësisë në Shqipëri ka bllokuar me vetëdije funksionimin e sistemit gjyqësor në funksion të kontrollit mbi drejtimin e gjykatave dhe krijimin e një klime varësie të gjykatave prej tyre. Në raportin që vetë KLD ka shpërndarë në mbledhjen e sotme për anëtarët e saj, ka disa rekorde dramatike, që dëshmojnë se roli i vetëm i KLD-së qysh prej ardhjes në krye të saj të Bujar Nishanit dhe Elvis Çefës, ka qenë mbajtja pezull e sistemit të drejtësisë në funksion të politikave të tyre.

Kështu, nga 23 Gjykata të Shkallës së Parë, përfshi dhe atë të Krimeve të Rënda, vetëm 9 gjykata kanë kryetarë të emëruar sipas ligjit, ndërsa 16 të tjera janë me kryetarë në detyrë, që vazhdojnë në kundërshtim me ligjin, ose kryetarë të komanduar përtej limiteve të emergjencës për çfarë mund të komandohet një kryetar. Pra, mbi 60 për qind e Gjykatave të Shkallës së Parë, është pa kryetarë të emëruar sipas ligjit, çka nënkupton që të kemi shumicën e gjykatave pezull, çka e bën të pamundur funksionimin e tyre normal, të pavarur dhe profesional. Shumica e gjyqtarëve janë tashmë më shumë të shqetësuar për shëndetin e Bujar Nishanit dhe sekserët se ku duhet të paguajnë që të bëhen kryetarë, se sa tek puna e tyre, të cilën duket se e kanë marrë në dorë kancelarët që numërojnë zarfet.

Në Gjykatat e Apelit situata është edhe më flagrante. Nga 7 Gjykata Apeli që ka vendi, përfshi dhe të Krimeve të Rënda, vetëm në një prej tyre, atë të Tiranës, është zgjedhur kryetari, ndërsa në gjashtë të tjerat kryetari vazhdon në detyrë në kundërshtim me ligjin ose i komanduar. Ndërkohë kjo shifër në Gjykatat Administrative është 100 për qind, pra, asnjë kryetar Gjykate Administrative nuk është i emëruar.

Në këto kushte, Këshilli i Lartë i Drejtësisë si institucioni, i cili rregullon mbarëvajtjen e punës në sistemin e drejtësisë, ka bërë “një çorganizim të organizuar” të drejtësisë, në funksion të varësisë së saj nga dy persona, Bujar Nishani dhe Elvis Çefa, të cilat po ashtu dihet që janë thjesht dy ofiqarë të pushtetit të Berishës, të cilët më shumë raportojnë tek Shkëlzeni se në KLD. Një keq katandisje e tillë dramatike për një sistem drejtësie në një vend, është e pazakontë. Institucioni, i cili ka për detyrë të vendosë standarde dhe të mirë organizojë drejtësinë, ka shkelur çdo standard dhe ka ç’organizuar drejtësinë në atë mënyrë, ku i vetmi rregull që funksionon është që ajo të varet prej tyre.

Përfytyroni shumicën e Gjykatave të Shkallës së Parë dhe gati gjithë Gjykatat e Apelit dhe Administrative, pa një kryetar të emëruar në rrugë ligjore, dhe mendoni vetë se çfarë autoriteti kanë ata në ato gjykata, çfarë vendimesh mund të marrin dhe cili është shqetësimi i tyre kryesor. Një kryetar që ka një vit, dy, disa dhe tre, i komanduar apo në detyrë pa shpjegim, e ka mendjen natë e ditë se ku t’i gjejë një mik Çefës apo Nishanit, dhe e vetmja rrugë që i çon te ata është Familja Berisha. Ky sistem, i cili edhe pa këtë vartësi poshtëruese ka plot gjynahe, i keq menaxhuar në këtë mënyrë, është tërësisht një mekanizëm korrupsioni i centralizuar, që komandohet nga Nishani dhe Çefa.

Në një situatë të tillë nuk e kuptoj se si mund të inspektojë KLD gjykatat kur ajo vetë ka nevojë për një ndëshkim shembullor për shkak të paaftësisë së saj për të drejtuar organizmin e sistemit të drejtësisë. Mosveprimi i qëllimshëm i saj ka krijuar një situatë varësie totale të gjithë sistemit nga dy njerëz, të cilët nga ana e tyre u janë mirënjohës për karrierën rekomandimeve të fëmijëve të Berishës. Kështu që ne kemi dy probleme të mëdha. E para, që sistemi ka krijuar varësi politike nga dy njerëz që përfaqësojnë një pol pushteti regresiv në Shqipëri, të cilin shqiptarët e kanë ndëshkuar me votë, dhe së dyti, që sistemi ka një varësi nga dy persona që prodhon vetiu një korrupsion financiar të frikshëm në përpjekje për të siguruar një karrige që mbahet pezull.

Përballë kësaj situate, është e udhës që reforma në drejtësi të nisë me KLD dhe një ligj organik për riformatimin e saj mbi kritere që së paku heqin vartësinë e këtij institucioni nga një qendër pushteti e ndëshkuar dhe nga korrupsioni financiar, i cili duket se ka futur në garë kryetarët e mbetur pezull kush të paguajë më shumë që të kapë karrigen. Kjo shumicë për fat i ka aq vota sa duhen ta bëjë këtë hap të parë, i cili mund të çlirojë pastaj energji pozitive, duke i bërë dhe vetë këta gjyqtarë më të lirë nga një klan, i cili i mban pezull për t’i poshtëruar jo vetëm ata, por të gjithë shoqërinë shqiptare. Ky ç’organizim i organizuar, që KLD i ka bërë drejtësisë shqiptare, do të vazhdojë të prodhojë varësi politike, korrupsion dhe standard gjyqtarësh, si ai i atij anëtarit të KLD-së, që liron një trafikant droge që akuzohet për gjysmë ton droge dhe pastaj gradohet në detyrë.

***

Llallën e pyesin për skandalet në gjykata…ai përgjigjet për  ‘perceptimet e publikut’

Kryeprokurori i vendit në një intervistë për VOA-n ofron disa përgjigje “të çuditshme” për skandalet që kanë tronditur opinionin publik kohët e fundit.

Zëri i Amerikës intervistoi dje Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla. I pyetur për skandalin e korrupsionit në gjyqësor me rastin e kryetarit të gjykatës së Pukës dhe një rrjeti zyrtarësh të përfshirë në të, kryeprokurori ka vijuar përgjigjen e tij me një gjuhë viskoze aspak konkrete duke folur për ‘perceptimet e publikut’ apo dhe për ‘vullnete politike’ apo dhe bashkëpunimin e qytetarëve. Pak më poshtë në intervistë kryeprokurori ofron të njëjtën përgjigje edhe sa i takon dosjes së hetimit për privatizimin e kompanisë strategjike Albpetrol, e cila është dosje që implikon ish-zyrtarë shumë të lartë shtetërorë.

Zoti Llalla, faleminderit për këtë intervistë e cila koinçidon dhe me një vit që nga koha kur ju keni marrë detyrën si Prokuror i Përgjithshëm. Me lejoni ta nis me një çështje e cila është e ditës. Sot Transparency International prezantoi raportin e ri vjetor për korrupsionin, ku pozicioni i Shqipërisë është përkeqësuar. Sa e ndjen vetën përgjegjëse prokuroria në këtë situatë korrupsioni kaq të përhapur, të paktën siç është perceptimi i publikut?

“Faleminderit për ftesën në emisionin tuaj, dhe për urimin me rastin e 1 vjetorit tim në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Problemi i korrupsionit është një ndër çështjet kyç për integrimin e Shqipërisë në BE dhe është një ndër kriteret kryesore që partnerët tanë kanë vendosur për integrimin e vendit në këtë strukturë. Lufta ndaj korrupsionit ka qenë një ndër prioritetet e punës time me marrjen e detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Prioritet të cilin jam përpjekur ta realizoj duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat ligjore, duke vënë në punë të gjithë sistemin e prokurorisë për të luftuar këtë gangrenë të shoqërisë shqiptare”.

 Zoti Llalla, duke mbetur te korrupsioni. Pak ditë më parë emisioni Fiks Fare, pas një hetimi të tij, nxori në pah një zinxhir korrupsioni, pagesash për gjyqtarë, prokurorë e avokatë. Ju reaguat për pjesën që ju takon, lidhur me prokurorët e përfshirë. Por kam përshtypjen se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar. Duket se sistemi i Drejtësisë, siç është dhe perceptimi i publikut, ka një korrupsion mjaft të gjerë. Si mund të dilet nga kjo situatë?

“Perceptimi i publikut lidhet me rastet me të cilat qytetarët ndeshen nëpër dyert e sistemit të Drejtësisë. Kjo situatë mendoj se është e kapërcyeshme, por duhet një bashkërendim i punës mes gjithë institucioneve ligj-zbatuese në Shqipëri. Tek ne ekzistojnë të gjithë mekanizmat e duhur ligjor që ky fenomen të ndëshkohet. Por duhet vullneti i të gjithë faktorëve politik, social, medies e qytetarëve që të vëmë përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë zyrtarët që abuzojnë me funksionet e tyre”.

 

Zoti Llalla, pati një proces të gjatë privatizimi për Albpetrolin, i cili në të vërtetë dështoi dhe shteti sot e kësaj dite nuk ka marrë 85 milion euro, siç përcaktonin rregullat e kontratës. Edhe për këtë rast me sa di, Prokuroria ka nisur hetimet. A ka ndonjë zhvillim se cilët janë personat përgjegjës për këtë situatë?

“Në mjaft raste i kërkohet organit të prokurorisë për cdo debat apo problem mes palëve në Shqipëri. Por institucioni i prokurorisë nuk ka në të gjithë rastet ekspertët e specialistët e duhur për të hetuar çështje të kësaj natyre. Prokuroria ka nisur hetimet për rastin e Albpetrolit. Janë caktuar ekspertët që po merren me shqyrtimin e dokumentacionit për mënyrën se si është realizuar privatizimi i kësaj pasurie dhe pritet konkluzioni i tyre”. (Marrë me shkurtime nga VOA)

December 4, 2013 01:30
Komento

4 Komente

  1. Gramoz December 4, 16:24

    NISHANI E MBLODHI KLD TE SFORCUAR NGA VIDIO E FIKS FARE DHE SHKARKUAN GJYQTARIN LLESHI POR ZAGANJORI U MBROJT NGA NISHANI KY ESHTE NJE TURP SEPSE ZAGANJORI U PERMEND NGA SEKSERI QE MERTE 8 MILION LEKE..TE GJITHE GJYQTARET JANE EMERUAR NGA ARGITA DHE SHKELZENI .ZOTI NISHANI SHQIPETARET KERKOJNE INTEGRIMIN NE BE DHE NUK MUND TE MBAHEMI PENG NGA KETA GJYQTARE TE KORUPTUARE .SISTEMI I DREJTESISE ESHTE I KALBEZUARE NGA KORUPSIONI GALOPAND TE CILET KANE VILA,LOKALE,PRONA DHE MAKINA LLUKSOZE KU PASURIA KOMBETARE E SHQIPERISE ESHTE NE DUART E NJE PAKICE PREJ 5% QE JANE QEVERITARET,GJYQTARET,PROKURORET ZYRTARET E LARTE DHE PO SHFRYTEZOJNE VARFERINE E 95% TE POPULLSISE SHQIPETARE..BEJ REFORME NE DREJTESI Z NISHANI SEPSE ESHTE NJE MAL ME DOSJE KRIMINALE DHE VJEDHJE TE PASURISE KOMBETARE,JEMI NE PRITJE Z NISHANI..

    Reply to this comment
  2. MARENGLEN December 4, 18:57

    drejtuar presidentit z bujar nishani ,ne pamundesi tjeter
    i nderuar z president si kreu i shtetit kerkoj gjykimin e drejt nga ana juaj dhe zbatueshmerine e ligjit kodeve perkates civil,administrativ,e penal ne themel te kushtetutes se republikes se shqiperise drejtesia nen emrin tuaj po me shkateron jeten dhe familjet po me coni drejt spitaleve kure kete sdo ta bente as serbi ,as greku ,por po me ndodhka ne shtetin tim qytetin tim aq me teper i kom dhene dhe une ktij kombi bashk me fisin tim dhe sot ndodhem ne terorine vartesve tuaj nen emrin e familjes tuaj aterore ,direkt ju po ushtroni presion ,jam babi i mpresidentit paraqitet z faik nishani kudo ne cdo dere e zyre shteterore me ju ne krah po me varosni .Marenglen Kociu po me firmen tende po me vidhet prona z president kur nuk zbatuat ligjet e kushtetutes ,kodin civil e kodit penal m ju kerkoj takim si qytetar ,dhe si titullar politik i qarkut gjirokaster njeheresh si drejtor gazete dhe me citoni me anen e keshilltarit mos takim per aresye se nuk kam cituar ceshtjen pse do ju takoj sa veshtir te takosh nje president ne shqiperi ,kur hidhni gurine fshehni doren ,ju po me shkateroni familjen jeten e ndertuar me mund e sakrifica me gjak e dhimbje ,po me nxirni nga shpia antiligjeshem ne 100 seanca kan shkelur mligjin me urdherine sekserit avokatit te babait tuaj benard aliko ne gjirokaster ,keni bere hipotek dhe gjyqe me njerez te vdsekur dhe gjykata hesht mos se presidenti po deri kur do te vazhdoni keshtu kur kushtetuta na ka te barabarte te dyve ,katastrofe drejtesie eshtkjo z president ,nuk kishte ruge tjeter por vetem dhune dhune ,cke me fe3mijet nusen e nenen motren time qe po i con me presionin tuaj drejt krizave nervore te akuzoj se p[o me shkatron shendetit dhe familjet e mija qe jam nje fis qe mbush dunavat e manalat por ju nuk doni te dini por shkelni me kembe kedo qe ju del para por zotit po i lutem te me nxjeri ne drite ,te drejten te verteten dhe drejtesine pse jo dhe kanunore shpresoj tju vije ndermend se nje dit kushtetuta do funksionoje dhe per familjet e mia mendohuni dhe gjykoni me gjakftohtesi un jam shqiptar por i siguret se as serbi as greku kureeee nuk do sillej keshtu me mua si po silleni ju brutal shtypes e bajraktar ne letrat gjyqesore ne gjirokaster ecni me emrin faik nishani me prokure kurse ne privatizimet ne ministrira e institucineve te tjera ne tr ecni me famija beu keshtu ,bllokuat gjithcka dhe fiksin dhe gazetat dhe televizionet me suvejoni me keq se ne kohen e shokut enver ,un kam qene me mire ne atew kohe e sot po me varosni per se gjalli ,vendimine gjykates prej 16 vitesh eshte titull ekzekutiv per cdo institucion duhet ta zbatoje ky eshte kushti themeltar i kushtetutes se republikes se shqiperise ju po e shkelni cpret populli dhe un nga ju vetem ekzekutimin fizik ,z presidenti hapini rugen drejtesise te vendos te drejten hapini ruge lirise e demokracise te funksionoje ligji mos veproni ,per interesa familjare antiligjeshem ,un do ta vazhdoj lufetn ligjore deri ne streasburg deri ne shpin e bardhe ndaj ndalini heshtjen dhe urdhrerat qe jepni fshehtas kundrejt jo mua por shtremberimit te ligjeve ,sg=htremberimit te kodit civil,kodit administrativ ,kodit penal ,e kushtetutes un jam i detyruar te gjej mundesine tju shpreh se po me shkateroni familjet me fuqine e postit qe ju mbani jemi te pa barabarte ndoj mendohu e vepro drejt nuk munden pa ju te benin asgje jashteligjeshem familjaret tuaj babai faik nishani etj ndaj miqesisht uli te gjejme zgjidhjen qe te mos lere mbrapa dhimbje e pasoje ne femijet e mi e ne fisin tim as turku nuk ma beri kete ne qafene kociut ne 1600,ju sot ne 2013 po me ekzekutoni moralisht pse jo dhe fizikish jam kercenuar nga vellai i juaj z president uroj e shpresoj qe ligji dhe bureia te funksionojne , marenglen kociu gjirokastye

    Reply to this comment
  3. MARENGLEN December 4, 19:01

    VAZHDON RETHIMI CNJEREZOR NE GJIROKASTER TASHME PRESIDENTI ME FJALE TE BUKURA E ME VEPRA ANTI KUSHTETUESE HESHTJA ESHTE MISTER E KERCENIM PER NJE JETE TE PA SIGURT NE VEVDINE QYTETIN TM FAMILJET E MIJA NE KRIZA POR DHE EKONOMIKE TE KER
    CENUAR QENDRIJME NE SHPRESEN E ZOTIT PASTAJ ZBATIMIT TE LIGJIT E VESHTIRE CDO GJE E BLLOKUAR DEKLAROJNE PRONARE E BOTUS NUK MUNDEMI TE SHKRUAJM KUNDER PRESIDENTIT HESHTJA VAZHDON BASHK ME RETHIMIN SI KAMP PEDRQENDRIMI IU DIKTATURES VESHTIRE TE FUNKSIONOJE LIGJI DEMOKRACIA E LIRIA ne vend jane ne udhelkryq

    Reply to this comment
  4. b.kanani December 4, 19:36

    Po cbehet keshtu ceshte ky president,mos eshte zoti vete nga kush varen kush mund te vere ne binare keta te paudhe.me keto qe degjone keta duhen pushkatuar jo ti heqesh nga puna.Po si ka mundesi te kapet gjykatesi prokurori etj duke vjedhur popullin dhe colua thote te shkarkohet nga kryetar i gjykates,kjo eshte e papranushme.Nuk e di po parlamenti duhet te filloje menjehere proceduren e shkarkimit te presidentit te KLD dhe te prokurorit te pergjithshem,cjan keta njerez tjeter i pyet tjeter te pergjigjen,lojen e kujt bejne.Nje sahat e me pare duhet te veproj parlamenti.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim