Lista serbe, fituese e votës të dhënë nën presion

October 9, 2019 19:56

Lista serbe, fituese e votës të dhënë nën presion

Misioni mbikëqyrës i Bashkimit Evropian, në raportin e tij mbi procesin zgjedhor të 6 tetorit në Kosovë, i është referuar presioneve dhe frikësimeve të qytetarëve të komunitetit serb, që të votojnë për Listën Serbe, të cilën e mbështet Beogradi zyrtar.

Kjo mbështetet edhe nga dëshmitë e qytetarëve të këtij komuniteti në Kosovë. Një zonjë, e cila jeton në një nga komunat me shumicë serbe në jug të lumit Ibër dhe nuk do të identifikohet për publikun, shprehet: “Të dielën, në ditën e zgjedhjeve (më 6 tetor), rreth orës 6:45 në mbrëmje, babai im ka marrë një thirrje telefonike se nuk ka kryer detyrën qytetare, duke i kërkuar që me urgjencë të shkojë në vendvotim dhe të votojë për opsionin e caktuar politik. Ai e bëri këtë se punon në institucionet serbe dhe ka frikë se mund ta rrezikojë vendin e tij të punës për shkak se nuk kishte dalë në votime. Të njëjtën gjë e bëri edhe nëna ime”.

Krahas vlerësimit pozitiv për rrjedhën e procesit zgjedhor, misioni europian ka vlerësuar që ambienti në të cilin është zhvilluar fushata në zonat me shumicë serbe të Kosovës, ka qenë i cenuar me frikësime, të cilatkanë shënjestruar kandidatët dhe mbështetësit që nuk kanë qenë me Listën Serbe.

Lidhur me këtë ka folur edhe Viola von Cramon-Taubadel, kryesuese e Misionit mbikëqyrës të Bashkimit Evropian.

Ajo  u shpreh: “Fushata në zonat ku janë shumicë serbët e Kosovës është shënuar me frikësimin e kandidatëve, të cilët nuk kanë qenë kandidatë dhe mbështetës të Listës Serbe. Në ato mjedise, partitë që kanë garuar me Listën Serbe nuk kanë pasur mundësi që të kenë fushatë zgjedhore efektive, pjesërisht për shkak të frikësimit të kandidatëve të tyre, përfshirë edhe familjet dhe votuesit e tyre. Lista Serbe, ashtu sikurse edhe Qeveria e Serbisë, kanë kontrolluar komunat me shumicë serbe në Kosovë, i kanë orientuar qytetarët që të votojnë vetëm për Listën Serbe, ndërkaq që oponentët e asaj liste janë akuzuar që janë kundër-serbë. Me këtë, janë kufizuar të drejtat e tyre fundamentale demokratike për lirinë e shprehjes, tubimit dhe prezantimit, dhe për pasojë, kur bëhet fjalë për serbët e Kosovës, procesi zgjedhor ka qenë i mohuar në pikëpamjen e këtyre standardeve ndërkombëtare”.

Petar Miletiq, anëtar i kryesisë së Lëvizjes opozitare të Qytetarëve të Lirë dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se në mesin e serbëve të Kosovës, të gjithë dinë për frikësimin e atyre që nuk janë kandidatë të Listës Serbe, të cilën e mbështetë Beogradi zyrtar, si dhe në lidhje me miton për qytetarët e komunitetit serb që të votojnë vetëm atë opsion politik.

Ai tha: “Është e pamundur që një listë, në atmosferë dhe procedurë demokratike, të fitojë 95 për qind të votave. Kjo ndodh vetëm në diktaturat serioze. Madje edhe disa diktatura të sotme në botë, nuk mund t’ia sigurojnë vetes 95 për qind të votave. Pra, është e qartë se bëhej fjalë për direktiva, se kemi pasur të bëjmë diku me presione, diku me mito, madje jo me para në të shumtën, por me vende të punës apo me çfarëdo fuqizimi që u jep shteti i Serbisë. Të gjithë që jetojnë në Kosovë, e dinë mjaft mirë se çfarë ka ndodhur atje, por lidhur me atë se pse u janë nënshtruar presioneve, nuk duan të flasin publikisht”.

Kërkime lidhur me këto presione, janë bërë edhe nga Qendra për politikë të sigurisë e Beogradit. Hulumtuesja e kësaj organizate joqeveritare, Isidora Stakiq, thotë se pikërisht për këtë fakt, nuk është befasuar me vlerësimin e Misionit mbikëqyrës të Bashkimit Evropian lidhur me presionet mbi serbët e Kosovës që të votojnë për Listën Serbe.

Ajo shprehet: “Hulumtimet e Qendrës për politikë të sigurisë në Beograd, të cilat i kemi bërë në shkurt të këtij viti, tregojnë që serbët që jetojnë në veri të Kosovës, më shumë frikësohen nga përfaqësuesit e autoriteteve serbe se sa nga shqiptarët. Gjegjësisht, që janë nën presionin më të madh nga ana e Listës Serbe, e cila është nën kontrollin e Qeverisë së Serbisë. Përshtypja e përgjithshme, të cilën e kemi arritur ne në bazë të bisedave me njerëzit në veri të Kosovës, është që, në esencë, nuk ekziston edhe aq problemi etnik në Kosovë, sa është problem presioni i Listës Serbe”.

Ajo shtoi që presionet shumë shpesh janë të fshehura, ndërkaq që shumë prej tyre mund të përshkruhen si kërcënime për humbje të vendit të punës dhe presione të formave të llojeve të ndryshme, të cilat nuk munden shumë lehtë të identifikohen si kërcënime të hapura.

Stakiq shtoi: “Tash, para zgjedhjeve, të gjithë kemi parë që votuesit merrnin porosi përmes MTS-së (operator i telefonisë mobile), që është pronë e shtetit të Serbisë. Në ato porosi shkruhej ‘Serbia thërret, dil në zgjedhje dhe voto për Listën Serbe’”.

Drejtuesit e Listës Serbe nuk kanë reaguar lidhur me vlerësimet për frikësim dhe presione ndaj qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë që të votojnë për Listën Serbe.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në mjediset me shumicë serbe, fitues absolut është Lista Serbe, e cila sipas deklaratës së kryetarit të këtij subjekti politik, Goran Rakiq, ka marrë rreth 98% të votave në komunat me shumicë serbe në Kosovë./ rel

e.ll./dita

October 9, 2019 19:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*