Llesh Dod Biba, një jetë të tërë artistike mes simbolikave kombëtare

February 11, 2018 10:53

Llesh Dod Biba,  një jetë të tërë artistike mes simbolikave kombëtare

 

Veledin Durmishi

“Një pelegrin i ngarkuar me dëshmi artistike”, kështu e ka cilësuar gazetari italian, Leonardo Cosmaj, Llesh Dod Bibën, pas një ekspozite të artistit në Mantova të Italisë, një vit më parë. Veprat e tij janë një shfaqje emblematike e atdhedashurisë, e kujtesës së kombit, e ringjalljes së figurave të ndritshme dhe kujtesës sonë kombëtare.

Metaforat e artit të tij

Në qendër, aq qartësisht, pa mundur dot të mbulojë krenarinë e vet, rri shqiponja, më fisniku i shpendëve, më emblematiku, shenja më e epërme ndër shqiptarë e që me pak fjalë nga hymni ynë i ka ngritur në këmbë shqiptarët në kohra udhëkryq të historisë.

Metaforat janë shpërthime poetike, të cilat marrin jetë nga një daltë, një palë sy që ethshëm rrinë aty të mbërthyera. 37 herë është gdhendur figura e Skënderbeut; herë i zymtë, herë i kthjellët, por gjithnjë krenar. Ka një ngarkesë të madhe kjo simbolikë, e cila ka krijuar edhe kultin më të madh ndër shqiptarë.

Sikur kërkon të shpëtojë nga e përditshmja e demonizuar, artisti arratiset, o në vendlindjen e vet, o në trishtimin e vet, o humbet veten mes heronjve të  ndërtuar artistikisht.

Llesh Dod Biba ka krijuar një botë të tërë, një univers e që lëndë të parë ka simbolet e epërme të kombit, figurat e tij që kanë lënë gjurmë. Ka buisur shumë herët pasioni i artistit për drurin. I lindur e i rritur në një vis ku druri ka simbolikën e vet, ai aty mori spunton e parë të gdhendjes edhe pse studimet i mbaroi për aktrim. Ishte mbërthyer fort në truallin epik dhe nuk mund të shkëputej dot nga ai truall.

Ka krijuar një galeri me të ndritur të mëdhenj e me ta bisedon si t’i kishte të njohur prej kohësh. Rrëfimi poetik i Lleshit që sjell figurat madhore të kombit,  është një “ikje nga  Babilonia jonë lilipute”, ikje nga koha jonë e katranosur. E neverit moçali i përditshmërisë, ndjen një revoltë të brendëshme edhe pse e di fare mirë se e lodh veten  më tepër se fuqitë e veta, ndaj kthehet te bota e tij e gdhendjes në dru, duke kërkuar aty atë qetësi që ai nuk e gjen askund.

Simbolet dëshmuese të artistit

Ka një fytyrë të bardhë si dhe shpirtin e vet. Ka një vështrim të butë si mëngjes bjeshke në pranverë. Ka një ecje të sigurt si edhe punët që bën. Mban një veshje mesjetare si ato që mbajnë  edhe personazhe të galerive të tij të shumta. Ai digjet së brendëshmi, por zjarrin e ndjen veç ai.  Eshtë një bohem që shtëpinë e ka kthyer në studio arti dhe makinën në një shtëpi. Shtëpia, gjithsej 30 metra katrore, i rri ngushtë. Duhet të kalosh brinjazi. Kujdes! Ja një portret i Nënë Terezës të lëbyr sytë. Skënderbeu që të shfaqet në krahun tjetër sikur të rrit adrenalinën, shqiponja të miklon më një vështrim që ti nuk e ndjen askund veç nëse e ke atë shpend, kalorës të qiejve, aq afër.

E njohin të gjithë e të gjithë e përshëndesin me adhurimin si ndaj një artisti që idetë i  ka qartësisht të vizatuara te balli, te sytë, te vështrimi i njomë. Nuk mburret me asgjë që bën veç me vendlindjen. Në vendlindje ka lënë djepin e tij, por edhe sarkofagun e gurtë, brenda të cilit do të prehet trupi i tij, kur ai të ketë mbaruar misionin e vet artistik. Atje në Nënshejt (Nën Shenjt) e ka ndërtuar edhe varrin e vet të gurtë, ka ndërtuar edhe fjalën e fundit që dikush do ta lexojë… Trille artistësh i thonë biseduesit e këtyre çasteve, duke e lënë artistin ta shpjerë deri në fund fundin e vet si ta kishte një kupë helmi. Askush nuk guxon t’i zërë një emër politikani në gojë. Atëhere ai të shpërfill. Ai hidhet në Orosh ku të flet për ca arrë të mbjella që janë edhe lënda e parë e veprave të tij. Pastaj lëre se artisti humbet në hullinë  e punëve të tij dhe ti befas ndihesh brenda një bote të pafundme që simbolika të vjen e të ikën si një mirazh i cili të mbërthen.

Koha i rri ngushtë Lleshit

Bën një monolog të përhershëm e të përvajshëm me monumentet e paktë që i gjen nëpër rrugët e Tiranës, me ato monumente personifikuese të historisë, me emra konkretë e që kanë fituar një adhurim popullor.

Ja, aty te vëllezërit Frashëri, ai qëndron e aty mund ta zërë edhe mëngjesi tjetër, te Ismail Qemali, te monumenti i Gjeçovit, i Gurakuqit dhe shikon përreth me dilemën e madhe vrasëse: a ka mundësi që aty  ndonjë ditë t’u mbijë ndonjë pallat e qeveritarët tanë do t’u thonë tërë respekt: bëni pak më tutje, vëllëzër! Se tani nuk është koha juaj, por e parasë!

E sikur të ndodhë kjo gjë, Llesh Dod  Biba do t’u dalë në mbrojtje atyre, qoftë edhe me jetën e tij. Këta njerëz të ndritur jepnin pasuritë e tyre për shkronjat shqipe, e këta të pasmit, dmth, këta të demokracisë sonë, shitën pasuritë e Shqipërisë, i kthyen në para e i fshehën në bankat e botës si ordinerë hajdutë…

Eshtë si i çmendur Llesh  Dod Biba nëse i kërkon të flasë për veprat e artit, kompozicionet, gdhendjet artistike, monumentet që shprehin një simbolikë, për heraldikën shqiptare në shekuj e të bie përpara sheshe, rrugë të Tiranës që janë krejt të zbrazët deri në dhimbje. Se ja, thotë artisti, duke të ftuar për një vizitë në bulevardin tonë kryesor, të pagëzuar me një emër aq të madh në simbolikën e vet ”Dëshmorët e Kombit”. Si nuk u kujtua njeri, xhanëm, për dekada të tëra që në piedestalet e vënë pranë sheshit “Nënë Tereza”, që janë ndërtuar në të dyja anët e bulevardit, pra, në piedestalet që janë ndërtuar që në krye kur është projektuar ky bulevard nga arkitektët italianë, nuk është kujtuar kush të vendosë aty monumente që plotësonin  simbolikisht  edhe emrin e madh të këtij bulevardi.

Dhe artisti të bie emra nga historia: ja Pirro i Epirit, Teuta, Aleksandër Moisiu, Nënë Tereza, Gjeçovi, Migjeni, Noli, At Zef Pëllumbi, Vaso Pasha… Piedestale pa statuja. Piedestale bosh, muzeume pa stenda, kapak historie pa faqe të shkruara brenda.

  Shtrirja e artit të Llesh Dod Bibës

Ai nuk është anonim. Punimet e tij kanë njohur ekspozita të shumta në Shqipëri e jashtë saj. Se shpesh atë që politika e bën keq, e bën arti në mënyrën e tij më domethënëse, e shprehin më me dinjitet vlerat tona kombëtare. Nga ekspozita e parë, atje në Mirditën e thellë, të mjegulluar në shkollën e mesme “Bardhok Biba”, e deri në ekspozita të mëdha në të gjithë Evropën, kanë kaluar shumë kohë. Se nga  punimet e tij ka edhe në “Shtëpinë e Bardhë”, skemën e NATO-s për Ballkanin e ka Xhorxh Bushi, ka punime Bill Klintoni, Zhan Shiraku, ka Selia e Shenjtë…

Ai nuk ka studio.  Ministria e Kulturës  do ta shtonte  nderin e saj,  nëse do të kujtohej pak çaste për një artist si Llesh Dod  Biba. Nuk do të ishte kurrsesi një komoditet, por një vlerësim dinjitoz i veprave të artit, të cilat janë shtjellë e kulturës sonë të përfaqësimit edhe jashtë viseve të Shqipërisë. Përse të mos dekretohet që për çdo ndërtues të ishte e detyruar lënia e një hapësire në shërbim të artit si një studio pikture, muzike, bibliotekë, studio fotografie. Tirana ka shumë nevojë për ambjente të tilla, ndërkohë që pallatet po na zënë frymën.

Shqipërisë nuk i kanë munguar mecenatët, njerëzit që dinë të duan artin e të japin për të. Artistit e ka një dashamirës të artit të tij që e ka ndjekur në të gjitha përfaqësimet e tij në ekspozita të ndryshme që nga Kosova, Maqedonia, Italia, Franca, Turqia. Eshtë Tonin Alia, president i një biznesi të fuqishëm në fushën e mobilimit “Ardeno”, i cili nuk ka kursyer kurrë për të mbështetur me dinjitet gjithë shfaqjen e artit të artistit mirditor.

 Trishtimi i Nexhmije Pagarushës

Në dru gdhend artisti. Një veshje e thjeshtë si e një marangozi, të cilën ai e pastron herë-herë duke e goditur me shuplakat e duarve dhe aty mbi një copë dru, së cilës i kërkon ethshëm që t’i japë jetë, rri me orë e ditë të tëra. Ka më parë një projekt të hedhur në letër e që tani kërkon ta materializojë në dru. Ka në galerinë e tij punime të imëta si ka edhe punime të mëdha,  me përmasat e një porte siç ishte “Porta e shekullit”. Një derë stërmadhe e cila rrotullohet rreth një aksi duke na sjellë artistikisht të gdhendura imazhe të shumta, portrete të figurave të shquara të kombit,  çaste të mëdha historike, simbole  kombëtare, e vizitori shpesh kërkon edhe ndihmën e autorit për të deshifruar diçka tej perceptimit të tij.

Nga një rrap, që dikur ishte përpara ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë e që zgjerimi i rrugës e shkuli, artisti mori mjaft lëndë drusore aty për t’i bërë ato edhe “buka” e punëve të tij. Nga një copë dru artisti mori materialin e ndërtimit të tetë instrumentave popullorë, të gjithë funksionalë si, tarabuka, çiftelia, sharkia, lahuta, dajrja, gajdja, violina e fyelli. Punimi është filmuar nga disa  përfaqësues të Brukselit e që artisti në atë kohë ka kërkuar edhe një vend në  “Gines”.

Një statujë e ngjeshur me simbole, në katër pamje që kulmon te një lule boxhuri, petalet e së cilës shpalosin hartën e Kosovës. Njëra anë ka tri duar të fuqishme; tri vllazni, tri besime, te të cilat nuk mungon uniteti. Duart përqafojnë një shtyllë shoqërore: demokracinë.  Kjo punë mbështetet mbi një çelës gjigand me kahje drejt Evropës. Botën,  të lodhur, të cfilitur së cilës i morëm gjithçka të saj në mënyrë barbare, e ka  paraqitur aq të shkallafitur sa të dhimbset e të bën të ndihesh keq para saj. Yllin e Davidit, simbolikisht të mbërthyer  në mënyrë të pazbërthyeshme e mbi të është shkruar: “Sa më e zgjuar të jetë lidhja, aq më e pamundur është zgjidhja”…

Në një ekspozitë ka paraqitur një djep gjashtë  m². Ka të shenjtë djepin për të cilën Nexhmije Pagarusha më tha: “Sa keq më vjen që s’jam e zonja t’i japë jetë këtij djepi”! I madh ky djep, që fëmija aty mos të rrijë si te “shtrati i prokrustit”, por të  rritet i plotë nga Kosova deri në Çamëri.

Çdo ekspozitë ka edhe  simbolikën,e cila sikur ka edhe një kod deshifrimi sa e bën vizitorin të meditojë aty pak kohë. Të meditojë  duke sjellë në kujtesën e tij diçka nga historia, letërsia, nga jeta e tij që  do të mund të deshifronte kumtin që ka dashur të japë autori: dy duar të bashkuara brenda një çelësi muzikor, dy flamujt tanë, (Shqipëri e Kosovë) më lart  simbolet e  hershme të kombit tonë e poshtë tyre Perëndesha jonë Hyjnore, Nënë Tereza dhe artisti që është gati të flijohet për çështje që kombi i quan madhore. Lajtmotivi kryesor ndihet gjithandej: bota  kërkon paqe e këtë gjë vizitori e ndjen si një serum që, ndërsa shkon nga pamja në pamje, ndjen  një shtjellë gjaku që i lëviz brenda damarëve të vet. Diku është një granadë ashtu e ndarë në copa-copa. Eshtë kërcënimi i luftës që bota si një sfinks e ka mbi krye. Por është vetëm një bombë, ndërsa pena janë disa. Kjo botë rregullohet me mendje të ndriçuara e jo me gjëmime luftrash. Luftrat sjellin vetëm të humbur. Pas lufte nuk ka kurrë fitues, por vetëm viktima.

February 11, 2018 10:53
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*