Llogaritja e pikëve për të fituar studimet e larta në degët që janë me dhe pa konkurse

Pranvera Kola July 4, 2015 09:35

Llogaritja e pikëve për të fituar studimet e larta në degët që janë me dhe pa konkurse

Nis përllogaritja e pikëve me të cilat dhjetëra mijëra maturantë në të gjithë vendin do garojnë për të fituar të drejtën e ndjekjes së studimeve të larta, në një nga fakultetet publike të vendit gjatë vitit të ri akademik 2015-2016. Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Provimeve kanë zbardhur ditën e djeshme rezultatet konkrete që maturantët kanë marrë në dy provimet me zgjedhje të zhvilluara dy javë më parë.

Notat gjenden online në faqen e gazetës, www.gazetadita.al. Maturantët mund t’i gjejnë notat që kanë marrë duke kërkuar në listë ID-në e tyre, përbri të cilës janë shënuar në mënyrë të detajuar nota e përshkallëzuar për secilin lëndë që kandidati ka dhënë si provim me zgjedhje. Sipas të dhënave të bëra publike, edhe në këto dy provime dominojnë notat e nivelit mesatar. Ndërsa lëndët që kanë dominuar në përzgjedhje rezultojnë të jenë anglishtja, ekonomia, qytetaria, biologjia, historia, etj.  Pavarësisht pretendimeve që mund të kenë maturantët mbi vlerësimet e marra, ata nuk mund të ndryshojnë rezultatin.

Ndonëse në rregullore thuhet se maturanti ka të drejtë të kërkojë një kopje të testit të korrigjuar,  ai nuk mund të kërkojë rivlerësim të tezës së provimit. Autoritetet e arsimit sqarojnë se, referuar edhe skemës së vlerësimit, korrigjimi i çdo testi ka kaluar në disa duar, çka do të thotë se mundësia për të bërë korrigjime të gabuara është zero. “Çdo test ka kaluar minimalisht në duart e dy korrigjuesve, dhe në rastet kur mes tyre ka pasur diferenca në vendosjen e pikëve, testi është korrigjuar nga një vlerësues i tretë. Ka edhe nga ata maturantë që nuk do ta gjejnë veten e tyre në listë. Kjo pasi testet e tyre janë klasifikuara si të dyshuara për kopje, dhe do tu nënshtrohen verifikimeve nga një komision ekspertësh. Ky komision do të japë edhe vlerësimet përkatëse nëse maturantit do t’i njihet rezultati ose jo”, sqarojnë ekspertët e MAS.

Llogaritja e pikëve për universitetin

Maturantët mund të përllogarisin vetë rezultatin final të pikëve që arrijnë për degët ku duan të vijojnë studimet e larta. Sikundër ka ndodhur edhe në vitet e shkuara, maturantët duhet të listojnë në formularin A2, 10 programe studimore në rend zbritës, duke nisur nga dega më e preferuara, deri tek ajo më pak e preferuara.

Duke pasur notat e provimeve me zgjedhje dhe atyre të detyruara, si dhe llojet e koeficienteve të shkollave të mesme, e atyre të degëve universitare (të cilat gjenden në faqen zyrtare të AKP-së, www.akp.gov.al, çdo kandidat mund të konfirmojë vetë nivelin e pikëve që siguron, si dhe degët ku kanë shumë shanse për të qenë fitues. Kjo llogaritje pikësh bazohet në formulën tradicionale të Maturës Shtetërore. Për programet e studimit pa konkurs pikët e maturës llogariten me formulën në vijim: “Pikë Matura = {[26 x M + 20 x (D1 + D2)] x K + 17 x (Z1 x F1 + Z2 x F2)} x 5, ku D1 e D2, janë notat e provimeve të detyruara, Z1 dhe Z2 notat e lëndëve me zgjedhje, me K shënohet koeficienti i profilit të shkollës, me F1 dhe F2, koeficientët e dy lëndëve me zgjedhje.

Rezultatet e pikëve finale ndryshojnë sipas preferencave për shkak të vlerësimeve të ndryshme që fakultetet kanë dhënë për koeficientët e shkollave të mesme dhe atyre të lëndëve me zgjedhje. Javës së ardhshme MAS pritet të shpallë paketën me procedurat dhe afatet konkrete që do të ndiqen në plotësimin online të formularit A2, për të gjithë kandidatët që duan të fitojnë statusin e studentit. Në plotësimin e këtij formulari duhet të marrin pjesë edhe kandidatët që janë në procedura aplikimi për të vijuar studimet jashtë vendit. Për shkak të fluksit të lartë të kërkesave, gara këtë vit parashikohet të jetë e ashpër, si shkak i kuotave të kufizuara. Ndonëse nuk janë zbardhur ende pranimet për çdo program universitar, mungesa e kapaciteteve pritëse në fakultete kushtëzon edhe shtimin e kuotave për pranimet e reja.

 

 

Formula e llogaritjes së pikëve, 8 elementët që përfshihen

 

Llogaritja e pikëve të secilit prej kandidatëve bëhet në bazë të kombinimit të formulave të realizuara

në një program kompjuterik për programet e studimit pa konkurs dhe për programet e studimit me

konkurs. Për programet e studimit pa konkurs pikët e Maturës Shtetërore llogariten me formulën e

mëposhtme:

Pikë Matura = {[26 x M + 20 x (D1 + D2)] x K + 17 x (Z1 x F1 + Z2 x F2)} x 5

 

Ku shënohen me:

M – Nota ose pikët mesatare të viteve të shkollimit të mesëm.

D1 – Nota e provimit Gjuhë Letërsi.

D2 – Nota e provimit Matematikë.

Z1 – Nota e provimit të lëndës së parë me zgjedhje të detyruar.

Z2 – Nota e provimit të lëndës së dytë me zgjedhje të detyruar.

K – Koeficienti i profilit të shkollës.

F1 – Koeficienti i lëndës së parë me zgjedhje të detyruar.

F2 – Koeficienti i lëndës së dytë me zgjedhje të detyruar.

 

Programet me kritere të veçanta pranimi

Degët me konkurs, formula si do llogariten pikët

Kandidatët që kërkojnë të studiojnë për një program të parë studimi në vitin akademik 2015 -2016, në programet e studimeve të ciklit të parë me kohë të plotë në: “Universitetin e Arteve të Tiranës, Universitetin e Sporteve të Tiranës, Akademinë e Arteve Shkodër, universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan (programi i studimit “Edukim fizik dhe sporte”), universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, (programi i studimit “Edukim fizik dhe sporte”), universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, (programet e studimit të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën FASTIP), duhet të plotësojnë edhe kriteret e veçanta të pranimeve siç janë konkurset. Konkurset në çdo program studimi të këtyre universiteteve do të zhvillohen sipas një kalendari të caktuara (në mbyllje të muajit gusht, si dhe fillim të shtatori). Fituesit për këto programe përzgjidhen duke marrë në konsideratë rezultatet e provimeve të maturës, si dhe pikët e konkursit special që do të zhvillohet në datat e përmendura.

 

Përjashtohen nga gara

Mijëra maturantë nuk mund të vijojnë garën për ndjekjen e studimeve të larta nëpërmjet plotësimit të formularit A2. Kjo pasi ata janë vlerësuar me nota negative në njërin nga 4 provimet e maturës, si në lëndët me zgjedhje ashtu edhe në ato të detyruarat. Këta kandidatë duhet të presin sezonin e vjeshtës për të ridhënë provimet, e vetëm nëse kalojnë mund të vijojnë më pas procedurat e konkurrimit për studimet e larta në strukturat private, ose në ato publike nëse dikasteri i arsimit do të miratojë raundin e dytë të pranimeve me anë të formularit A3.

 

 

Kriteret si do përzgjidhen fituesit në universitete

Renditja e fituesve ndërmjet maturantëve apo kandidatëve për studime universitare të ciklit të parë, në institucionet e arsimit të lartë publik bëhet sipas parimit Meritë-Preferencë. Parimi i meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore (të detyruara dhe me zgjedhje) dhe për programe studimi të caktuara, edhe sipas rezultateve të arritura në konkurs për degët e arteve dhe të sporteve. Ndërsa parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet jo më shumë se 10 preferencave të zgjedhura prej tyre.

Renditja bëhet duke listuar të parat degët më të preferuara, ku dhe shanset për të qenë fitues janë më të larta. Maturantët duhet të jenë shumë të kujdesshëm në renditjen e degëve ku duan të vijojnë studimet. Para se të bëjnë këtë renditje duhet të kenë parë me shumë kujdes edhe koeficientët me të cilët fakulteti përkatës ka vlerësuar llojin e shkollës së mesme që maturanti ka kryer, si dhe dy lëndët që ka dhënë si provime me zgjedhje. Kjo pasi një përzgjedhje e gabuar mund të çojë në humbje të shumë pikëve. Lidhur me kriteret kryesore të përzgjedhjes së preferencave theksohet se: kandidati duhet të bëjë kujdes, jo vetëm në përzgjedhjen e jo më shumë se 10 preferenca, por një element mjaft i rëndësishëm është dhe renditja e tyre sipas shkallës së plotësimit të dëshirës personale për ndjekjen e studimeve të larta.

Nuk është e domosdoshme që të jenë përzgjedhur 10 preferenca, por për të rritur probabilitetin e fitimit të një të drejte studimi, është e këshillueshme që të zgjidhen sa më shumë preferenca, brenda limitit të përcaktuar. Kriteri i vetëm që e shpall një maturant fitues në një degë është kriteri i meritës, pra sasia e pikëve të grumbulluara në një program studimi të përzgjedhur. Preferenca është kriter kualifikues brenda përbrenda përzgjedhjeve të një maturanti. Kjo do të thotë që nëse maturanti kapërcen pikët e fituesit të fundit në disa programe studimi të përzgjedhura nga ana e tij, sistemi e shpall fitues në preferencën më të lartë të këtij grupi preferencash.

E thënë ndryshe një fitues i një programi studimi mund ta ketë rreshtuar si preferencë të dhjetë atë program, por ai fiton ndaj një maturanti tjetër që e ka preferencë të parë, për faktin se ka grumbulluar më shumë pikë. Ndërsa kandidatët që marrin pjesë në konkurse pranimi, që të rrisin mundësinë e fitimit të atij programi duhet të vendosin këto degë si preferenca të para gjatë plotësimit të formularit A2.

Pranvera Kola July 4, 2015 09:35
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*