Lobim apo mitmarrje?

Armand Vinçani November 4, 2012 22:36

Lobim apo mitmarrje?

Deri ku është kufiri moral i lobimit. Apo mjafton të paguash për gjithçka dhe merr atë që do? Ka një lidhje organike ndërmjet kufirit moral të lobimit dhe kufirit legal të tij. Në aspektin  e parë, perceptimi i përgjithshëm është se në vendet të cilat më shumë se dy dekada më parë hynë në rrugën e transformimit të sistemit politik dhe ekonomik lobimi është parë si mënyrë e fshehjes së sofistikuar të korrupsionit. Kjo është mjaft tipike dhe për Shqipërinë. Në aspektin e kufirit legal, vështirësia për të parandaluar korrupsionin edhe në këtë fushë, shpesh ka gjeneruar thirrje për të ndaluar lobimin si një aktivitet të ligjshëm. Edhe pyetja juaj besoj se merr shkak nga një premisë e tillë, “.. mjafton të paguash për gjithçka dhe merr atë që do?” Sidoqoftë, një konkluzion radikal mbart një keqkuptim të çështjes sepse lobimi është pjesë organike e procesit demokratik të vendim-marrjes. Në vendet pa korrupsion politik dhe ekonomik ose me nivele të pranueshme lobimi është formë efektive e realizimit të interesave

të caktuara të një grupimi apo shtrese të caktuar të shoqërisë duke u kthyer në një rol legjitim dhe të domosdoshëm për sistemin politik. Fatkeqësisht, nuk mund të ndodhë kështu në Shqipëri ku lobimi shihet si një mjet socialo-politik i atyre pak njerëzve që kanë fituar pandershmërisht pushtet të pakufizuar ekonomik e politik për të korruptuar ligjet e shërbyer interesave të tyre. Në këtë sens koncepti i lobimit në vendin tonë është thjesht aplikimi i mitmarrjes, dhe një gjë e tillë fillon nga kreu

i pushtetit ekzekutiv e shkon deri tek një nëpunës i thjeshtë që ka për detyrë të lëshojë një certifikatë fare të thjeshtë, por nuk e lëshon atë pa kompensim. Edhe pse në pikëpamje konceptesh hendeku midis lobimit dhe mitmarrjes është mjaft i thellë, në kushtet e mungesës së plotë të etikës dhe moralit ai ngushtohet aq shumë sa e bën mjaft të vështirë dallimin. Në anën tjetër, nuk mund të mohohet roli i parasë në të gjithë procesin e lobimit. Duam apo nuk duam, duhet të pranojmë që paraja është

pushtet. Është e padëshirueshme për masën e gjerë të popullsisë por në të njëjtën kohë është tepër e domosdoshme. Paraja të jep pushtet dhe grupi, individi apo shtresa që e disponon atë më shumë ka të ngjarë të ketë më tepër influencë tek politikanët e pushteti legjislativ. Subjektet e mësipërme derivojnë nga popullsia shqiptare dhe bazuar në forcën e tyre ekonomike ato diktojnë një proces prioriteti duke siguruar vëmendjen më të madhe. Kjo është krejt normale por ajo që nuk është e tillë lidhet me faktin se shoqëria shqiptare sot nuk garanton që interesat e shumicës të mbrohen ligjërisht nga korrupsioni i individëve të caktuar ose interesat e opozitës/pakicës të mbrohen nga dhunimi i maxhorancës/shumicës. Në një vend ku sistemi i drejtësisë është mjaft i cunguar, premisat që lobimi të konfondohet me mitmarrjen janë mjaft të dukshme. Prandaj edhe detyrohemi të themi që mjafton të paguash e merr gjithçka. Kur një ish zv.kryeministër në mes të ditës me diell kryen një mitmarrje – që është një krim – dhe përsëri del pa lagur nga gjykatat e sistemi i “ç”drejtësisë atëherë lobimi humbet nocionin e tij e kthehet thjesht në një mitmarrje të rregulluar me ligj.

 

A është e mundur që një vend si Shqipëria, me nivel të lartë korrupsioni, pandëshkueshmëri te zyrtarët e lartë, një kompani prestigjioze nga Brukseli ose SHBA ta paraqesin Berishën ndryshe nga ai që është?

 

Kësaj pyetje mund t’i përgjigjesh nga shumë këndvështrime por le të ndalemi në disa prej tyre. Ju përmendni kompani prestigjioze që lobojnë sot për Berishën. Teorikisht unë nuk shoh asnjë gjë të keqe këtu dhe as nuk mund të vë në dyshim integritetin e tyre për aq kohë sa nuk njoh as detajet e marrëveshjeve, as bazat ligjore të tyre dhe as mjetet e financimit. Më parë përmenda disi përciptazi rolin e parasë në gjithë mekanizmin e lobimit. Fakt i pakundërshtueshëm është pohimi se Berisha e disponon këtë fuqi ekonomike dhe është lehtësisht e besueshme që jo vetëm ai por edhe një klan i tërë që qëndron pas tij ushtrojnë trysninë e duhur për të propaganduar e lobuar qeverisjen e tij.

 

Një trysni e tillë sa vjen e do të rritet për vetë kontradiktën e thjeshtë që bota e civilizuar nuk mund të pranojë një sistem demokratik që nuk njeh rotacionin. Edhe pas 20 vjetësh Shqipëria është ndoshta i vetmi vend i quajtur demokratik që nuk riciklon prijësit e saj. Gjithkush që jeton atje ka si ushqim të përditshëm të njëjtat fytyra, të njëjtat zëra, të njëjtat psikologji, karaktere, sjellje e zakone. Nëse themi që këto kompani apo individë me influencë politike lobojnë për Berishën përse të mos themi që ato lobojnë edhe për ne? Ne e kemi mjaft të vështirë të shkëputemi nga udhëheqësit e pavdekshëm, të pazëvendësueshëm, nga ikonat, nga mitet dhe mendojmë se pa ata do të bëhet hataja.

 

Ndoshta është çështje tradite, kulture, mentaliteti, fobie, fisesh etj., por e rëndësishme është të kuptojmë se në fund të fundit jemi ne ata që diktojmë sjelljen e të huajve ndaj nesh. Përderisa Berisha nuk ndalet duke lobuar edhe përpara nxënësve të shkollave fillore me shpresën që ata do të influencojnë prindërit e tyre a mundet të pritet që ai nuk do të përdorë mekanizmin e lobimit që ofron sot tregu i huaj? Ju shtroni pyetjen që si mundet të ekzistojë ky lobim kur ne kemi këtë nivel korrupsioni, pandëshkueshmërie etj? Në mënyrë figurative, më lejoni të bie shembullin e mëposhtëm: një përfaqësues i një kompanie reklamash kishte marrë përsipër dhe më shumë pasion reklamonte një lloj grille të veçantë e destinuar për të shitur produkte relativisht të shtrenjta mishi e deti brenda ambienteve të mbyllura e palëshuar erën apo tymin më të vogël.

 

Ai person i bënte shërbim pagesës së tij dhe kurrë nuk u interesua nëse audienca e tij i kishte mundësitë ekonomike për atë lloj trajtese. E njëjta gjë ndodh me kompanitë e lobimit. Berisha dhe qeveria e tij është propaganduar, prezantuar e pompuar në atë mënyrë që të gjitha ndryshimet i dedikohen vetëm atij. A besoni se ata njohin vërtetë gjendjen e sotme të Shqipërisë? A besoni se ata e dinë varfërinë ekstreme të një pjese të konsiderueshme të popullsisë, nivelin e korrupsionit, vrasjeve e krimeve barbare, pasigurisë, një sistem të tërë prokurorie e drejtësie të paralizuar? A besoni se ata e dinë vërtet se sot Berisha ka pushtuar të gjitha shtyllat e shtetit? A besoni se ata e dinë që sot një diplomaci e tërë shqiptare e akredituar jashtë ka si funksion kryesor lobimin e qeverisë së sotme?

 

Në anën tjetër, a nuk besoni se ata e dinë fobinë shqiptare të dashurimit pas udhëheqësve e pushtetarëve të përjetshëm? Një fjalë e urtë thotë se sipas vendit bëhet dhe kuvendi. Ndryshe, nuk mund të ndodhë si askund tjetër, që politikanë a parlamentarë evropianë, të lobojnë në mes të Tiranës për politikanë shqiptarë të caktuar. Nëse nuk jemi vetë në gjendje të ruajmë dinjitetin tonë si mund të presim të na e ruajnë të tjerët?Sidoqoftë, ne nuk mund të nisemi e paragjykojmë askënd. Në opinionin tim është thelbësore aftësia për të lexuar diplomacinë e huaj kur ajo përfaqëson atë të shtetit. Rasti më kuptimplotë është vizita e Sekretares Amerikane të Shtetit. Fjala dhe takimet e saj provuan kudo se SHBA-së përkrahin si ngaherë Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Në asnjë rast ajo nuk la shteg interpretimi se vendi më demokratik në botë është në favor të kësaj apo asaj partie politike. Përkundrazi, Klinton kërkoi unitetin dhe bashkëveprimin në interes të kombit tonë si i tërë. Berisha mund të lobojë gjithë ditën e natën për karrigen e tij. Ne, shqiptarët, duhet të lobojmë me çdo sakrificë për atë që historia si rrallë ndonjë herë na e ka prurë në prag të derës: shansin për t’u bërë e njohur si një komb vendimtar në fatet e Ballkanit. Nëse nuk lexojmë dot edhe mesazhin e fundit të Amerikës faji e turpi do të jetë ngaherë me ne.

 

A mund të ketë një mekanizëm hetimi dhe gjykimi të pavarur, duke qenë se bëhet fjalë për lobistë nga BE e SHBA?

Më duket se përsëri ne i kthejmë sytë nga bota për të zgjidhur problemet tona të brendshme. Kjo ndodh sepse e shohim që koha ka treguar që asnjë çështje madhore e vetme nuk është investiguar, zgjidhur apo konkluduar tek ne. Sidoqoftë, një hetim i pavarur duhet të fillojë në vendin tonë. Ai nuk mund të përfshijë vetëm një parti politike të caktuar, por duhet të jetë i gjithanshëm e për këdo forcë politike. Një gjë e tillë fillon me transparencën aq të cunguar. Opinioni publik shqiptar ka të drejtën të njohë me imtësi fondet që kanë shkuar për qëllime lobimi. Ato janë paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe pushteti duhet të detyrohet të bëjë publike.

 

Ajo ç’ka e vështirëson procesin e transparencës është ekonomia ”hije”. Një ekonomi e tillë mund të ekzistojë teorikisht kudo por në Shqipëri ajo ka dimensione të tjera. Tek ne ajo ka marrë një formë mjaft të rrezikshme dhe kjo për shkak të korrupsionit. Duke qenë se nuk kemi institucione të konsoliduara demokratike, ekonomike e rregullatore është tejet e vështirë të investigohen të gjithë sektorët e ekonomisë “hije” të cilat koha ka treguar se bëhen resurse të financimit të aktiviteteve lobuese në interes të individëve të caktuar me pushtet politik të pakufizuar. Në anën tjetër, fakti që aktivitetet lobuese vijnë nga BE apo SHBA nuk do të thotë aspak që një bashkëpunim me to është i pamundur. Përkundrazi, ato janë shembujt më të mirë të demokracisë e barazisë dhe aspak hezitante për të ndëshkuar veprime të cilat kanë rënë ndesh me normat ligjore, etike, e morale, pa as më të voglin ndikim nga fakti nëse individët kanë qenë senatorë, kongresmenë apo politikanë të rangjeve të tjera.

Armand Vinçani

Armand Vinçani November 4, 2012 22:36
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*