Lobimi në SHBA, “Mother Jones” përplaset sërish me LSI-në

April 26, 2018 20:42

Lobimi në SHBA, “Mother Jones” përplaset sërish me LSI-në

 

LSI reagoi të mërkurën pas shkrimit të revistës Mother Jones, duke e quajtur atë “manipulim, mashtrim pa fakte dhe të shtrembëruar”.

Lidhur me deklaratat e LSI-së, Ilir Ikonomi i Zërit të Amerikës mori reagimet e njërit prej autorëve të shkrimit të revistës “Mother Jones”, Dan Friedman.

Ai hedh poshtë akuzat e LSI-së.

“Provat që ne paraqesim janë në artikull. Pra, provat janë dhe nuk ka mashtrim.

LSI-ja kishte kohë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur pyetjeve tona. Shumicës së tyre ata realisht nuk iu përgjigjën. Kjo ngre pyetjen se përse po u shmangen përgjigjeve dhe dalin me akuzën se ne po sajojmë gjëra të paqena”, deklaroi ai.

Dan Friedman tregon edhe si arrihet në përfundimin se kontrata e Grupit McKeon, e nënshkruar më 24 mars 2017 me firmën fantazmë “Dorelita” është në thelb një kontratë me LSI-në. Ai thotë se nuk mund të japë identitetin e burimit të informacionit.

“Nuk mund ta zbuloj burimin përveç asaj që thuhet në artikull, por bëhet fjalë për një person që ka dijeni për këtë kontratë dhe hollësitë e saj si dhe mbi përpjekjet lobiste të zhvilluara në këtë rast. Së dyti, artikulli nuk mbështetet vetëm në këtë burim. Ne raportojmë gjithashtu se zyra e senatorit Mike Lee ka deklaruar se fjala ishte për një takim me politikanë shqiptarë dhe nuk kishte të bënte me firmën Dorelita, e cila qëndronte prapa lobimit. Vetë LSI-ja vë në dukje se zoti Tavo ka qenë në SHBA në këtë kohë dhe me sa duket ka qenë i pranishëm në takime. Do të doja të dija se përse ndodhej ai në SHBA”, deklaron Fridman.

Ai hedh poshtë akuzat e LSI-së se është paguar nga paratë e drogës së mazhorancës.

“Nuk kemi komunikuar me Partinë Socialiste. Kur ne po përgatisnim një artikull të mëparshëm në lidhje me Shqipërinë, ne i dërguam pyetje Partisë Socialiste, por nuk morëm përgjigje prej tyre, pra nuk kemi patur komunikime me ta. Ajo që thotë LSI-ja është krejtësisht e rreme. Ne nuk financohemi nga para droge dhe duket se ata po përpiqen të sajojnë. Artikulli ynë është i dokumentuar, pra ne citojmë dokumente të depozituara pranë qeverisë amerikane, ndërsa reagimi i tyre është se ne sajojmë. Përse e bëjnë ata këtë? Përse nuk përgjigjen me vërtetësi për atë që kanë bërë ose nuk kanë bërë?”, vijon ai.

Pas intervistës së gazetarit Dan Friedman për “Zërin e Amerikës”, zyra e Shtypit e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka reaguar sërish.

Në reagim, LSI lë të kuptohet se u ka kthyer përgjigje të gjitha pyetjeve të drejtuara në zyrën e saj nga autorët e artikullit, por akuzon përgjigjet e tyre nuk janë pasqyruar në shkrimin në fjalë.

“Lidhur me deklaratat e kolegut të MotherJones, Dan Friedman në intervistën e tij për Zërin e Amerikës, dëshirojmë të themi se herën tjetër kur kolegu Friedman dhe Mother Jones të kenë pyetje të dërgojnë gjithashtu dhe përgjigjet që ata duan, në mënyrë që ne vetëm t’i konfirmojmë”, thuhet në deklaratën e LSI.

a.s/dita

April 26, 2018 20:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*