Logjika dhe etika e një “replike” (Ku gabon z. Bejko)

April 30, 2016 12:00

Logjika dhe etika e një “replike” (Ku gabon z. Bejko)

Nga Fatos Tarifa

Pak ditë më parë, z.Sadik Bejko botoi në këtë gazetë një replikë ndaj shkrimit tim “Skepticizmi dhe progresi intelektual”, botuar rreth një javë më parë në gazetën MAPO. Shkrimi im ishte një kritikë ndaj një shkrimi të mëparshëm të z. Bejko, i titulluar “Pse do na vlente historia e fesë”. Unë i gjeta “argumentet” që sillte z. Bejko në atë shkrim tepër mjerane dhe nën dinjitetin e një profesori universiteti. Pas kritikës që botova, një koleg i nderuar imi më shkroi se: “për Bejkon është luks të bëhet objekt i kritikës tënde por, gjithsesi, ai ka meritën që shërbeu si shkak për të nxitur analizën tënde, që është me vlerë për të gjithë të tjerët, që nuk quhen Sadik”.

Replika e djeshme e z.Bejko, titulluar “Kur thyhen kodet e komunikimit”, botuar po në këtë gazetë, ishte më mjerane se shkrimi i tij i parë dhe, me një autor si ai nuk do ia vlente të merresha më. Pra, polemika e z. Bejko, këtë herë më shumë se herën e parë, meritonte të injorohej, sepse asaj i mungon çdo fill logjik dhe çdo argumentet.

Por unë i jap edhe një herë z. Bejko “luksin” që ta bëj “objekt të kritikës sime”, jo sepse narrativa e tij meriton vëmendje, por sepse në replikën e tij, z. Bejko dëshmon fytyrën e vërtetë të një provinciali jointelektual e të paditur që, në mungesë të argumentave, merret me tim atë. Sevo Tarifa, emri i të cilit gjithnjë më ka nderuar e më nderon kur them se jam djali i tij, është një njeri dhe një intelektual shumë i nderuar, para të cilit z. Bejko s’është veçse një liliput. Sevo Tarifa ka shkruar më shumë libra sa ç’janë vitet që ka jetuar z. Bejko, tashmë në pension. Sevo Tarifën edhe sot, kur është 90, e respektojnë dhe e duan më shumë njerëz sesa ka njohur z.Bejko gjatë gjithë jetës së tij. Sevo Tarifa edhe sot është i rrethuar nga më shumë miq e shokë sesa z.Bejko kur është esëll. E mbyll këtu “mbrojtjen” që, si djalë, kam për detyrë t’i bëj babait tim, sepse një “little man”, si z. Bejko, mund edhe të mëshirohet për dobësitë e tij. Për dobësitë e karakterit të tij, por jo të pikëpamjeve që shpreh publikisht. Dhe unë me to dua të merrem edhe këtë herë—për të fundit herë.

Nëse “replika” e z.Bejko do kishte një fill logjik nga mund ta kapja, do më ndihmonte t’i organizoja disi më mirë mendimet e mia dhe këtë kritikë të re për të. Por, nga që “replika” e tij i ngjan një “sallate maqedonase”, po përpiqem të dalloj atë ç’ka z. Bejko ka hedhur në të. Edhe kjo, sidoqoftë, nuk është e lehtë, pasi “replika” e tij i ngjan, siç themi në Gjirokastër, një çarçafi të mballosur, që s’ke se nga e zë. Por do përpiqem, gjithsesi.

Një ndër “vërejtjet” e z.Bejko për tre esetë e mia mbi fenë, botuar kohët e fundit në shtypin tonë, është se ato janë “5 faqe A4 të gjata”, ose “të stërgjata”, dhe duket se ai është lodhur së lexuari ato. Kjo mund të jetë e vërtetë (që ai është lodhur), sepse 4 ose 5 faqe janë shumë për një njeri që ka lexuar shumë pak në jetën e tij, që edhe si profesor universiteti ushqehet intelektualisht vetëm nga gazetat dhe që, gjatë tërë karrierës së tij akademike nuk botoi thuajse kurrë ndonjë monografi. Më vjen keq, por nëse e lëmë modestinë mëjanë, aq faqe sa z. Bejko ka shkruar tërë jetën e tij, unë dhe shumë nga kolegët e mi i lexojmë çdo ditë.

Z.Bejko, mendjelehtësisht dhe nga padija, i quan argumentet e mia kundër shkrimit të tij “gabime konceptuale”. Spinoza, një ndër filozofët e mi më të preferuar, thoshte se “injoranca nuk është argument” (Ignorantia non est argumentum). Përsëri nga padituria, dhe ndoshta, nga mungesa e një arsimi sistematik, z. Bejko i ngatërron konceptet “konservator” dhe “reaksionar”, kur përpiqet të thotë se, “në Angli dhe në SHBA partitë konservatore janë të ligjshme, fitojnë zgjedhjet, qeverisin”. Ai ngatërron, gjithashtu, kuptimin e termave “ateizëm” dhe “racizëm”, pasi për të, kritika ime ndaj besimeve fetare është “shprehje e racizmit ndaj besimtarëve praktikantë”! Kjo është urtësia e një profesori si z. Bejko! Dhe ky zotëri pretendon se jam unë ai që i “përdor termat me qëllim të mbrapshtë”, “duke thyer kodin e komunikimit”! A nuk është për të qeshur!

Z.Bejko mendon se paaftësia e tij për të kuptuar e për të komunikuar është qëllim “i mbrapshtë” i Tjetrit. Mbi të gjitha, përsihatja e tij konfuze mbi “konservatoren” dhe “reaksionaren” nuk ka asnjëlloj lidhje me çështjen që merr përsipër të trajtojë ai dhe që ka të bëjë me rolin e fesë në shoqëri dhe me mësimin e saj në shkollat tona. Dhe z. Bejko harron, ose ndoshta nuk e di se autori i këtyre radhëve nuk ka mbetur me shkollimin që vetë z. Bejko e ka mbyllur përjetësisht para viteve 1990, por ka marrë arsimin më të lartë në shkencat shoqërore atje ku këto shkenca mësohen më mirë se kudo tjetër në botë—në Amerikë.

Unë nuk i marr njohuritë e mia shkencore nga gazetat shqiptare, as nga Wikipedia që, siç konstatoj nga “replika” e z. Bejko, janë të vetmet burime nga ushqehet mendja e tij. Kur unë shkruaj se numri i besimtarëve në të gjitha vendet europiane ka rënë dhe po bie ndieshëm, këtë të dhënë e marr (dhe e citoj) nga burime të sakta informacioni, për të cilat z. Bejko nuk ka dëgjuar ndonjëherë. Instituti për Kërkime Sociale në Universitetin e Miçiganit, në Ann Arbor, është njëri prej tyre dhe më i njohuri në të gjithë botën. Burimet nga informohen unë më thonë se 54 për qind e popullsisë së globit besojnë në njërën nga 4 fetë më të mëdha. Unë nuk pres të mësoj nga Kosta Barjaba atë që z. Bejko e raporton si “fakt”, ose si “dije”, në “replikën” e tij, kur shkruan se: “sipas Kosta Barjabës besimtarët në botë janë miliarda”! Unë as nuk pres që t’i mësoj emrat e personaliteteve që kanë qenë kundërshtarë të fesë nga gazeta “Shqip”, siç bën z. Bejko kur përmend emrat e disa figurave të shquara që kanë qenë fetarë! Unë lexoj veprat që ata kanë shkruar për ta marrë dijen për ta nga burimi, jo nga gazetat.

Sa më sipër, z. Bejko, si ajo bretkosa që nga fundi i pusit mendon se qielli është i vogël sa gryka e pusit, përpjekja e tij për të sjellë Ajnshtajnin e madh si “argument” për pohimin e tij se shkencëtarët e mëdhenj kanë qenë fetarë, është sërish e dështuar dhe dëshmon edhe një herë se Bejko e merr informacionin e tij nga Wikipedia, ose nga përkthime të çfarëdoshme. Ai i referohet një thënieje të Ajnshtajnit se “shkenca pa fenë është e çalë, ndërsa feja pa shkencën është e verbër”, pa e ditur burimin nga është marrë kjo thënie. Dhe nuk ka si ta dijë nëse nuk është marrë me çështjet e raportit mes shkencës dhe fesë dhe nuk ka lexuar më shumë se një listë citatesh në “Wikiquote”.

Unë dëshiroj t’i ofroj z. Bejko burimin nga është marrë thënia që ai citon dhe, bashkë me të, diçka më shumë, më të vërtetë e më të qenësishme bash për këtë çështje, që është “argumenti” i tij i vetëm në replikën që bën ndaj kritikës sime. Nëse Ajnshtajni ka besuar vërtet në një Zot, zoti i tij duket se ka qenë ose pothuajse sinonim, ose tërësisht sinonim me natyrën, me universin, me ligjet e fizikës. Madje, në një rast, Ajnshtajni ka shprehur besim në “Zotin e Spinozës”—në atë “Zot-Natyrë” që gjithnjë është interpretuar si “jozot” (Ronald Clark, “Einstein: The Life and Times”, New York, 1984: 38). Kjo, sidoqoftë, nuk ka aq rëndësi sa ky fakt i zbuluar vetëm pak kohë më parë. Në një letër dërguar një mikut të tij filozof, në vitin 1954, pak muaj para se të vdiste, Ajnshtajni e denigron fenë me këto fjalë: “Fjala zot për mua nuk është asgjë më shumë sesa shprehje dhe produkt i dobësive njerëzore” (“The word god is for me nothing more than the expression and product of human weaknesses”). Më tej, po në atë letër, ai i hedh poshtë të gjitha fetë si mishërim i “bestytnive më foshnjarake” (“the most childish superstitions”) (cituar në: James Randerson, “Einstein’s Letter Makes View of Religion Relatively Clear”, Guardian, 13 maj 2008). Këto fjalë, mendoj se nuk lënë shumë vend për të diskutuar më tej mbi këtë çështje, të paktën jo me z. Bejko.

Duke dashur të dëshmojë erudicionin e tij (të  llojit “wiki”), që duket se i mungon madje edhe në fushën që është “fusha e vet”, z. Bejko rendit një varg filozofësh mesjetarë, nga realistët dhe nominalistët (të cilët, jam i bindur se nuk di t’i dallojë nga njëri-tjetri), deri te etërit e Skolastikës, filozofët arabë dhe ata hebrej të Mesjetës. Këta, thotë z. Bejko, pra “Mesjeta, përgatiti Rilindjen Europiane”. Shikoni, lexues të nderuar, se çfarë j’u thotë profesor Sadik Bejko: Rilindjen Europiane e përgatiti Augustini i Hippos (i njohur ndryshe si Shën Augustini, që jetoi në vitet 354-430), Boethius (një senator e filozof romak që jetoi në vitet 480–524) dhe teologë të tillë të Mesjetës, si Anselmni i Kantërberit dhe Thoma Akuini! Cili njeri me dy gramë shkollë do t’i besonte këto dokrra!

Çdo njeri i arsimuar në kohën tonë, i cili e njeh qoftë edhe në disa sinteza të përgjithshme historinë e zhvillimit të qytetërimit botëror, e di se pararendësit e asaj kulture të re, që i dha epokës së Rilindjes këtë emër, i përkasin fundit të shekullit të 13-të dhe ishin tre italianë të mëdhenj: Dante Aligieri, Françesko Petrarka dhe Xhovani Bokaçio, poetë dhe shkrimtarë humanistë, kryeveprat e të cilëve shënojnë lindjen e së parës letërsi moderne. Njëri prejt tyre, Petrarka, duke përshkruar frymën e epokës së re që po lindte, shkruante në një nga sonatat e tij si vijon: “Në të kaluarën [në antikitet] koha buzëqeshte dhe përsëri mundet, pasi dikur kishte, dhe përsëri do të ketë, ditë më të gëzuara. Por, në këtë Mesjetë, koha hiqet zvarrë, rreth nesh, dhe ne përulemi nën një peshë të rëndë imoraliteti. Gjenia, virtyti, lavdia nuk janë më, duke bërë që të sundojnë shansi dhe apatia. Pamje e shëmtuar kjo! Ne duhet të zgjohemi ose të vdesim”.

Gjatë gjithë Mesjetës, feja kishte sunduar në mënyrë absolute në jetën e shoqërisë. Ajo i kishte nënshtruar të gjitha format e tjera të ndërgjegjes shoqërore: filozofinë, politikën, jurisprudencën, artin, shkencën, moralin. Ky sundim i plotë i teologjisë në të gjitha fushat e veprimtarisë intelektuale shpjegohet, veç të tjerash, edhe me pozitën që zinte Kisha dhe me rolin që luante ajo në jetën e shoqërisë mesjetare, si sinteza më e përgjithshme dhe sanksionimi më i lartë i rendit feudal ekzistues. Botëkuptimi dhe kultura teologjike i ishin përshtatur shoqërisë feudale, kushteve dhe mënyrës së saj të prodhimit, të këmbimit e të jetesës, ndërsa kushtet e reja ekonomike dhe pozita e klasës të re që po lindjet, borgjezisë, që kërkonte transformimin e të gjitha marrëdhënieve e të institucioneve të vjetra shoqërore, bënin të domosdoshëm krijimin e një botëkuptimi të ri dhe të një kulture të re, antiteologjike dhe antifeudale. Në këtë kuadër, lufta e borgjezisë së atëhershme kundër feudalizmit dhe absolutizmit mesjetar do të drejtohej, në radhë të parë, kundër fesë dhe institucioneve të saj. Që të mund të sulmoheshin marrëdhëniet shoqërore ekzistuese, duhej t’u hiqej atyre aureola e shenjtërisë.

Me fillimet e Rilindjes, kryesisht në radhët e elitës së arsimuar, lindi dhe u zhvillua një kulturë e re, me tipare tepër origjinale, që do t’i jepte një goditje edhe më të rëndë botëkuptimit teologjik të Mesjetës. Gradualisht, njerëzit e arsimuar, ose publiku që lexonte, filluan të pyesnin e të vinin në dyshim dijen që përhapte Kisha, veçanërisht marrëdhëniet e njeriut me Zotin dhe me kozmosin. Ekzistenca e Zotit dhe “fuqia” e tij filluan të studioheshin nga një këndvështrim më empirik, duke u mbështetur jo thjesht dhe jo vetëm në tekstet e shenjta, por edhe në “librin e madh të natyrës” (Dekart), duke i dhënë kështu njeriut të arsimuar mundësinë të formonte opinionet e tij dhe të përmbushte detyrën e tij për të qenë vërtet njerëzor. Në një plan të përgjithshëm, mund të thuhet se ideali shoqëror i kulturës dhe i moralit të ri humanist ishte lartësimi i personalitetit njerëzor dhe mbrojtja e të drejtave të tij kundër privilegjeve feudale. Në këtë vështrim, humanizmi i shekujve të 15-të dhe 16-të mund të konsiderohej si “forma e parë e iluminizmit”.

Ndoshta nuk ia vlente një “leksion” kaq i gjatë mbi këtë temë për një profesor që historinë e qytetërimeve e ka “lëndën e vet” por, pikërisht për këtë arsye, atij s’mund t’i falet që të gabojë në një mënyrë kaq trashanike, sa t’i quajë murgjit mesjetarë dhe etërit e Kishës Katolike pararendësit e Rilindjes Europiane e të kulturës humaniste të saj. Kjo gjuhë dhe kjo mënyrë argumentimi që përdor unë nuk janë aspak një “narrativë mohuese e së majtës mbi Mesjetën”, siç shkruan, fare pa kuptim, z. Bejko. A mund të ketë naivitet më të madh sesa ta quash kritikën ndaj Mesjetës dhe teologjisë një kritikë nga pozita “të majta”? Shekspiri, Bekoni, Mori, Erazmi, Spinoza e shumë të tjerë që i vunë “gurrin e varrit” Mesjetës e skolastikës, mos vallë ishin “të majtë”? E kuptoni, të nderuar lexues, se ç’mësues u kanë dhënë dije studentëve tanë?

Pas një lëmshi që deri në fund nuk ia gjen dot fillin, z. Bejko kthehet sërish në pikën e nisjes, në kritikën time për të. Ai pohon se, kur unë, përmes një paragrafi të gjatë, argumentoj se, “në fakt, feja ka luajtur dhe mund të luajë një rol pozitiv në shoqëri” dhe se “kontributet e saj janë të shumta e të rëndësishme: në jetën e individëve të veçantë, në arte, në letërsi, në arkitekturë, në bamirësi, në krijimin e një sensi komuniteti, por edhe në moral”, e gjitha kjo, sipas tij, është “çoroditëse”, sepse thuhen “dy-tri fjalë të mira për armikun”. A nuk është edhe kjo satirike?! “Armiku” është në kokën e z. Bejko, jo në timen, madje këtë fjalë nuk e gjen të përdorur askund në kritikën time për të, siç nuk gjen as emrin e Marksit, të cilit z. Bejko i trembet sot, më shumë se 130 pas vdekjes së tij, njëlloj sikur ai të ishte gjallë.

Bejko mendon se, më në fund, ka gjetur “argumentin” për të mbrojtur pikëpamjet e tij dhe për të hedhur poshtë të miat, kur përmend Huntington-in, të cilin as e njeh, as e kupton, siç vërej nga interpretimi që i bën idesë se “qytetërimet janë të varura plotërisht nga feja që i përcakton”. Disa njohuri elementare në shkencën politike do e ndihmonin atë ta lexonte mirë të ndjerin Huntington dhe jo t’i shpërdornte në këtë mënyrë idetë e tij post mortem. Por kjo nuk mjafton. Z. Bejko thërret në ndihmë edhe kritikun e njohur amerikan Harold Bloom, pa harruar të përmendë kredencialet e tij si profesor në Yale. Por duke qenë krejt i panjohur me veprën e këtij intelektuali të shquar dhe i paaftë për ta kuptuar atë, sjell prej tij një thënie, të marrë me siguri nga ndonjë përkthim në shqip, por që përsëri nuk ka as lidhjen më të vogël, reale apo intuitive, me atë çka z. Bejko kërkon “të provojë”.

Dhe, sikur të mos mjaftonin këta dy autorë, z. Bejko i referohet edhe historianit anglez të artit, Kenneth Clark, sikur ky të ishte jo thjesht një historian i artit dhe i qytetërimeve, por një gjenecist, ose një biolog evolucionist, kur perifrazon prej tij idenë se “fetarja është trashëguar edhe te ateistët, si një trashëgimi e shekujve”. Nëse ka ndonjë prej jush, lexues të nderuar, që e kupton se ç’ka dashur të thotë z. Bejko (përmes gojës së z. Clark) me këto fjalë, ju lutem më shkruani një email. Sepse në tekstet e gjenecistëve dhe biologëve evolucionistë amerikanë dhe britanikë që unë kam lexuar e lexoj nuk kam ndeshur deri më sot ndonjë ide të afërt me këtë. Edhe kur, në formë hipoteze, është diskutuar se njeriu lind me predispozitën për të besuar në një fuqi të mbinatyrshme, kjo ide nuk ka gjetur deri më sot mbështetje empirike.

Dhe ja, krejt pa pritur, përfundimi në të cilin vjen z. Bejko: “Feja duhet dhënë në shkollë edhe sikur të mos jetë më asnjë institucion fetar në faqe të dheut”. Dhe pse? Sepse, argumenton ai, “feja është në themel të tipareve të qytetërimeve që kanë ekzistuar në lashtësi dhe të atyre që janë të gjalla sot”! Ka harruar të thotë “edhe të atyre që do të ekzistojnë në të ardhmen”, për ta mbyllur ciklin e historisë njerëzore, e cila, sipas z. Bejko, duket se tenton të arrijë realizimin final te një rendi teologjik ideal. Mendje e ndritur, jo shaka, njëlloj si Hegeli, për të cilin ky rend mishërohej në monarkinë kushtetuese, dhe njëlloj si Marksi, për të cilin ky rend ishte komunizmi.

April 30, 2016 12:00
Komento

16 Komente

  1. maks April 30, 12:38

    nderim per sevo tarifen drejtorin e shkolles se bashkimeve profesionale te durresit

    Reply to this comment
  2. Sonila April 30, 14:01

    Normal qe nuk shkon moralin me “tarifat” …sdq me shume i shkon nje ese per korupsionon ne ambasadat Shqiptare.

    Reply to this comment
  3. Hidrauliku i ambasades April 30, 15:35

    O çuni i Sevos me dole fjale per pazarin. S’e prisja nga nje ideolog si juve.

    Reply to this comment
  4. Filozof Patarif April 30, 16:09

    Shoku fatos, dikur beje citime te kllasikeve te marksizme-leninizmit e te shokut Enver, nashi i ke lene ato dhe citon filo-majtistet. Nga shkolla e partajs kalove ne prefesor filozofie ala-ngjeliste. Zhargaman.

    Reply to this comment
  5. Antifashisti April 30, 16:38

    1) Z.Fatos Tarifa, te lumte per qendrimin modern qe shprehni ndaj problemit shkolla-feja/shkenca. Ky problem ka autor zotni Edi RAMA=1.00 DIK;
    2) Persa i takon polemikeberesit z.Sadik Bejko, me lejoni t’e shprehem me relacion matematikor ndaj pyetjes (sa DIK ?), qe emri i tij permban. dmth.: zotni Bejko=0.05 Dick:
    3) Me mire kur meresh me kampionin, duke perdorur simbolet e matjes ne anglisht .

    Reply to this comment
  6. Sokol April 30, 16:54

    Nuk mendoj qe te berit kritike , te jete e lidhur me prejardhjen e Fatosit.Persa i perket prejardhjes se tije dihet se Sevo Tarifa ngelet burre i nderuar dhe i respektuar por edhe i ditur Jo vetem gjenetikish por edhe i shkolluar e i ditur si person, ku kete ka ditur qe t’ja trasmetoj jo vetem femijeve te tije por edhe shoqerise sone, panvarsisht se ne cilen etape te zhvillimit shoqeror ka shkruar .Per kete nuk mundemi te diskutojme.
    Le te diskutojme per Fatosin.
    Nuk e njoh personalisht,nuk kam asnje lidhje me te,por ne shkrimet e tije ka shume kulture dhe dije. Problemet qe takon per zhvillimin e shoqerise nga pikpamja politike,sociale dhe filozofike kane nje koherence qe asnje deri tani nuk i ka kundrershtur.
    Fatos Tarifen dhe te gjithe Prof.e tjere kur te kundershtojne te kundershtojne me fakte dhe jo te nisemi nga origjina e familjes e te tjera.
    Diku ose Sadiku me me kujdes se keshtu si shkruan del zbuluar dhe vehen ne dyshim edhe dijet qe ka.

    Reply to this comment
  7. PO,PO April 30, 17:16

    RESPEKT PER JUVE , Z. TARIFA DHE NE TE NJEJTEN KOHE , MESHIRE E KEQARDHJE PER Z. BEJKO . PER KOMENTUESIT E DERITANISHEM, NUK IA VLEN AS TE LEXOHEN .

    Reply to this comment
  8. kris 1 April 30, 17:48

    o shqiptare,
    jeni futur shume ne shkence dhe ne fe sa harroni se qe te jetosh duhet buke dhe jo dogma
    Profesori i Sevos te marre Sadikun per krahu dhe te mbjelle ndonje dru frutor.
    Pjeshket e pjekura e me leng i hante dhe Ajshtajni

    Reply to this comment
  9. Populli April 30, 18:41

    Ateist do te thote i pafe dhe i pafe do te thote i pakarakter, i paskrupull. Le te zgjedhe ke tarife do fatosi.

    Reply to this comment
    • Henrik April 30, 23:09

      p “populli”!
      Qe te jesh ateist do te thote te bazohesh ne SHKENCE e jo ne DOGMAT e fese!
      Njerezimin e ka zhvilluar shkenca dhe asdpak feja!
      Perkundrazi FEJA e ka luftuar SHKENCEN me gjak ne turren e druve dhe ka futur njerezimin deri ne ditet tona ne LUFTRA TE PERGJAKESHME!
      Feja eshte vetem nje DOGME dhe nuk spjegon asgje nga jeta e njeriut si ne te kaluaren ashtu edhe ne te ardhmen!
      LIBRAT E FESE JANE SI CITATET E MAO CE DUNIT:Shkruhen per njerez te varfer intelektualisht dhe shpirterisht!
      Replika e Fatops Tarifes me anonimin S.Bejko eshte bere me shu8me per lexuesit se sa per anonimin!
      Bejko ka shkruar per t’i sherbyer ideve shterpe te Edi Rames ,qe jane nje kundervenie te shkences dhe arsimit shqiptar!
      Te futersh fene ne shkolla,per cfare do arsye eshte njelloj sikur te futesh GJARPRIN NE GJI!
      LAVDI ENVER HOXHES qe u zhkuku fete dhe mjekerrcjepeve ua rruajti mjekkrrat dhe i futi ne pune si gjithe te tjeret!
      LAVDI SHKENCES!

      Reply to this comment
  10. Gjobeku April 30, 21:21

    Urime dhe bravo ju qofte z F.Tarifa ! Argumentet tuaja shume bindese nga gjithkush duhet te mesoje nga juve meritoni te jeni ne pozicione drejtuse te vendit. Per sa i perket babait tuaj z.Sevo Tarifa, ishte dhe eshte nje burre nga me te nderuarit ne Gjirokaster dhe ne Tirane e gjithandej,neve ne gjirokaster krenohemi per ate dhe karakterin e tij.Sa per z.Bejkon per shume kohe njihej si pseudopedagog pa nje bosht konkret per temat qe ai shtron per shoqerine, Perfundimisht termi e ju theksoni se: argumentet e ti jane rezultati i paditurise dhe mungesa e arsmimit sistematik per z.Bejkon i thote te gjitha!

    Reply to this comment
  11. gjobeku April 30, 21:52

    Urime dhe nje Bravo te madhe i nderuar z .Fatos Tarifa !

    Reply to this comment
  12. Realisti April 30, 22:50

    Shkrim i pretenduar per etike, por vetem etike nuk ka. Shkrim i pretenduar per logjike, nuk ka aspak logjike por vetem logjiken e denigrimit te tjetrit. Diku i kam lexuar nje shkrim ketij tarifes qe denigronte me zell edhe nje djale nga Shqiperia profesor ne nje universitet amerikan. Tarifa nuk matet me idera, se nuk ka ide, por vetem me individe, per te dhene idene se eshte individi i vetem qe i di te gjitha. Kerkon te marre atribute Zoti duke qene kunder Zotit. Keshtu, nje mjeran ne maje te plehut ku eshte formuar.

    Reply to this comment
  13. Romeo May 1, 15:26

    Shkrim pa lidhje, pune partizanesh.

    Reply to this comment
  14. Mehmet Metaj May 1, 17:09

    Disa komente rreth debatit midis dy profesorëve: Tarifa dhe Bejko
    Nga Mehmet Metaj*
    1. Së pari do të ti thosha Z. Tarifa se paska harxhuar shumë kohë për këtë replike”-përgjigje, dhe paske ri-kujtuar arkivën e mendjes dhe shfletuar shumë dhe nga Wikipedia, mgjse thoni se nuk para e shfrytëzoni shumë atë, por harroni se gjithë shkollat amerikane bazë studimi–literature universitare dhe pasuniversitare kanë wikipedia’n, dhe për çfarë për ti dhëne një përgjigje një kolegu, Prof. Sadik Bejko’s në vend që të komunojoni si dy kolegë-profesorë, bëni një pergjigje kacafytëse ala-shqiptarësh.
    2. Se dyti Prof. Sadik Bejko, une e njoh pake ndersa ju s’ju njoh hiç, nuk eshte as liliput as i paditur (bile me shtat i bie që ju jeni liliput…), paçka se ju përmendni një listë pakë më të gjatë filozofëshse sa ajo e Prof. Bejkos, mgjse ky ata që duhet i ka listuar…që gjoja njihni dhe i keni lexuar (po të listoj unë këtu mund t’jua kaloj juve si listë që kam lexuar dhe kjo s’do të thotë se unë jam më i ditur se ju…!!)
    3. Per ju di mirë vetëm që jeni produkt-i-Fatos Nanos që ju çoi (të merituar ose jo !) ambassador nëAmerikë, dhe atje ju shfrytëzuat rastin oportun dhe u apdeituat dhe ndoshta mbaruat ndonjë doktoratë por kjo s’do te thotë se u bête atutomatikisht me i ditur, se më parë dhe ju ishit thjesh një mësues histori—partie…dhe klishetë që keni mësuar dhe aplikuar më parë nuk hiqen lehtë nga mendja..kjo duket qartë dhe në replikën tuaj.
    4. Dhe Ju dhe Prof. Bejko përmendni Ajnshtajnin e Madh, ai vërtetë është i madh por për fiziken teorike-kuantike, dhe teorine e relativitetit etj, por jo çdo gjë që ka thënë Ajnshtajni është për tu marrë referencë, se ai ka folur dhe broçkulla siç është ajo për fetë, ajo për dashurinë etj
    5. Një njeri i ditur por dhe fisnik nuk mund të jap kurëe mendime shteruese siç jepni ju per problemin që trajtohet dhe mendimet e tjetrit, dhe që doni ta denjigroni kolegun gjë që s’mund ta bëni, por mbajuni tek argumentat dhe kaq, nuk jeni ju që i “vini vulën” budalllaku të Edi Ramës që do të fut fene ne shkolla apriori ( se kjo i ngjan asaj anekdodës që hodhi budallaj një gure në det dhe u mblodhen100-të mençur dhe s’e nxjerin dot) ,..
    6. Dhe së fundi-Ju bëni përsihatje dhe për Hegel-in sikur të jeni dishepoull i tij, kujdes profesore albanes se janë të mëdhenj dhe mendje transhendete ata si Hegel-i, …se dhe Gausi kur pati një debat” matematik me Hegel-in që qe shprehur se “’rruga më e shkurtër që bashkon dy pika është një vijë e drejtë (dhe ja futi kotë) Gausi me kujdes iu përgjigj-korigjoj duke e përmendur në një botim të radhës “kujdes sqepmadh se matematikën nuk e gëlltit dot se “rruga me e shkurter midis dy pikave-trupave nuk është një më një vije e drejte por zig-zage…”

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*