Lojë “vëllazërore” spiunësh!

June 17, 2018 13:03

Lojë “vëllazërore” spiunësh!

 

As mes dy popujve që ndajnë të njëjtën prejardhje dhe flasin të njëjtën gjuhë besimi nuk është krejtësisht i verbër dhe këtu hyjnë në punë shërbimet inteligjente.

Por, duket se aktiviteti i “spiunëve” gjermanë në Austri ka qenë i tepruar.

Gazeta më e madhe austriake, “Der Standard” dhe e përjavshmja “Profil” shkruajnë se për shtatë vite me radhë agjentët e BND-së gjermane kanë përgjuar mbi dy mijë shënjestra, përfshirë institucione politike, politikanë, organizata ndërkombëtare, banka, kompani dhe deri tek prodhuesit e armëve me aktivitet në Austri.

Aktiviteti, sipas këtyre dy gazetave është ushtruar i shtrirë në shtatë vite kohë, duke nisur nga 1999 deri në vitin 2006.

Menjëherë pas këtyre artikujve ka reaguar Kancelari austriak, Sebastian Kurz.

“Këto metoda nuk duhet të ekzistojnë mes dy vendeve miq. Dëshira jonë është që të dimë se kush u përgjua, kur u përgjua dhe sigurisht, duam garanci që këto përgjime nuk ndodhin aktualisht”, tha ai.

Kancelari austriak thotë se do t’i dorëzojnë Berlinit një kërkesë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve dhe për të hedhur dritë mbi skandalin.

Në vitin 2014, në media qarkulloi lajmi se BND kishte ndihmuar agjencitë amerikane për të spiunuar zyrtarë të lartë në vende të ndryshme të Europës, mes të cilave edhe Austria. Një vit më vonë, Austria i dorëzoi një ankesë zyrtare Gjermanisë.

Por, tani lajmi është rikthyer dhe dyshohet se aktiviteti i spiunëve gjermanë ka qenë shumë më i zgjeruar se thjesht ndihma për kolegët amerikanë.

Megjithatë, Kurz është i bindur se Gjermania do të japë sqarimet e nevojshme për rastin. Ai thotë se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Berlinit.

“Der Standard” dhe “Profil” publikuan lajmin duke cituar se ai bazohej në dosjet e vetë BND, të siguruara nga një burim gjerman.

Në listën e subjekteve të përgjuara të analizuar prej dy gazetave austriake gjen edhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, që ka selinë e saj në Vjenë, ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe atë të Iranit, OPEC-un, por edhe ministra austriakë, banka dhe kompani që veprojnë në Austri si dhe agjencinë e lajmeve APA.

Vetë BND nuk e ka komentuar deri më tani lajmin.

a.s/dita

June 17, 2018 13:03
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*