Loni Papa i Cucës së Maleve

May 18, 2018 11:36

Loni Papa i Cucës së Maleve

Loni Papa është ndër të parët shkrimtarë i njohur i Myzeqesë së Lushnjes. I lindur më 28 mars të vitit 1932 në Bubullimë të rrethit të Lushnjës, djali i vetëm i Thoma Papës (Thomajit që kishte mbaruar për mësues në Normalen e Elbasanit), mësimet e para i mori në vendlindje. Këtu le të hapim një parantezë: Erdhi një kohë që në Bubullimë të kishte rreth dyqintë arsimtarë të dalë nga radhët e banorëve të saj. Kishte mjaft familje me pesë, gjashtë e deri me shtatë mësues. Familja e Thomajit përbëhej nga katër të tillë: Thomaj, Loni (edhe pse e ushtroi pak vite këtë profesion), Ollga, e cila arriti deri pedagoge në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës, si dhe Liljana.

Shkollën shtatëvjeçare Loni e kreu në Elbasan. Në vijim vazhdoi arsimin e mesëm në Shkollën Pedagogjike “17 Nëntori” të Tiranës, ndërsa studimet e larta do t’í ndiqte në degën Gjuhë – Letërsi shqipe në fakultetin Histori – Filologji të Universitetit të Tiranës, duke qënë ndër universitarët e parë të rrethit të Lushnjës.

Me talent të spikatur që në rininë e hershme, djaloshi nga Bubullima do të botonte rregullisht në gazetën “Zëri i Rinisë”. Duke u bërë i afirmuar si krijues, me mbarimin e shkollës së mesme, ndërkohë që ishte fare i ri në moshë, emrohet redaktor në këtë gazetë, ku punoi vetëm për tre vjet. Tashmë do të dërgohej në qytetin e Lushnjes, ku shërbeu si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Sakaq, vazhdoi të krijojë e të botojë në mënyrë sistematike. I shquar ndër moshatarët e vetë, tashmë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, ftohet në Tiranë për të rinisur punën si redaktor dhe gazetar në “Zëri i Rinisë”.

Gjatë periudhës që ndërtohej prej vullnetarëve të rinisë hekurudha Rrogozhinë – Fier shkrimtari Loni Papa drejtoi gazetën periodike “Vullnetari”.

Prej vitit 1970 e për mjaft kohë në vijim vazhdoi veprimtarinë e vetë si shkrimtar në profesion të lirë.

Mbas ndryshimit të sistemit politiko – ekonomik të vendit, në vitet 1994 – 2001 shkrimtari i mirënjohur myzeqar krijoi dhe drejtoi Shtëpinë Botuese “Ardita”. Po gjatë këtyre viteve botoi disa nga veprat e veta, disa libra të autorëve të tjerë shqiptarë, si dhe disa përkthime nga autorë të huaj.

Kur themi Loni Papa menjëherë kujtojmë dramën “Cuca e maleve”

Çdo shkrimtar, poet apo prozator, gjatë veprimtarisë së tij krijuese ka një kulm të krijimtarisë së vetë. Shkrimtari Loni Papa mori emër të shquar që kur ishte tridhjetë e pesë vjeç falë dramës “Cuca e maleve”. Tema ishte e përzgjedhur: përpjekjet për arsimimin dhe për emancipimin e Shoqërisë, sidomos të shoqeve menjëherë mbas çlirimit të Shqipërisë.

E vënë së pari në skenë në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës nga trupa e këtij Teatri me regjisor Mihal Luarasin, shfaqja u prit me shumë interesim nga artdashësit shkodranë dhe ishte kjo arsyeja që ajo u dha shumë herë gjatë atij viti.

Siç tregon vet Loni, edhe drama “Cuca e maleve” ka një histori të saj. U paraqit për t’u vënë në skenë në Teatrin Popullor, por… nisën ngurimet! Qendroi mjaft kohë në tavolinën e dramaturgut, sikurse qendroi po kaq gjatë edhe në sirtarët e disa prej atyre që kishin dëshirë ta shikonin të vënë në skenë. U desh guximi i Mihal Luarasit që drama të merte jetë në skenën e Shkodrës.

Njëmbëdhjetë vjet më vonë, domethënë në vitin 1967, drama “Cuca e maleve” u vu në skenën e Teatrit Popullor nga regjisori i madh, Piro Mani. Janë të shumtë ata që e kujtojnë atë kohë, kur kjo shfaqje vazhdoi të jepej gjatë, dhjetëra herë. Roli i Cucës u luajt nga tre aktore shumë të njohura: Roza Xhuxha (Anagnosti), Edi Luarasi dhe Antoneta Papapavli.

E pritur shumë mirë nga spektatorët e shumtë dhe, nisur nga vlerat e larta ideo – artistike, dramës “Cuca e maleve”, iu dha Çmimi i Republikës së Shkallës së Dytë.

Bazuar në subjektin e dramës “Cuca e maleve”, katër vjet më vonë, pikërisht më 1970 u krijua baleti “Cuca e maleve” me libret të autorëve Loni Papa e Agron Aliaj. Ky balet me muzikë të kompozitorit Nikolla Zoraqi u vu në skenën e Teatrit të Operas e Baletit Shqiptar nga koreografi i shkëlqyer, Agron Aliaj. Ky balet është ekranizuar në formën e një filmi muzikor me regjisor Dhimitër Anagnostin në vitin 1974 dhe është pasqyruar disa herë në filatelinë shqiptare të asaj kohe.

Si drama, edhe baleti “Cuca e maleve” janë shfaqur dhe pritur shumë mirë si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë.

U zgjatëm te drama “Cuca e maleve”, por kjo nuk është e vetmja si e tillë e këtij autori. “Cuca e maleve”, (që është përkthyer edhe në frengjisht), u pasua nga dramat “Kalimi në urë” (1969), “Marga” (1971), e cila është vlerësuar me çmimin e parë në një konkurs kombëtar, “Një copë rrugë” (vënë në skenë nga Teatri Popullor)  (1976), “Gurët e Kreshanës” (1976), “Zbatharakët” (1976) etj.

Në një vëllim të titulluar “Gjeniu i marrëzisë” (2003), dramaturgu myzeqar ka përfshirë pesë drama: “Çafka e detit” , “Arda”, “Vozabërësi Dako”, “Martesa e Lidrës” dhe “Gjeniu i marrëzisë”.

Po kështu, ka botuar edhe dramat “Etiketa e shkulur”” dhe  “Baltë dhe bar”.

Zbritur me mjeshtëri në botën e madhe të fëmijëve

Të shkruash për fëmijët nuk do të thotë ta ulësh stekën e krijimtarisë letrare. Përkundrazi, të marrësh përsipër të krijosh prodhimtari letrare për të vegjlit duhet të matesh mirë. Të matesh mirë, sepse fëmijët janë të vegjël nga mosha, por kurrësesi nga kërkesat dhe shijet. Pa provo t’u vesh në duar një libër të dobët! Do të shfletojnë faqet e para dhe veç të shikosh se si do ta lenë menjanë.Të gjithë jemi dëshmitarë të faktit, se si fëmijët ndjekin me kërshëri një pjesë interesante skenike, por ama zhurmojnë në një rast tjetër, kur do të jenë duke ndjekur një pjesë të dobët.

Ja, pikërisht këto ka mbajtur parasysh shkrimtari Loni Papa teksa është ulur për të shkruar për fëmijët. Në vitin 1957, kur ishte njëzet e pesë vjeç, botoi vëllimin e parë për fëmijë me titullin “Historia e maçokut”. U prit shumë mirë. Ministria e Arsimit e asaj kohe e përfshiu në librat shkollorë, që do të shfrytëzoheshin nga nxënësit për lexim jashtë klase. Në vitin 1964 botoi novelën “Ne, gjahtarët e fshatit dhe Lica jonë e dashur”. Edhe ky vëllim u botua në mijëra kopje, dhe, sikundër vëllimi i mëparshëm, edhe ky u shpërnda në të gjitha shkollat e Republikës për t’u shfrytëzuar nga shkollarët si lexime jashtë klase.

Shkrimtari Loni Papa nuk mbeti thjeshtë autor për fëmijë, por mendoi e krijoi edhe për lexuesit e rritur të sistemit shkollor. Në vitin 1974 botoi novelën “Miu që hëngri macen”, ndërsa katër vjet më pas u dërgoi lexuesve shkollorë novelën tjetër me titull “Gishto trimi”. Por nuk mbeti këtu, por vazhdoi më tej. Kështu, gjashtë vjet më pas lexuesit në moshë të vogël i dhuroi librin “Rosat e Eglës”.

E veçanta e krijimtarisë për fëmijë e Loni Papës është mendimi i sinqertë dhe ndjenja e ngrohtë, me të cilat autori ka zbritur në botën e paanë të të vegjëlve. Stili i zhdërvjelltë dhe gjuha e pasur dhe e pastër kanë bërë që veprat për fëmijë të këtij shkrimtari të lexohen me shumë kënaqësi edhe nga të rriturit.

Zellin dhe pasionin për t’u marrë me krijimtari letrare për fëmijë, Loni Papa e vazhdoi edhe mbas viteve nëntëdhjetë. Të këtyre viteve janë librat “Hundëçipët dhe mbreti Kuku (novelë”, (1993), “Përralla fluturuese (rrëfenja)”, (1994), “ Kënga e mjellmës (rrëfenja)”, (1995), “Gomari mendjehollë” (1995), “Tri motrat (rrëfenjë)”, 1996), “Floçka Ardë (rrëfenjë), (1997) etj.

Po mbas viteve nëntëdhjetë ky shkrimtar myzeqar ka botuar edhe 7 drama e komedi për fëmijë, ku përmblidhen: “Laura dhe vëllezërit”,“Motrat”, “Lojë luftash”, “Fyelli magjik”(komedi), “Bariu dhe Dhëmbëhekuri”, “Gëzofi i Erlës”, “Dac Maçi” (komedi).

Edhe në kapërcyell të dy shekujve, në rrugën e krijimtarisë

Viti nëntëdhjetenjë dramaturgun e mirënjohur Loni Papa e gjeti pesëdhjetë e nëntë vjeç. Mund ta konsideronte të mbyllur kapitullin e krijimtarisë së vetë: Tërë jetën shkrova e botova prozë e poezi, për fëmijë e për të rritur; shkrova fabula, por edhe novela e romane, shkrova skenarë filmash për fëmijë e përgatita radiodramatizime, shkrova kritikë letrare, studime etj., etj.,  dhe… mjaft!

Por nuk mendoi kështu. E ndjente së brëndshmi se kishte ende shumë se ç’mund të jepte. Zjarri që i qe flakëruar që në rini vazhdonte t’i mbetej i ndezur. Dhe ia nisi punës, natyrisht tashmë me një vrull të shpenguar, për botime të reja në disa zhanre. E filloi me krijimin e Ndërmarrjes Botuese “Ardita”.

Përvoja e gjatë në botën e botimeve i dha mundësi Lonit që të shkelte në rrugë të reja krijuese, por jo në drejtim të padijtur. Ndërsa punonte e punonte, oponent të veprës së vetë pranonte vetëm ndërgjegjen e tij. Ndryshe nga mjaft të tjerë, që hapën krahët dhe nisën fluturimin pa menduar se ku do të mund të qendronin, ky autor nuk i shkëputi këmbët nga toka. E njihte mirë lexuesin. Duke e njohur, dëshironte edhe ta respektonte, duke i dërguar një vepër letrare me nivel sa më të lartë artistik, por edhe me mesazhe të qarta atdhetare.

Mbas një pune tejet të kujdesshme, në vitin 2000 do t’i dërgonte lexuesit romanin “Megi”. Në vazhdim do të botonte vëllimet me rrëfenja “Përralla fluturuese” (1994) dhe Kënga e mjellmës” (1995). Këto do të pasoheshin edhe nga vëllime të tjera me rrëfenja, siç ishin “Tri motrat” (1996), “Floçka Ardë” (1997) etj. Në këto e në të tjera vepra letrare ndihet Loni “tjetër”’, por edhe Loni i Cucës së maleve. Themi “tjetër””, sepse subjektet i ndriçonte nga drita e lëshuar prej këndvështrimeve më interesante.

Dashurisë së kahershme, domethënë krijimtarisë për fëmijët nuk do t’i ndahej edhe në kapërcyell të dy shekujve. Kështu, periudhës së mbas vitit 1991 ai do të botonte vëllimet “Gomari mendjehollë” (1995), si dhe shtatë drama e komedi për fëmijë (2004), ku përmblidhen: “Laura dhe vëllezërit”,“Motrat”, “Lojë luftash”, “Fyelli magjik”(komedi), “Bariu dhe Dhëmbëhekuri”, “Gëzofi i Erlës”, “Dac Maçi” (komedi) etj.

Shkrimtar me interesa të gjëra intelektuale

 Krahas veprimtarisë së mirëfilltë letraro – artistike, Loni Papa është marë edhe me kritikë letrare e deri edhe me studime të mirëfillta në fushë të letërsisë. Të kësaj natyre janë shënimet e botuara në kohë të ndryshme në mjaft organe shtypi. Ky shkrimtar nuk ka qendruar i mbyllur në kullën e vetë të krijimtarisë, por e ka hedhur vështrimin edhe te të tjerë krijues, duke u nxjerrë në pah vlera ideore e artistike. Interesant është shënimi letrar “Thërrime nga jeta e një poeti”, kushtuar Migjenit, botuar në revistën “Nëntori”, nr. 8, viti 1962. Duke qënë, si të thuash, pjesëtar i kastës së atyre që shkruanin drama, por që edhe i vinin në skenë, ky shkrimtar ka botuar në vitin 1968 në revistën “Ylli” shkrimin studimor “Paradoksi””, kushtuar Artistit të Popullit, Kadri Roshi.

Ndërkohë, ka shkruar studime me shumë vlerë për disa nga krijuesit letrarë të periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Interesant është shkrimi “Metafora dhe uni i një poeti”, kushtuar Dhimitër Minos, poet dëshmor 22-vjeçar, botuar në revistën “Nëntori”, nr. 9 të vitit 1986. Le të kujtojmë këtu, se ky dëshmor është nga vendlindja e Lonit, të cilin (Dhimitrin) ka të ngjarë ta ketë njohur që kur ishin fëmijë.

Prurje cilësore në fushën letrare sjellin edhe shumë shkrime të tjera të karakterit studimor, si ato që kanë të bëjnë me “Mesazhi filozofik”, botuar në revistën “Skena dhe Ekrani”, nr. 1, 1987. Të tilla prurje sjellin edhe studimet “Vegim”, kushtuar Artistit të Popullit Serafin Fanko, botuar në revistën “Skena dhe Ekrani”, nr. 1, 1988. “Eja,  moj, ka ardhë Kola”, kushtuar dramaturgut Kolë Jakova, botuar në revistën “Skena dhe Ekrani”, nr.3, 1988. “Në jetën e dytë”, kushtuar aktores Marije Logoreci, botuar në revistën “Nëntori”, nr. 8, 1988 e të tjera e të tjera.

Janë edhe shumë e shumë shkrime të tjera të karakterit kritikë letrare, botuar në gazetat ”Drita””, Zëri i Rinisë” etj., me anën e të cilave Loni ka inkurajuar talentet e reja për hapa të mëtejshme në fushë të krijimtarisë letrare.

I nderuar si njëri, i respektuar si krijues

Dramaturgu i mirënjohur Loni Papa ka mbetur një intelektual shumë i respektuar jo vetëm në vendlindjen e vetë, por edhe në Lushnje, në mbarë krahinën e Myzeqesë dhe nga një rreth i gjërë shkrimtarësh e artistësh. Dhe është e natyrshme të ndodhë kështu. Mijëra e mijëra nxënës kanë qënë e janë lexues të rregullt të veprës së tij për fëmijë. Mijëra e mijëra njerëz, madje edher jashtë vendit, kanë duartrokitur dramën dhe baletin “Cuca e maleve”. Nuk janë të paktë ata që kanë pasur rast të kenë në duar veprat letrare të këtij shkrimtari.

Çdo produkt, sidomos ato letraro – artistike, marrin vlerë kur pranohen si pronë e njerëzve. Veprat e këtij krijuesi kanë, në radhë të parë, sinqeritet. Sepse autori bën fjalë deri edhe për duar dhe baltë. Nisur nga këto vlera të  larta që mishërojnë në vetvete mjaft nga krijimet e tij letrare, këtij shkrimtari i janë bërë disa vlerësime të larta. Kështu, drama “Cuca e maleve” është vlerësuar në vitin 1972 me Çmimin e Republikës të Shkallës së Dytë. Drama tjetër, “Marga”, ka merituar Çmimin e Parë në Konkursin Kombëtar Letraro – Artistik, konkurs ky i organizuar me rastin e njëzetepesëvjetorit të çlirimit të Atdheut.

Ndërkohë, është nderuar nga ana e ish Presidiumit të Kuvendit Popullor me Urdhërin  e Punës të Klasit të Dytë për pjesëmarrje aktive si gazetar në veprat kombëtare “Hekurudha Rrogozhinë – Fier” dhe “Rruga e Dritës Kukës – Peshkopi”.

Edhe Këshilli Bashkiak i Lushnjës në vitin 2006 e ka nderuar me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Lushnjës”.

I thjeshtë e, për më tepër, i heshtur – tipik myzeqar, Loni Papa mbetet një shkrimtar që mban vendin e vetë të merituar, përligjur përmes veprave me vlerë që botoi në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë.

 

May 18, 2018 11:36
Komento

4 Komente

  1. vasili May 18, 19:41

    Prisja sadopak,nje loni prej betoni,por vec gjate gjithe rruges,nje loni prej kartoni.
    Gjithe jeten bageti,duke shkarravitur prralla, per ti pelqyer diktatorit te kuq.

    Reply to this comment
  2. Stefani May 18, 21:00

    “Cuca e maleve” mbetet vepra me e mire e Loni Papes, por edhe nje nga dramat me te mira te vena ne skenen shqiptare viteve te shkuara nga regjisore brilante si Piro Mani e Mihal Luarasi.Edhe si balet mbetet nder me te arrirat, e luajtur nga Zoica Haxho, Ilir Kerni e te tjere. Autori ka shkruar me shume dashuri per kete shkrimtar te gjysmes se dyte te shekullit te kaluar, por qe veprat e tij rrezatojne mesazhe atdhetare edher sot. Urime Dhimitrit!

    Reply to this comment
  3. demo May 18, 23:14

    Sa gjysma Loni Papes te jene keta gazetare dhe shkrimtare te sotem,qe nuk njohin as gramatiken elementare.

    Reply to this comment
  4. ganiu May 18, 23:25

    Kur isha gjimnazist, ne Tirane, ne muajin e letersise,kur ishim ne mature, na erdhi Kadareja dhe midis te tjerave iu be nje yetje: A ka kritere qe e percaktojne shkrimtarin si shkrimtar te madh? Mos valle varet kjo nga sasia e veprave te botuara? Dhe Kadareja na u pergjegje: Edhe vetem me nje veper mundte arrish ta marresh titullin shkrimtar i madhe, dhe i tille eshte Loni Papa me dramen Cuca e Maleve. Por Loni Papen nuk mund ta njohin intelektualet me diploma te blera apo injoantet e kalibrit si komentuesit e mesiperm.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

SONDAZH

NËSE NË TIRANË KANDIDATI PS + RILINDJE, ERION VELIAJ DO TË KISHTE PËRBALLË SI KANDIDAT TË PD, LULZIM BASHËN, PËR KË DO TË VOTONIT:

Shiko rezultatin