Lotët e Hidrës, në ishullin e shqiptarëve të Greqisë

May 6, 2018 11:37

Lotët e Hidrës, në ishullin e shqiptarëve të Greqisë

 

Prof. Nasho Jorgaqi

Përmasat e tokës helene, të kësaj bote nga më të moçmet e më magjepset e universit njerëzor, bëhen të plota, kur i kundron dhe nga deti. Deti i jep Greqisë atë konfiguracion origjinal, të cilën e ndjen në tokë, kurse nga largësia e ujërave, të duket sikur e sheh me sy.

Nuk e di si më lindi ky mendim fillimisht, por mbaj mend se tek sillesha tërë ato ditë i trullosur udhëve të Athinës, nisa të kuptoja se diçka e rëndësishme i mungonte përfytyrimit tim për këtë vend. Vetëm kur, pas disa ditësh, u gjenda në mes të detit, mendimi m’u ftillua. Tani po, thashë me vete, bota helene gjendet brenda kufijve të saj të mirëfilltë.

Udhëtonim me anijen turistike “Poros” nëpër gjirin e Saronikut. Miqtë tanë grekë të Universitetit Kombëtar të Athinës kishin organizuar një shëtitje nëpër ujërat dhe ishujt e Egjeut. Një rast i bukur që zor se mund të përsëritej. Prapa kishte kohë që kishim lënë portin e zhurmshëm të Pireut dhe kishim dalë në det të hapur. Vetëm konturet e ishujve të vegjël, aq të shpeshtë të këtyre anëve, dukeshin e zhdukeshin në rrafshin e kaltër të horizontit. Anija gumëzhinte nga qindra turistë, që flisnin në gjuhë të ndryshme. Ishte një ditë tepër e kthjellët, nga ato ditë maji, kur kaltërsia e detit dhe e qiellit të bëhet se e ka shndërruar hapësirën përqark në një gjysmësferë të qelqtë, brenda së cilës vërtitej anija jonë e bardhë. Në këto çaste mund të shquaje kaltërsinë e veçantë të botës helene, një kaltërsi e thellë, farfuritëse, transparente, një dritë që ngrihej nga ujërat dhe zbriste nga qielli.

Udhëtimi nëpër arqipelagun e Saronikut është më shumë se një shëtitje zbavitëse. Nuk janë vetëm pamjet piktoreske të peizashit, ngjyrat e forta, ajo begati drite e pafundësi hapësirash, ai shoqërim ledhatar pulëbardhash, plot pirueta e zhytje fantastike nëpër kreshtat e dallgëve që tërheqin e hutojnë udhëtarët. Shumë lidhje asociative të natyrave nga më të ndryshmet përftohen e krijohen te njeriu në këto anë. Vijnë këto nga mitologjia dhe historia, nga kohë të lashta e të reja. Janë perëndi e njerëz, mite e ngjarje të vërteta, të përcjella nga një brez në tjetrin dhe që kanë hyrë aq natyrshëm në qytetërimin e çdo kohe.

Bota helene dhe në det ka se ç’t’u kujtojë e t’u mësojë njerëzve nga madhështia e urtësia e lashtësisë së saj. Sa e sa legjenda e figura të zgjohen në ujërat e Egjeut në çaste të një meditimi të thellë. Të zgjohen me nje forcë sugjestive, të ngacmojnë mendimet, të gjallërojnë përfytyrimet, të trondisin lehtazi e të marrin me vete. Ndoshta askund, sa këndej, nëpër këto hapësira ujore nuk të faniten, tërë ato qënie mitologjike që i takojnë deteve helene. Ngul sytë në kreshtat e dallgëve dhe i pari që të bëhet se del prej tyre është Poseidoni, perëndia e deteve, me sfurkun tridhëmbësh në dorë, hipur mbi një qerre, që e tërheqin kuaj veshur me leshterikë. Ishte Poseidoni, ai që ngrinte dallgët e stuhitë, që u jepte ngjyra valëve dhe drejtonte lëvizjet e tyre. Nëpër këto ujëra, zemërimi i tij nuk iu nda për asnjë çast Odiseut dhe me dallgët e veta i shkatërroi anijet e mbretit të Itakës. A thua të kenë lindur këndej nereidat, nimfat e deteve helene, këto zana të lashtësisë, që legjenda na i tregon si vajza të bukura, flokëlëshuara, të zbukuruara plot stoli, tek shëtisin hipur mbi kuaj të artë e delfinë? Pas nereidave të faniten qenie të tjera. Gjithë ç’ke mësuar nga mitologjia për detin, ta ndjellin tani ujërat e pafundme të Saronikut, të krijojnë mirazhe nga më të çuditshmet dhe padashur të shkon mendja te një mendim i njohur. Tërë këtë univers të mrekullueshëm qëniesh, idesh e veprimesh, njerëzimi e krijoi në fëmijërinë e tij. Një fëmijëri që Marksi e quan gjeniale!

Rrugët e kaltërta nga po kalojmë në mes Atikës dhe Peleponezit janë nga më të rrahurat e më të moçmet e botës. Mendoj këtë dhe kujtoj se këto janë jo vetëm hapësira të mitologjisë, po dhe arena të historisë së këtij vendi të lashtë. Nga larg, pas vellos së përhimtë të mjegullës, duken brigjet e ishullit të Salaminës. Të vjen padashur ndër mend beteja e famshme detare e lashtësisë. Grekët në këtë ngushticë i mundën persët, që kishin ardhur t’i pushtonin. Legjenda rrëfen se orakulli i Delfit tha se vetëm “Muri prej dërrase do ta shpëtojë Athinën” dhe Themistokliu e kuptoi se ç’kuptim kishin këto fjalë dhe e zmadhoi me të shpejtë flotën. Kjo i  siguroi fitoren. Në këtë betejë, tregon kronika e kohës, mori pjesë si ushtar i thjeshtë dhe Eskili, ku iu vra edhe vëllai.

Mjafton ta dish sadopak historinë e shqiptarëve të Greqisë dhe të kujtohesh se ky ishull nuk qe i huaj për ta. Përkundrazi, ai është i banuar prej tyre dhe quhet me emrin Kulluri. Kulluri njihet mirë në jetën e shqiptarëve këndej. Ky ishull është vendlindja e Anastas Kulluriotit, figurës ndoshta më të shquar të lëvizjes së arbëreshëve të Greqisë. Askush si ai nuk e ngriti zërin në këto anë, shekullin e kaluar, për kauzën e Shqipërisë dhe të drejtat e vëllezërve të tij Gazeta “Zëri i Shqipërisë”, që nxori në Athinë, u bë tribunë e atdhetarizmit të arbëreshëve. Ky bir i lavdishëm i Kullurit shkroi sa e sa artikuj, zhvilloi polemika, botoi një abetare të shqipes, i dha emër vendlindjes së tij aq sa të kujtohet dhe në ditët tona.

Salamina është ishulli i parë i ishujve të Egjeut që u bënë djepi i Revolucionit. Grek të 1821-shit. A nuk qenë këto ato që ndihmuan në përgatitjen Rilindjen Kombëtare të këtij vendi, që u kthyen në skena të historisë, të një historie heroike që tronditën botën e atëhershme.

Të zgjohen vetvetiu emocione, kur zhduken brigjet e Salaminës dhe anija zbret më tutje për një jug. Sa më poshtë zbret, aq më shumë i afrohesh teatrit detar e tokësor të ngjarjeve të revolucionit. Dhe në këtë çast, ti që ke ardhur nga Shqipëria dhe nuk të është e panjohur jeta e vëllezërve të tu në këtë vend mik, domosdo do të sjellësh nëpër mend ngjarjet e kaluara të këtyre viseve dhe historia do të marrë atëherë kuptim konkret, të gjallë e të afërt.

Qëndroj në një cep të anijes dhe rri e shoh i përqëndruar. Mendoj për rrugën që po bëjmë e për vendet nga do të kalojmë, për ishuj ku do të zbresim. Pra, kemi lënë Salaminën dhe shkojmë drejt Eginës. Pas Eginës vjen Porosi dhe më tutje Hidra. Caku ynë i fundit. Nuk do të shohim Specien, që ngrihet fill pas Hidrës, aq më tepër Psarën, që gjendet shumë larg prej tyre, në pellgun lindor të Egjeut. Të gjithë këta ishuj janë të banuar nga arbëreshë dhe tek kujtoj këtë gjë, humbas përherë e më shumë në mendime.

Një natë më parë, në Athinë tok me Aristidh Koljen ishim ngjitur deri në kodrën e Likavitosë. Kishim zënë vend në një nga kafenetë që vështronte poshtë panoramën e qytetit. Sapo kishte rënë mbrëmja dhe drita e artë e hënës binte mbi shtyllat e Akropolit. Diku përtej tij dukeshin shtëpitë e lagjes së njohur arbëreshë “Plaka”. Aristidhin e kisha takuar për herë të parë në një kongres ndërkombëtar të pakicave etnike të Italisë, në Palermo. Por e njihja nga emri, nga veprat dhe punët e çmuara, si një nga drejtuesit e lëvizjes kulturore të shqiptarëve të Greqisë. Ai është kryetar i Lidhjes së tyre, kryeredaktor i revistës “Besa”, që ata nxjerrin, autor i librit aq të njohur “Arvanitasit”. Prandaj isha aq i gëzuar që e kisha takuar, bile i dëshiruar. Shtatshkurtër e pak i imët, me një gaz të përhershëm në buzë dhe me ca sy që i shkëndijonin nga një përzemërsi e çiltër, ai më kishte bërë menjëherë për vete. Te Aristidhi gjeje shqiptarin e devotshëm, krenar për prejardhjen e tij, studiuesin e zellshëm e të palodhur, njeriun me besim në vetvete, modest e fjalëpak. Tek qëndronim përballë njëri-tjetrit në Likavito, ai më fliste i menduar, me atë zërin e qetë për vëllezërit e tij të një gjaku, për historinë e virtytet e tyre, për studimet që kishte kryer e do të kryente. Në heshtjen e asaj nate të ngrohtë athinjote, fjalët e Aristidhit bartnin një besim mbresëlënës. Për të s’kishte gjë më të shenjtë se historia e fisit të tij, një histori e lashtë, e ndershme, trimërore. Ai e njihte mirë, që nga shtegtimet e para shqiptare të kohës së Bizantit e pastaj dyndjet osmane, kur arbëreshët zbritën në viset e jugut të gadishullit, në Peleponez e Atikë dhe në ishujt e Egjeut, në pellgun e Saranikut e më tej. Kjo ishte e para shpërngulje masive e shqiptarëve nga shekujt XIII-XIV, ndoshta më e madhja. Toka dhe detet helene u bënë për to strehë mikpritëse dhe zunë vendin e atdheut të dytë. Me kohë, ata hodhën rrënjë, jo vetëm se ishte e njëjta tokë, e njëjta klimë, ajo e Ballkanit, e gadishullit të përbashkët, po dhe ngaqë kishin fate të përbashkëta historike. Rrugët për në këto vise ata i dinin. Aristidhi që i kishte studiuar te burimet, i njihte me themel. Prandaj kur unë i fola për udhëtimin që do të bëja të nesërmen për në ishujt e Egjeut, ai ngriti zërin dhe tha:-Këta ishuj janë nderi ynë. Pa lavdinë e tyre, ne s’do e kishim atë emër të mirë që gëzojmë sot në vëllazërinë greke.

Ndalesën e parë “Pulëbardha” jonë gjigande e bën në brigjet e Eginës. Ajo hedh spirancën në limanin e saj të vogël dhe ne zbresim në stere. Një tokë shkëmbore, e rrahur nga dielli përvëlues i Mesdheut. Është ishulli i parë që shkelim, por unë nuk di asgjë për të veç një fakti të rëndësishëm historik. Egina ka qenë i pari kryeqytet i Greqisë së lirë. Mendoj për këtë, por më shumë mendoj për Eginën, si një nga ngulimet e hershme të arbëreshëve në Egje. Kështu e thërrasin ata Eginën. Shëtisim nëpër rrugën bregdetare të qendrës së ishullit. Padashur më vjen ndërmend që këtu N. Kazanxaqisi, në vitet e luftës së fundit shkroi romanin “Aleks Zorba”. Gjithë qyteti i vogël është kthyer në një treg turistik. Ardhja e anijes sonë i ka bërë vendësit të gjallërohen. Eginën e mban turizmi, prandaj ajo i thërret. Përpiqem t’u vë veshin fjalëve. I dëgjoj ato në çdo gjuhë, veç shqip jo. Ndiej një trazim që ma prish qetësinë e brendshme. Është një trishtim i lehtë, po që as unë nuk di si erdhi. Më mbetën sytë te shtëpitë e bardha, te muret e vjetër, te rrugicat që degëzohen gjithandej. Egina, ndoshta, s’ekziston më dhe nga kjo dilemë më shpëton sirena e anijes. Kishte ardhur koha të largoheshim. Po mendimet për shtegtimet e ngulimet e arbëreshëve në këto anë nuk më ndaheshin. Tani s’më tërheqin më si më parë pamjet që ndronte deti, çukat e bardha që ngrinin dallgët, vijat gjeometrike të pulëbardhave, shpinat e ishujve të vegjël, që u ngjanin kuajve e gamileve gjysmë të fundosura nën ujëra. Ndjeja se isha nën pushtetin e një joshjeje tjetër, e një magjepsjeje që më zgjonte thirrja e të parëve të mi. Ishte kjo thirrje që më sillte përpara historinë e më ndizte përfytyrimet e fantazinë. Deri këtu, nëpër këto hapësira të botës helene, kishin shtegtuar arbëreshët dikur, të shtyrë sa nga baticat e zbaticat e kohërave, aq dhe nga nevoja për të jetuar, por për të jetuar të lirë brenda identitetit të tyre. Dhe kishte ndodhur ashtu siç thotë diku Cabej për karakterin e shqiptarit tek i cili bashkohen “në mënyrë të çuditshme dëshira për shtegtim dhe malli i tokës”. Historia e pohon këtë dhe për arbëreshët e Greqisë, sepse ata vërtet kishin zbritur deri këtu, por emrin e vet nëpër shekuj e kishin mbajtur lidhur me mallin e tokës amtare. Këndej nga po kalonim ne, janë hapësirat gjeografike të shtegtimeve dhe ngulimeve të tyre, të cilat nuk është zor t’i përcaktosh qoftë dhe me hartë, mjafton të heqësh kordinatat e të shikosh se ku gjendesh momentalisht. Por zor, për të mos thënë e pamundur, është të vihesh në kërkim të dimensionit shpirtëror të arbëreshëve, të gjithë atij trashëgimi që ata përcollën nga brezi në brez. Këtë nuk e gjen në asnjë manual të sotëm, s’ta thotë asnjë ciceron, s’ta përmend ndoshta asnjë historian. Duket si gjë e tepërt, jashtë kohe, një realitet i kapërcyer. Është fati tragjik, ngaherë i pashmangshëm i çdo diaspore që rrahën egërsisht dallgët e historisë dhe që kohërat vijnë dalëngadalë dhe e rroposin. E, megjithatë, diaspora shqiptare në botën helen është një realitet që ekziston jo vetëm në gadishuj afër qendrave të mëdha, por dhe në periferi nëpër tokat dhe ujërat e Egjeut. E ç’mund të ishin tjetër, këta ishuj njëherë e një kohë, veç vise të largëta e të vetmuara! Por ndodhi ajo që s’kishte ndodhur gjëkundi, që kjo diasporë bëri histori, një histori të dyfishtë, të bashkësisë së vet dhe të vendit që e mirëpriti dhe i dha strehë të përhershme.

Meditoj për këto dhe sytë më terratisen nëpër det dhe deti më krijon kohë pas kohe mirazhe që më shfaqen përmes zhurmës së potershme të dallgëve. Më krijohet rishtaz ajo gjendje shpirtërore, kur realiteti i çastit e humbet peshën e vet dhe peshën e marrin mendimet dhe përfytyrimet. Në rrafshin e dallgëzuar të detit, shoh barkat dhe anijet arbërore tek vozisin lart e poshtë, fytyrat e detarëve të djegur nga dielli i Egjeut, dëgjoj thirrjet e tyre shqip. Pse a nuk është e vërtetë, që nën këtë qiell helen ushtuan britma në gjuhën shqipe? Ishin britma ngadhënjyese për të mbijetuar, për të hedhur rrënjë në tokë e në det. Ishin prapë britma lufte për lirinë e këtij vendi, kundër pushtuesve osmanë, që i bënë ata heronj! Për këta heronj, grekët ngritën këngën aq popullore, të njohur edhe sot, “Kapitanos arvanitos”. Nga cili pellg i deteve helene doli kjo këngë?

Kjo pyetje mbeti pa përgjigje dhe pa përgjigje do të mbeteshin sa e sa pyetje të tjera. Ishim përballë ishullit Poros dhe anija jonë afrohej ngadalë, me një zhurmë nanuritëse. Vështrimi im qëndronte mbi qytetin e bardhë ishullor. E njëjta pamje pothuaj me atë të Eginës. Gati po ato shtëpi të gurta, po ajo shpërndarje, po ato udhë që zgjateshin nga rruga bregdetare në thellësi. Porosi i është përshtatur dhe u shërben kohëve të reja. Edhe relievi i tij, edhe reliktet e historisë, edhe lokalet publike, edhe kishat janë për ata që vijnë nga përtej detit! Ishulli me këto jeton. Mendimi se mund të ndesh këtu me diçka nga etnia arbëreshe në kalim e sipër, më tingëllon naiv, por nuk dua të mbetem në rolin e turistit. Mjafton fakti që Porosi është ngulim i njohur arbëresh, më bën ta shoh me një sy tjetër. Kështu e shoh bustin e ngritur në këndin e një rruge, lapidarin e mermertë në sheshin kryesor, ku janë gdhendur një varg emra luftëtarësh të rënë në luftë. Me siguri ka në mes tyre dhe arbëreshë. Janë gjurmë të historisë, që u dëshmon ishulli të ardhurve. Por historia arbëreshe këtu fle. Atë mund ta gjesh vetëm nëpër libra. Mund ta gjesh librin “Netë pellazgjike” të K. Rainholdit me këngë arvanitase. Një pjesë të tyre, ai i pat mbledhur pikërisht në Poros. E thotë vetë, madje shton se pat shërbyer këtu si mjek i flotës detare. Nuk më harrohen sidomos dy vargje të një kënge për Shkodrën, që albanologu e dëgjoi në Poros:

 

Shkodrë, Shkodrë, trima ke

që dyfeqi nuk i ze!

 

Në Poros kjo këngë për Shkodrën këndohej shekullin e kaluar. Ku Shkodra e ku Porosi dhe prapë këndohej. Kurse tani ka shumë të ngjarë të jetë harruar. Dikur Porosi ishte nga portet e njohura të Egjeut ku, ankoroheshin anije që vinin nga Evropa, Azia dhe Afrika. Ishulli kishte kantiere, që i ndërtonin vetë anijet. Asnjë nga ciceronët nuk di të tregojë për këto, por dhe ti vetë s’je në gjendje t’i biesh pas gjurmëve të së kaluarës.

Me një ndjenjë pakënaqësie ngjita shkallët e anijes, që si për inat mbante emrin e Porosit, por nuk kishte asgjë prej tij dhe kalova në kuvertën e sipërme. Anija më doli nga porti për në det të hapur dhe mori drejtimin për nga jugu. Tani luftonte paralel me brigjet e Peleponezit, përballë të cilëve qëndronte Porosi dhe pak më poshtë Hidra. Të them të drejtën, tek kjo e fundit më rrinte mendja dhe kisha varur të gjitha shpresat e këtij udhëtimi. Në qoftë se për ishujt e tjerë të Saronikut dija vetëm se disa prej tyre qenë ngulime arbëreshe, për Hidrën kisha mësuar aq shumë gjëra dhe kisha aq mbresa nga sa kisha lexuar e dëgjuar, sa më ngjante që e njihja prej kohësh. Mbetej vetëm të shihja nga afër, të shkelja në tokën e saj.

Dhe tani që shkonim drejt Hidrës më kujtohej se ç’më kishte thënë një natë më parë Aristidhi për këtë ishull:

-Hidra është ajo që përfaqëson dhe personifikon, mbase më mirë se çdo ngulim tjetër arbëresh, gjithë sa dha bashkësia jonë në Revolucionin Grek. Vërtet, flamurin e kryengritjes e ngriti në krye fare ishulli i Species. Vërtet që ishulli i Psarës kreu një akt të madh heroizmi, duke asgjësuar të gjithë garnizonin turk dhe e tregoi këtë me një vetëflijim të rrallë, saqë poeti kombëtar grek Dionis Sollomosi i kushtoi një vjershë, të cilën e ngriti lart dhe Gëtja, po prapë Hidra zë një vend të veçantë. E zë këtë vend, jo aq si ishulli më i rëndësishëm i pellgut perëndimor të Egjeut, se sa nga vepra dhe emri famëmadh që mori në histori. Është ashtu, siç thuhet e shkruhet, se Rilindja e Greqisë së pavarur u krye nën mbrojtjen e Hidrës. Bukur thotë Anastas Kullurioti se këtë ishull të thatë “asnjë nga perënditë e Olimpit nuk e kishte zgjedhur për strehë të tij pasi nuk kishte jo vetëm lumë e përrua, po as dhe një burim. Prandaj asnjë poet nuk arriti të zgjojë në Hidër muzat”.

Historia e Hidrës që kur e kisha dëgjuar së pari më kishte magjepsur. Mjaft fakte e hollësi më ngjanin të çuditshme, për të mos thënë të pabesueshme. Në qoftë se në fillim fare ajo u njoh si strehë piratësh e të arrestuarish e si vend i vetmuar peshkatarësh, historia e vërtetë nis me zbritjen në brigjet e saj të arbëreshëve. Ata erdhën nga ana e përtejme e Peleponezit dhe Atikës, por erdhën dhe drejt nga Shqipëria. Këta të fundit qenë nga vise bregdetare si Vlora e Himara, po dhe nga Suli dhe Arta. Shtegtimi i tyre ka ngjarë aty nga shekulli XV dhe ka vazhduar gjatë tërë shekujve të mëpastajmë. Gojëdhëna thotë se disa prej banorëve të hershëm kishin qenë bashkëluftëtarë të Skënderbeut. Prej këtyre përmenden vëllezërit Llazar dhe Zerva, nga të cilët zë fill familja e njohur e Kunduriotëve, që më vonë luajtën role të dorës së parë në jetën e Hidrës dhe të Greqisë. Në këtë kohë a diçka më vonë hodhën rrënjë këtu dhe familje të fiseve më në zë si Vullgarët e Vokët, prej të cilëve dolën Miaulët, Tombusët, Ikonomët, Gumajt, Gjinajt, Lazarajt etj. Hidra do t’u jepte arbëreshëve strehë, jo aq për të jetuar (se për të jetuar kishte plot vise më të mira), sesa për të qenë krejt të lirë dhe larg zgjedhës e dhunës osmane. Në qoftë se pozicioni i ishullit u siguronte lirinë, toka e tij s’u premtonte asgjë, veç gurishte e shkëmbinj. Megjithatë, këta njerëz krenarë nuk u dhanë, vendosën të qëndrojnë e të mbijetojnë në Hidër, falë shpirtit të paepur dhe natyrës liridashëse. Me punë titanike e me vullnet të papërkulur me kohë këtu ngjallën jetën mbi shkëmb dhe i dhanë frymë njerëzore ishullit. Zeja e parë e tyre do të ishte blegtoria dhe këtë do ta përballonin me përpjekje tepër të mundimshme për t’i kthyer vendet e thata në kullota për gjënë e gjallë. Por sido që iu përkushtuan për një kohë blegtorisë dhe bënë të mugullojë bari në mes gurishteve, ajo nuk qe në gjendje t’i mbajë dhe atëhere ata u dhanë u pas detarisë. Arbëreshët e Hidrës e lidhën jetën e fatin e tyre me detarinë dhe historia tregon se ata u njohën nga detarët më të mirë të të gjithë Mesdheut. Detaria pastaj i bëri hidriotët dhe tregtarë dhe si detarë e tregtarë morën nam nëpër botë. Me barkat e anijet e tyre, ata jo vetëm do t’u binin kryq e tërthor ujërave Mesdhetare, por do të hidhnin spirancat në Aleksandri e Venecie, Odesë e Triste e deri në brigjet e Ballkanit e të Amerikës së largët.

Po të shfletosh enciklopedinë greke “Pyrsos” mëson se Hidra deri në fund të shekullit të XVII qëndronte krejt e mënjanuar nga bota. Turqit as e kishin shkelur, as i kishin vënë taksa.

Hidriotët kishin krijuar vetvetiu autonominë e ishulit të tyre. Kjo dhe sot tingëllon e çuditshme. Atëherë ndodhi që atë të cilën s’e arriti dot Porta e Lartë, e bëri Patriarkana. Të dërguarit e saj erdhën në ishull dhe vunë dorë mbi këta ortodoksë me kokë më vete. Nuk vonoi dhe ajo ngriti mitropolinë dhe dalëngadalë i futi hidriotët në vathën e saj.

Ngado që t’i afrohesh jetës dhe historisë së Hidrës e kupton menjëherë se ato janë të lidhura e të pleksura me detin e detarinë. Këta arbëreshë në këtë cep të Egjeut fituan emër si zotër të deteve, lundërtarë të guximshëm dhe peshkatarë të talentuar, po dhe si mjeshtër të ndërtimit të anijeve dhe tregtarë të zgjuar. Jo më kot analet e kohës shkruajnë se Hidra e varfër dhe e zhveshur, falë njerëzve të saj, arriti të bëhet një qendër e lulëzuar. Bukën ishulli e gatuante me grurin që sillte nga Egjipti, direkët e anijeve i ndërtonte me pishat e Parmasit, kurse krahët e tyre me bredhat e Olimpit e ndërsa velat e bardha i thurnin me pambukun e Peleponezit. Në sofrën e hidriotëve shtrohej verë nga Tira dhe Mesina.

Edhe pse Hidra do të shikonte punët e veta, ajo nuk do të rrinte larg ngjarjeve dhe situatave politike të botës. Detarët dhe tregtarët e saj do të trazoheshin në një mënyrë a në një tjetër me to. Ata dhanë e morën, madje u sollën shqetësime kancelerive të Stambollit e të Petërburgut, të Parisit e të Londrës. Sado e çuditshme të duket kjo, hidriotët në raste të caktuara, u gjendën në vorbullën e ngjarjeve dhe të situatave më të rrezikshme të kohës. Një gjë e tillë s’ka si të mos ketë tërhequr vëmendjen e studiuesve. Të gjithë janë përpjekur t’i japin përgjigje pyetjes se si është e mundur që ky ishull i vogël të ketë një histori të madhe. Ata që kanë lexuar veprat e historianit të Revolucionit greke Dhimitër Fotiadhit, që shkruan me aq simpati për arbëreshët e ishujve të Egjeut, do të kuptojnë si u ngrit e u lartësua fuqia e nderi i Hidrës. Kjo u arrit përmes detit, të cilit hidriotët iu përkushtuan me shpirt dhe falë kësaj, mori një zhvillim të jashtëzakonshëm detaria, mjeshtëria detare dhe ndërtimi i mjeteve të lundrimit. Përvoja vendëse në këtë zeje ishte e pamjaftueshme dhe atyre iu desh të pasurojnë dhe ta forcojnë me përvojën e sjellë nga brigjet e Afrikës. Qenë detarët hidriotë të zënë rob nga berberët e Afrikës Veriore, që pasi punuan nëpër kantieret e tyre navale, prunë në ishull teknikën e përparuar të ndërtimit dhe të armatosjes së anijeve. Me këtë teknikë ata arritën, që me mjete rrethanore, të ndërtojnë anijen e parë qysh në mesin e shekullit XVII  për të arritur te anijet e mëdha nga fillimi i shekullit të XVIII. Kështu, nga punishtet e thjeshta, u ngritën kantiere të vërteta. Për këtë morën deri dhe mjete mekanike moderne nga Triestja, dërguan të rinj të mësonin mjeshtërinë në shkollat e Evropës, siç sollën dhe specialistë të shquar nga jashtë po për këtë qëllim. Erdhi një kohë që anijet e ndërtuara në Hidra, u bënë të njohura jo vetëm për tonazhet e mëdha, por dhe si mjete lundrimi të forta e të sigurta, të hijshme e të shpejta. Thonë se ato qenë më të shpejtat në të gjithë Mesdheun. Hidra arriti krijojë fllotën e vet të një niveli bashkëkohor, që do ta përdorte për nevojat e saj, por dhe për ato të botës. Po të shikosh gravurat dhe litografitë e piktorëve të shquar të kohës të Dypresë e të Hesit, do të vësh re si madhështinë e anijeve të mëdha, adhtu dhe hijeshinë e kaikeve të vogla vendëse me vela, që i ngjanin triremit të lashtësisë, me tri radhë lopatash. Me këtë fllotë, Hidra u bë një forcë navale e vërtetë, e përfillshme në mbarë Mesdheun. Duke qenë kështu, ky ishull i vogël krijoi lidhje dhe hyri në marrëdhënie me fuqitë e mëdha detare të kohës. Hidriotët trima e krenarë zunë të bëjnë politikë, një politikë të zgjuar e të shkathët. Historianët përmendin vitin 1770, kur plasi kryengritja e Orllovit dhe Hidra refuzoi të bashkëpunojë me rusët kundër turqve. Një qëndrim i tillë realist bëri që ajo të fitojë përkrahjen e Portës së Lartë, kurse vite më vonë, më 1807, në luftën me turqit, kur rusët i braktisën dhe i lanë në mëshirën e sulltanit, hidriotët, siç thonë kronikat, u treguan të pjekur e të shkathët dhe sado që u dëmtuan rëndë, ditën ta marrin veten dhe t’i kundërvihen edhe pabesisë ruse.

Por faqen e saj më të ndritur si fuqi detare Hidra e shkroi gjatë luftrave napolonike, në kohën kur Anglia vendosi bllokadën në mbarë Evropën. Hidriotët e sfiduan “mbretëreshën e deteve”, duke u kthyer në tregtarë e transportues kryesorë të grurit për kontinentin e kërcënuar nga uria. Njohës dhe zotërues të rrallë të rrugëve detare, ata me zgjuarësi e shkathtësi sillnin grurë nga Rusia në brigjet e Marsejës dhe ushqenin Evropën. Guximi i tyre çante bllokadën dhe habiste opinionin. Anglezët kjo i shqetësoi pa masë, jo vetëm për dëmet ekonomike e strategjike që sillte, por edhe për faktin se prekte nderin e perandorisë para botës. Forcat e tyre u vunë në ndjekje e ç’nuk bënë për t’i penguar dhe dënuar këta “rebelë” deti! Atëherë ndodhi që njerëzit e admiralit Nelson, komandantët e flotës angleze kapën Andrea Miaulin, një nga kapedanët e famshëm hidriotë dhe e dënuan me vdekje. Para ekzekutimit Nelsoni urdhëroi t’ia sillnin ta shikonte dhe ai u habit pa masë kur ky njeri u paraqit para tij me një pamje burrërore, me njëri sy të lidhur dhe krejt mospërfillës. Admirali e pyeti:

-Pse e shkele udhrin tim? A e di se do të humbasësh kokën?

Kapedani trim,qetë-qetë, duke e vështruar serbes, ngriti njërën dorë, lëvizi dy gishtat dhe me këtë gjest i dha të kuptojë se e ka bërë për të fituar dhe jo për shkaqe politike.

Mjaftoi kjo përgjigje e zgjuar e këtij “shqiptari flokëverdhë e sy blu” siç do ta kujtojë më vonë Nelsoni, që ai t’ia falë jetën!

E vërteta është se gjatë kohës së bllokadës, Hidra u pasurua aq shumë, sa nuk merret dot me mend. “Pyrsosi” shkruan se fitimet arritën në shifra kolosale. Vetëm Llazar Kundurioti, një nga paria e ishullit që kishte 22 anije, mblodhi 200.000 napoleonat e fituara, prandaj u detyrua t’i vendosë nëpër bodrume dhe dhoma të veçanta të siguruara mirë.

Mbas bllokadës, pasuan vite përafërisht të qeta, ku s’kishte më burime të ardhurash. Gjendja e Evropës kishte ndryshuar dhe fuqitë e mëdha kishin probleme të tjera. Pikërisht në këtë kohë, Hidra ra në hall, deti nuk i sillte më fitime si më parë dhe hidriotët e thjeshtë, duke qëndruar duarlidhur, thoshin: “Ç’të punojmë tani, detin apo shkëmbin?” Kronikat tregojnë se kjo gjendje do të shkaktonte një ashpërsim të luftës klasore në mes parisë dhe masës së detarëve. Në këtë situatë e gjetën Hidrën ngjarjet e para të revolucionit që kishte plasur në metropole, në Peleponez e Atikë, dhe po përhapej nëpër ishujt e Egjeut. Të parët nga ishujt u hodhën në luftë Specia dhe Psara, kurse Hidra vonoi. Kjo ndodhi për shkak të ngurrimit që tregoi paria. Mirëpo detarët e thjeshtë u treguan të gatshëm. Doli trimi Andrea Ikonomi, mblodhët shokët e papunë rreth vetes dhe iu kundërvu krerëve. “Në qoftë se s’dilni ju në luftë-u tha ai,-do t’i marrim anijet dhe do të shkojmë ne”. E gjetur para këtij presioni të fortë, paria u dha dhe Hidra hyri në luftë një muaj më pas nga shoqet.

Por futja e Hidrës në revolucionin çlirimtar ishte vendimtare për fatin e saj. Ajo kishte një ekonomi të pasur, një përvojë lufte të mbledhur nga koha e bllokadës dhe ç’ishte më e rëndësishme, kishte një flotë të fuqishme, më të madhen në Greqinë e robëruar. Brenda një kohe tepër të shkurtër flota e saj detare shndërrua në një flotë luftarake. Ishte kjo flota e tmerrshme që e ndihmuar nga ajo e Specës dhe e Psarës, përballoi me sukses përfundimisht flotën e madhe turke. Prej detarëve të saj, do të dilnin, siç thotë Anastas Kullurioti, një brez heronjsh që do të merrnin komandën e gjithë flotës greke. Ishte ky admiraliati më popullor që njeh historia e gjithë detarisë luftarake. Atë do ta përbënin kapedanët trima të detit si K.Kanarisi, Gj. Andruci, A.Miauli me shokë, njerëz pa shkollë, po që mundën admiralët e dalë nga akademitë ushtarake. Heroizmi dhe fitoret e tyre do të frymëzojë poetët e mëdhenj bashkëkohës V.Hygonë e A.Pushkinin, Xh. Bajronin e Lamartinin, Berzhanenë me shokë.

Hidra do të qëndronte në ballë të luftës dhe lufta e saj do të ishte ngaherë në det. Në betejat më të mëdha detare roli që do të luante do të qe kurdoherë vendimtar. Ka mbetur e paharruar beteja në gjirin e Gerontit në Egje, që u fitua nga forcat kryengritëse. 70 anije greke me 5.000 detarë mundën fllotën turko-egjiptiane me 400 anije dhe 30.000 detarë. Në krye të saj do të ishte admirali popullor, hidrioti Andrea Miauli. Po jo vetëm në këtë betejë, po dhe në të tjerat sado e rreptë që u zhvillua lufta, Hidra nuk u shkel asnjëherë nga turqit. Gjatë kryengritjes ajo mbeti një fortesë e papushtueshme dhe u kthye në flamur lufte e guximi. Emri i bijve të saj u bë tmerri i armiqve. Ishin këta guerilas deti, që duke hipur në zjarrëvënëset e lehta, u ngjiteshin nga pas natën karvanëve të flotës turke, futeshin në të fshehurazi, u vinin flakën dhe zhdukeshin në ujërat e Egjeut. Ka mbetur anekdotike ngjarja që tregohet edhe sot kur Ibrahim Pasha, komandanti i forcave turke, që kishte marrë përsipër shuarjen e kryengritjes greke, kishte ardhur deri në Peleponez dhe duke parë me dylbi brigjet e Hidrës, kishte thirrur:

-Ah, Ingliterë e vogël, Ingliterë e vogël!

Pesha e Hidrës në Revolucionin Grek nuk u ndie vetëm në betejat detare, ku ajo mbajti barrën më të rëndë. Disa nga banorët e ishullit të pamposhtur luajtën role të dorës së parë në jetën politike të Greqisë në prag dhe fill pas çlirimit, po dhe në dhjetëvjeçarët e mëvonshme. Në 1824 kryetar i qeverisë së Greqisë u vu Gjergj Kundurioti nga Hidra, kurse komandant i flotës kombëtare, Qiriako Shkurti, një nga kapedanët e vjetër hidriotë të detit. Më pas, më 1835, Dhimitër Vulgarisi po nga Hidra u bë kryeministër i Greqisë. Këtë post e mbajtën tradicionalisht sa e sa herë Kundriotët, siç e patën Miaulët e hidriotë të tjerë drejtimin dhe komandën e flotës ushtarake e tregtare greke deri në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit tonë. Aq e fortë u tregua paria e Hidrës, sa kur shteti grek u fuqizua, ajo u ngrit nga ishulli dhe u vendos në 1830 në Athinë. Atje familjet hidriote krijuan një lagje të lirë, që njihet me emrin “Hidrejka”. Prej këndej do të dalin pastaj shtetarë, politikanë me emër, kryetarë republike, kryeministra, admiral, ministra etj.

Më mirë se duke lundruar drejt Hidrës nuk mund ta sjellë ndër mend njeriu historinë e saj. Një histori legjendare, gati e pabesueshme, me një dendësi ngjarjesh e figurash që të hutojnë. Ajo i bën nder çdo vendi, po nderi i parë i takon Greqisë,për të cilën hidriotët derdhën gjakun dhe u treguan binj të denjë të atdheut të tyre të adoptuar. E, megjithatë, ata nderuan dhe vendin origjinës, popullin e fisin prej të cilit vinin. Prandaj dhe ti si shqiptar, s’ke si mos të ndihesh krenar dhe i emocionuar, kur evokon vemëvete historinë e tyre të lavdishme, ndërsa shkon për në Hidër.

2.

Anija jonë ka kaluar kepet e Peleponezit dhe ka marrë kursin për nga juglindja. Nuk jemi larg ujërave të Hidrës e megjithatë mbetet ende kohë për të medituar. Ishulli është nga ato vende madhështia e të cilit nuk matet nga madhësia fizike, por nga vlerat shpirtërore të njerëzve të tij. Nuk është i gjatë më shumë se njëzet kilometra dhe i gjerë më tepër se pesë kilometra po tepër i vogël për historinë dhe jetën që mbart. Të gjithë studiuesit, duke u përpjekur të zgjidhin enigmën e Hidrës janë të një mendjeje se këtij ishulli të vogël shkëmbor i dhanë lavdi e begati kryesisht bijtë e tij. Ata u njohën si njerëz me karakter të fortë, të mençur e trima, krenarë dhe energjikë që në shumë pikëpamje të kujtojnë spartanët e moçëm. Ndershmëria dhe besa e tyre ishin virtyte të provuara dhe shembull për vendësit. Këtë e thotë pa mëdyshje dhe “Pyrosi”. Në luftë e në punë ata kishin një disiplinë të hekurt dhe sado që vlonin nga vrulle të brendshme, kur e donte nevoja bëheshin natyra të vetpërmbajtura. Në qoftë se shumë prej tyre qenë të pashkollë dhe tërë kulturën e përbënte detaria, kjo s’do të thotë se nuk e donin dhe e respektonin librin. Në anijet e tyre lexoheshin me zë të lartë librat që tregonin për bëmat e Aleksandrit të Madh ( me të cilin ata e mbanin veten se ishin të një gjaku) dhe për ato të heronjve të Greqisë së lashtë. Këto do të ishin arsye të mjaftueshme, që ta bënin Anastas Kulluriotin të shkruante se “Gjaku i pasur i Shqipërisë në Hidra, as u ndryshua e as humbi”.

Hidriotët u dalluan për bukurinë fizike, për një hijeshi të rrallë, sidomos të grave, portretet e të cilave i gjen të fiksuara në veprat e piktorëve grekë dhe evropianë. Natyra dhe shpirti luftarak i burrave nuk i pengonte të qenë dhe të ndjeshëm dhe të përkorë. Tregojnë se në det të hapur, gjatë netëve të tilla mesdhetare, ata mblidheshin e kuvendonin kokë më kokë ose vallëzonin. Këto qenë këngë dhe valle të ashpra e burrërore për luftërat dhe detin, për vendlindjen dhe njerëzit e tyre, për trimërinë. I këndonin shqip, me thekse të fuqishme epike, po që me kohë, për arsye të ndryshme, humbën. Rrallë i këndonin dashurisë, ndoshta në çaste të veçanta, pasi donin t’u shmangeshin lektisjeve që mund të dobësonin qëndrueshmërinë e vendosmërinë e jetës spartane.

Kisha dalë në kuvertën e sipërme, nga ana e bashit të anijes, kur përtej u duk masivi i ishullit, silueta e lakuar e Hidrës që dallonte nën qiellin e rimtë.

-E shikon? Ja, dhe Hidra,-dëgjoj nga prapa zërin e Paskalit, shokut dhe kolegut tim me të cilin kemi ardhur në Greqi. Si specialist i historisë së Ballkanit dhe ai është interesuar për Hidrën. Për më tepër, di dhe greqisht dhe kjo më gëzon se kur të zbresim do të shëtisim së toku dhe do të mësoj diçka më shumë për Hidrën.

Qëndrojmë të dy në heshtje dhe sytë i mbajmë të mbërthyer përpara. Ndërkaq anija mori një kthesë të shpejtë dhe u drejtua për nga gjiri kryesor i ishullit. Menjëherë u gjendëm përballë qendrës së Hidrës dhe ky çast qe një shkreptim drite. Një dritë ylberi, e bardhë dhe e kaltërt, e kuqe dhe vjollcë.

Pas këtij çasti, vështrimi sikur na u kthjellua, sepse pamja që kishim përpara u bë më e qartë. Dalloheshin shtëpitë e bardha, çatitë e kuqe, shkëmbinjtë e përhimtë dhe ujërat e qielli të mbytur në një kaltërsi të thellë. Qytetin e kishim tani të gjithin përpara syve, sikur të kishte mbirë nga shkëmbinjtë e thatë e të thepisur. Gjiri, që zbriste nga tri anët e ishullit, i ngjante një amfiteatri gjigant natyror, ndërsa sipër tij ngriheshin si karakolle çukat e disa kodrave të zhveshura.

Pa hyrë në port, nga krahu i majtë, të përshëndesin prej sheshit të vogël të një kodre grykat e disa kanoneve. Janë nga trofetë e shenjta që ruajnë hidriotët në kujtim të luftës për pavarësi. Ka diçka epike kjo pamje, që ndjell me kontaktin e parë zulmën e historisë së Hidrës.

Porti është i mbushur plot e përplot me anije, barka, kaike, të cilat zbardhojnë nën dritën e fortë të mesditës. “Porosi” ynë kalon mes tyre dhe mezi hedh spirancën në njërën nga kalatat e gjirit. Në sheshin e vogël të portit është vendosur një bust. Pamja e tij trimërore na tërheq menjëherë një fytyrë krenare, me tiparet e një bariu malesh me mustaqe të plota, me thika në brez dhe jelek me komça. Afrohemi dhe lexojmë diçka të heronjve të revolucionit, arbëresh nga Psara, por që Hidra e nderon dhe nuk e ndan nga bijtë e saj.

Ekskursioni prej disa orësh në qytetin e vetëm të ishullit mund të bëhej i lirë, por edhe i organizuar me ciceronë, që prisnin të porsaardhurit në port. Unë e Paskali e kishim ndarë mendjen sapo zbritëm. Me një guidë që kishim blerë në anije fare mirë mund të shëtisnim vetë nëpër qytetin e vogël. Jo vetëm kaq, por qemë të bindur se për ato që interesoheshim ne, zor se mund të na thoshin gjë ciceronët. Vetë guida nuk kishte as dhe një radhë për faktin e njohur botërisht se në këtë ishull jetonte nga mesjeta një ngulim arbëresh. Por kjo nuk na shqetësonte, sepse ishim të përgatitur, para se të vinim këtu.

Morëm të shëtisnim dhe gjithë shpresën e kishim të takonim ndonjë vendës dhe me ndihmën e tij të njiheshim me Hidrën arbëreshe. Po ku ta gjeje atë dhe në ç’mënyrë? Rruga e gjerë që lakohej gjatë bregut e nga po kalonim ne, i ngjante një pazari të pafund. Njerëzia e sidomos turmat laramane të turistëve venin e vinin lart e poshtë dhe vendi ushtonte nga zërat e thirrjet. Lëvizja ishte krejt e lirë. Nuk kishte asnjë makinë e mjete të tjera të motorizuara, veç karrocave, mushkave, kuajve e gomerëve që bartin të ardhurit. Hidra, si dhe ishujt e tjerë ishte vënë e tëra në shërbim të turizmit. Në krah të rrugës vinin njëri pas tjetrit dyqane e tregtiza, Baraka e kioska, tezga dhe karroca shitore; binin në sy veçanërisht kafene, tavern, restorante. Të gjithë jepnin e merrnin me turmat e mysafirëve, që mësynin valë-valë ishullin gjatë ditës. Kjo ishte Hidra turistike, Hidra tregtare, Hidra e kohës sonë, të cilën sado që isha përpjekur ta merrja me mend, nuk kisha arritur ta përfytyroja kështu.

Nuk mbaj mend se sa u vërvitëm nëpër rrugën kryesore, kur na tërhoqi vëmendjen një shitës, mesoburrë, tek rrinte anës bregut para një tezge me guaska deti të zbukuruara me dorë. Ai thithte një bisht cigareje, krejt i shkujdesur dhe shikonte me ca sy të rrudhur nga dielli i fortë. Dhe ne sepse na u duk të kishte tipare nga ato të burrave tanë dhe iu afruam. Paskali, si e pyeti për çmimin e guaskave dhe bleu për të dy nga një, i tregoi se po i merrnim si kujtim nga Hidra për t’i çuar në Shqipëri. Shitësi vetëm tundi kokën dhe nuk e zgjati. Atëherë ne buzëqeshëm hidhur dhe vazhduam rrugën. Po ç’të bënim? Për një gjë ishim të bindur se arbëreshë do të takonim patjetër, veç jo ku po i kërkonim tani. Duhet të futeshim nëpër rrugicat e qytetit. Atje do të ndeshnim, në mos tjetër, pleq e plaka, që me siguri ishin arbëreshë. Por kjo ndodhi më përpara se të arrijmë atje dhe rasti erdhi fare vetiu. Hymë në një librari të vogël, që të blinim nga një album të Hidrës, dhe ndërsa bisedonim me njëri-tjetrin, i zoti i dyqanit, që rrinte në këmbë para një rafti, ktheu kokën nga ne me ca sy të çuditur dhe tha qartazi:

-Ego jam arvanitas!

Ne mbetëm, gati sa nuk iu hodhëm në qafë, i shtrënguam dorën dhe nisëm të bisedojmë në gjuhën e përbashkët. Librari ishte një plak i gjatë e i hollë, me syze në majë të hundës dhe me blana të errëta në fytyrën e bardhë, por tepër i gjallë dhe me një shikim gazmor, që na bëri për vete menjëherë. Filluam të bisedojmë sikur njiheshim prej kohësh. Ai na tha se ishte hidriot dhe se i pari i tyre kishte ardhur me det nga Himara. Thonë se atje qenkeshin dhe trojet e fisit të tyre. Ai s’dinte si ta shprehte gëzimin dhe gëzimi ynë arriti kulmin kur ra fjala për gjuhën dhe ai shqiptoi serbes:

Këjo gjuha arberishte

Eshte shumë trimerishte

Përpara një tavoline të vogël qëndronte një djalë, flokëverdhë, trupbëshëm, që rrinte ulur dhe lexonte i tërhequr pas një libri

-Ky është im bir, Andrea, po nuk di arvanitçe.

Djaloshi u ngrit menjëherë në këmbë dhe duke buzëqeshur si i zënë ngushtë, na përshëndeti në heshtje.

-Gluha jonë, -vazhdoi plaku,-ka bjerrë dhe kjo të vret zemrën. Njerëzia këtu nuk fjasën në gjuhën e nënës. Vetëm ca pak pleq e fjasën. Të tjerët dinë se kanë gjak arbëror.

Plakut nga mallëngjimi sikur i merret goja; sidomos kur pyet për Shqipërinë. Ishte hera e parë që takonte në Hidër shqiptarë.-Mund të kenë ardhur-shton,- po njerëzia këtu s’takohen kollaj e lëre të njihen e të vëllazërohen…

Ai pyet pa reshtur dhe kërkon të mësojë sa më shumë prej nesh, kurse ne e kthejmë bisedën gjithnjë te Hidra, te jeta e saj. Atij i bëhet qejfi që ne e njohim, po pastaj tund kokën i menduar, ndërsa një dritë e dobët i regëtin në sy. Papritur, kthehet nga dritarja nga duket një pjesë e qytetit dhe ia bën me dorë:

– Ja, vreni atë kodrën atje. Ajo është kodra me nam e Milinit. Ato shtëpi që ngrihen mbi shkëmb janë shtëpitë e qëmotshme të zotrinjve hidriotë. Në to linfën Miaulet, Kunduriotët, Tombazisët e sa e sa bij të tjerë të ndjerë të Hidrës. Të Hidrës që ish njëherë e tani s’është më. Sa njëherë e një kohë ishte djep i trimërisë, shesh burrave të besës arbëreshe. Tani e vreni vetë, është kthyer në një panair, si të gjitha ujëdhesat e Egjeut, ku vijnë njerëzia nga të katër anët e dheut. Ky panair e mban Hidrën sot dhe për këtë punojnë të tërë nga plaku deri te femija. Sikush përpiqet si di vetë të tërheqë jabanxhinjtë, kurse Hidra meremetohet e zbukurohet paprerë: u tregon atyre historinë e saj, me ato gjëra antike që kanë mbetur, po më shumë bën tregti. Tregtia e mban atë më këmbë, e mbajnë dyqanet, zanatet vendase, shtëpitë që kthehen në hotele, gjer mushkat dhe gomerët që zënë vendin e makinave, duke dëfryer jabanxhinjtë…

Librari plak heq syzet, i fshin dhe vijon të tregojë: – Hidra arbëreshe sa vjen e po fundoset nën ujërat e halleve të saj. Rrallë e tek kujtohemi se nga kemi ardhur e kush jemi. Askush sot nuk merret me gjuhën dhe historinë tonë. Njëherë e një kohë bëri këtë Panajot Kupiton, biri i Hidrës, njeri me dituri të madhe, shok i Kulluriotit, që arriti drejtor gjimnazi në Athinë dhe hapi atje shkollë nate arbëreshe për të vëllezërit. Atij duhet t’ia dimë për nder që mblodhi gluhën e ujdhesës sonë e studioi dhe na e la trashëgim.

Edhe hidrioti Andon Miauli ka shkruar një libër për të atin Andrea, admiralin e famshëm, dhe e ka botuar në Gjermani. Po kjo është punë e vjetër shumë, mbase ju nuk e dini. Të tjerë që erdhën pas tyre nuk bënë ndonjë gjë të madhe për t’u lavdëruar me gjakun që u lëvrin nëpër damarë. Plot hidriotë kanë pasur punëra të mëdha në Athinë e gjetkë, megjithatë s’kanë bërë asgjë për të mirë të fisit tonë e prapë s’është për t’u vënë faj. Ne jemi ata që jemi, dhe kemi ato që kemi. Gjakun nuk e kemi bërë ujë, po dhe as e kemi turpëruar në dhe te huaj. Me grekët qemë gjitonë e tani jemi një shtëpi. Shkojmë mirë, por sado mirë që shkojmë, shumë prej nesh nuk harrojnë se kush jemi. Sa do të vazhdojë kjo, s’di të them!

Ai kishte folur greqisht për t’u shprehur më lirisht, po fjalët e fundit i ktheu në gjuhën e tij:

– Tani, merrni me vete tim bir Andrea, dhe ai do t’u gjezdisë për aq kohë sa keni, në ato vende që doni të vreni.

Pastaj duke na përcjellë te dera e librarisë, u ndal e tha me një zë që i dridhej pak sa:

– Ah, sa bukur do të qe sikur të rrinit, të shkonim nga shtëpia, të gëzonim njëri-tjetrin. Vëllai s’shkon turist te vëllai. Të mirë u pjekshim!

Dolëm në rrugë me Andrean dhe morëm për nga qendra e qytetit. Ai nuk dinte nga të niste bisedën dhe për të na gëzuar zuri të shqiptojë disa fjalë shqip si: Qafa, Guri, Bishti, Oborri. Këto dhe të tjera ishin emra vendesh, toponime në Hidër që thirren dhe sot në gjuhën shqipe nga të gjithë. Pastaj shtoi me të qeshur se perëndia ia ka bërë me të padrejtë Hidrës, sepse s’i kishte dhënë fare tokë për të mbjellë, veç ca shkëmbinj dhe për të rregulluar këtë padrejtësi, ishte munduar t’i jepte klimë të shëndetshme, ajër të pastër, det të pasur e të bukur. Në ishull nuk bie kurrë borë, dimri është i butë dhe në ditët e nxehta fryjnë fllade të freskëta. Eshtë vetëm ky qytet dhe ka vetëm disa fshatra peshkatarësh e barinjsh në anën tjetër të ishullit. Gjithë-gjithë popullsia arrin në 10-15.000 banorë, po në kohë të caktuara të vitit shtohet me të ardhur.

Andrea qëndroi një hop në vend dhe si të na tregote një gjë të rëndësishme tha:

– Hidra është dhe vend i artistëve të mëdhenj. Në asnjë ishull tjetër nuk mblidhen artistë nga gjithë bota si te ne. Këtu vjen e pushon lulja e kinematografisë: Tejlori, Gabeni, Mastrojani, Bardoja, Bertoni e sa e sa të tjerë. Ato kanë shtëpitë e tyre, siç i kanë dhe piktorët këtu, të cilët vizatojnë bukuritë e Hidrës . Nuk e teproj po të them se përsa kohë që rrijnë në ishull ata bëhen hidriotë, vijnë nëpër shtëpitë tona, shëtisin me ne, flasin e bisedojnë…

Vështrojmë qytetin, i cili nga anija na është dukur i vogël dhe tepër i përmbledhur, kurse tani që po shkelim nëpër të, na ngjan krejt ndryshe. Ndiejmë frymëmarrjen e gjirit, gjerësinë e rrugës bregdetare, hapësirat e kaltëra që ngrihen mbi to, udhët e kallderëmta që ngjiten përpjetë lagjeve të qytetit. Përtej dallohet muraja ose muri, që mbron Hidrën nga deti dhe erërat e forta; pastaj vemë re shtëpitë e dendura, të ngjeshura njëra mbi tjetrën. Shumë prej tyre janë me mure të bardha dhe çati të kuqe, me dyer në ngjyrë blu dhe dritare që shohin nga deti. Shtëpitë ngjiten deri lart në kodër, po ndërsa poshtë janë të shpeshta, sipër vijnë e rrallohen. Të bën përshtypje që gjelbërimi këtu është i varfër, sado që njerëzit kanë bërë të pamundurën. Me perjashtim të një cepi mbushur me drurë anash kodrës së Melinit, gjithë vendi është i zhveshur. Këtë shtrëngesë të natyrës, siç do ta shohim pastaj, sikur e plotësojnë saksitë e panumërta me lule, të vendosura në parvazet e dritareve dhe qoshet e shtëpive.

– Ju keni ardhur herët, – vazhdon të na tregojë Andrea, duke bërë me dorë nga gjiri i detit, – sepse këtu çdo vit më 22 deri në 25 korrik, ne festojmë Miaulinë. I thërrasim kështu për nder të kapedanëve të Miaulëve. Është festa e ishullit tonë. Këto ditë mijëra turistë shohin paradën e flotës së Hidrës, bëhen gara të barkave me vela, gara noti dhe plot shfaqje të tjera të bukra.

Kur arrijmë në qendër, aty ndalemi. Është sheshi ku njerëzit derdhen nga të gjitha anët. Nëpër qindra karrige nën çatitë e bardha të çadrave të mëdha prehen të ardhurit. Ata sodisin Panoramën hidriote dhe thithin ajrin e saj të shëndetshëm. Andrea na kalon përmes një likali veror dhe na nxjerr  para një monumenti prej mermeri, te shtatorja e admiralit PavIlo Kundurioti, veshur me uniformën detare dhe me një luan te këmbët.

– Është arbëresh, i gjakut tonë, – thotë Andrea dhe pa e zgjatur shkon më tutje, duke na drejtuar nga një rrugicë, që vinte përbri lokalit veror. Para nesh ngrihej një kambanare e lartë kishe, ndërtuar me plaka graniti e mermeri. Një rrugë e kalldrëmtë ngushtuar anash nga mure të vjetra zgjatej në thellësi drejt një porte të hapur. Drejt saj zumë të ecim dhe ne.

– Këtu gjendemi, – shpjegon Andrea me zë të lartë – te manastiri “Fjetja e zonjës shën Mëri”… (Kimissis the Theotoks) Është ngritur nga të parët tanë më 1641!

Përpara nesh hapet oborri i gjërë i manastirit, krejt i bardhë, veshur me mermer gjithë andej. Ndryshe nga rruga, këtu zotëron heshtja, një qetësi solemne, që përftohet nga mjedisi i zbrazët e farfuritës. Në ballë të oborrit shohim të gdhendur një shqiponjë me dy krerë e vitit 1774. Shqiponja me dy krerë është një simbol i shenjtë për arbëreshët e ishullit. Manastiri përbën në një farë mënyre muzeun e historisë së Hidrës, që ruan relike me vlerë të madhe, por dhe vetë është arenë ngjarjesh të paharruara për hidriotët. Dhe kjo shihet nga bustet e vëna ne shesh, nga kisha e moçme, nga ndërtesat që ngrihen në të dy krahët. Ja busti prej mermeri i Llazar Kunduriotit (1769-1852), figurë e njohur e Revolucionit të 1821-shit, me pamjen e një luftëtari të sprovuar dhe me njërin sy të lidhur. Më tutje vjen heroi tjetër, admirali popullor Andrea Miauli, me qeleshe të lartë mbi krye, si fshatar i zbritur nga malet e arbërisë.

Duke parë këtë kapedan të famshëm të Hidrës, se si m’u kujtua atë çast një letër e De Radës dërguar të atit, në dimrin e vitit 1841, ku i shkruante për gëzimin që kishte ndjerë kur kishte takuar Miaulin në Napoli, gjatë kalimit të tij nga Greqia për në Gjermani. Gjithë  biseda e tyre i qe kushtuar fatit të rëndë të Shqipërisë, që vuante nën sundimin turk. Pranë bustit të Miaulit shtrihet  varri i bardhë i Kostandin Neomontisit, për të cilin ne nuk dimë asgjë, por me siguri i ka sjellë shërbime të çmuara Hidrës, përderisa e kanë vendosur në muzeun e saj. Çapitemi ngadalë. Historia e ishullit këtu sikur zgjohet: Ajo flet me heshtjen e vet krenare.

– Manastiri që shikoni, – i thyen qetësinë zëri i Andreas, – është për ne jo vetëm një vend fetar, por dhe historik. Mendoni se njëherë e një kohë këtu mblidheshin në kuvend të parët tanë. Ishte si të thuash parlamenti i Hidrës, ku u bënë sa e sa diskutime të zjarrta e u morën vendime që përcaktuan fatin tonë, veçanërisht në ngjarjet e stuhishme të kryengritjes e të pavarësisë.

Dyert e kishës dhe të ndërtesave të manastirit, s’di sepse ishin mgyllur atë orë dhe ne nuk arritëm t’i vizitojmë. Por Andrea na tregon se ato ruajnë relike nga kryengritja, që i kanë dhruar detarët hidriotë, një bibliotekë të pasur me antikuare, ikona shumë të vjetra e sidomos një llampadar të famashëm, të madh, i sjellë nga Franca. Këtu gjenden dhe dokumente, kodike e burime të tjera arkivore, që flasin për të kaluarën e bujshem të Hidrës.

Nuk kemi kohë të rrimë gjatë dhe nxitojmë të dalim përsëri në rrugën që gëlon e zhurmon. Andrea s’di ç’të na tregojë më parë dhe tek ecim duke bërë me dorë në drejtim të kodres që bie nga jugu thotë: – E shikoni atë shtëpi të madhe që dallon nga të tjerat? Ajo është shtëpia e moçme e Tombazisëve, nga dyert e para të Hidrës. Tani e kemi vend pritjeje ku bujtin artistët e shkollës së arteve të bukura. Kjo na nderon sigurisht, pro më shumë na nderon, madje në shkallë kombëtare, Shkolla e Marinës, që nxjerr oficerë për flotën tregtare të vendit. Është ajo ndërtesa e lartë, që ju ka rënë në sy me siguri kur keni zbritur nga anija. Gjendet në krahun verior të ishullit.

Në fakt, fill pas bustit të Kanarit, ishte një godinë prej katër katesh, krejt e ngurtë dhe me nje pllakë të shkruar në ballë. Në shesh do të vinim re, kur u ktheym, dhe grupe kursantësh.

Koha e qëndrimit tonë në Hidër po i afrohet fundit. Një kohë jashtëzakonisht e shkurtër për të njohur këtë ngulim arbëresh që ka bërë histori.

Dëgjojmë të bjerë sirena e parë e anijes sonë. Po vjen koha të ndahemi: Andrea këtë nuk e di, po dhe ne sikur nuk na pëlqen t’ia themi. Ai na kap përkrahu dhe na fut në një dyqan të vogël bizhuterish. Papritur gjendemi brenda në mes të vitrinave që shkëlqejnë nga zbukurimet e argjendta dhe para nesh qëndron e zonja e dyqanit, ulur pas një banaku te vogël.

– Mellani, jepi dorën vëllezërve!

Një vajzë e zeshkët, me ca sy ngjyrë ulliri trupdrejtë dhe me flokë të gjata të lëshuara në njërin sup, u ngrit menjëherë në këmbë dhe na zgjat dorën, duke u munduar të buzëqeshë. Ajo dukej e hutuar dhe papritur krijohet një heshtje gati shqetësuese. Ne s’dimë ç’të themi dhe shohim përqark. Ndërkaq Andrea, gjithë gaz duke iu drejtuar vajzës shton:

– Ty s’ta merr mendja se ç’mund të jenë këta zotërinj! Janë vellezërit tanë të ardhur drejt e nga Allvania!

Vajza hapi sytë, ndërsa supet e brishta sikur i fërgëlluan.

– 0 feemu!…1) -thirri ajo lehtazi, thua të kishte këlthitur një zog dhe pas kësaj i shkuan faqeve lot.

Ne mbetëm si të shtangur dhe ndjemë të na vërshojë mallëngjimi. Edhe Andrea u trondit, sepse për një çast iu lidh fjala dhe vetëm si kaloi ky çast, tha:

– Edhe Mellania është gjaku ynë! E shikoni si i qan zemra?

Kështu na qan të gjithëve. Qan Hidra arbëreshe!

Vajza fshiu lotët dhe guxoi për herë të parë të na shohë në sy. S’dinim ç’të thoshnim, veç krejt vetiu dikush nga ne pëshpëriti:

– Lotët e Hidrës!

Dhe u harruam fare për një kohë. Harruam madje që anija te bregu na priste. Vajza ndërkaq lëvizi xhamin e një vitrine dhe pastaj na zgjati nga një argjenturinë.

– Një kujtim nga Hidra jonë, – pëshpëriti Mellania dhe deshi të flasë akoma, po diçka iu mblodh në gjoks dhe heshti me sytë ulur.

Dëgjuam të bjerë sirena e dytë dhe Andrea tha:

– Nxitoni se s’ju mbetet kohë ta kapni.

Mellania doli te dera për të na përcjellë dhe na u hodh në qafë. Po aty u ndamë dhe me Andrean, i cili sado i mallëngjyer që ndihej përpiqej të mbante veten. Me sa duket, burri i Hidrës e ka për turp të tregojë lotët.

Ishin çastet e fundit kur ngjitëm shkallët e anijes dhe sapo zumë vend në kuvertë, pasi levizën dorën në ajër në shenjë lamtumire, nxorëm kujtimin e Mellanisë. Ishin dy pulëbardha të Hidrës, të qëndisura në filigram.

– Pulëbardha malli, – kështu i quajtëm me njëri-tjetrin dhe kështu ua tregojmë dhe miqve sa herë që bie rasti të flasim për Hidrën.

 

May 6, 2018 11:37
Komento

12 Komente

  1. Edhe nji shkrim Perl e te Madhit Nasho Jorgaqi ... May 6, 14:01

    Shkrimet e Shkrimtarit te mirenjohur z.Nasho Jorgaqi ,
    jane nji (Treiber Inspirues )
    jane si me ajo magji ,qe ben te sjelle ne jete ,
    Letersine Shqiptare te rene tashme prej dekadash ne gjendje Kome .
    Jane nji frymezim ,per ata ,qe admirojne Litetarturen e Vertete , qe e Duan Litetarturen e sherbejne si nji Pik Orientimi / Navigimi ne Oqeanin e pafund te Litetartures .
    Para disa vitesh dukej qarte se, si gjithcka ne shoqerine Shqiptare,u transformua e cdo zhaner Arti tashme kishte te rene ne Dekadenc / Depresion nga politikat e Pestit Demokratik te kohes ,as Letersia s’kishte mundur dot ti shpetonte dot , i deshperuar shkruaja diku ne faqet e internetit Shqiptare se ;

    (Literaturen Shqiptare ,te cilen e ka marr Perroi ne rrjedhen e vet ,pa asnji te dhene ,se ku do perfundoje me gjithe mbeturinat e rrjedhes ,te cilat e shoqerojne ,disa shishe plastike boshe ,qe vec te tjerash perbejne nji ndotje Ambjentaliste , pa menduar aspak ,se Guret e Cmuar ,si edhe Perlat qendrojne gjithmon ne thellesi lumenjeve e Deteve )

    Riaktivizimi (nqs do me lejohej ta quaja te tille)
    i Shkrimtarit te Mirenjohur N.Jorgaqi ,duke na dhuruar ktu ,shkrime e tregime te Tilla ,ngjallin ate shprese te humbur ,para disa vitesh se Litetartura Shqiptare Jeton e ky art te shkruari ,qe Shkrimtari na afron eshte nji sherbim i pacmuar nji Vlere shume e Madhe qe i behet ne kto kohe te thatesires ,Literatures Shqiptare, ne nji kohe kur Shteti shteit ne Boten e Absurditetit .
    ——————————————————————
    Ne nji Roman, Tregim ,vec te tjerash cfar perbejn subjektin e tij ,ti duhesh si Shkrimtare ,ti afroshe lexuesit , ( wiessen übermitteln-thote Kritika Gjermane)
    pra ne shqip – te trasmetoshe dije ,ke lexuesi ,te cilat pse jo mbushin edhe “hapesirat boshe ne koke” then kjo, pak brutale nga mua (scusi) .
    Pra pikerishte ktu qendron si me then ,ajo pik e thelle e artit te te shkruajturit ,ndryshe nga shume kendveshtrime siperfaqsore ne Litetarture .
    Per mua ,kjo eshte DNA-ja e nji texti .
    E theksoj kete ,sepse kjo e ben te vecante Shkrimtarin N.Jorgaqi nga shume Shkrimtare ne ate vend ,qe mjerishte kane marre nji vleresim te pamerituar ne gjithe Litetarturen e atij vendi , duke mos i dhene asgje
    brezave qe pasojne e madje duke mos menduar fare per nji gje te tille .

    Gjithmon , me ka ngacmuar ai komplexitet qe gjithmon shoqeron Njeriun ne ate Shoqeri ,ku kudo eshte e pranishme injoranca ,mosnjohja e vlerave ,madje hipokrizia ,mungesa e Njohjes se Vlerave te verteta edhe ne Litetarture .
    Te gjithe lexojm, cafr hidhet medive ,gjasme prej kritikeve te asaj Bote te dal jasht cdo Standarti .
    Shpesh her ,na trumpetohen nga disa tipa, fjal, shkrime te tyre ,ne forma slloganesh prej truri naiv,
    qe do te thote , si dicka …gjasme ,mbas se ciles fshihet dicka e madhe per Letersine /Lexuesin ,por qe ne realitet , eshte dicka boshe , jashte cdo realiteti Letrare.

    S’do desha te zgjatem me shume por do citoja edhe dicka qe vlen per Vlerat dhe pikerishte disa Shkrimtare te nderuar si N.Jorgaqi ne ate vend ,qe na nderon e frymezon njikohesishte ktu me shkrimet e tij , me kte citat ;

    Jeta gjynjezon te fortet , qe te vertetoj ,
    se Ata ,mundet te ngrihen perseri ( Atje ku meritojne te jen)
    kurse te dobetit ,s’i ngacmon …duke i len te gjunjezuar pergjithmon .

    Edhe njiher flm per gjithe kto shkrime te mrekullushme i nderuari Shkrimtar Profesor i shquar z.Nasho Jorgaqi .

    Reply to this comment
  2. Goni May 6, 14:08

    Te kendofte gjithmone zemra, i nderuar Profesor Jorgaqi!
    Sepse shkrime te tilla shkruhen me se pari me zemer se sa me mendje e dore!
    Shume falenderime, shendet te mire dhe ne pritje te shkrimit te ri,
    Goni
    Goni

    Reply to this comment
  3. Ai May 6, 16:58

    Kuptova,
    Edhe Hidra ta thyeum Zemren si te gjidhe Ishujt e tjer qe na pershkrove.

    Per kete arsye ika nga ai vend.

    Se ma thyente Zemren cdo dite.
    Te shumta ishin rastet ku zhdukesha ne mes te ekskursionit. Se nuk dogjoja dot oershkrimet e mesusve. As permendej realiteti i shqiptarve.

    Nje shoqe kisha nga Hydra.
    Ajo me donte aq shume sa qe se shpjegoja dot pse.

    Arbereshet atje kan nevoj per ne shqiptaret.
    Kan nevoj qe ata te mund te krenphen per ne.
    Qe te degjojn fjal te mira per shqiptaret e sotem.
    Vetem atehere ata do mundin ta ngrin zerin dhe te tregojn me krenari qe jan grek me prejardhje shqiptare.

    Ju Zotrinj qe shkruani jeni shume gabim me kete shkrim.
    Gati sa qesharak…
    Nuk e prisja..
    Mu kujtua rama qe tha dikur se ka detin e shqipris per te kaluar pushimet dhe sdo e shkelte kure greqin per pushime.
    Po ta dinte rama edhe ti bashk se prap edhe aty shqiptar do ta sherbenin. Po ta dije dhe ty sic e din te gjith ata qe jetojn ne greqi qe ekonomin e vendit e mbajn Shqiptaret, ather nuk do te thyhej zemra kaq shpejt.Sic tu thye me realitetin e ri te ishujve.
    Ju ishit nje TURIST.
    Turisti ngelet turist dhe ska pse te ngatrohet me ceshtjet e vendit.
    Qendroni aty 5 vjet sic bejn shqiptaret e tjer qe e din realitetin e sakt.
    Mos u be si kosovaret qe degjojn pak greqisht ne jug te vendit dhe u thone sarandjotve grek

    Reply to this comment
    • Ti ! May 6, 18:00

      cfar kerkon te thoje ky me kte koment
      dhe kujt i drejtohet ,
      un e kam te veshtire te kuptoj !

      Shkrimi eshte nji panorame , impresionuese qe cdo njohesi te letersise i le nji perhtypje dhe i referohet
      ksaj panorame ne komentin rreth saj ,

      duke mos vuajtur nga ai veshtrim mendor difuze sysh …

      Reply to this comment
      • Ai May 6, 19:05

        Te drejt ke
        E bena pak sallat….
        Po me duket se ty ske jetuar jashte vendit. Po te kesh qen edhe ty i huaj, emigrant, athere ka mundsi ta kuptoje kommentin tim.
        Ti je rritut ne vendet ku leve.

        Tjetra gje qe me vrau syte e veshet eshte qe Nelsoni e fali Miaulin se kishte floket e bardha dhe syt blu.
        Diku shkarasi, me siguri ju kujtua shkrimtarit sa ariane dhe sa race e paster eshte raca shqiptare. Ose sa rac jo e paster eshte raca e Grekeve.
        Sa keq per nje shkrimtar.
        Per pak sa nuk mori shembullin e Hitlerit, qe na donte aq shume.
        Kur edhe nje shkrimtar miret me politik..
        Bile grekeve qe e ftuan sy mysafir dhe e respektuan dhe e shetiten, kam pershtypjen se nuk u tha asnjeher Grek por Helen
        Qe do te thot qe tjeter Grek tjeter Helen
        Kjo eshte politik
        Kjo eshte gabim

        Reply to this comment
  4. fteri May 6, 19:37

    Po çfar kërkon ky me këtë shkrim ? ,grekët sikur na cilësojnë armikun nr.2 -?! dhe më mirë është të shkruash për lotët e Zanës të Liqenit koçekut të Lurës ,e cila u rrëmbye nga qobani i fisit koçeku ,tre vjet ajo nuk fliste por vetëm vajtonte ,kur i vunë kokën e fëmijës në sunduk për t’ja prerë ,ajo tha mos ,dhe pas kësajë ajo uli kokën dhe vdiq ! .Kemi legjendat tona dhe ishujt tanë ,që mund ti reklamojmë.

    Reply to this comment
    • ! May 6, 20:00

      pyetja korrekte do ishte ;

      C’do ti ne kte Teme ?

      Jeni mesuar ti fusni hundet kudo
      dhe ne gjithcka ju kumbon ne ate kafke si politike !
      Nga ajo se cfar shkruan ,le te kuposh qarte ,
      se je nji fyell bariu ,qe ke ngaterruar rrugen e flet percart ,pa kuptuar se kujt i fket dhe per cfar flet .

      Reply to this comment
  5. Orteku i Fekenit May 7, 06:40

    Shkrimi i therret kujteses tone ta dime kush jemi nga vime e per ata qe emigruan atje akoma me shume te jene krenar !Nje qe e lexon dhe e kupton ate qe transmetohet ketu e ka pak me veshtire te beje “zullum” ne vendin ku eshte “mik”!!
    I ati e quajti “Nasho” ka dashur me siguri te tregoje perkatesine “i joni” SHQIPTAR

    Reply to this comment
  6. fteri May 7, 07:16

    pyetja më korrekte do të ishte për ty pispiruqi (” !…” )
    ,nga cila gjuhë e ka periardhjen fjala Jorgaqi ?…

    Perëndia ju ndjeftë për trutë që ke ! Ka edhe si ti nga kjo botë shumë të gjallë e të vdekur ,bluan kjo tokë brenda dhe mish të pa tretur.

    Reply to this comment
    • ! May 7, 18:54

      hik mer plehr e bo noj Test idioti ,

      funderine .

      Tema e Letersise dhe komentet tona ,
      nuk jane ktu eps per te zbuluar idiotat si TY ;
      Prandaj shko e ha ate qe do diku tjeter taliban

      Reply to this comment
  7. fteri May 7, 07:17

    pyetja më korrekte do të ishte për ty pispiruqi (” !…” ) ?
    ,nga cila gjuhë e ka periardhjen fjala Jorgaqi ?…

    Perëndia ju ndjeftë për trutë që ke ! Ka edhe si ti nga kjo botë shumë të gjallë e të vdekur ,bluan kjo tokë brenda dhe mish të pa tretur.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim