LSI takim me të rinjtë, Meta: Rinia kërkon shanse dhe i meriton

May 20, 2017 15:26

LSI takim me të rinjtë, Meta: Rinia kërkon shanse dhe i meriton

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi një takim me të rinjtë e LRI-së në Njësisë administrative nr. 5 të Tiranës.

Pjesë e këtij takimi ishte Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kandidatët për deputetë të LSI-së së Qarkut Tiranë, Klajda Gjosha, Floida Kërpaçi, Kejdi Mehmetaj, etj.

Në fjalën e tij në këtë aktivitet, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vlerësoi rolin e rinisë shqiptare, duke u shprehur se çdo të riu i duhen dhënë shanse që Shqipëria të ketë një të ardhme më të mirë.

“Mbi të gjitha rinia i kërkon këto shanse, sepse pa një rini të motivuar për të qëndruar në vend për t’u arsimuar më mirë këtu, për të përvetësuar dijet më të fundit dhe njëkohësisht për të ta parë të ardhmen këtu ne nuk mund të kemi një Shqipëri me të ardhme. Vendi ka nevojë për qëndrueshmëri për besim, për siguri për stabilitet, për gjithëpërfshirje, për transparencë”, – tha Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Petrit Vasili deklaroi para të rinjve se LSI në programin e saj elektoral ka prioritar rininë dhe punësimin e saj.

“Pika A e programit tonë, e cila do të dëgjohet nga të gjithë ju do të jetë programi i punësimit për të rinjtë, pasi kryefjala e punës tonë do të jenë të rinjtë. Atje ju do të gjeni një përgjigje të jashtëzakonshme, për herë të parë ne kemi një program i cili e përgjysmon menjëherë papunësinë mes të rinjve, nga 30% në 15%”, – tha Vasili, duke shtuar se Lëvizja Socialiste për Integrim është një familje e madhe dhe si e tillë do të dalë forcë e parë në zgjedhjet parlamentare.

“LSI është dhe do të mbetet një familje e madhe për të gjithë dhe vetëm një familje e tillë mund ta ketë vendin si forcë e parë. Çdo i ri duhet të shkojë derë më derë dhe të çojë vetëm një mesazh: Është LSI-ja që e do Shqipërinë dhe rininë”,- deklaroi Kryetari i LSI-së.

Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të LSI-së në qarkun e Tiranës, znj. Klajda Gjosha u shpreh përpara të rinjve se tani ka ardhur koha që rinia të flasë vetë dhe për këtë meritojnë të kenë vendin e tyre në parlamentin e ardhshëm. Dhe për ta bërë këtë të mundur, LSI i ka ofruar një shans të rinjve për t’u përfaqësuar.

“Ka ardhur koha që rinia të flasë me zërin e vetë dhe ai parlament këtë vit më mire sesa kurrë do të përfaqësohet nga ju, më mirë se sa kurrë do të shkëlqejë nga studentë ekselent dhe të jashtëzakonshëm që dinë të flasin jo vetëm për çështjet e tyre, por për çështje që prekin nënat e tyre familjet e tyre”, – theksoi Klajda Gjosha.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe aktori dhe regjisori i njohur, Laert Vasili, i cili i është bashkuar së fundmi LSI-së. Në përshëndetjen që mbajti para të rinjve të LRI-së, Laert Vasili vlerësoi rolin e LSI-së duke u shprehur se një shans për të gjithë jepet vetëm nga LSI.

“Jam i sigurt për fitoren dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Jam shumë i sigurt kur shoh se ju nuk jeni nga ata që do bëni dokumentet për të fituar lotarinë dhe për të braktisur këtë vend, por ju do jepni energjinë tuaj, për ta bërë këtë vend. Ju siguroj se emocionin më të fortë nuk e kam ndjerë në asnjë publik në vendet e Europës, por emocionin më të fortë e përjetoj sot tek ju, tek Lëvizja e Rinisë për Integrim. Prandaj dilni aty jashtë dhe trokisni derë më derë dhe sillni në këtë lëvizje për ndryshim, një shans për të gjithë, te të gjithë”,- deklaroi aktori, Laert Vasili.

 

 

May 20, 2017 15:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*