Luan Pobrati: Agjentët e zbulimit të huaj janë në politikën shqiptare

December 2, 2014 09:32

Luan Pobrati: Agjentët e zbulimit të huaj janë në politikën shqiptare

Njeriu që ka punuar në Sigurimin e Shtetit flet për hapjen e dosjeve të Sigurimit. Ku duhet bërë kujdes, çfarë ndjeshmërish mund të preken, si i ka mbrojtur shumë prej politikanëve të sotëm. Dhe pse ata që janë goditur më shumë dhe padrejtësish, janë punonjësit e ndershëm të shërbimit sekret

 

Është folur shumë për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, madje për këtë janë prononcuar edhe krerët më të lartë të politikës. Mendimi juaj?

Problemi që shtohet vite radhazi ka qenë pjesë e diskutimit dhe debateve në mes politikës dhe shoqërisë në tërësi, ndërsa dosjet për të cilat flitet, ende nuk janë hapur. Më saktë kryeministri deklaroi se ato do të hapen, ndërsa ish-kryeministri i vendit pohoi me pompozitet se duhet të fillohet nga dosjet e korrupsionit. Çfarë mund të thuhet pas tyre, është se problemi i hapjes së dosjeve për vetë mënyrën si diskutohet, po banalizohet, madje çështja është kompromentuar që në fillimet e saj; atëhere kur ish presidenti Sali Berisha sapo kishte nisur të drejtonte vendin pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992 dhe në shtypin e partisë së tij të ardhur në pushtet, filluan të shfaqeshin herë pas here pseudonime bashkëpunëtorësh me ‘emrat përkatës’ nga radhët e njerëzve publikë në fusha të ndryshme; politikanë e intelektualë të spikatur, njerëz të njohur të letrave, gazetarë e analistë të shtypit, kundërshtarë të politikës së ditës etj. Shihej e ndihej qartë se të ‘vërtetat’ e hedhura nëpër faqe gazetash i interesonin vetëm pushtetit të kohës por nuk ishin në interes të publikut apo shërimit të së keqes. Në të kundërt, për metodën si përhapej lajmi, kjo aq sa përbënte shfaqjen e radhës, po kaq përngjante në stil me vënien natën të fletë-rrufeve, që për eksperiencën dhe formën e përdorur të kujtonte veç diktaturën dhe kohën e sekretarëve të partisë.

Në vazhdën e kësaj prapësie të politikës, do të përfshihej me egërsi dhe shërbimi sekret i përfaqësuar nga kryetari i tij, myslimani i devotshëm Bashkim Gazidede; viktimë e të cilit do të bëhej ato kohë dhe intervistuesi juaj, duke synuar e tentuar të më bënin pjesë të trillit dhe manipulimit të tyre me dosjet edhe mua, djallëzi që dështoi rrjedhojë e demaskimit në kohë të kësaj ligësie, pavarësisht burgosjeve të herëpashershme nën akuza alibike. Çfarë ndodhte atë mot në Shqipëri, zor se mund të imagjinohej në një vend tjetër demokratik.

Në shpjegim të gjithë çfarë kuptohet nga kjo që thashë, ku përfshihet dhe spikat historia personale që, për metodën e përdorur në arritje të qëllimit për të më gjunjëzuar, përngjan me ato të një filmi horror,individualisht i përkas asaj pjese që gjykon e dëshiron të hapen dosjet; dhe kur them kështu, fjalën nuk e kam për atë kategori bashkëpunëtorësh të Sigurimit, të cilët veçse përfaqësojnë qytetarin e thjeshtë apo fshatarin e varfër,ku raporti i tyre me shërbimin sekret ka qenë ai i një informatori të thjeshtë, që për objekt raportimi ka pasur ruajtjen nga dëmtimi të farërave të bukës apo rendimentin e të mbjellave në kooperativë, ose reagimet e njerëzve në radhët e qumështit dhe në dyqanet e fruta-perimeve, apo të mishit; ruajtjen nga zjarri të objekteve kulturore dhe ekonomike me rëndësi; të ushtarit a oficerit që shërbente në reparte speciale si fjala vjen në lokacion ose në nëndetëse etj.

Domosdo,kur flasim për hapje dosjesh, gjykimi im shkon së pari veçanërisht në atë kategori apo individë që janë ndjekur dhe kontrolluar vite radhazi si agjentë në shërbim të zbulimeve të huaja dhe mendimi im vjen i tillë, pikërisht për problematikën që mbart qenia e tyre në politikë ose pranë saj; ndaj dhe këmbëngul që hapja e dosjeve duhet të nisë pikërisht këtu. Opinioni publik ka të drejtë të mësojë të vërtetën për gjëra që përfliten fort në këto kohë, ndërsa politika do të gjejë aty mundësin të mënjanojë dhe përjashtojë nga vetja të keqen e madhe…

 

Ju mendoni se politika nuk ka qenë e interesuar përgjatë këtyre viteve që të hapë dosjet e Sigurimit të Shtetit. Një politikan ka deklaruar dikur se janë zhdukur dosjet e Sigurimit, por dhe ato të agjentëve të UDB dhe shërbimeve të tjera të huaja?

Deklarata të tilla kemi dëgjuar reciprokisht,e meqë ju i shmangni emrat kështu do ta bëj edhe unë, por nuk mund të jetë kjo e gjitha; më tepër kur marrim në konsideratë çfarë nënkuptohet pas tyre.

Kam folur dhe herë të tjera, shërbimet sekrete e kanë në praktikën e punës së tyre asgjësimin e dosjeve pa vlerë operative dhe historike, ndaj përmes akteve normative u njihej e drejta e asgjësimit, që në çdo rast realizohej përmes një komisioni, i cili nënshkruante një proces-verbal ku përmbledhurazi jepeshin elementët me dhe pa rëndësi që përmbante dosja, e cila vendosej të asgjësohej. Të flitet apriori se janë asgjësuar dosje pa shpjeguar çfarë cilësova, kjo nuk do të përkonte me të vërtetën, veçse do të krijonte padashur amulli.

Është tjetër gjë e ashtuquajtura histori e ‘djegies së dosjeve të agjentëve të UDB-së’, deklaruar nga një politikan i së djathtës në emisionin ‘Opinion’ në fundvitin e 1997-ës, hedhur në treg si rrjedhojë e luftës politike brenda llojit, për të kërcënuar në kuptim të dyfishtë njerëz me pushtet në partinë e tij. Ashtu sikurse sot, të gjithë e dimë që në segmente të njohura kohore, ndërmjet Azem Hajdarit dhe Sali Berishës ka pasur mosbesim reciprok dhe kontradikta të mëdha, siç ndodhte ngahera midis Hajdarit dhe Bashkim Gazidedes.

Kjo është pra gjithë ajo çfarë mund t’ju them, përsa më pyesni.

 

Folët në fillim për tentim të manipulimit me dosjet dhe burgosjet tuaja. Për atë opinion të rinjsh që nuk e njeh këtë të vërtetë, bërë prezente nga ju në kohë, lutem risillni në vëmendjen e tyre diçka…

Rasti më flagrant gjatë hetuesisë së zhvilluar nga kryetari shërbimit sekret, Bashkim Gazidede (ndërkohë me ligj atij i ishte ndaluar ta bënte këtë), lidhej me një grup deputetësh të partisë së tij dhe jo vetëm, që pak më vonë disa prej tyre do të përfaqësonin një grupim politik të njohur ndryshe si ’mocionistë’, të cilët hodhën në forumet drejtuese të partisë së sapo ardhur në pushtet, ide dhe propozime që në thelb synonin largimin e Sali Berishës nga drejtimi PD-së dhe demokratizimin e saj.

Të gjendur nën këtë realitet politik, në funksion të qëllimit, nën akuza farsë u realizua së pari arrestimi im, i cili në fakt nuk lidhej me asgjë veç synimit djallëzor të manipulimit me dosjet, për të akuzuar lehtazi pas kësaj ‘mocionistët’ si njerëz të vënë në shërbim të Sigurimit. Në funksion të trillit, u ideova pikërisht unë, pasi për disa vite kisha kryer detyrën e punonjësit të shërbimit sekret brenda radhëve të inteligjencës universitare(ku thuajse shërbenin apo punonin të gjithë ‘mocionistët’), me qëllimin e vetëm se kështu justifikohej e motivohej më mirë goditja e tyre politike, pra përjashtimi sikurse ndodhi në realitet, duke sfumuar ndërkaq edhe qëndrimet kundra apo vetë mocionin, e bërë gjoja nën diktatin dhe presionin e Sigurimit të Shtetit. Në këtë klimë pra, hetohesha unë në birucë, ndërkohë që në shkrimet redaksionale të RD-së,’mocionistët’ dhe të tjerë pranë tyre akuzoheshin si individë të vënë nën diktatin tim apo në shërbim të Sigurimit të Shtetit, kur në të vërtetë, gjithë çfarë ndodhte ishte një trill i paramenduar dhe realizuar nga kryetari shërbimit sekret Bashkim Gazidede, nën dirigjimin e plotë të ish presidentit të vendit dhe ish kryetarit të PD, Sali Berisha. Po të lexoni RD-në e asaj kohe, do të shihni me saktësi se gjithë çfarë përmenda në përgjigje të pyetjes suaj, gjendet si akuzë e botuar aty.

Por problemi nuk mbyllet këtu. Mbas viteve divorc politik midis tyre,kur Sali Berisha do të rikthehej në pushtet dhe do të bëhej kryeministër, harroi ç’kish thënë e bërë ndaj tyre, ndërkohë që vetë këta do të pranoni të shërbenin nën hyqmin e tij. Për të mos u marrë me secilin, do të përmend shefin e kabinetit të Sali Berishës, mjaft të përfolur në shtypin e gazetës së partisë së tij në ato kohë, i cili sikur të mos kishte ndodhur gjë, pak më vonë u do të bëhej deputet dhe ministër i rëndësishëm në qeverinë e Sali Berishës. Por çfarë nuk bëri ish kryeministri, ishte ndjesa publike ndaj akuzave të pamoralshme jo vetëm kundër ministrit të kabinetit të tij, por dhe të tjerëve të akuzuar si ai, sikurse në një tjetër kuptim, duhej të vepronin këta të fundit ndaj meje, të paktën në shenjë kujdesi njerëzor për sëmundjet e fituara nga burgjet e bëra dikur (tre të tillë) në mbrojtje të tyre; kur pavarësisht masave shtrënguese dhe raprezaljes familjare, në asnjë rrethanë nuk pranova të bëhesha pjesë e manipulimeve të ofruara, duke ruajtur dinjitetin tim, por pas kësaj dhe të tyre.

Të njëjtën gjë tentoi të realizojë Gazidede edhe ndaj ish kryetarit të Kuvendit të atëhershëm, i cili pavarësisht krahut politik ku gjendet sot, në ato kohë të burgosjeve të mia dhe djallëzive ndaj tij për ta implikuar si gjoja të lidhur me Sigurimin, përsëri unë nuk pranova të bëhesha pjesë e intrigës.

Në këtë kohë të çuditshme, shpërblehet mirë tradhtia e ligësia dhe kjo nuk justifikohet thjesht me pragmatizmin; vlen të kujtoj si pushtohen e mbushen ekranet e televizioneve për të na prezantuar herë pas here me krenari të ikurit e radhës nga një parti në tjetrën. Kjo është e vërteta e shëmtuar e jetës, pavarësisht pozicionit që shtyhen këta njerëz drejt interesit të pa moral, çka nuk flet pak…

 

Atëherë, kur duhet të hapen dosjet dhe kur do ta shohë këtë publiku shqiptar?

Çështja e hapjes së dosjeve, në opinionin tim duhet të nisë pikërisht me kategorinë për të cilën fola në fillimet e kësaj

Luan Pobrati

Luan Pobrati

interviste, pra të agjentëve në shërbim të zbulimeve të huaja; nga s’do të jetë çudi të mësojmë se brenda tyre do mund të gjejmë edhe ndonjë të mbuluar me pasuri, që për të justifikuar parat e marra në vite në formë shpërblimi nga zbulimi të cilit i ka shërbyer dje, do të na mbushë mendjen se gjoja paratë i ka siguruar përmes djersës së derdhur në punën apo biznesin e tij. Pikërisht dosjet e këtyre njerëzve duhet të hapen së pari.

Së dyti, sekretarët e byrove të PPSH, apo atyre të Rinisë në qendër e rrethe, në institucione me rëndësi të së shkuarës, si vende ku përpunohej qëndrimi dhe grumbullohej informacioni nga organizatat bazë të partisë e rinisë për individë dhe çështje të caktuara objekt i punës së Sigurimit, ose pjesë e politikës së goditjes.

Jo rastësisht tërheq vëmendjen në hapjen e dosjeve të tyre, pasi të gjithëve na ka bërë përshtypje fakti se një pjesë jo e vogël e individëve të kësaj përmbajtjeje, pas rënies së diktaturës u përfshin në politikë e u morën me biznes, duke i bërë ndërkohë të dyja, ndonjëri bile në ujdi e ortakëri të dyshimtë dhe me Hajdin Sejdinë, për të vazhduar sipas radhës me të tjerë, nga lind e drejta të pyes: Si mundet që një pjesë e ish sekretarëve tipikë të organizatave të partisë dhe disa të tillë të rinisë në qendër e në rrethe, janë sot persona me rëndësi të politikës shqiptare ose me ndikim të dukshëm rreth saj, për më tepër kur këta apo familjarë të tyre u bënë dhe biznesmen të suksesshëm?!

Unë nuk ndjek nga pas ‘vaskat e florinjta’ dhe as kam zili ndaj tyre, siç nuk urrej të pasurit apo njerëzit e bizneseve të suksesshme, sikundër nuk i kam ata lakmi. Por tek shoh ish kolegët dhe shokët e mi të moshës dhe punës së përbashkët, që për pak vite shërbyen në shërbimet sekrete të kohës, atëherë kur Sali Berisha sa kishim ne moshën në nëntëdhjetën, ai kishte vjetërsinë në parti; tek konstatoj se shumica e tyre rrojnë në varfëri, njësoj të paragjykuar si dikur ata të shkollës së Fulcit, nuk mund të mos flas e të mos tërheq vëmendjen për çka nuk shkon e fshihet qëllimisht në këtë botën e politikës së Shqipërisë tonë të vogël, kur në fjalë është barazia përballë të drejtave dhe lirive të njeriut e individit…

 

Mos doni të thoni që kjo kategori ka dominuar jetën ekonomike dhe politike të vendit, dhe nuk janë ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit dhe sigurimsat e thjeshtë ata që e dominojnë sot atë?

Meqë s’më keni kuptuar sa duhet, në plotësim të mendimit për çfarë u shpreha më sipër, do të them pak gjëra që detyrohem t’i ekspozoj e bëj publike sado të mos pëlqehet, në respekt të kolegëve dhe shokëve të mi, me të cilët për disa vite pas ‘97-ës, shërbeva brenda detyrës së kryeinspektorit të shërbimeve inteligjente ku konsiderata nga shërbimet potente partnere ndaj punës dhe profesionalizmit të tyre vinte e tillë që nuk lidhet aspak me qëndrimet që mban politika; ajo e shkuara dhe kjo e tashmja.

Kam thënë ndoshta dhe herë tjetër, që brenda radhëve të punonjësve të shërbimeve sekrete gjenden njerëz të ditur, patriotë e atdhetarë si kudo tjetër dhe nuk kuptoj kush është ajo dorë që kërkon t’i dallojë e veçojë këta për keq, sikur të mos kenë shërbyer në ruajtje të sigurisë e pavarësisë së vendit dikur, qoftë kjo dhe në kohën kur brenda ekzistencës së Luftës së Ftohtë, tentohej të cënohej Shqipëria dhe kufijtë tanë lakmoheshin si të asnjë vendi tjetër.

Por përsëri, problemi nuk mbyllet këtu. Drejtues politikë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sikundër politikanë apo shtetarë të rëndësishëm andej e këtej kufijve të sotëm, njohin dhe kanë në arkivat e tyre veprimtarinë atdhetare dhe të këtyre punonjësve mbi të cilët kanë dijeni dhe informacionin përkatës shërbimet partnere të atyre vendeve, që me kontributin e tyre ndihmuan e ndikuan fuqishëm në fitoren e pavarësisë së Kosovës.

Pyetja ime vjen natyrshëm, përse këta personalitete,në daç të themi politikanë me ndikim andej dhe këtej kufirit, pushtetarë të rëndësishëm, nuk ndërhynë ose të paktën të dëshmojnë të vërtetën, për të mos ndodhur pas kësaj veç njohjes, lënia rrugëve e këtyre njerëzve, përfaqësues të heshtur të të qenurit patriot.

Për ta mbyllur, me një tjetër konstatim dhënë nga shërbimet partnere me rëndësi për Shqipërinë, pas studimit prej tyre të dosjeve në arkivin e Shërbimit,i cili ishte afërsisht i tillë: ”Pavarësisht sistemit dhe presionit politiko-ideologjik në të cilin kanë punuar në të shkuarën, profesionistët e shërbimeve sekrete shqiptare, në raport me kohën dhe ligjet e saj, kanë punuar duke i zbatuar ato me rigorozitet…”.

Çka thashë e fola më sipër lidhet me brezin tim, i cili i bashkohet natyrshëm kërkesës për hapen e dosjeve, që veç të tjerash ndihmon të shihet thellë kush lejon të përjashtohen, se ndryshe nuk zbulohet hipokrizia…

 

Çfarë mund të ndodhë nëse hapen dosjet e Sigurimit të Shtetit, në rrethana kur ndoshta nuk bëhet seleksionimi i duhur?

Për mua mbetet me mjaft rëndësi realizimi i proçesit përmes seleksionimit, pasi në të kundërt do të vendosnim veten në rrethana të tilla që, jo vetëm do të pengonin qëllimin e vërtetë të hapjes së dosjeve, por do ta kompromentonin çështjen në banalitete që nuk do t’i hynin askujt në punë. Në këtë logjikë, unë jam dakord dhe mbështes plotësisht qëndrimin e ambasadorit gjerman, i cili tërheq vëmendjen për t’u marrë në konsideratë dhe shqetësimet e problemet që mund të lindnin nga ndërmarrja e kësaj iniciative. Të mos harrojmë, ai është përfaqësuesi i një vendi që ka eksperiencën në hapjen e dosjeve, ndaj më ka tërhequr vëmendjen deklarata e tij.

Do të ofroj një shembull: Dikur kam thënë se në hapjen e dosjeve duhet të tregohemi të kujdesshëm që plagëve të vjetra të mos u shtojmë të reja që të na kthehen në bumerang. Dhe kam marrë si shembull Postribën, e cila është shpallur komunë “Nderi i Kombit” për rezistencën antikomuniste të saj. Nga ana tjetër, hapja e dosjeve pa marrë në konsideratë rrethanat, mund ta kompromentojë këtë, pasi brenda sistemit të kohës kur ndodhi rezistenca, që të mos përsëritej, pra të mos ndodhte një ‘Postribë 2’, Sigurimi i Shtetit mbolli aty masivisht agjenturën e vet. Tani vërtet gjen në Postribë rezistencën e parë antikomuniste në Shqipëri, por ndërkaq do të gjejmë dhe Komunën e parë të mbushur plot agjentë sigurimi për nga numri popullsisë në vend, e cila duam-s’duam do të kompromentonte titullin e dhënë.

 

Por çfarë problemesh konkrete mund të shkaktojë hapja e dosjeve në Shqipëri?

Unë diskutoj duke tërhequr vëmendjen në atë çfarë e shqetëson dhe ambasadorin gjerman. Nga ana tjetër, diçka të tillë ka thënë edhe historiani i njohur amerikan Fisher, i cili na kujton se jemi vend i vogël, ku për njëmijë arsye probleme të kësaj natyre nuk mund t’i kapërcejmë lehtë. Ne jemi të gjithë të njohur dhe kushërinj me njëri-tjetrin; kemi zakonet, traditat, mentalitetin dhe temperamentin tonë. Hapja pa vëmendjen e duhur të dosjeve, e cila kërkon me domosdo dhe kulturën e vet… Ndaj në komisionin e hapjes së tyre duhet të ketë psikologë, politologë, profesionistë të shërbimeve sekrete sikurse punonjës të shoqërisë civile, intelektualë etj., për të parë e analizuar nga afër të gjithë problematikën që mbart në vetvete një veprimtari e tillë.

 

Kemi dhe një kategori të goditur shumë nga ata që kanë bashkëpunuar me Sigurimin, ajo e ish-të përndjekurve dhe ish-të burgosurve politikë. Ju ç’mund të thoni?

Dëgjojmë shpesh të thuhet se më të goditurit e të implikuarit nga hapja e dosjeve do të jenë ish-të përndjekurit dhe ish-të burgosurit politikë, se për t’i kontrolluar këta, nga radhët e tyre ngrihej agjenturë. Ky është princip pune në shërbimet sekrete dhe në këtë kuptim nuk thuhet gjë për herë të parë. Por nuk janë më pak ‘të rrezikuar nga kjo e keqe’ dhe të ashtuquajturit antisocialistë,apo elementi antiparti, terma që përdoreshin rëndom në gjuhën profesionale të së shkuarës, kur bëhej fjalë për të përpunuar e kontrolluar këtë kategori, nga tërhiqeshin në bashkëpunim njerëz me biografi shpesh dhe të mirë siç kishin qenë më parë këta. Kurse për të përpunuar e kontrolluar elementët antiparti, në raste jo të rralla tërhiqeshin në bashkëpunim dhe komunistë. Prandaj hapja e dosjeve do të çudisë ndonjë kur të mësojmë se njerëz me kravata të kuqe mund të dalin bashkëpunëtorë të Sigurimit, sikurse kishte të tillë deri pranë Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë.

 

Po ata njerëz që kanë dhënë informacion, duke kontribuar për Sigurimin nga jashtë vendit, rrezikojnë të dekonspirohen?

Në interes të kujt do të jetë kjo që përmendët, kur një çështje e natyrës për të cilën pyesni siç janë dhe bashkëpunëtorët e shërbimeve sekrete me kontribute në luftë ndaj zbulimit të huaja, që kanë rrezikuar deri jetën e tyre për sigurinë e Shqipërisë qoftë dhe dje, t’i hedhim kaq lehtësisht në duart e atyre zbulimeve të huaja kundër të cilëve kanë kanë informuar këta, kur vendi ka qenë i rrezikuar? Veç mos mirënjohjes, nuk do të gjeja dot tjetër arsye, përse duhet të bëhet kjo…

 

Ju i mëshoni idesë që duhet të tregohemi të kujdesshëm në hapjen e dosjeve. A ka në politikë njerëz me dosje?

Në qoftë se nuk tregohemi të kujdesur, të matur, të vëmendshëm, por dhe të urtë në kuptimin logjik të fjalës, do të gabonim rëndë.

Çfarë dua të them me këtë: Kam mbuluar për disa vite kontrollin e të huajve që vinin në Shqipëri, brenda detyrës të zv.drejtorit të përgjithshëm të Turizmit, numri i të cilëve në raport me atë masë të madhe që vijnë sot, ishte relativisht i ulët; por për kontrollin e tyre veç formave të tjera të punës operative përdorej gjerë dhe shoqërues-përkthyesi, pjesë e dallueshme e tyre gjatë këtyre viteve të demokracisë mbetet prezent në politikë, në kabinete qeveritare, parlament e deri ish kryeministra apo presidentë të vendit. Po të gjykonim me egërsi dhe të spekullohej me hapjen e dosjeve, besoj kushdo e kupton çfarë dëmi do të krijonim nën zullumin e madh të pleksjes me të shkuarën. Prandaj mendoj dhe flas për maturi e kompetencë të lartë, sepse në të kundër ish presidentë të këtij vendi, ndonjë ish kryeministër, ministra dhe parlamentarë në qeverinë e djeshme dhe të sotme, të cilët në periudha të caktuara, dikush më shumë se dhjetë vjet rresht, janë përdorur e kanë shoqëruar grupe të huajsh, ishin të detyruar të raportonin imtësisht me shkrim për çfarë dëgjonin dhe në fund, para largimit të tyre informonin në mënyrë konkluduese për persona që u kishin tërhequr vëmendjen duke dhënë mendimin e tyre që shkonte deri aty, për të mos u lejuar të vinin më në Shqipëri.

Po nuk treguam kujdes, a nuk kuptohet deri ku mund të vejë “thika”? Prandaj them maturi; vëmendje; kujdes; pjekuri për t’i marrë gjërat në logjikën e tyre, në evoluimin që gjithkush ka bërë me kohën dhe kur problemi gjykohet kështu, atëherë pyes: Kush e ka të drejtën pas kësaj të pengojë ish kolegët e mi të sprovuar për korrektësi, ndershmëri e të papleksur në krimet e diktaturës, të punësohen brenda profesionit të tyre, për të jetuar si çdo kush në Shqipëri pa u paragjykuar e penalizuar padrejtësisht, deri dhe moralisht?

December 2, 2014 09:32
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim