Luan Qerimi u fliste spektatorëve me magjinë e rolit që luante

March 8, 2018 18:39

Luan Qerimi u fliste spektatorëve me magjinë e rolit që luante

Nga Dhimitër Shtëmbari

I lindur në Lushnjë më 15 tetor të vitit 1929, Luan Qerimi (Artist i Merituar) do ta kalonte fëmijërinë në mënyrë aktive mes moshatarëve të vetë myzeqarë. Me dhuntinë që i kishte dhuruar natyra, do të binte në sy jo vetëm para nxënësve të qytetit, por edhe para autoriteteve që merreshin me artin dhe kulturën në rreth. Të vegjëlit e tjerë merreshin edhe me ndonjë tregti të vogël, Luani kohën e shfrytëzonte me vjersha e me skeçe.

Dhe talenti e drejtoi në rrugën e bukur të artit. Ishte kjo arsyeja që punonjësit e shtëpisë së kulturës të rrethit e aktivizuan që herët në lëvizjen amatore. Që në këtë moshë fare të njomë ai nisi të kristalizojë profilin e aktorit të ardhshëm.

Në repartin ushtarak ku e dërguan për të kryer shërbimin e detyrueshëm, Luan Qerimi do të shquhej për aftësi të veçanta aktoreske. Bëhet fjalë rreth vitit njëmijë e nëntë qind e pesëdhjetë. Ishte koha, kur institucionet më të larta të artit në kryeqytet kërkonin e zbulonin talente për t’í tërhequr në gjirin e trupave të tyre.

Në veprimtaritë e organizuara midis reparteve ushtarake, djaloshi i ardhur nga Lushnja spikati dukshëm ndër të tjerë. Ndërkohë që vazhdonin të grumbulloheshin pranë institucioneve qendrore kulturore të sapokrijuara, nuk kishte arsye që të mos ftohej edhe ky talent tashmë i afirmuar.

Në vitin 1954, kur ishte njëzet e pesë vjeç, Luan Qerimin e gjejmë aktor në trupën e Teatrit Popullor. Edhe pse nuk kishte arsim profesional, ishte dinjitoz në mesin e atyre që kishin provuar skenën.

Sepse Luani kishte më kryesoren: talentin si aktor.

Optimist në rrugën e bukur të artit dramatik

Nuk kishte qënë e lehtë për aktorin e ri, Luan Qerimi, të ngjitej në skenën e Teatrit Popullor. Nuk kishte qënë e lehtë, se tashmë do të ishte nën kërkesat profesionale të regjisorit dhe nën vështrimin pretendues të mijëra spektatorëve. Por aktori i ri flinte me një ëndërr dhe zgjohej me një qëllim.

Roli i parë në skenën e Teatrit Popullor ka qënë ai i një fshatari në dramën “Haxhi Qamili”. Që në këtë hap të parë të hedhur në rrugën e vështirë të artit, djaloshi njëzetëpesëvjeçarë i ardhur nga Lushnja do të tërhiqte vëmëndjen e spektatorëve. Nuk i harronte ato urimet e para. Madje i merte si këshilla. I merte si mesazhe për më shumë punë.

Në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës Luan Qerimit i besohet roli i një fshatari. Vërtet rol episodik dhe i thjeshtë, por ky aktor i ri i dha frymë, i dha shpirt.

Dhe la gjurmë në kujtesën e spektatorëve. Sepse foli me gjuhën e bukur të artistit.

Me rolin e vetë plotësoi konturin artistik të komedisë.

Dhe përsëri mori përgëzimet e regjisorit. Kjo i shtoi entusiazmin. E bëri edhe më shumë optimist për të ardhshmen.

Çdo roli i jepte unin e vetë

Kritika letrare e kohës ka pas vënë në dukje, se Luan Qerimi çdo roli që luante i jepte unin e vetë. E mbushte me mendim. E zbrazte nga falsiteti. E vishte me ndjenjë, e zhvishte nga vulgariteti. Shkurt, krijonte karaktere.

Me të gjitha figurat që krijonte Luan Qerimi synonte të linte gjurmë në ndërgjegjen e spektatorëve. Nuk mund të harrohet figura e Palit te drama “Cuca e Maleve” e shkrimtarit Loni Papa, vënë në skenë nga i madhi Piro Mani, Artist i Popullit. Ky rol – vëllaj i cucës, i qe besuar pikërisht këtij aktori, sepse fizikisht ishte shumë simpatik, ndërkohë që moralisht ishte me botë të madhe shpirtërore. Ajo çka deshte të thoshte autori i dramës dhe ajo çka mendonte të përçonte te spektatorët regjisori, mund t’i realizonte ky aktor me prirje të shumta artistike. Dhe i realizoi.

Ndërsa luante në skenë, ky aktor shprehte dhimbje, por edhe durim, shpërfaqte brerje shpirtërore, por edhe optimizëm, manifestonte zemëratë, por edhe vetëpërmbajtje. Para spektatorëve dilte një malsor, që përligjte kohën. Një malsor, që nuk ishte thjesht një si i tillë, por çdo malsor i atyre viteve. Një malsor që duhej të ishte nga gjaku i së motrës, por të ishte, njëkohësisht, edhe nga shpirti i pastër i të gjithë të tjerëve.

Dhe Luani u shkoi spektatorëve si njëri tepër i besueshëm.

Te spektatori shikonte edhe autorin, edhe regjisorin

I dashuruar mbas skenës, Luan Qerimi jetonte njëherësh përgjegjësinë ndaj autorit të dramës, regjisorit të pjesës skenike e, po kaq, edhe përgjegjësinë para spektatorëve. E dëgjonte me shumë respekt regjisorin, u kushtonte vëmendje këshillave të kolegëve, por ky aktor sillej si nxënës kokëlulur para spektatorëve. Në fund të fundit, ai e dinte se një dramë e vënë në skenë është “bukë” që gatuhet për ata që vijnë në sallë për të ndjekur shfaqjen.

Ishte një ndërmarrje e vështirë të vije në skenë dramën “Arturo Ui” të Bertolt Brehtit. Ishte e tillë kjo ndërmarrje, sepse përmes magjisë së fjalës do të mund të zbuloheshin përplasja e karaktereve. Në rolin e Ernesto Romës Luani arriti të ngrihej në lartësinë e të gjitha figurave të tjera të kësaj drame, figura që luheshin në atë kohë (vitet shtatëdhjetë) nga aktorë të mëdhenj të Teatrit Popullor. Duke e luajtur me logjikë të shëndoshë aktoreske, ky aktor mundi t’i kontribuonte në mënyrë të shkëlqyer tërë ansamblit teatror.

Në duartrokitjet e stuhishme të spektatorëve në fund të shfaqjes, Luani nuk mund të mos mendonte se ato i takonin edhe atij.

Te të gjitha shfaqjet teatrore Luan Qerimi “lexonte” vetveten.  Teksa luante, mbas çdo batute apo mbas çdo lëvizjeje në skenë, ai kontrollonte vetveten nëpërmjet spektatorit në sallë. Me vështrimin deri në rreshtin e fundit dhe me mendimin te këshilla e regjisorit, ai e pushtonte tërë sallën për të komunikuar me gjuhë artistike me secilin nga ata që ndiqnin shfaqjen.

Siç tregojnë mjaft nga kolegët e tij, Luani ka qënë ndër aktorët e preferuar të regjisorëve. Sepse këta shikonin te ky artist punëtorin e palodhur, që i shkonte deri në skalitje rolit të vetë.

I njëjtë si njëri, i ndryshëm si aktor

Duke veshur kostumin e rolit, Luan Qerimi bëhej i “ndryshëm”: fshatar, malsor, intelektual, kuestor, afarist, vagabond… Të tillë e kishe gjatë atyre dy orëve në skenë. Domethënë, tjetër njëri. Ndërsa në jetën e përditshme mbetej një qytetar i zakonshëm. Me edukatë e kulturë si çdo tjetër njëri që sillet me norma dhe ligje.

Të luaje me aktorë të mëdhenj të kohës, si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Sandër Prosi, Naim Frashëri, Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Violeta Manushi, Ilia Shyti etj., nuk ishte e lehtë. Madhështia e këtyre kish rrezik të ta linin në hije. Të stononte. Por jo. Falë talentit që kishte, por edhe punës së madhe që bënte, Luan Qerimi rreshtohej denjësisht krah tyre. Dhe nuk ka qënë rastësi që pat merituar titullin Artist i Merituar.

Që në hapat e para të rrugës së vet aktoreske, Luante bënte kujdes  që të tjerët të dallonin qart Luanin – njëri nga Luani – aktor. Spektatori e pat duartrokitur nxehtësisht teksa pat luajtur një rol interesant në dramën “Haxhi Qamili”, kjo në vitin 1954 . Role mbresëlënëse, sidoqë jokryesore, pat luajtur në tragjeditë shekspiriane “Hamleti”, “Otello” etj. Krejt i tjetërsuar pat luajtur në dramën “Toka jonë” të Kolë Jakovës, në dramën “Përleshja” të Xhemal Brojës, në  dramën “Orët e Kremlinit” të N. Pogodinit. Këtë aktor nuk e tjetërsonte thjesht veshja apo makiazhi. Në radhë të parë, e bënte “tjetër” njëri ajo çka i buronte nga brenda shpirtit.

Artisti i Merituar Luan Qerimi ngjiti në skenë njëriun e besueshëm. Njëriun e autorit. Njëriun e regjisorit. Spektatori gjente te çdo rol i këtij aktori tipin që mund të kishte ndeshur në jetë.

Pikërisht këtu qëndronte edhe suksesi i këtij aktori.

I pranishëm thuajse në shumicën e shfaqjeve

Me një veprimtari teatrore prej vitit 1954 e deri në vitin 1990 dhe, në mënyrë sporadike – edhe mbas këtij viti, Luan Qerimi mbetet një artist me emër shumë të nderuar. Mbas vitit 1954 do të luante në disa nga tragjeditë e Shekspirit. Në vitin 1960 luajti në dramën “Dragoi i Dragobisë” të Xhemal Brojës. Në vitin 1964 ka luajtur në komedinë “Karnavalet e Korçës” të Spiro Çomorës.

Kohë më pas ka luajtur në dramat  “Qielli i kuq” të Toufik Çaushit, “Tri të shtëna pushke” të Ibrahim Uruçit, “Përkolgjinajt” të Kolë Jakovës, “Cuca e Maleve” të Loni Papës,“Heronjtë e Linasit” të Sulejman Pitarkës (Artisti i Popullit ), “Shokët” të Bashkim Kozelit, “Viti 61” të Fadil Paçramit , “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, vënë në skenë prej Piro Manit (Artist i Popullt”, “Tymëra që pastrohen” të Zisa Cikulit, “Epoka para gjyqit” të Ekrem Kryeziut, “Komunistët” të Ruzhdi Pulahës etj., etj.

Ndërkohë, vendi i tij i punës ishte jo vetëm skena e Teatrit Popullor, por edhe Radiotelevizioni Shqiptar e deri skenat e ndryshme të disa ndërmarrjeve ekonomike të kryeqytetit.

E çmonte shumë kohën e punës. Te koha për t’u marrë me aktrim gjente rrugën për të bërë vetëm përpara.

Me role tepër të spikatura edhe në filma

Një talent i tillë si Luan Qerimi nuk mund të mos ftohej nga ana e regjisorëve të njohur për të luajtur në krijimtarinë kinematografike. Edhe pse jo në role kryesore, ai ka luajtur që në krye të herës në filmin “DEBATIK”, “Toka jonë”, “Vitet e para”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Fijet që priten”, “Shëmbja e idhujve”, “Nëntori i dytë” ,” “Besa e kuqe” e deri te filmi më i fundit “Vdekja e kalit”. Shtojmë këtu, se është kontribues edhe në filmin “Qëndresa 2”, një prodhim kinematografik i firmës “Kosova – film”.

Çfarë të bën përshtypje te rolet e Luan Qerimit në shumicën e filmave ku ka luajtur?

Të bën përshtypje natyrshmëria e tij. Luan thjesht. Pa poza. Luan në mënyrë të sinqertë, pa u kompleksuar. Luan e flet si në jetë, jo me gjuhë teatrore. Të krijohet përshtypja, se në mjaft role është xhiruar në mënyrë të beftë, jashtë artificialitetit që mund të të ndikojë kamera. Kujtoni filmin interesant “Lulëkuqet mbi mure”. Nuk mund të të hiqet nga mendja figura e Kuestorit. Luani është futur plotësisht në lëkurën e rolit: shërbëtor i bindur i fashizmit, serioz dhe i palëkundur në mendësitë që mbron, i ashpër e deri cinik ndaj atyre që i konsideron kundërshtarë për vdekje të kauzës së vet.

E ndjek lojën e tij e të bën përshtypje edhe fakti tjetër, se ky aktor është i lirshëm edhe në lëvizjet që kryen në skenë, lëvizje këto që shkojnë në shërbim të asaj që interpretohet dhe të asaj që synohet të arrihet. Në rolin e Kalosh Camit te filmi “Shëmbja e idhujve” ky aktor gati na sugjestionon me figurën e arrirë të malsorit të kohës. Dhe ne harrojmë për një çast se kemi të bëjmë me një aktor që luan malsorin, duke menduar se përpara kemi vet malsorin e vërtetë, luajtur nga një aktor.

  Tepër i njohur, edhe pse i padukshëm

Veç se në skenë e në ekran, Artisti i Merituar Luan Qerimi ka luajtur mbi 200 role në “Teatri në mikrofon”, siç ka kontribuar edhe në emisionet “Heroizmi i popullit tonë në shekuj” dhe “Fjala artistike në mikrofon”.

Zëri i tij karakteristik, i artikuluar qartë, bukur dhe me një timbër të ëmbël, i përciell te dëgjuesit më theksa të fuqishëm tonik e logjik, ka pas bërë për vete mijëra dashamirës të artit.

Gjatë mbrëmjes së të mërkurave të çdo jave një pjesë e mirë e qytetarëve ndiqnin me shumë dëshirë emisionin “Teatri në mikrofon”. Në mesditën e çdo të diele artdashësit kishin mundësinë të ndiqnin gjatë një gjysëm ore “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”. Një dëgjues i vëmendshëm arrinte ta shquante zërin e veçantë të Luan Qerimit.

Herë mbas here ky aktor do të deklamonte vargje nga poetët tanë më të mirë.

Ne të brezit të asaj kohe këto emisione i kujtojmë me shumë nostalgji, sepse kemi parasysh edhe lojën mbresëlënëse të këtij aktori shumë të talentuar.

Disa nga rolet që ka luajtur në filmat shqiptarë:

DEBATIK

Toka jonë

Vitet e para

Lulëkuqet mbi mure

Fije që priten

Shëmbja e idhujve

Nëntori i dytë

Besa e kuqe

Zambakët e bardhë

Gracka

Koha nuk pret

Eja

Telefoni i një mëngjesi

Shpella e piratëve

Vdekja e kalit

Qëndresa 2

Etj.

 

March 8, 2018 18:39
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*