Lufta antifashiste dhe legjitimimi i rendit politik të pasluftës (II)

May 7, 2019 11:52

Lufta antifashiste dhe legjitimimi i rendit politik të pasluftës (II)

Prof. Fatos Tarifa

Vakuumi politik dhe udhëheqja karizmatike

Së treti, vakuumi politik që u krijua në Shqipëri dhe në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore kontribuoi në mënyrë vendimtare në marrjen e menjëhershme të pushtetit nga komunistët. Këtu duhet marrë në konsideratë, gjithashtu, natyra karizmatike e Titos dhe e Hoxhës, gjë që, sidomos në periudhën post-revolucionare, pas mbarimit të Luftës, luajti një rol të rëndësishëm, duke krijuar një bazë më të qëndrueshme për legjitimitetin dhe autoritetin e tyre politik sesa në vendet e tjerë të Europës Lindore. Ky faktor pati një rëndësi të veçantë, si për krijimin e bazës së legjitimitetit për regjimet komunistë të Titos dhe të Hoxhës, ashtu dhe në përcaktimin e rrugëve të tyre të pavarura, ikonoklastike gjatë dekadave që pasuan (Latey 1989; Glenny 1990; White 1993). Siç vinte në dukje Milovan Djilas (1957) në atë  kohë, “atje ku një revolucion komunist ka arritur fitore në mënyrë të pavarur, është e pashmangëshme një rrugë zhvillimi e veçantë”.

Asnjëri prej regjimeve komunistë në Europën Qendrore Lindore (me përjashtim, ndoshta, vetëm të regjimit të Gomulkës në Poloni), nuk krijoi një autoritet karizmatik përmes “kultit të individit” të udhëheqësve të tyre, siç ndodhi me Titon në Jugosllavi dhe me Hoxhën në Shqipëri. Këta të fundit konsideroheshin, nga një masë e gjerë e popullsisë, si udhëheqës të vërtetë popullorë dhe shiheshin prej saj si mishërim i revolucionit, si heronjtë që i kishin udhëhequr popujt e tyre në luftën kundër mizorive të pushtuesve fashistë e nazistë dhe në përpjekjet për të dalë nga prapambetja e së kaluarës autoritariste. Si të tillë, Tito dhe Hoxha u bënë dhe mbetën gjatë gjithë jetës së tyre fokusi personal i autoritetit politik. Megjithatë, siç argumenton me të drejtë Fukuyama, në vitet e parë të ekzistencës së tyre, “regjimet revolucionarë mund të qeverisin në mënyrë efektive për shkak të asaj që Max Weber e quante autoritet karizmatik. Por, pasi themeluesit e këtyre regjimeve janë larguar nga skena, nuk ka garanci se pasuesit e tyre do të gëzojnë të njëjtin autoritet, madje as se ata do të kenë aftësitë minimale për të qeverisur vendin” (Fukuyama 1993: 115).

 

Në anën e të fituarve: “kalorës të lirisë dhe kampionë të liberalizmit”

Së katërti, ndër të gjithë vendet e Europës Lindore, Shqipëria ishte vendi më i prapambetur nga pikëpamja ekonomike e shoqërore. Kjo rrethanë, nga njëra anë, ndikoi që lëvizja partizane, e drejtuar prej komunistëve, të gjente një mbështetje të fortë popullore, sidomos në radhët e fshatarësisë, të shtresave të varfra të qyteteve e të rinisë, gjendja e të cilave ishte, pa dyshim, më e vështira. Askush nuk e ka përshkruar më mirë dhe më vërtetësisht sesa Ismail Kadare atmosferën në të cilën komunistët shqiptarë morën pushtetin në vendin e tyre, prandaj më lejoni të citoj më poshtë një pasazh të gjatë prej tij:

“Kur Shqipëria…në nëntor të vitit 1944 hyri nën diktaturë me këmbët e veta, kjo hyrje ishte vërtet si në festë…Një atmosferë festive mbretëronte kudo….Ana tjetër e tablosë: drama e të përmbysurve, shpronësimet, gjyqet, burgjet, pushkatimet, dhuna që sa vente zinte rrënjë, mbulohej nga zallahia e festës. Dhe kjo ishte e kuptueshme, përderisa festa e komunistëve shqiptarë ishte e lidhur me një festë botërore: fashizmi po rrokullisej në humnerë. Komunistët shqiptarë ishin në anën e fitimtarëve. Ata…ishin në një front me BRSS, SHBA, Anglinë…Dukej se askush nuk mund t’i gjykonte fitimtarët. Ata ishin me të vërtetë me fat…Por shansi i tyre shtohej nga simpatia që zgjonin qysh në pamjen e parë: shumica e partizanëve ishin të rinj, elegantë, një pjesë e madhe ishin studentë të gjimnazeve. Kishte midis tyre profesorë e studentë që, pasi kishin ndërprerë studimet në Romë, Vienë apo Paris, kishin ardhur për të luftuar, djem idealistë pasanikësh, që të magjepsur nga idetë komuniste kishin mohuar prindër e pasuri; së fundmi, me ta qenë bashkuar priftërinj e klerikë të feve të tjera. Një faktor me peshë të veçantë në krijimin e simpatisë ishin vajzat. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë merrnin pjesë në luftë mijra vajza të reja, shumica nën njëzet vjeç….Ishte vërtet diçka e re, që i bënte të besueshme premtimet e komunistëve, se ata luftonin jo vetëm për çlirimin e vendit, por edhe për ndërtimin e një bote të re. Kështu, fatmëdhenj si përherë, komunistët…dolën më të fortë dhe më simpatikë. Kalorës të lirisë, ata u bënë njëkohësisht kampionë të liberalizmit, të një jete të bukur….Nuk mund të bëhet asnjë shpjegim i asaj çka ndodhi më pas në Shqipëri…pa këtë fillim. Shumica e personazheve të kësaj feste ishin në atë kohë njëzet vjeçarë….Gjithë jeta e tyre, dashuria, lumturia, fëmijët i kanë rrënjët aty. Qofshin ata që u ngritën në poste të larta, qofshin të tjerët, që mbetën të thjeshtë, madje edhe ata që u dënuan më pas, u lidhën me atë stinë nga një nostalgji e pashërueshme. Për shumë prej tyre ora mbeti në vend (Kadare 1995: 152-155).

Mbështetja popullore dhe konsolidimi i pushtetit

Së pesti, rrethanat e përmendura më sipër bënë që arritjet ekonomike e shoqërore gjatë fazës fillestare të ndërtimit socialist, të dukeshin edhe më të mëdha, duke i dhënë mjaft legjitimitet udhëheqjes së Partisë Komuniste. Këtu është me interes të vë në dukje pikëpamjen që ka argumentuar Alfred Meyer (1972) se, “për të vlerësuar shkallën e legjitimitetit të pushtetit në vendet komunistë të Europës Lindore, është e rëndësishme që të veçohet ai grup shoqëror, ose ata grupe shoqërorë, qëndrimet e të cilëve janë më kryesorë për mbajtjen në këmbë të sistemit”.

Në Shqipëri, një grup i tillë ishte fshatarësia, e cila ishte jo vetëm grupi shoqëror numerikisht më i madhja, por edhe më i rëndësishmi në përcaktimin e suksesit të rendit të ri politik që u vendos pas Luftës. Ishin pikërisht masat e fshatarëve të varfër dhe, ndoshta, klasa punëtore industriale e krijuar rishtazi, pas Çlirimit të vendit, ato që përfituan më shumë sesa çdo grup tjetër shoqëror në fazën e hershme të ndërtimit socialist. Nuk ka dyshim se, ashtu si partitë komuniste në vende të tjerë të Ballkanit, edhe në Shqipëri, Partia Komuniste kishte rrënjë më të thella dhe mbështetje më të fortë në radhët e fshatarësisë, sesa të çdo grupi tjetër shoqëror. Dhe, në gjykimin tim, sa më agrar dhe më i pazhvilluar të ishte një vend, aq më shumë besim në vetvete dhe aq më shumë forcë do të kishte partia komuniste dhe pushteti i saj. Mungesa në vendet e Ballkanit e një klase të mesme, ose e një borgjezie të vogël, në përmasa të konsiderueshme, kontribuoi për marrjen dhe mbajtjen më lehtë të pushtetit nga partitë komuniste, të cilat nuk hasën pothuajse në asnjë rezistencë ose opozitë të organizuar, siç ndodhi me vendet më të zhvilluar socialistë: në Hungari, në Poloni dhe në Çekosllovaki.

Për shkak të prapambetjes shumë të thellë ekonomike e shoqërore të Shqipërisë para Luftës dhe fill pas saj, përmirësimet e bëra në kushtet e jetesës së popullsisë gjatë dy dekadave të para pas Çlirimit ishin të mëdha dhe realisht të ndjeshme. Rritja e shpejtë ekonomike gjatë viteve 1950-1960, që ishte e jashtëzakonshme në krahasim me nivelet skajshmërisht të ulta të fillimit, si dhe arritjet e konsiderueshme në fushën e barazisë sociale, të strehimit, të punësimit, të shëndetësisë, të luftës kundër analfabetizmit, të arsimit e të kulturës, ishin shokuese për masën e gjerë të popullit. Për të gjitha këto—dhe jo pa arsye—merita iu njoh udhëheqjes së Partisë së Punës.

Socializimi shtetëror dhe modernizimi i vendit

Së gjashti, nuk duhet harruar se modernizimi i shoqërisë shqiptare filloi, në të vërtetë, pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhën e socializmit shtetëror. Në teorinë sociale, modernizimi kuptohet si ai proces transformues, i cili e shndërron një shoqëri nga gjendja e saj agrare e rurale, në një shoqëri urbane, të industrializuar e të sekularizuar. Modernizimi i një shoqërie është i lidhur ngushtë me industrializimin e saj dhe industrializimi i Shqipërisë si dhe shndërrimi i saj nga një vend agrar shumë i prapambetur, në një vend industrial-agrar, nisi dhe u krye në kushtet e socializmit shtetëror. Ky transformim çoi pashmangësisht në shndërrime të thella kulturore e sociale, në arsimimin masiv të popullsisë, në krijimin e universitetit të parë shqiptar, në ngritjen e një infrastrukture rrugësh që Shqipëria kurrë nuk e kishte pasur më parë, në krijimin e një shërbimi të kujdesit shëndetsor që shqiptarët as nuk e kishin ëndërruar, në shndërrime të thella në marrëdhëniet martesore e familjare, në një ndarje të re e më të specializuar të punës etj.—të gjitha këto, tipare të një shoqërie moderne, ose në modernizim e sipër.

Dhuna, konsensusi, përkrahja

Së shtati, nuk mund të mohohet se socializmit shtetëror ishte një rend politik represiv dhe se gjatë periudhës së sundimit të tij janë kryer krime nga më të rëndat. Por, do të ishte miopi historike dhe një cinizëm intelektual i pabazë të mohoje arritjet e jashtëzakonshme që u kryen në Shqipëri gjatë periudhës së parë të socializmit shtetëror. Këto arritje, duan apo s’duan të besojnë një pjesë e historianëve dhe e studiuesve shqiptarë të sotëm, edhe ndër ata që e kanë jetuar atë kohë, u bënë të mundura jo thjesht përmes një ushtrimi totalitarist të pushtetit, por edhe përmes punës dhe entuziazmit të një mase të gjerë të popullsisë. Siç vë në dukje sociologu i njohur amerikan, Daniel Chirot, “Sot, kur komunizmi, si sistem shoqëror, nuk ekziston më në vendet e Europës Lindore, shpesh harrohet se pushteti komunist nuk do të ishte ushtruar dot kurrë, madje as do të kishte qenë i mundur, në rast se nuk do të kishte ekzistuar një kontigjent i konsiderueshëm besuesish të devotshëm, si dhe pranimi i tij nga një numër i madh njerëzish, pra pa bashkëpunimin e drejtpërdrejtë, ose të tërthortë të miliona fshatarëve, punëtorëve dhe intelektualëve në të gjitha vendet e Europës Lindore” (Chirot 1991).

Jo vetëm kaq, por, vijon më tej Chirot, “Pa një besim të fortë dhe pa një mbështetje masive për partitë komuniste në këto vende, besim dhe mbështetje që erdhën duke u dobësuar gjithnjë e më shumë, është vështirë të mendosh se vetëm forca do t’i mbante komunistët në pushtet për një kohë kaq të gjatë” (ibid).

Edhe David Hume, në kohën e tij, megjithëse e pranonte rolin e forcës imponuese, argumentonte se “asgjë tjetër përveç pëlqimit dhe sensit të avantazhit, që rezulton nga qetësia dhe rregulli” nuk mund ta bëjë shumicën që t’i nënshtrohet një sunduesi (shih Watkins 1951: 196). Alexis de Tocqueville (1969: 130), gjithashtu, vinte në dukje se “Një qeveri, e cila nuk ka mjete të tjera për të garantuar bindjen [e qytetarëve] përveç luftës së hapur, duhet të jetë shumë pranë falimentimit të vet”.

Si rregull, frika e sanksioneve ndërthuret me pëlqimin dhe dëshirën e lirë për t’iu bindur autoritetit të pushtetit. Kjo, siç ka vënë në dukje Carl Friedrich (1961: 7), vlen si për sistemet totalitaristë, ashtu dhe për ata demokratikë, sepse “që të dy këta sisteme ushtrojnë një pushtet, i cili, në një shkallë të konsiderueshme është imponues dhe në një shkallë po aq të konsideueshme është konsensual”.

Për sa kohë që populli i thjeshtë dhe kuadrot e administratës besonin në angazhimin e drejtuesve të Partisë dhe të shtetit socialist për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe një shoqëri të begatë, ata i mbështetën politikat e tyre, madje, në disa vende, me entusiazëm të pazakontë dhe me patos revolucionar, sidomos në fillim, duke siguruar një bazë të fuqishme legjitimiteti për drejtuesit komunistë.

Humanizmi dhe forca e doktrinës

Së teti, historianët dhe studiuesit e sotëm të shkencave sociale në Shqipëri, për të cilët oportunizmi politik është bërë një sëmundje profesionale (dhe paradoksalisht një sëmundje e preferuar për shumë prej tyre), harrojnë—ose nuk duan të marrin në konsideratë—një fakt shumë të rëndësishëm, që ndikoi në legjitimimin e sistemit socialist dhe të udhëheqjes komuniste, jo vetëm në Shqipëri, por, ku më shumë e ku më pak, në të gjithë botën komuniste. Ky faktor ishte vetë doktrina komuniste, e cila, me “parimet e saj shpërblyese të humanizmit” (këto fjalë i përkasin senatorit të mirënjohur amerikan William J. Fulbright në veprën Arroganca e pushtetit (1966: 81), u shndërrua në një besim të gjallë, madje u transformua në një forcë të jashtëzakonshme, që i shtyu miliona njerëz inteligjentë, kudo në Europën Lindore, të punonin me pasion, pasi ata besonin sinqerisht se e ardhmja i përket komunizmit, ndërsa “kapitalizmi, sistemi i shtypjes dhe i shfrytëzimit, lëngonte në shtratin e vdekjes”.

Sipas fjalëve të historianit Walter Laqueur, një prej historianëve amerikanë më të shquar në kohën tonë, “komunistët nuk ishin një parti politike si gjithë të tjerat; ata premtonin jo thjesht një qeverisje të mirë dhe një ekonomi të begatë, por një botë të re lirie, drejtësie dhe lumturie për të gjithë…Në këtë parajsë tokësore, të çliruar nga prangat e shtypjes e të shfrytëzimit, çdo individ (dhe shoqëria në tërësi) do të mund t’i zhvillonte plotësisht aftësitë e veta. Më në fund, qeniet njerëzore do të bëheshin plotësisht njerëzore” (Laqueur 1994: 3). Kjo edhe shpjegon përse, në periudhën midis dy luftrave botërore dhe për një kohë më pas, idetë komuniste u përqafuan nga një numër shumë i madh intelektualësh e shkrimtarësh të shquar në Perëndim, si Henri Barbuse, George Bernard Shaw, Lion Feuchtwanger, Bertolt Brecht, Sidney dhe Beatrice Webb, Romain Rolland, Thomas Mann, Theodore Dreiser dhe vetë Albert Einstein.

Duke shpjeguar se përse intelektualët perëndimorë e legjitimuan sistemin sovjetik, duke zbuluar në të “transparencë dhe një fytyrë njerëzore”, madje edhe “standarte perëndimorë të lirisë e të demokracisë”, Laqueur shkruan: “Në fillim, komunizmi perceptohej si një lëvizje radikalisht socialiste (pra humaniste), antiimperialiste, madje pacifiste, që aspironte ndërtimin e një bote të re mbi rrënojat dhe pabarazitë e botës së vjetër. Fillimisht, mbështetja erdhi pothuajse krejtësisht nga e majta, nga liberalët socialistë dhe radikalë. Por, ndërkohë që pushteti sovjetik u bë më shtypës dhe ndaloi të gjithë grupet majtistë në Bashkimin Sovjetik, duke syrgjynosur, burgosur ose ekzekutuar udhëheqësit e tyre, social-demokratët perëndimorë, disa prej të cilëve kishin qenë instinktivisht antikomunistë qysh në fillim, më në fund i kthyen shpinën Bashkimit Sovjetik” (ibid, 19).

Barra e rëndë e rishkrimit të historisë

Në përfundim, dëshiroj të them dy fjalë mbi çështjen e rivlerësimit të periudhës së socializmit shtetëror. Bindja ime është se, çdo periudhë dhe çdo figurë politike në historinë e një vendi mund e duhet të rivlerësohen me kalimin e kohës. Por kjo nuk është as aftësia dhe as detyra e politikanëve, që ngrihen dhe bien nga pushteti me ndryshimin e stinëve politike, as detyrë e medias dhe, madje, as detyrë e atyre që kryejnë sondazhe të opinionit publik. Kjo është një detyrë ekskluzive e historianëve, e sociologëve dhe e studiuesve të politikës. Le t’ua lëmë studiuesve shqiptarë të historisë e të politikës të vlerësojnë e të rivlerësojnë periudhat e zhvillimit historik të shoqërisë shqiptare dhe personalitetet kryesorë të tyre, ndër to edhe figurën e Enver Hoxhës. Si individë dhe si qytetarë, ne mund të kemi dhe kemi të gjithë mendimet dhe sentimentet tona. Por këto janë thjesht mendimet dhe sentimentet tona, të përftuara e të përjetuara subjektivisht, jo gjykime e vlerësime objektive, të mbështetura në prova e fakte të pranuara përtej perceptimeve dhe interesave tona.

Legjitimimi dhe rilegjitimimi i pushtetit

Dhe, për ta mbyllur, dëshiroj të theksoj se, pretendimi i udhëheqjes komuniste për autoritet dhe legjitimitet, i mbështetur në rezistencën dhe në triumfin në luftën antifashiste, me kalimin e kohës u bë më shumë abstrakt dhe më pak bindës për qytetarët e thjeshë dhe, pa dyshim, është i tillë për brezin e ri të sotëm, njëlloj sikurse, retorika antikomuniste e periudhës postkomuniste nuk mund të shërbejë pafundësisht për legjitimimin e qeverive të reja që u krijuan pas ndryshimit të sistemit politik. Steka ngrihet gjithnjë e më lart, çka do të thotë se, me kohë, probleme të reja shtrohen dhe kërkojnë zgjidhje racionale. Dhe pasi atyre u gjenden zgjidhje, të tjera probleme shtrohen për zgjidhje në një shoqëri postkomuniste, e cila është në evolucion të pandërprerë, ndaj edhe çdo qeveri e re duhet të legjitimohet e të rilegjitimohet.

 Referencat

Daniel Chirot, “What Happened in Eastern Europe in 1989?”, ff. 3-32 në D. Chirot (ed.), The Crisis of Leninism and the Decline of the Left: The Revolutions of 1989. Seattle: University of Washington Press, 1991).

Milovan Djilas, The New Class: An Analysis of the Communist System (San Diego: Harcourt Brace Jovanovich Publishers, 1957).

Carl Friedrich, “Political Leadership and the Problem of the Charismatic Power”, The Journal of Politics (1961) 23, 1: 3-24.

Francis Fukuyama, The End of History and the Last Man (New York: Avon Books, 1993).

  1. William Fulbright, The Arrogance of Power (New York: Random House, 1966).

Misha Glenny, The Rebirth of History: Eastern Europe in the Age of Democracy (London: Penguin Books, 1990).

Ismail Kadare, Albanian Spring: The Anatomy of Tyranny (London: Saqi Books, 1995).

Maurice Latey, “The General Crises of Socialism”, The World Today (1989) 45, 8-9: 131-134.

Walter Laqueur, The Dream that Failed: Reflections on the Soviet Union (New York: Oxford University Press, 1994).

Alfred Meyer, “Legitimacy of Power in East Central Europe”, ff. 45-68 në S. Sinanian, I. Deak & P. Ludz (eds.), Eastern Europe in the 1970s (New York: Praeger Publishers, 1972).

Alexis de Tocqueville, Democracy in America (Garden City, NY: Doubleday & Co., 1969).

Frederick Watkins, Hume: Theory of Politics (Edinburgh: Thomas Nelson & Sons, 1951).

Stephen White, “Eastern Europe after Communism”, ff. 2-15 në S. White, J. Batt & P.G. Lewis (eds.), Developments in East European Politics (Durham: Duke University Press, 1993).

May 7, 2019 11:52
Komento

4 Komente

  1. Plisi May 7, 17:24

    HAHAHAH o profesor i pjerdhur qe i ben leksion vetes ne pasqyre. Perktheje ne sllavisht e botoje ne Serbi e Rusi ket palo shkrim per muzhike.

    Reply to this comment
  2. Sqepari May 7, 19:21

    Pergezime prof. Tarifa! Shkrimi juaj do thene se nuk u drejtohet te gjithve, sidomos injorantve te facebukut. Cdo budalla i fshatit, shkroi dikur Umerto Ecco, merr pjese ne bisede!

    Reply to this comment
  3. Shaqo May 7, 19:48

    O sqepar, coptoje pak ate plisin pis.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*