Lufta në Ukrainë dhe miti i vëllazërisë sllave

Shaqir Vukaj May 2, 2015 13:15

Lufta në Ukrainë dhe miti i vëllazërisë sllave

Ngjarjet e fundit në Ukrainë kanë ngjallur përsëri diskutime të zjarrta mbi marrëdhëniet midis sllavëve, çka ka bërë që shumë analistë, gazetarë, politologë, historianë etj, t’i kthehen historisë, duke u përpjekur të gërmojnë sa më thellë për të gjetur, a ekziston në të vërtetë “uniteti dhe vëllazëria sllave”, dhe si ka ecur ky problem gjatë shekujve? Eshtë fakt se sa herë ka pasur probleme midis vendeve sllave, ose kur këto vende kanë pasur probleme me të tjerë, që fatkeqësisht, të tilla historia i ka me bollëk, politika ka nxjerrë në plan të parë problemin e “unitetit dhe vëllazërisë sllave” Pikërisht në këto periudha, politikanë të ndryshëm, për interesa, kryesisht të vetat, kërkojnë që problemet të zgjidhen mbi këtë bazë, ndërsa disa të tjerë, politologë, analistë, gazetarë, etj. përpiqen që problemet, zhvillimet e zgjidhjet ti shpjegojnë të lidhura me këtë tezë. Shembulli më kuptimplotë për ne shqiptarët kanë qenë ngjarjet e Kosovës të viteve 1998-1999 e qëndrimi i Rusisë ndaj tyre, që fatkeqësisht vazhdon edhe në ditët tona.

“Nga njëra anë, politikanët rusë, të majtë e të djathtë, madje edhe prej atyre që njiheshin si të matur, kërkonin që politika e Rusisë ndaj NATO-s dhe Jugosllavisë, të ndërtohej pikërisht mbi bazën e “vëllazërisë sllave” – shkruan në kujtimet e tij V.Çërnormërdin, ish kryeministri i Rusisë, përfaqësuesi i posaçëm i presidentit Jelcin në bisedimet për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Nga ana tjetër, shumë politikanë serbë, duke filluar nga Millosheviçi, i kishin varur shpresat tek mbështetja dhe ndihma e “Rusisë motër sllave”, madje siç shprehej në atë kohë presidenti i Azerbajxhanit: “Pa Moskën, Millosheviçi do të kishte qenë më i bindur, më i përulur”. Por, nga ana tjetër, ishin vende sllave R.Çeke, Bullgaria apo Polonia (pa përmendur Kroacinë apo Slloveninë) që ju kundërvunë Serbisë dhe kuptohet edhe Rusisë, dhe ndihmuan çështjen e Kosovës.

Historikisht miti i “vëllazërisë sllave” ka qenë problem i sferës politike, i qeverive të këtyre vendeve, në funksion të marrëdhënieve midis tyre ose me qeveri të vendeve të tjera jo sllave dhe, kuptohet i interesave të momentit. Por jo i popujve sllavë. Politikat e ndjekura nga politikanë dhe udhëheqës të këtyre vendeve kanë ndikuar dhe formuar tek popujt sllavë simpati ose antipati, dashuri ose urrejtje e deri armiqësi e madje, i kanë futur të luftojnë e të vriten me njëri tjetrin.

Po ç’është në të vërtetë ky term kaq i preferuar dhe i përdorur nga politikanë e veprimtarë të ndryshëm sllavë, në momente kyçe të zhvillimeve historike, realitet apo mit? A është e vërtetë që rrënjët e përbashkëta etnike janë kaq të rëndësishme sa të përcaktojnë marrëdhëniet midis popujve dhe vendeve? A ka ekzistuar dhe a ekziston në të vërtetë “uniteti dhe vëllazëria sllave”?

Pyetja e parë, ndërmjet shumë pyetjeve që shtrohen është: “Ç’është vetëdija e përbashkët sllave”? një pyetje së cilës edhe vetë nxitësit e kësaj ideje nuk i kanë dhënë një përgjigje të bazuar, të saktë dhe shkencore. Kuptimi i termave të tilla si: “uniteti sllav”, “vëllazëria sllave”, “solidariteti sllav”, “problemi sllav” etj. kanë munguar e mungojnë edhe sot. “Ç’është sllavizmi”? Askush nuk e ka përcaktuar qartë e bindshëm. Sipas studiuesve seriozë, përfshijë edhe sllavë, vetëdija e përbashkët sllave nuk ka qenë asnjëherë faktor progresi, madje në periudha apo etapa të caktuara, në thelb, ajo ka qenë pengesë dhe konservatore dhe ka sjellë më shumë dëm se dobi.

Një pjesë e Azisë dhe Europës banohet nga popuj sllavë, që fillojnë në Lindjen e Largët dhe shtrihen deri në detin e Zi dhe Adriatik. Sipas të dhënave zyrtare, në vijimësi gjeografike (me një ndërprerje në mes nga Austria dhe Hungaria) jetojnë rreth 280 milionë sllavë (pa përmendë sllavët që jetojnë të shpërndarë në shumë vende të botës (ShBA, Europën Perëndimore, Kaukaz e deri në Azinë e Mesme) dhe sipas vendndodhjes ndahen në sllavë perëndimorë (polakë, silezianë, çekë, sllovakë, kashubë dhe llushiçanë), sllavët lindorë (rusë, ukrainas, bjellorusë, dhe rusinë) dhe sllavët e Jugut (bullgarë, serbë, kroatë, sllovenë, boshnjakë, maqedonas, malazezë). Por a janë të gjithë të njëjtë dhe vëllezër? Përgjigjet janë nga më të ndryshmet. Ithtarët e pansllavizmit përpiqen të bindin veten dhe të tjerët se ata janë një dhe vëllezër, pavarësisht disa ndryshimeve. Të tjerë thonë se, pavarësisht nga ngjasimet që kanë, ata janë të ndryshëm dhe në historinë e tyre ata kanë më shumë armiqësi e luftëra se sa vëllazëri. Popujt sllavë kanë jetuar histori të ndryshme, prandaj ajo më shumë i ka ndarë se i ka bashkuar, pavarësisht nga fjalët e shumta për vëllazërinë, që siç dihet, në politikë ndjekin qëllime të caktuara. Dhe “uniteti e vëllazëria sllave” ka dalë në plan të parë sa herë ja ka dashur interesi politikës, pavarësisht, në se këta politikanë ishin përfaqësues të vendeve të mëdha apo të vogla sllave. Duhet vënë në dukje se në çdo rast, Rusia ka dashtë te ishte në krye dhe, jo vetëm ta dëgjonin por edhe ta donin…..Por edhe shumë prej politikanëve të popujve të tjerë sllavë, në asnjë rast nuk kanë qenë kundër për ta përdorur “vëllain e madh rus” për interesat e tyre, madje jo radhë edhe e kanë përdorur.

Pavarësisht se me rrënjë, prejardhje e gjuhë të afërt (sllavët, në saj të afërsisë së gjuhëve sllave, merren vesh me njeri tjetrin 40 deri në 80 përqind), ata historikisht kanë qenë të ndarë në principata, mbretëri apo shtete të veçanta, pavarësisht se disa popuj sllavë kanë bashkëjetuar brenda një perandorie apo shteti, por asnjë herë të gjithë bashkë. Për nga numri, rusët janë kombi me të madh sllav me rreth 130 milionë banorë, mandej vijnë ukrainasit me rreth 40 milionë, polakët me rreth 38 milionë banorë, çekët dhe bjellorusët me nga rreth 10 milionë banorë, bullgarët me rreth 7 milionë banorë, serbët me rreth 7 milionë banorë, e kështu me radhë deri tek malazezët me rreth 600 mijë vetë.

Disa popuj sllavë, herë kanë jetuar bashkë, herë janë ndarë, por në historinë e tyre ata nuk kanë jetuar asnjëherë të bashkuar brenda një shteti.. Kështu për një kohë shumë të gjatë kanë bashkëjetuar brenda Perandorisë Ruse e me vonë Bashkimi Sovjetik, rusët, pjesa më e madhe e ukrainasve dhe bjellorusët. Çekët, sllovakët, kroatët, sllovenët, boshnjakët kanë bashkëjetuar një periudhë të gjatë brenda Perandorisë Austro-Hungareze, e më vonë, këta popuj sllavë (përjashto çekët dhe sllovakët që në vitin 1918 u bashkuan dhe formuan shtetin çekosllovak) së bashku me serbët, maqedonasit e malazezët kanë bashkëjetuar në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene e më vonë në Jugosllavi, deri sa ajo u shpërbë. Bullgarët dhe maqedonasit kanë bashkëjetuar brenda Perandorisë Osmane etj. Pavarësisht si kanë jetuar, bashkë apo të ndarë, historia e tyre është e mbushur me keqkuptime, ngatërresa, kundërshtime e madje urrejtje dhe, në periudha të ndryshme ata kanë qenë në luftë me njëri tjetrin. Madje sipas disa studiuesve, gjatë shekujve, ata kanë luftuar më shumë kundër njeri tjetrit se sa kundër të tjerëve. Aq e vërtetë është kjo sa poeti i madh rus A. Pushkin shkruante:

   Sllavë, lërini grindjet midis njëri tjetrit

   Grindje e vjetër brenda shtëpisë, e përcaktuar nga fati

Ndërsa shkrimtari i njohur rus Dostojevski, para më shumë se një shekulli shkruante: “Sipas bindjes time të plotë dhe të pandryshueshme, Rusia nuk ka pasur dhe nuk do të ketë armiq më te mëdhenj që ta urrejnë, ta kenë zili e madje, ta mallkojnë më shumë se fiset sllave”.

Ata shkruanin kështu në atë kohë, por tani jetojmë kohë të tjera dhe duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit në Ukrainë, një studiues rus para pak ditësh shkruante: “Në qoftë se më përpara uniteti sllav kishte pësuar plasaritje, këto 100 vitet e fundit ka arritur dimensionet e një kanioni të madh”.

Megjithatë, përgjatë historisë, veçanërisht këto dy-tre shekujt e fundit nuk kanë munguar përpjekjet për t’i bashkuar të gjithë popujt sllavë brenda një shteti, pavarësisht nën çfarë emri, shtet, perandori, federatë apo konfederatë. Ideja e një bashkimi sllav ka qenë e përhapur veçanërisht gjatë shekullit të XIX në Rusi dhe ndër popujt sllavë që ishin përfshirë brenda Perandorisë Austro-Hungareze dhe Perandorisë Osmane.

Bashkimi i popujve sllavë bazohej në pansllavizëm, ideologji e formuluar në vendet e populluar nga popuj sllavë, në bazë të së cilës qëndron ideja për domosdoshmërinë e bashkimit politik, mbi bazën e bashkësisë etnike, kulturore dhe gjuhësore. Pavarësisht nga formulimet, kjo bashkësi e popujve sllavë, sipas disa politikanëve, në krye duhej të kishte Rusinë. Më vonë mbështetësit e doktrinës pansllave avancuan dhe dolën me idenë e bashkimit të të gjithë sllavëve dhe ortodoksëve në një shtet të përbashkët.

Pavarësisht se Peterburgu zyrtar sillej me kujdes ndaj kësaj ideje, pansllavizmi kishte pushtuar mendjen e shumë kujt në shoqërinë ruse dhe gjithsesi ajo do të ndikonte në politikën zyrtare të Rusisë. Prandaj, duke dashur ti shfrytëzonte për interesa e veta lëvizjet çlirimtare të popujve të Ballkanit, dilte me parullën “ndihmë për popujt vëllezër sllavë”. Kështu ajo ka vepruar në vitet 1804-1812 në ndihmë të serbëve, për rivendosjen e Autonomisë së Serbisë mbas Luftës Ruso-Turke 1828-1829, për çlirimin e Bullgarisë nga pushtimi osman, në luftën Ruso-Turke të viteve 1878-1880 etj.

 

Në pjesën e dytë do të lexoni:

-Variantet e ndryshme të pansllavizmit

-Luftrat Botërore dhe sllavët

-Nacionalizmi dërrmon pansllavizmin

-Zhvillimet e sotme

 

Shaqir Vukaj May 2, 2015 13:15
Komento

5 Komente

  1. KingBardhyl May 2, 14:02

    U vrafshin mes njeri-tjetrit derisa mos mbetet kembe sllavi mbi kete toke. Rrace e qelbet.

    Reply to this comment
  2. Murlani May 2, 17:54

    Shkrim shum i studiuar i z, Shaqir Vukaj qe e pershedes per njohjet e gjera te Tije te politikes se jashtme dhe ne veçanti per shtetet sllave .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*