Luksemburgu, testi i Shqipërisë përpara Izraelit

June 4, 2017 14:19

Luksemburgu, testi i Shqipërisë përpara Izraelit

 

Në mbrëmje, në orën 19:00, në stadiumin “Josy Barthel” të Luksemburgut, përfaqësuesja e Shqipërisë do të përballet me përfaqësuesen e këtij vendi, në një ndeshje miqësore që do të shërbejë si test përpara sfidës zyrtare kundër Izraelit.

Lista e lojtarëve të grumbulluar nga De Biasi tregon për një sërë lojtarësh që janë aktivizuar pak minuta në klubet e tyre, megjithatë, kjo e sotmja do të jetë një përballje, nga e cila trajneri italian ka kërkuar që lojtarët të impenjohen maksimalisht, nëse do të duan që të jenë pjesë e formacionit edhe në ndeshjen zyrtare.

Sa i përket skemës, mbetet e njëjta me një rreshtim 4-3-2-1. Nga minuta e parë, në portë do të jetë Strakosha, pasi Berisha është sërish i pezulluar. Përpara tij në mbrojtje janë Mavraj e Gjimshiti në qendër, ndërsa në krah rikthehet Lenjani, pas mungesës së kapitenit Ansi Agolli për arsye kartonash, dhe Hysaj në krahun tjetër. Përpara tyre, në mesfushë do të zbresin Kukeli, Abrashi dhe do të rikthehet në formacion Kaçe. Nga krahët, Roshi dhe Memushaj, për t’i lënë vendin Sokol Cikalleshit, të vetëm në sulm.

Pas kësaj ndeshjeje, përfaqësuesja shqiptare do të udhëtojë drejt Stambollit, ku do të qëndrojë në ditët e mbetura përpara udhëtimit për në Haifa, ku do të luajë ndeshjen kualifikuese të Botërorit “Rusi 2018” ndaj Izraelit.

June 4, 2017 14:19
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*