Lumo Skëndo, një nga shtyllat e kulturës sonë kombëtare

November 7, 2018 10:00

Lumo Skëndo, një nga shtyllat e kulturës sonë kombëtare

Prof. Nasho Jorgaqi

Në 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit, ku u hartua dhe u miratua alfabeti i gjuhës shqipe, nën drejtimin e kryetarit të saj, Mithat Frashëri, kemi rastin të nderojmë e ta kujtojmë këtë patriot dhe intelektual poliedrik të historisë shqiptare. Lumo Skëndo, alias  Mithat Frashëri (1880-1949), u takon atyre personaliteteve të botës shqiptare, që me veprën e tyre të gjithanshme u bënë shtylla të kulturës sonë kombëtare në dekadat e para të shekullit të njëzetë. I dalë prej një dere patriotësh të mëdhenj, po dhe intelektualësh të mëdhenj, duke qenë i biri i Abdyl Frashërit dhe nip e nxënës i Naimit e Samiut, ai jo vetëm ndoqi udhën e tyre atdhetare-iluministe, por krijoi edhe individualitetin e vet të spikatur intelektual dhe artistik. Ai bëri emër të nderuar si shkrimtar dhe publicist, studiues dhe punëtor i palodhur l kulturës shqiptare. Prandaj, injorimi i figurës dhe veprës së tij për afro gjysmë shekulli s’kish si të mos përftonte, siç përftoi në fakt, zbrazëti në studimet tona dhe në rrjedhat e letërsisë shqipe.

Lumo Skëndo u shfaq në jetën shqiptare në dekadën e fundit të Rilindjes, kur në qiellin e letërsisë sonë po ngjitej plejada e Faik Konicës, Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, Gjergj Fishtës me shokë. Ishte ky brez i ri letrarësh dhe veprimtarësh atdhetarë, që duke mos e ndarë artin nga dituria dhe duke u njohur atyre rolin militant në kauzën e çlirimit të atdheut, synoi dhe punoi për një emancipim të gjithanshëm të jetës shpirtërore të popullit, për një frymëmarrje më të gjerë të njeriut shqiptar. Në kushtet e reja historike, ata sollën risi, jo vetëm në mendimin politiko-shoqëror, por dhe në sferën e kulturës në përgjithësi dhe të artit në veçanti. Në këtë aspekt u bënë përpjekje të frytshme për të kapërcyer kufijtë e një letërsie poetike, e cila kish krijuar vepra të shkëlqyera, për të dalë në një terren pak a shumë djerrë, siç është proza. Duke qenë e një stadi fillestar nga ana artistike, si një prozë diturake-historike- publicistike, me vlera njohëse dhe edukative, ajo nuk i përmbushte nevojat e një letërsie kombëtare, siç ndodhte me poezinë shqipe bashkëkohore. Në këtë hop cilësor të prozës sonë do të bashkonin përpjekjet talente me ndjeshmëri të lartë si F. Konica e L. Skëndi, por edhe talente si M. Sotir Gurra, M. Grameno, Papa Kristo Negovani, B. Shpataraku etj.

Nuk është e rastit që proza e mirëfilltë artistike shqiptare do të niste me llojet e shkurtra epike, me skica e proza poetike, me vizatime letrare dhe portrete, për të kaluar te rrëfenja e tregimi. Pionerët e vërtetë të kësaj ngjitjeje artistike do të jenë F. Konica e L. Skëndo. Por, edhe pse qenë bashkëkohës dhe frymëzoheshin nga të njëjta ideale patriotike, prirjet krijuese dhe interesat intelektuale të Lumo Skëndos do të ndjekin një rrugë të vetën për të ardhur në fushën e prozës tregimtare. Në fillim, duke ecur më tej në brazdat e Rilindjes, ai do t’i përkushtohet punës prej iluministi të vërtetë kur do të botojë e drejtojë në Sofje “Kalendarin kombiar”. Në faqet e këtij botimi me emër në analet e kulturës sonë kombëtare, që doli për më tepër se tridhjetë vjet (1897-1928) dhe u bë, siç është quajtur “një enciklopedi e vogël kulturore-letrare”, L. Skëndo shpalosi aftësitë dhe dhuntitë prej intelektuali, veprimtari dhe krijuesi patriot. Atë që bënte ndërkohë F. Konica, me “Albania”-s në Bruksel e ne Londër, ai do ta kryente në gjirin e kolonisë shqiptare të Sofjes duke u qëndruar më afër problemeve dhe nevojave të lëvizjes kombëtare, sidomos për të përhapur dritën e diturisë e të arsimit në masën e shqiptarëve. Në qoftë se “Albania” u drejtohej më shumë intelektualëve shqiptarë dhe rretheve të huaja në Evropë, “Kalendari kombiar” hyri në shtëpitë shqiptare dhe u bëri të njohur njerëzve të thjeshtë historinë dhe folklorin, dituritë dhe letërsinë kombëtare. L. Skëndo do të botonte në vitet 1908-1909 dhe gazetën e përjavshme politiko-letrare “Liria”, e cila, edhe pse doli në kohë të vështira, i solli shërbime të çmuara lëvizjes dhe kulturës shqiptare. Veçanërisht, ajo u dallua në përgatitjen e Kongresit të Manastirit për alfabetin, në krye të të cilit u zgjodh Lumo Skëndo.

Por veprimtaria e pinjollit të Frashëllinjve në fushën e publicistikës e për më tepër të studimit do të ngrihet në një shkallë më të lartë, kur do të botonte të përkohshmen “Dituria”, një nga organet më me autoritet të shtypit tonë të traditës. Për njëzet vjet (1909-1929) me radhë, ajo u kthye në një nga tribunat e pakta të studimeve e hulumtimeve shqiptare, vatër e shkencës dhe e letërsisë sonë, ku kryeredaktori i saj do të mbajë e përballojë barrën më të madhe të shkrimeve të botuar. Nga disa pikëpamje, “Dituria” do të zëvendësojë “Albanian” e F. Konicës, po të kemi parasysh që ajo do të fillojë jetën e vet, kur revista e Konicës do të pushonte së botuari. Nga ana tjetër, veprimtaria fletorare e L. Skëndos fiton një dimension ndërkombëtar, kur boton në Zvicër revistën dymujore në gjuhën frënge “L ‘lndipendence albanaise “.

Në përputhje me detyrat iluministe që kish marrë përsipër, Lumo Skëndo në këto vite, krahas punës gazetareske-publicistike, do të shqipëronte dhe përshtaste disa vepra të letërsisë botërore, të cilat, siç e shpall vetë që në krye, ua drejtonte kryesisht të rinjve shqiptarë. Kështu brezat e rinj do të kenë prej tij në gjuhën amtare “Gaulleme Tell-in” të Lamartinit (1898), tufën e përrallave të F. Hofmanit  “Bëje të mirën pa hidhe në det” (1900), romanin e D. Defoes “Robinsoni”(J 909) dhe historinë morale të L.K. Auloy-s “Shkurtabiqi i verdhë” (1914). Të gjitha këto u botuan në shtypshkronjën shqipe “Mbrothtësia”të Sofies, e cila në fakt u bë e para shtëpi botuese shqiptare dhe këtë fizionomi kulturore ia dha në radhë të parë Lumo Skëndo me botimin e veprave të veta.

Sfondi i pasur i trashëgimisë së Lumo Skëndos nuk mund të merret me mend pa një varg veprash të tjera me karakter historik, politik, social, shkencor, dokumentar. Kësisoj, ai bëhet i pari biograf i poetit tonë të madh me botimin e veprës “Naim be Frashëri” (1901). Boton libra për shkollat shqipe si “Këndime”(1910). Më 1915 u jep lexuesve shqiptarë përmbledhjen me udhëpërshkrime “Letra nga një udhëtim në Zvicër “, që inauguron këtë lloj letërsie në kulturën tonë. Aftësitë e tij prej analisti dhe njohësi të thellë të psikologjisë dhe problemeve të shoqërisë bashkëkohore shqiptare do t’i shprehë në librat “Pritmi i Shqipërisë”(1915) dhe “Plagët tona”( 1924).

Mbrojtja e interesave kombëtare, mbi bazën e një dokumentacioni konkret historik do të jenë objekti i disa broshurave politike të Lumo Skëndos të botuara në vitet 1915-1919, kohë kjo e mbarsur me plot ngjarje dhe rreziqe për fatin e shtetit dhe të integritetit tokësor të Shqipërisë. Mjafton të përmendim “L’Affaire de l’Epire “, “La population de l’Epire “, “Les Ablanias chez eux et al’Etrager”, “Albanias et Slaves”. Historiani dhe analisti i çështjes shqiptare, poligloti Lumo Skëndo do të jetë i pranishëm në shtypin ndërkombëtar, si bashkëpunëtor i disa organeve më emër në vitet ’20. Ai do të botojë artikuj të ndryshëm në gazeta dhe revista të Francës, Anglisë, Zvicrës etj, si”Mercure de France”, “Les peuples Libres”, ”Le Vie des peuples”, ”La Paix par le Droit”, “Revue Politechnique”, “Tribune Libre des Nationalites”, “Revue de Geneve”, “France- Orient”. “Le Monde Nouveau”, “Le Monde”, “Frobenins – Exporter”, “La Mercure Suisse”, “The New Stratesmnan “, “Foreing Affairs ” etj.

Në vitin 1926, Lumo Skëndo do të largohet nga shërbimi diplomatik, ku punoi për disa vjet (ndërsa Faik Konica në këtë kohë do të nisë karrierën diplomatike) dhe do t’i përkushtohet studimeve dhe veprimtarisë kulturore-iluministe. Në këtë kuadër duhet përmendur libraria që ai hapi në Tiranë, (të cilën e ktheu në një qendër të vërtetë intelektuale) dhe krijimi i një biblioteke të vetën kryesisht me vepra të rralla albanologjike. Në vitet që pasuan, ai do të vijojë punën krijuese – studimore, por do të shfaqet rrallë para publikut. Në fakt punonte në heshtje dhe pa bujë, po ngaherë i vëmendshëm dhe i ndjeshëm ndaj ecurisë së letërsisë dhe kulturës shqiptare. Në sytë e opinionit shqiptar, veçanërisht të rinisë, Lumo Skëndo do të ishte jo vetëm një rilindas i gjallë, po dhe shëmbëlltyrë e një savanti me cilësi të shkëlqyera në farën ose burimin e mendimeve (F. Konica)

Lumo Skëndo, pavarësisht se zhvilloi një veprimtari polivalente dhe u njoh më shumë si studiues e publicist, ai bëri emër të nderuare dhe si shkrimtar. Ai u njoh si i tillë që në shtypin e Rilindjes, por botimi i përmbledhjes “Hi dhe Shpuzë” (1915), ku përfshiu gjithë prozën e tij tregimtare të deriatëhershme e prezantoi denjësisht artistin e fjalës shqipe. Edhe pse “Hi dhe shpuzë” mbeti libri i tij i parë dhe i fundit, në të vërtetë, autori dhe më vonë nuk u shkëput nga letërsia. Burimet arkivore dëshmojnë se, në një mënyrë a në një tjetër, letërsia do të ngelej për të fusha kryesore e punës krijuese dhe e përjetimeve të thella emocionale.

Lumo Skëndo e nisi dhe e mbylli jetën e vet letrare, kryesisht si prozator. Sigurisht mbeten për t’u studiuar shkaqet e kësaj lidhjeje krijuese të shkrimtarit me këtë gjini, por parë në një vështrim të përgjithshëm mund të themi se proza e Lumo Skëndos ashtu si ajo e Faik Konicës me shokë u shfaq nga fundi i Rilindjes si domosdoshmëri e vetë letërsisë sonë. Nevojat dhe kërkesat që shtronte jeta dhe stadi i ri social-historik bënte që letërsia të mos qëndronte më në kufijtë e poezisë. Siç kemi pasur rast ta kemi thënë dhe gjetkë, jeta kërkonte të hynte në letërsi në përmasa më të gjera dhe në trajta më realiste dhe këtë detyrë do ta përmbushte në radhë të parë proza. Ishte ky një front i ri, tepër i gjerë, me mundësi më të mëdha pasqyrimi, po dhe me vështirësi e probleme të shumta, duke nisur nga mungesa e traditës dhe e përvojës artistike e deri te aftësimi artistik dhe individualizues i gjuhës. Në këtë front të vështirë, që lypte talent, afinitet shpirtëror, ndjeshmëri të lartë gjuhësore, përshtypje të gjalla nga jeta dhe guximi krijues, u angazhua dhe Lumo Skëndo qysh në fillim. Ishte fjala për një prozë të mirëfilltë artistike, larg rutinës së prozës së deriatëhershme, për t’u ngritur mbi prozën publicistike. Proza duhej të kalonte nga hapësirat e një informacioni logjik dhe të shprehjes së zakonshme në hapësira emocionale dhe të një shprehje të ngritur. Lumo Skëndo do të ishte nga të paktët, që do të kontribuonte përmes një proze të vërtetë artistike, të arrihej ky kapërcim cilësor në letërsinë shqipe.

Dhe proza e tij do të fitonte këto vlera falë, jo vetëm trajtimit të temave nga jeta shqiptare dhe mbrujtjes së tyre me idetë e Rilindjes kombëtare, por dhe të mjeshtërisë artistike, të zbulimit të karaktereve, të thurjes së situatave e të përftimit të një atmosfere të besueshme, të strukturave të ndryshme kompozicionale. Të gjitha këto do t’i shprehte dhe mishëronte artistikisht nëpërmjet një gjuhe emocionale dhe individualizuese. Kështu, proza shqipe në pendën e Lumo Skëndos do të njihte disa nga faqet e saj të para më të suksesshme.

Prandaj botimi i përmbledhjes “Hi dhe shpuze” ishte një ngjarje për letërsinë tonë. E botuar pas shpalljes së Pavarësisë në shtypshkronjën “Mbrothtësia” të Sofjes, ku kishin parë dritën e botimit pjesa më e madhe e veprave të Lumo Skëndos, ajo u fliste lexuesve shqiptarë, sidomos brezit të ri, me gjuhën e vërtetë të artit. Kjo ishte gjuha e Naimit dhe e De Radës, e Fishtës dhe e Mjedës, e Çajupit dhe e Asdrenit, veç jo në vargje, por në prozë, në një prozë që dëshmonte për hapësira dhe nivele te reja të letërsisë sonë.

Kur doli në dritë “Hi dhe shpuzë”, autori i saj ishte 35 vjeç, por po të kemi parasysh se një pjesë e mirë e prozave të shkurtra dhe tregimeve u shkruan në vitet 1899- 1905, ato i takojnë kohës së rinisë të shkrimtarit. Nga ana tjetër, edhe pse ai ishte larguar nga Shqipëria tre vjeç dhe qe kthyer në atdhe në moshën 29 vjeçare (1909), kjo rrethanë nuk e kish penguar në brumosjen atdhetare dhe ç’ishte më e rëndësishme për ta ngritur krijimtarinë e vet letrare mbi një taban shqiptar. Mjedisi ku kishte lindur e qe rritur, ideali i Rilindjes me të cilin ishte ushqyer, atmosfera e ndezur e kolonisë shqiptare të Stambollit e më pas e asaj të Sofjes, lidhjet e gjithanshme që vendosi me lëvizjen kombëtare, jo vetëm u bënë burimi kryesor i letërsisë që nisi të krijonte, po i dhanë asaj një kahje të drejtë e të shëndoshë. Në këtë sfond do të qenë talenti dhe ndjeshmëria, zgjuarsia dhe natyra vrojtuese, interesat e gjera dhe njohja e thelluar e kulturave të lashta e moderne, etja e përhershme për dituri dhe zotërimi i shumë gjuhëve të huaja, ata faktorë individual që përcaktuan fizionominë e tij krijuese. Veç kësaj nuk mund të lemë pa përmendur faktin, që në punën e tij letrare i erdhi në ndihmë dhe përvoja që fitoi duke përkthyer disa vepra të prozës tregimtare europiane.

Prandaj, proza që do të shkruajë do të jetë sa shqiptare aq dhe bashkëkohore dhe këtë e dëshmon edhe fakti që, megjithëse kanë kaluar afro njëqind vjet nga koha që u publikua, prapë ajo i ka qëndruar viteve, nuk është vjetëruar, përkundrazi, tingëllon e freskët dhe emocionuese. Në një farë mase, proza e tij, duke u ngritur mbi konceptet e ngushta të letërsisë orientale të Perandorisë osmane, duke lënë mënjanë skemat dhe konvencionet e saj, do të ishte novatore, qoftë nga përmbajtja e re që sillte, nga shkalla e gjerë e pasqyrimit, nga larmia dhe risia e poetikës letrare.

“Hidhe shpuzë” përmban 15 proza poetike, 11 novela dhe 6 kujtime të shkruar në një hark kohor prej 16 vitesh (1895-1915). Sigurisht, shtyllën e librit e bëjnë tregimet, ose novelat, siç i quan autori, të cilat jo vetëm përbëjnë pjesën më të madhe të vëllimit, por përfaqësojnë dhe vlerat e tij më të çmuara ideoartistike. Në tërësi ato janë të përshkruara tejembanë nga idetë liridashëse të Rilindjes Kombëtare dhe nga shqetësimi e angazhimi total i autorit për fatin e atdheut. Në faqet e tyre është Shqipëria nën pushtimin osman, ndjehet bota shqiptare në netët e fundit të robërisë shekullore, pragu i realizimit të shpresave kombëtare. Të frymëzuara dhe të gatuara me lëndë të gjallë nga realiteti shqiptar, ato marrin jetë nga karaktere të gjallë, nga situata dhe mjedise me sfond të qartë social-historik. Temat zotëruese janë temat tipike të kohës, ato të pajtimit e të bashkimit kombëtar, lufta kundër gjakmarrjes dhe mercenarizmit, qëndresa ndaj dhunës së administratës osmane, demaskimi i mizorisë dhe lakmive të fqinjëve shovenë, përndjekja e librit shqip, evokimi dhe glorifikimi i simboleve të shqiptarëve. Në gjithë prozën tregimtare të Lumo Skëndos gjejmë një gërshetim të temës shoqërore me atë patriotike, ku e para i nënshtrohet të dytës sepse, asnjë problem i shoqërisë shqiptare nuk shihet e nuk trajtohet jashtë kuadrit të kauzës së çlirimit të atdheut.

Që në tregimin e parë “Pika lot” (1899), shkrimtari i ri vë gishtin në një nga plagët e rënda e kronike të bashkatdhetarëve të tij, atë të gjakmarrjes. Meço Guri, një fshatar nga malësitë e jugut, pas tetë vjetësh i ngujuar në shtëpi, vendos një ditë të dalë. Autori përshkruan dramën që përjeton heroi i tij: megjithëse janë vrarë 13 veta nga armiqësia me fisin e Shelëve, ai prapë mendon se jeta është e bukur. Në këto çaste meditimi, Meça gjendet përballë Tafe Shelit,  gjakësit, të sapo kthyer nga mërgimi. Atëherë ndodh e pangjara: në vend që Meçua të hakmerret, bën thirrje për pajtim. Vitet e vetburgimit e kanë bindur për kotësinë e gjakmarrjes dhe autori duke hyrë në psikologjinë e tij, tregon mjeshtërisht motivet e brendshme të hapit vendimtar që ai hedh. Tërheq vëmendjen fakti që zgjidhja e konfliktit është realiste dhe bindëse.

E njëjta temë rimerret dhe në tregimin “Ora e fundit”. Përsëri në një mjedis fshatar, bile malësie, po kësaj here jo në malësinë e jugut, por në to të veriut. Edhe këtu është në qendër dilema e faljes së gjakut, veç rrethanat paraqiten më dramatike. Gjoka i plagosur nga dora hakmarrëse, kalon orët e fundit dhe autori duke u përqëndruar në këtë segment kohor vë në spikamë dy figura: figurën e nënës, e cila lufton me dhimbjen e thellë që i ka hapur plaga e pashërueshme e të birit dhe ajo e At Pjetrit, që kërkon dhe përpiqet për të falur gjakun. Të vendosur në situata të tensionuara, në çaste për jetë a për vdekje, duke iu përmbajtur një shkallëzimi psikologjik, shkrimtari jo vetëm evidenton artistikisht problemin dhe zbulon karakteret, por përcjell te lexuesi mesazhe optimiste, idetë e Rilindjes për bashkim.

Plaga tjetër e jetës shqiptare që ka barazpeshë në vëllimin e Lumo Skëndos me atë të gjakmarrjes është drama e kurbetit. Kjo dramë e dhimbshme ka gjetur mishërimin e vet artistik në triptikun: “Udhëtimi”, “Kënga” dhe “Po kthehen”, Odiseja e kurbetit është dhënë jo vetëm brenda një kornize tematike, por deri në një farë shkalle dhe të një heroi të përbashkët. Triptiku hapet me skenën prekëse të nisjes për në kurbet të Meços trembëdhjetë vjeçar. Ky fëmijë i burrëruar para kohe, duke marrë me vete imazhin e dashur të vendlindjes, pëshpërit me vete këngën e trimit Tafil Buzi. {“Udhëtimi”).

Motivi i një kënge patriotike shqiptare, kënduar në mes të Stambollit ngërthen gjithë subjektin e tregimit “Kënga”. Të mbledhur kokë më kokë shqiptarët këndojnë dhe jonet e përmallshme të vendlindjes, u sjellin kujtimet dhe frymën e shenjtë të Shqipërisë. Në mes punëtorëve kurbetllinj, autori veçon figurën e Ramit, një intelektuali i ri, student i drejtësisë në Stamboll, që duke dëgjuar këngën përjeton çaste të një patriotizmi të thellë. Vërtetësia sugjesionuese e këtij personazhi të lë të mendosh për reminishenca autobiografike.

Mbyllja e triptikut i kushtohet kthimit të katër kurbetllinjve në atdhe e në mes tyre dhe i Meços. Vendin e intrigës në tregim (“Po kthehen “) e zë përshkrimi i gjendjes emocionale, i pritjes së gjatë e i mallit. Në bisedat dhe gjestet, në lëvizjet dhe ankthin e kurbetllinjve autori, zbulon rrënjët e lidhjeve të thella me atdheun. Të gjitha këto janë dhënë me një ndjenjë të hollë poetike dhe reliev të qartë.

Tregimet “Kush e ka fajin?”dhe “Tmerri”, sado të shkruara në kohë të ndryshme, kanë të përbashkët shqetësimin e thellë të autorit për gjendjen e rëndë të Shqipërisë së robëruar. Në qoftë se në të parin jepen pamje tronditëse nga dhuna dhe padrejtësia që rëndojnë në kurriz të popullit nëpër fshatra, në të dytin flitet për përndjekjen e pamëshirshme që u bëhet përhapësve dhe propoganduesve të librit shqip. Ndërsa në të parin varfëria e tejskajshme dhe shtypja dalin të qarta përmes skemash realiste dhe personazhesh të besueshëm si figura e Tafilit, ose ajo e beut, apo e zaptijeve që mbledhin taksat me violencë, në të dytin gjejnë pasqyrim tmerri dhe presioni psikologjik që ushtron pushteti obskurantist mbi njerëzit dhe meditimet patriotike dhe humane, gjendja e trazuar shpirtërore e autorit.

Më shumë se tregim “Ay mal” është një skicë letrare për Tomorrin, malin e shenjtë të shqiptarëve, simbolit të qëndresës dhe të besimit në mbijetesën e tyre. Ngjitja për në malin e Tomorrit, në këtë prag të qiellit i ngjan një riti të lashtë arbëror, siç i ngjajnë një testamenti fjalët e plakut drejtuar të birit e si mësim të historisë që brezat i përcjellin njëri-tjetrit. Autori këto nuk i jep në mënyrë të thatë dhe retorike, po në sfondin e gjallë të malit të Tomorrit dhe të pamjeve piktoreske që hapen nga maja e tij. Është vërtetë madhështor imazhi i konfiguracionit të Shqipërisë, i dhënë jo vetëm si një tokë e shenjtë, gatuar me gjakun dhe djersën e shqiptarëve, po dhe si një vend me bukuri magjepsëse. E shkruar me ndjenja të fuqishme patriotike, ku meditimet alternohen me pamje të ndryshme të krahinave Shqipërisë dhe animizimi luan një rol të dukshëm. “Ay mal”është e denjë për çdo antologji shkollore.

S’ka dyshim se majën e saj proza e Lumo Skëndos e arrin me tregimet “Si vdiq Selman Todorush” dhe “Plaku i Yhmeçiut”. Njëri si tregim realist që ngrihet mbi karakterin e një malësori, tjetri si tregim alegorik, që ndërtohet mbi një figure simbolike. Malësori shqiptar, veçanërisht ai i viseve të jugut ka gjetur te Selman Todorusha thelbin e natyrës së tij, karakterin e fortë, zgjuarsinë dhe urtësinë e përvojës së jetës, njeriun “e rrojtur me nder e trmëri pas zakonit të shqiptarëve. “Ai është shëmbëlltyra e gjallë e plakut patriot lab, fjalëpak dhe autoritar, pjellë e mjedisit baritor dhe psikologjisë patriakale. Nuk do të gabonim po të thoshim se me Selman Todorushën, L. Skëndo është i pari që çel rrugën e tregimit të mirëfilltë të karaktereve në letrat shqipe. Ai e bëri heroin e vet të lexueshëm psikologjikisht përmes  situatash të besueshme dhe detajesh karakterizuese dhe vrojtimesh të holla. Është burrëria e Selman Todorushës para vdekjes ajo që ka nxjerrë në pah karakterin m dhe botën e tij të ashpër, po figura nuk do të dilte e plotë pa figurën e Rakos, e kësaj gruaje që për të treguar dashurinë dhe respektin e saj ndaj kunatit s’e ka për gjë të vetsakrifikohet duke u hedhur në greminë. Duket gati i pabesueshëm gjesti i vetëflijimit të Rakos, por ashpërsia e maleve dhe e zakoneve, pastërtia e saj shpirtërore e ndoshta ndonjë dramë e fshehtë, që velëm ndjehet, mund (të shpjegojë zgjidhjen që i jep autori tregimit.

“Plaku i Ylynecit” është një tregim alegorik, me prirje të qarta filozofike, që i paraqitet lexuesit për të nxjerrë kuptimin konkret dhe idetë që rreh t’i japë autori në kontekstin social-historik të kohës. Ai pothuajse nuk ka subjekt. Gjithë ajo që zhvillohet para tij, hapet si një tablo aq reale që dhe ireale, sa e vërtetë aq dhe fantastike. Edhe pse flitet për një vend të njohur të Shqipërisë së jugut, siç është shkëmbi i Ylynecit, ajo shënon vetëm pikënisjen, lokalizimin formal të ngjarjes që shtjellohet më pas. Lexuesi gjendet para mërgimtarit që kthehet në atdhe, i cili duke u ndalur para shpellës së hapur si një “gojë skëterre” bie në mendime të thella për fatin e Shqipërisë. Është kjo gjendje e fortë shpirtërore që përfton tablonë e një realiteti legjendar dhe bën të dalë prej andej plaku i moçëm i Ylynecit. Në këtë imazh minidantesk, shkrimtari vë në kontrast dy pamje: nga një anë paraqitet ferri, vdekja, koha e kthyer në të kaluar, bota e shndërruar në gërmadhë, ata që kanë rrojtur e s’janë më, dhe nga ana tjetër, parajsa, njerëz të gëzuar, vende të lulëzuara, qytete të bukura, e tanishmja plot dritë. Sipas filozofisë së orakullit të Ylynecit, në ferr gjenden njerëzit që vdiqën pa rrojtur, të padenjë për jetën, të dështuarit, qëniet e paafta, të pavlera, në parajse zënë vend njerëzit që rrojnë dhe e gëzojnë jetën, të denjë për vlerat dhe bukuritë e saj. Tabloja bëhet më e qartë dhe merr kuptim konkret, ajo zbulon kryefjalën e autorit, kur tregohet se në mes dy realiteteve qëndron një foshnjë, në djepin e së cilës është gdhendur fjala SH.Q.I.P.Ë.R.I.A. Djepi tundet në mes jetës dhe vdekjes, në mes luadhit të bukur dhe vendit të shkretuar.

Tregimi merr një domethënie filozofike dhe historike, që buron nga kontrasti flagrant i imazhit aq dhe nga monologu i orakullit të vjetër të Ylynecit. Plaku i Ylynecit është historia e paanshme, koha në rrjedhën e saj fatale, dëshmitare e të mirave dhe të këqijave, e vlerave dhe antivlerave të natyrës dhe të njeriut, kohë me alternativat e saj, para së cilës Shqipëria dhe shqiptarët duhet të dinë të vendosin raporte të drejta. Tregimi i shkruar në 1913 dhe botuar në 1915, vite këto të mbarsura nga rreziqe të panumërta  bartin mesazhin e shkrimtarit, drejtuar shqiptareve se, atdheu porsa çliruar nga pushtuesit i ngjan një foshnjeje, që kërkon jo vetëm dashuri e përkujdesje, po dhe urtësi e përkushtim, gatishmëri për çdo sakrificë. Varet prej tyre nëse ajo foshnjë do të përfundojë “në greminë ose në mbrothësi”.

Titulli “Hi dhe shpuzë” u takon në radhë ciklit të prozave poetike me të cilat hapet vëllimi omonim. Ato janë të një kohe me prozat poetike të F. Konicës dhe shënojnë fillimet e këtij lloji-Ietrar në letërsinë tonë. Kjo lloj proze, veç natyrës së saj të veçantë, formës dhe mjeteve, tërheq vëmendjen për brendinë humane, intime, për tematikën jashtë angazhimeve të drejtpërdrejta që lidhen me lëvizjen kombëtare. Prozat poetike do të pasqyronin një sferë tjetër të psikologjisë dhe botës shpirtërore të njeriut shqiptar i cili, ndonëse i përkushtuar i tëri luftës për liri,e jeton jetën në të gjitha shfaqjet e saj: për të nuk janë të huaja ndjenjat e holla, çastet lirike, meditimet social-filozofike. Nxjerrja në pah e kësaj pasurie shpirtërore e intelektuale, dëshmonte veç emancipimit në radhët e inteligjencës shqiptare, dhe për ato rreze drite që vezullonin në mbretërinë e fanatizmit mesjetar të kohës.

Dashuria është tema që lidh e bashkon në një të vetëm gjithë ciklin e prozave poetike të Lumo Skëndos. Nëpër të, nën hirin e kohës digjet shpuzë shpirti dhe shkëndijojnë mendimet e njeriut të dashuruar. Ndjenja e dashurisë paraqitet me një spektër të pasur emocional dhe bëhet e dukshme dhe prekshme përmes një vargu situatash e gjendjesh shpirtërore, me drita dhe hije, ku alternohen dhe gërshetohen gëzimi e trishtimi, ëndrra e zhgjëndrra, malli dhe vetmia. Dhe megjithë këto variacione, e gjithë proza ka një heroine të përbashkët: është e dashura e poetit, vasha e tij, e dhënë nga këndvështrime të ndryshme, po gjithnjë e bukur dhe joshëse, e heshtur dhe plot fshehtësi, shpesh nën një dritë të vagëlluar, parë gjithnjë me sytë e mallit.

Dashuria e poetit është e fuqishme dhe pastër, e sinqertë dhe delikate. Ajo mban vellon e një tisi romantik dhe karakterizohet nga nota sentimentale, ajo gjallëron si një ndjenjë e thellë që buron më shumë nga shpirti se sa nga trupi. Kjo është arsyeja që prej portretit të heroinës ne shohim kryesisht sytë, buzët, flokët, duart dhe ndjejmë më tepër lidhjet shpirtërore midis tyre. Janë këto lidhje që i japin kuptim jetës së poetit, e ngazëllejnë ose e trishtojnë, e ngrenë në qiell ose e zbresin në tokë.

Dashuria në prozat e Lumo Skëndos nuk mund të përfytyrohet e kuptohet pa pjesëmarrjen aktive të natyrës. Natyra është pjesë përbërëse dhe sfond i pandarë i saj. Ajo i gjendet dashurisë së poetit në çdo kohë të ditës e të natës, mbushur me mistere dhe kredhur në një atmosferë të mjegulluar. Në peizazhin e tij janë të pranishëm zakonisht qielli, hëna, yjet, nata, mugëtira, shiu, vjeshta, drita të vagëlluara, që në një mënyrë a në një tjetër ndihmojnë për të nxjerrë në reliev momente të ndryshme të dashurisë.

S’ka dyshim se prozat poetike të Lumo Skëndos janë krijime origjinale, pjellë e meditimeve e përjetimeve, që zgjoi dashuria te një shpirt e një qenie thellësisht artistike siç ishte ai. Por nga ana tjetër të krijuara në klimën e romantizmit të vonuar shqiptar në përqasje me romantizmin europian ndihet ndikimi i tij, veçanërisht i letërsisë romantike franceze. Nuk është e rastit që ai përktheu qysh në fillim një vepër në prozë të Lamartinit. Lumo Skëndo më pas do të ecë në këtë tragë po të kemi parasysh se prozat e tij poetike kanë frymë nga fryma romantike e Lamartinit. Ato janë gatuar me ide dhe imazhe të kësaj letërsie, që vendosi raporte të reja me jetën dhe njeriun. Autori udhëhiqet nga mendimi themelor i romantikëve se, çdo gjë në këtë jetë “është e vdirshme” (e vdekshme), e paqëndrueshme, prandaj ajo duhet gëzuar, nuk duhet lënë çasti i lumtur të kalojë. Prej këndej rrjedh filozofia hedoniste- epikuriane në marrëdhëniet e shkrimtarit të ri me dashurinë, gëzimi që sjell ajo, shpirtmirësia, keqardhja për vrapin e kohës që s’kthehet më. Meditimi i thellë mbi këtë gjendje të pashmangshme zgjon në prozat e tij nota trishtimi, ndonjëherë dhe tone elegjiake, imazhe të zymta, rrëfime të shqetësuara. Fryma meditative gërshetohet me ndjenjën e vetmisë dhe këto përftojnë kujtime që ravijëzohen në peizazhe të mugëta, në hije dhe fantazma, ku ndihen zëra, aq karakteristike për simbolistët francezë, të cilët L. Skëndo i ka njohur si vazhdues të romantikëve. Ashtu si ata, ai të keqen në shoqërinë njerëzore nuk e sheh thjeshtë si kategori historike, po si diçka që fatalisht u bie njerëzve.

L.Skëndo edhe pse shkruan në prozë, tregohet poet, një lirik i hollë e delikat. Lirizmi i tij gjen shprehje në harmonizimin e ndjenjave të veta me natyrën dhe bukurinë e saj, në frymën nostalgjike për madhështinë e kaluar dhe trishtimi për humbjen e saj. Prandaj proza e tij kthehet në një rrëfim shpirtëror dhe ky rrëfim tingëllon i sinqertë, i vetvetishëm, pa poza e artifica, ai del si një psherëtimë dhe ndikon menjëherë emocionalisht te lexuesi.

Kujtimet janë një kapitull më vete në prozën tregimtare të L. Skëndos. Ato qëndrojnë në mes përjetimeve vetjake, ngjarjeve reale dhe krijimtarisë letrare. Bile, për nga fryma dhe ngarkesa emocionale, nga pasuria figurative dhe asociative afrohen me tregimet. Vetë autori te “Netët” pohon se “kam ca kujtime që të isha poet do t’i vija në vjershë, të isha piktor do t’i përshkronja me ngjyra. “Në fakt L. Skëndo gjithë ç’ka ndjerë dhe ka përjetuar, i ka dhënë në kujtimet si artist përmes një proze të këndshme, plot detaje e mbresa të gjalla, me një gjuhë të ëmbël dhe rrëfim të shtruar.

Kështu, përcjellja e fund it e Naimit, atmosfera e kësaj dite të dhimbshme (“Naim be Frashëri”) dhe portreti intelektual i Samiut (“Një kujtim”) nuk janë evokime të rëndomta të kohës së kaluar, por proza në kufijtë e artit të fjalës. Dy kujtimet e tjera (“Suliotët” dhe “Në Sinpo”) të përshkruara nga ideali patriotik, sjellin para lexuesit realitete dhe gjurmë shqiptare në botën turke. Ndërsa te “Netët” shpirti i hollë artistik dhe zemra e ndezur e atdhetarit kanë përftuar imazhe të forta mbresëlënëse. Sipas tij janë të bukura netët nën dritën e hënës në Stamboll, Vjenë, Athinë dhe Athos, po më e bukura natë është ajo, kur tek gjendet në një cep të Shqipërisë, vështron dhe sodit Gurin e Skënderbeut. Edhe te “Pylli”, që duket në vështrim të parë si një peizazh, por magjepës, përshkënditet nga kujtimi i Shqipërisë.

Proza tregimtare e L. Skëndos shënon pa dyshim një hap të rëndësishëm në rrugën e mundimshme të prozës sonë artistike. Lënda jetësore dhe historike, njeriu dhe psikologjia shqiptare, filozofia dhe konstitucioni i tij shpirtëror, natyra dhe mjedisi karakteristik në këtë faqe të re të prozës, gjetën një organizim artistik mbi bazën e një gjuhe emocionale-individualizuese, e në radhë të parë në përvijimin e karaktereve, por dhe në shtjellimin e fabulës e të subjektit, të strukturave kompozicionale etj. Veçanërisht, puna krijuese me karakteret përbën ndoshta momentin më të rëndësishëm, po të kemi parasysh që historia e letërsisë është tek e fundit, siç thuhet historia e karaktereve. Në tregimet më të mira L. Skëndo, ka arritur që të mbahet mend, jo nga emri se sa nga tiparet e qenësishme të personazheve, nga tipi social që përfaqëson. Pa lënë mënjanë ngjarjet dhe përshkrimet, proza e tij synon të hyjë në brendi të njeriut shqiptar, ta zbërthejë psikologjikisht e ta mishërojë artistikisht brenda mjedisit të vet. Personazhe si Selman Todorusha apo plaku i Ylynecit janë nga të parët që kanë hyrë në galerinë e karaktereve të letërsisë shqipe. Pas tyre rrinë figura të qarta si ajo e mërgimtarit Meço Guri, e fshatarit Tafil apo e malësorit Gjokë, e studentit Ram, e at Pjetrit e Shytit etj., pa harruar heroinën lirike të prozave poetike dhe autorportretin e shkrimtarit. Individualizimi i figurave në prozën tregimtare të L.Skëndos është një përvojë e vyer artistike që ai ka sjellë në letërsinë tonë në një kohë kur ajo kish aq shumë nevojë.

Tregimet e veta L. Skëndo i quan novela, kur në fillim të shekullit emërtoheshin rrëfenja ose tregonjëza. Subjektet e tyre janë të thjeshta, pa ndërlikime, me fabula që japin dorë për situata bindëse dhe hapësirë për evoluimin e personazheve. Në strukturat kompozicionale gjenden raporte të drejta midis dialogut dhe aksionit, përshkrimeve dhe peizazhit.

L.Skëndo është tregimtar i lindur. Rrëfimi i tij zhvillohet natyrshëm, i shtruar, me sens mase, nga kënde të ndryshme vështrimi, me një teknikë novatore për kohën. Ai integrohet e harmonizohet me dialogun, një dialog individualizues sa informues aq dhe funksional, me ngjyrime emocionale. Nga ana tjetër proza e L. Skëndos nuk mund të mendohet pa peizazhin, përshkrimet piktoreske të natyrës. Autori e ka të theksuar ndjenjën e peizazhit, është tepër i ndjeshëm ndaj hijes dhe dritës, ngjyrave të stinëve, relievit shqiptar. Natyra shqiptare ka gjetur tek ai artistin që pikturon aq bukur e saktë me fjalë. Me fjalën e tij të hollë, na ka dhënë malet dhe fushat, pranverën dhe dimrin, florën dhe faunën shqiptare. Aftësitë përshkruese dalin po aq të qarta e të prekshme dhe në vizatimin e portreteve, të mjediseve e të atmosferës sidomos atyre fshatare.

Proza e L. Skëndos u shkrua në klimën e romantizmit shqiptar dhe sado që vende-vende ka situata dhe tabllo realiste, figura dhe zgjidhje të dhëna me vërtetësi, ajo mbetet një prozë romantike me thekse sentimentaliste. Ndoshta, vlera më e madhe e kësaj proze është gjuha, e cila i trasoi rrugën artit të fjalës në këtë gjini të vonuar të letërsisë tonë. Në pendën e L. Skëndos fjala shqipe fitoi vlera të reja emocionale, stilistike e semantike. Toskërishtja e prozës së Naimit dhe e prozës historiko-publicistike të Samiut, në prozën e të nipit u pasurua më tej. Toskërishtja letrare e traditës së Rilindjes dha tek ky autor një provë të suksesshme të vlerave dhe aftësive pasqyruese e plazmuese. Ndjeshmëria ndaj fjalës, butësia dhe ëmbëlsia, harmonia e brendshme e frazës, ngjyrimet emocionale, janë disa nga tiparet e stilit të L. Skëndos.

Stili i tij nuk mund të kuptohet pa ritmin dhe melodinë e muzikës së gjuhës shqipe, pa tonet e saj të larmishme. Ndikimi i L. Skëndos në këtë pikëpamje do të ndihet në brezat e ardhshëm letrarë, madje deri te M. Kuteli.

“Hidhe shpuzë” është botuar 80 vjet më parë. E vështruar në tërësinë e veprimtarisë së L.Skëndos, ky libër mbetet e vetmja përmbledhje letrare e tij. Më vonë ai, pak ose aspak, iu kushtua letërsisë së mirëfilltë. U mor me studime e publicistike, me hulumtime të vlerave tona kombëtare. Kështu “Hi dhe shpuzë” është kthyer dhe në një relikte bibliografike po të mendojmë që u botua dhe jashtë vendit. Megjithatë, tregimet e tij më të arrira, “Plaku i Ylynecit”dhe “Si vdiq Selman Todorusha” asnjëherë nuk munguan nga antologjitë tona shkollore në mes dy luftërave.

Autori i këtyre radhëve e quan nder dhe kënaqësi që u mor me prozën e L. Skëndos, duke e parë autorin kryesisht si shkrimtar dhe personalitet të kulturës pavarësisht nga pikëpamjet politike dhe filozofia e tij sociale. Ky është edhe një rast për të dëshmuar të vërtetën e njohur se republika e përjetshme e artit e përjashton mbretërinë përkohshme të politikës.

“Hi dhe shpuzë” u përket atyre veprave të letërsisë shqiptare që koha jo vetëm nuk e ka zbehur dhe rrudhur, por përkundrazi i ka nxjerrë më në pah vlerat e tyre të vërteta. Kemi bindjen se brezat e rinj të lexuesve do të kenë ç’të mësojnë dhe shijojnë nga proza e njërit prej pionierëve të saj.

November 7, 2018 10:00
Komento

6 Komente

  1. demo November 7, 13:28

    Ja ku eshte me Ali beun,i thate,i rroitur,i skeletosur sikur ka dale nga Buhenwaldi,jo se ka ngrene pula koteci,kalastrana fshati,sic thote shefqet musarai.Ky hante pula,enverit i ngjallej barku.

    Reply to this comment
  2. Buzuku November 7, 17:43

    Gjithmone kam ndjere dhimbje nga fati i njerezve te tille. Sektarizmi ndaj tyre e Ka thare shpirtin e kultures sone, duke na bere ne te zbrazet.Hiq cka per tu hequr dhe l’errore ate qe duhet lene, Jo me sepaten e dardhariit.

    Reply to this comment
  3. te flasim si njerez November 7, 18:26

    Mire e ke a vellai i xhait, ti Gjon Buzuku, por kur na vrau Mithat Frasheri me gjithe gjermanet ti ishe ne topet e baes tend, e tani qe dole na birbilon. Keshtu jane punet . tani Shqiperine e gezojne te gjithe edhe ti i dahsuri Mithatit edhe une i plagusri Mitahatit, por ti po kendon si kendez eune s’po kendoj fare, apo e kemi me radhe; nje here une e nje here ti? E pastaj asnjehere te dy.

    Reply to this comment
  4. Sazani November 8, 07:38

    Po ti Nasho , ç’mutin do me shefin e ballistëve ?!
    Ai e shkroi vetë historinë e tij – bashkëpunëtor i fashizmit , kolaboracionist dhe gjykimi i tijë është bërë sipas standarteve ndërkombetare .
    Ti bën një perpjekje servile për t’a mbajtur kolaboracionistin në skenë , por ,duke ndarë fjalët nga muzika e këngës së tijë . Shumë keq , Nasho !

    Reply to this comment
  5. Dodona mbi Tomorr November 8, 19:14

    NASHO JORGAQI ! KETO JANE SHTYLLA TE KALBURA NUK E MBAJNE DOT KOMBIN! KOMBI YNE ESHTE I ZGJUAR PRANDAJ NUK E LA VEHTEN NE DORE TE MITATEVE , ERMENJEVE , DOSTEVE ,ALINJVE E SALINJVE DHE E FITOI LUFTEN DHE SIGUROI KUFIJT E SHTETIT SHQIPTAR.

    Reply to this comment
  6. Elis November 9, 21:37

    Profesor Nasho Jorgaqi njohesi më i mirë I letersise sonë të viteve ’12-’39.Studim I shkëlqyer .Jetë të gjatë Profesorit për të mirën e kulturës sone.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*