Lumturia nuk ka brirë (mbi renditjen e Shqipërisë sipas FMN dhe OKB)

April 2, 2018 10:05

Lumturia nuk ka brirë (mbi renditjen e Shqipërisë sipas FMN dhe OKB)

Artan Xh.Duka

Sipas FMN kemi ritmet më të larta të zhvillimit në rajon por ndërkohë stabiliteti e varfëria mbeten sfidë dhe fakti që sipas OKB jemi të 109 nga 155 vënde në indeksin e lumturisë, flet vetë. Kyçi mbeten reformat. Si për zhvillimin ekonomik ashtu dhe besimin e optimizmin qytetar tek institucionet dhe shteti ligjor.

Edhe kaq, mirë!

Lumturia është relative dhe jo thjesht derivat i parasë. Varet nga drejtësia sociale, zbatimi i ligjit, pritshmëritë e rrethanat personale e familjare etj. Vetë “oazi” i lumturisë, vëndet skandinave, kanë paradoksalisht nivel jo të papërfillshëm krizash personale, depresion e deri vetflijim (thuhet se Aleksandri Madh u ngashërye përballë perandorisë së pamatë që krijoi; nuk kishte mbetur më gjë tjetër për të pushtuar).

Pavarësisht rregullave në shoqëri, prapë jeta dhe lumturia është edhe fat. Jo të gjithë pasurohen njëlloj por sa kohë ecet me rregulla, nuk ka pse të ketë as qejfmbetje e as cmirë që gërryejnë kohezionin social dhe raportin vlerë-antivlerë. Ndërkohë, tek ne lumturia mbetet e debatueshme jo sepse ka ende varfëri por se ka prej dekadash padrejtësi dhe ndonse u përfol monizmi, ende nuk ka një “metër” për të gjithë.

Me ç’kemi kaluar, edhe kaq indeks lumturie mirë! Se me “urdhër të peshkut” nga politika abuzive u zhbë industria dhe ekonomia bujqësore dhe qindra mijra u vunë përballë zgjedhjes ose të emigrimit “biblik”, ose shndërrimit në “cironka” të korrupsionit, ose mbijetesës dinjitoze por sfilitëse njëkohësisht. Me një klimë pasigurie që cënoi lumturinë pa përjashtim.

E ndërsa reforma në drejtësi e administrative janë fillim i mbarë për rizgjimin e besimit e optmizmit qytetar, po thelbësore janë ajo zgjedhore dhe vetingu politik. Votuesit i ka humbur “zëri” në kuvënd. Deputetët, me pak përjashtime, janë zëdhënës të vegjetizmit partiak të dakortësuar në heshtje për mbijetesën e sistemit “spanjoll” përkundrejt atij mazhoritar që mundëson meritë dhe përgjegjëshmëri ndaj elektoratit.

Ndihmë sociale dhe punësim dinjitoz

Ndonse në parim duhet përshëndetur, refreni qeveritar për punësimin dhe daljen nga skema e mbështetjes sociale duhet të synojnë më shumë drejtësi sociale. Punësimi është mundësi për shanse dhe dinjitet por ndërkohë duke respektuar rrethanat e kujtdo.

Të gjithë duan të punojnë por jo të gjithë munden të punojnë dhe punësimi nuk ka pse bëhet me “detyrim përcaktim” e me afate kohore plus, mjaft nga ata që duan të punojnë mendojnë se ia vlen pritja derisa të gjejnë një punë që u përshtatet më mirë.  Qytetari duhet të ketë liri në tregun e punës dhe ajo vetë duhet të jetë kënaqësi.

Qeveria vetë duhet të rishikojë nivelin e ndihmës sociale (minimumim jetik) që të garantojë më tepër dinjitet deri ditën që qytetari zë punë. Deri tani ajo ka qënë “lëmoshë” dhe “rrogat” nuk kanë pse krahasohen me të e nëse qeveria kërkon të ulë shpenzimet buxhetore, ta fillojë nga rrogat dhe privilegjet pafund të pushtetarëve dhe politikanëve në vënd.

Problem për një vënd të NATO e aspirant për në BE nuk është vetëm ndihma sociale “lëmoshë” por dhe “rrogat” e sotme (deri në paradoksin që krahu i lirë i punës që duhet të jetë sfidë për qeverinë, shihet si “avantazh” konkurrues për investimet e huaja në vënd!). Për më tepër, presioni për “punësim” mbetet amoral kur vjen nga një klasë politike që vegjeton tre dekada falë sistemit të “kopsitur” prej saj dhe ka krijuar punësim e privilegje pafund të përjetshme për veten dhe pasardhësit e saj.

Motivimi për të hyrë në tregun e punës duhet të jetë “e mira” dhe jo e “keqja” pafund, rroga dinjitoze dhe mbështetja sociale në vijim (siguria, kujdesi për fëmijët etj) dhe jo heqja e lëmoshës sociale apo turpi nga etiketimi “parazit”! Kjo, kur në kushtet e massmedias kaotike, fragmentizimit të shoqërisë e inversit të vlerave qytetare, roli i familjes është jetik për kohezionin social dhe sa rëndësi ka shtimi i familjes, ka dhe ngjizja e vlerave që nënkupton kohën e duhur mes prindit e fëmijës së tij.

Duke shtuar mbështetjen sociale, indirekt do rriten edhe pagat prej biznesit për të motivuar rekrutimin e forcës punëtore dhe shteti mund të promovojë punësimin dinjitoz përmes caktimit  të pagës minimale, taksim favorizues bizneseve për punësimin ekstra, konsolidimin ligjor të sindikatave etj.

(Pa)barazia para ligjit

Indeksi i lumturisë presupozon edhe barazinë para ligjit dhe në tre dekada padrejtësia është ulur këmbëkryq. Duke filluar nga prona kur ndërkohë që pronarët e tokave ende presin kompensimet qesharake, përfituesit nga 7501 po marrin tapi me fanfara qeveritare, vënë gur mbi gur e shohin përpara në jetë (a do kompensohen vallë realisht dhe shpejt?)

Duke vijuar me privatizimin e pasurive shtetërore kur ndërkohë që 230 mijë familje përfituan pothuajse falas në 1992 shtëpi, dyqane, magazina etj, mijra familje mbetën të pastreha sepse, ndonse me letra, jetonin në shtëpi pronarësh (a do kenë një strehë  apo do falet kredia për strehim?).

Flitet për favorizimet për pensionistët por për kompesimin e faturave elektrike diskriminohen plot me argumentin se nuk kanë kontratë! E vjen puna që një i moshuar që si ish-pronar toke nuk gëzoi një pëllëmbë, mbeti pa shtëpi sepse banonte në shtëpi ish-pronari (ndryshe nga tokat, ato u rikthyen) dhe jeton në shtëpinë e fëmijëve përjashtohet nga kompensimi financiar(!) etj.

Reforma në drejtësi duhet të zhbëjë çdo padrejtësi dhe çdo dosje e djeshme duhet të jetë subjekt apelimi nëse ka palë që kanë vuajtur pasojat e drejtësisë së korruptuar apo arbitraritetit shtetëror.

Indeksi i lumturisë është relativ por e ka një të vërtetë. Vëndi ka nevojë për reforma por dhe vëmëndje sociale. Paradoksalisht nuk kemi të djathtë në vënd. Bile nuk kemi patur kurrë sepse u uzurpua qysh në fillim. Por ndërsa çdo qeveri e kujtdo krahu ideologjik mirëkuptohet kur ndërmerr politika të djathta e të majta njëkohësisht (sepse jeta është e tillë), PS sot nuk ka pse sillet më e djathtë se e … djathta (ndonse reformat e djathta kalohen më kollaj me qeverisje të majtë).

Që PS e qeverisja e saj të mos kujtohen si “social-ishte” qytetarët nuk duhen parë si numra e statistikë por individë me botën, ndjeshmëritë dhe rrethanat e tyre që meritojnë respekt e drejtësi. Ndryshe “medalja” e FMN është pa “bukë”.

 

April 2, 2018 10:05
Komento

10 Komente

  1. osman lala April 2, 10:14

    Dakord ne pergjithesi me autorin por kam nje korigjim
    Autori thote “Të gjithë duan të punojnë..”
    Ne fakt ne Shqiperi kjo perkthehet “Të gjithë duan nje rroge…”
    Shqiptaret jane popull pertac

    Reply to this comment
    • emigranti April 2, 10:16

      Osman cuditerisht jemi pertace vetem kur behet fjale per ne Shqiperi
      Se jashte saj jemi gati te rropatemi ne pune nga mengjesi ne darke
      Pse na vjen si zor te punojme ne Shqiperi?
      Kjo eshte pyetja mendoj une
      Dhe pergjigja ka te beje me pabarazine
      Atje punon dhe punon kot sepse shef komshiun qe fiton dhjetefish vetem duke ndenjur tek oborri i partise

      Reply to this comment
    • Muslym Pata April 2, 10:31

      I paske kthy nja dy goda Osman .
      Ndoshta ti je pertac ,
      Une kam pare shqiptare qe punojne dhe shume .
      Kam pare Gjerman dembele , Greke dembele ,
      Italian dembele , e plote te tjere .
      Po eshte e vertet kerkojme nje rroge
      dhe me te DREJTA .

      Reply to this comment
    • info analitike April 2, 10:53

      Po ore Osman duke filluar nga Krieminsitri dhe ministrat e tij qe nuk kane bere tjeter vecse pune shteti dhe u majmen si mamuthe duke vjedhur e plackitur. Nuk ka popull pertac por politikane te korruptuar. Po ti krijosh mundesite cdo shqiptar eshte i zoti te punoje, madje me deshire, por jo me paga sklleverish e me taksa sheikesh.

      Reply to this comment
    • Liri April 2, 13:09

      #osman Lala
      Kjo qe thoni ju nuk qëndron fare..
      Janë puntor ore…
      Po asnjë njeri nuk punon, që të mbetet i vobektë…
      Fajin e ka drejtimi shtetëror…

      Reply to this comment
    • Beni April 2, 13:10

      O Lala.
      Kush janë puntor për ty?
      Ministrat e hashashit?

      Reply to this comment
  2. Viro April 2, 11:43

    Pergjithsisht dakord me shkrimin po shteti nuk eshte I vetmi aktor ne kete shoqedi dhe as shperndarja e vlerave monetare i vetmi aktivitet. Mendoj se ky sistem krijon shume mundesi per individin te cilit I mungon inisjativa private e pret vetem nje vend Pune ne shtet. Shqiptaret synojne vetem Tiranen se pjesa tjeter e teritorit eshte pa Infrastrukture, ,pa rruge, pa uji edrita, pa shkolla e spitale. Erjon Veliaj mburret qe ne Tirane mbrijne cdo dite 10 famijlje te reja dhe nuk shqetsohet qe shqiperia po boshatiset dhe tirana po behet nje qyyet gazerme. Cdo behet me pjesen tjeter te vendit, me resurset e asaj pjese, me traditat, a ndihen te lumtur ata qe lene ato vende e vine e rrine kafeneve te tiranes. Dhe kjo eshte pjese e lumturise.

    Reply to this comment
  3. Vlonjat April 2, 13:08

    Në të vërtetë ne punojmë, jemi një vend që kemi një krah pune të shkëlqyer, që shfrytëzohet, kemi mundësi të mëdha zhvillimi e rritjeje mirëqënieje, vetëm se gjithë ky mund, gjithë ky kontribut, gjithë kjo prodhimshmëri vidhet nga politikanët e radhës. Nëse do punohej për Shqipërinë e për popullin ashtu si populli punon për vendin, ne do të ishim ndër ekonomitë më të zhvilluara të Evropës. Nëse kasta sunduese prej 20 vjetësh, s’do e mbante peng vendin, me këtë krah pune që kemi, do të ishim pararojë e Ballkanit e faktor i rëndësishëm ekonomik e do të ishim gur i rëndësishëm strategjik në lojën politike të rajonit.

    Reply to this comment
  4. mirel April 2, 13:51

    Social ishtja i ka hyre me top koncesioneve prandaj indexi i lumturuse eshte andej nga fundi i botes se trete.
    Mos hezito te thuash qe FMN keshilloi qeverine te anullonte ne menyre urgjente koncesionet, sepse po e cojne ekonomine ne kolaps te plote. Sepse muk po investohen ne pika strategjike te ekonomise, sepse lindin me propozim nga “privati”, rasti me klasik ky i Rruges se Kombit, dhe jo nga studime serioze te qeverise qe planifikojne pikat dhe si duhen bere investimet.
    Dhe ne fund, nese nuk nxjerrin fitimet, faturat i paguan populli. Keshtu, propozimet e privateve dalin me fature per miletin kokepalare, qe nuk e kishin pare as ne ender pse duhej qe nje Kastrat qe kish privatizuar ndermarjen shteterore te Transportit ne Kukes, qe ne vitin 1991, se me cfare merite dhe te drejte hajde merre vesh, dhe tani i lind ideja dhe frymezimi qe te privatizoje dhe rrugen kombetare qe e kane paguar shqiptaret me gjakun e tyre.
    Eshte kapitalizem thone.
    Keto jane rregullat e lojes.
    Dakort. Meqe qenka loja keshtu, hajt te nderrojme portat. Merrjani Kastratit ndermarjen, se ishte e shtetit dhe nuk ja kishte ngritur babai, dhe tja japim banoreve te Kukesit. Le te lere Edi Ramuti dhe taborri i qeverise karriget. Le te ulen te ato karrige gjithe banoret kokepalare te Kukesit..Te iki gjuthe Tirana e punesuar neper zyrat e qeverise dhe te nderrojne vend me banoret e zonave te thella, dhe te fshatrave veri e jug.
    Te mos marrin me vete asgje. Le te nderrojne vendet me ata qe nuk kane favoret e pushtetit. Dhe te shikojme si do ju pelqeje kapitalizmi.
    Dhe te shikojme si do e llogarisin indeksin e lumturise.

    Reply to this comment
  5. Epo kjo pune! April 3, 12:37

    rrisni rrogat dhe ndihmen sociale sepse qytetaret prape do i xhirojne parate neper dyqane dhe sherbime dhe keshtu mbahet ekonomia dhe punesimi ne vazhdimesi, se te pasurit i cojne jashteshtetit dhe nuk xhirohet paraja ne vend… dhe ulni rrogat e deputeteve dhe ministrave se jo vetem nuk bejne punen si duhet por dhe jane te ekzagjeruara, ne komunizem ishim te varfer por kishte nje ndjesi drejtesie ndersa sot te pezmaton dhe ben pesimist qe pasurohen pa te drejte.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*