Lutje ambasadorit Lu nga një ujgur

April 13, 2016 11:46

Lutje ambasadorit Lu nga një ujgur

Nga Xhevdet Shehu

Në muajin nëntor të vitit të kaluar takova rastësisht dhe u njoha me një grup gazetarësh. Ata vinin nga Taipei, kryeqyteti i Taivanit. Zonja që i kryesonte ata quhej Carol Ann Chang dhe ishte kryeredaktore e revistës ‘Balkans’, një revistë me 100 faqe që botohet çdo dy javë prej më shumë se tre vjetësh në gjuhën kineze, objekt i së cilës janë historia dhe traditat e vendeve ballkanike dhe më gjerë. Pikërisht ato ditë, zonja Carol u njoh me historinë e pesë ujgurëve që kanë gjetur strehim në Shqipëri prej afro dhjetë vjetësh, nëpërmjet një takimi që pati me njërin prej tyre, Abu Bakker Qazim. Ajo u impresionua nga historia e tyre dhe premtoi të ndihmonte që ata të merrnin një kartë shqiptare identiteti, në mënyrë që të kenë mundësi për të punuar dhe të gëzojnë lirinë e lëvizjes. Para disa ditësh, Carol Ann Chang më dërgoi një letër të hapur drejtuar shqiptarëve, me lutjen për ta botuar në gazetën ‘DITA’. Në vijim po botojmë letrën e saj, si dhe historinë e rrallë të Abu Bakker Qazimit.

*************

Fillimisht e kontaktova me numrin e telefonit mobile, që natyrisht është i një kompanie të fuqishme që operon në Shqipëri. “Mund të flas me zotin Qazim?”, e pyes në gjuhën shqipe. Në anën tjetër më përgjigjet një zë i ngrohtë dhe me një shqipe të pastër: “Po, unë jam Qazimi”.

Kur i prezantohem dhe i shpjegoj se përse e kisha telefonuar, e lamë të takohemi në një nga kafenetë në qendër të Tiranës.

Dhe ai fillon e tregon me pak fjalë historinë e jetës së tij, një jetë e mbushur me peripeci, privacione dhe vuajtje që shtrihen në një hapësirë të paimagjinueshme globale: Nga Kina në Amerikë, për të përfunduar në Shqipëri. ..

***

Jeta në Shqipëri prej 10 vjetësh është një histori më vete për Abu Bakker Qazim dhe miqtë e tij ujgurë me të cilët ndan të njëjtin fat. Gjatë kësaj periudhe ai është përballur me sfida që nuk i kishte menduar kurrë në jetën e tij.

Autoritetet shqiptare u ofruan azilantëve strehim, ushqim dhe të drejtën për të punuar ndërsa ujgurëve të mbërritur në Tiranë tashmë u duhej që të përshtateshin me shoqërinë e re. Dhe gjëja e parë që bënë në Shqipëri ishte mësimi i gjuhës shqipe.

Por pavarësisht kësaj, ata ende jetojnë si një refugjat. Qazimi dhe ujgurët e tjerë të Guantanamos nuk kanë marrë shtetësi dhe pasaportë shqiptare, kështu që nuk mund të udhëtojnë lirshëm as brenda vendit dhe as jashtë Shqipërisë.

***

Donald Lu

Donald Lu

Kur shkeli në këtë vend ballkanik, Qazimi dinte pak për Shqipërinë, si i rritur në Kinën perëndimore. Udhëheqësit komunistë të Kinës dhe Shqipërisë, Mao Ce Dun dhe Enver Hoxha, kishin ndërtuar marrëdhënie të ngushta në vitet e ’60-’70 tw shekullit tw kaluar. Kjo miqësi kishte ndikuar që ai të krijonte një përfytyrim jo real për vendin tonw.

“Kisha idenë se Shqipëria do të ishte një vend i madh, sepse kur isha i ri shihja shumë filma shqiptarë në televizionet kineze për shkak të marrëdhënieve të forta të asaj kohe. Mendoja se një vend i madh si Kina kishte miqësi me një vend po aq të madh ose pak më të vogël se ajo”, thotë Qazimi.

Por, kur mbërriti në Shqipëri, Qazimi thotë se nuk mund të besonte se ishte në Shqipëri, pjesërisht për shkak se Tirana i dukej shumë e vogël për të qenë kryeqytet i një vendi.

“Shikova në një hartë për të gjetur Shqipërinë. Por, s’po mund ta gjeja. I pyesja njerëzit: ‘A mund të më gjeni Shqipërinë në hartë?’, ndërsa ata më tregonin një pikë të vogël në hartë”.

Ai gjithashtu mësoi se Shqipëria është bërë shtet demokratik pas vitit 1990 dhe se kishte shumicë myslimane. Qazimi shumë shpejt e kuptoi se Tirana është e mbushur plot me piceri të stilit italian. Kurrë më parë ai s’kishte dëgjuar për pica dhe nuk fliste asnjë fjalë shqip. Por, hyri në një piceri dhe disi ia doli të porosiste një byrek.

“Ishte i shijshëm. Pronari nuk më mori para në shenjë respekti”, tregon Qazimi. Tashmw, pica është ushqimi kryesor në jetën e Qazimit në Shqipëri. Për një periudhë të shkurtër Qazimi mësoi të gatuante pica dhe u punësua në një lokal të Tiranës, pasi mësoi se shqiptarët i kishin shumë qejf picat. Nga kjo punë ai edhe fitonte diçka për familjen e re që krijoi në Tiranë.

Uighuren aus GuantanamoPasi kishte lënë në Kinë gruan me tre fëmijë, në Shqipëri ai u martua sërish me një ujgure, Aishen, me të cilën ka lindur dy fëmijë, një vajzë 4 vjeç, që e ka quajtur Zenepe dhe një djalë një vit e gjysmë që i ka vënë emrin Omer.

Por puna e tij në piceri nuk zgjati shumë. Kjo për faktin e thjeshtë se ai përveç një leje qëndrimi, nuk kishte ndonjë dokument tjetër identifikimi. I mungonte një pasaportë dhe një kartë identiteti.

Gjithsesi, jeta e ujgurëve në Shqipëri gjatë këtyre viteve është përmirësuar ndjeshëm. Qazimi thotë se ka plot miq shqiptarë për të cilët thotë se janë njerëz të mrekullueshëm. Megjithatë, ai thotë se ende ka probleme që të sigurojë mbijetesën. Ai thotë se në pamundësi për të punuar apo për të hapur një biznes të vetin, ndihma që e merr nga shteti nuk i mjafton për të mbajtur familjen. Qazimi thotë se e ka të vështirë të gjejë punë për shkak të shkallës së lartë të papunësisë në vend, por edhe për shkak të prejardhjes.

“Është e vështirë kur shkoj të aplikoj dhe kërkoj punë. Më pyesin prej nga jam. Dhe menjëherë e bëjnë ndërlidhjen me Guantanamon”, thotë ai.

***

Guantanamo vazhdon t’ia komplikojë jetën Qazimit. Megjithatë, ai nuk duket se ka ndonjë pakënaqësi për SHBA-të apo për Shqipërinë. Ai e fajëson Pakistanin për të cilin thotë t’i ketë dorëzuar ujgurët tek forcat amerikane më 2001 për një dhuratë: Amerikanët kishin menduar gabimisht se ata janë terroristë.

“Kur u thamë amerikanëve se jemi ujgurë, gjendja u përmirësua. Ata nuk kishin asnjë problem me ne. Ata në të vërtetë na trajtuan goxha mirë. Disa prej rojeve të burgut madje na jepnin edhe çokollata”, thotë Qazimi i cili edhe pse e kanë mbajtur gjatë në burg, nuk e kritikon Amerikën.

“Nuk e di pse më mbajtën kaq gjatë”, thotë Qazimi. “Ndoshta për arsye politike”.

Megjithatë, Qazimi tregon mençuri që nuk e kritikon Amerikën në Shqipëri. Shqipëria është një vend aleat shumë i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, edhe nëse do të donte të ikte nga Shqipëria, Abu Bakker Qazimi s’ka ku të shkojë. Këtu fillon dhe problemi i tij. Ai nuk ka pasaportë, sepse nuk është shtetas shqiptar. Pavarësisht se ligjet ia mundësojnë këtë të drejtë. Nëse kthehet në Kinë, sikurse thotë ai, sipas të gjitha gjasave do të arrestohej.

Në vitin 2011 qeveria shqiptare nën drejtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha ka marrë një vendim për pajisjen me pasaportë të refugjatëve që kanë gjetur strehim në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë të qytetarëve ujgurë. Mirëpo kanë kaluar pesë vjet dhe asgjë nuk është bërë. Abu Bakker Qazim dhe ujgurët e tjerë vazhdojnë të presin…

Qazimi tregon se merr nga shteti shqiptar një asistencë sociale prej 300 euro. Por kjo është krejt e pamjaftueshme për një familje prej katër vetësh. Paguaj çerdhen dhe kopshtin për fëmijët, paguaj taksat për energjinë elektrike dhe ujin dhe për ushqim më ngelen fare pak, thotë ai. I takon që edhe e shoqja e tij të marrë asistencë si azilante, por disa nëpunës të qeverisë shqiptare i thonë: Kjo asistencë të takon, por ne nuk kemi mundësi…

Gazetari i DITA-s, Xhevdet Shehu dhe ujguri, Abu Bakker

Gazetari i DITA-s, Xhevdet Shehu dhe ujguri, Abu Bakker

Duke përjetuar përvoja të tilla të hidhura, Qazimi ka arritur në përfundimin se Shqipëria është një vend shumë i mirë dhe i bukur, me njerëz të mrekullueshëm, edhe ligjet i ka të mira, por… këto ligje nuk zbatohen. A nuk ka dalë shumëkush prej nesh në këtë konkluzion?

***

Qazimi i bën një apel publik ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Donald Lu. Dhe e ka një arsye. Nuk do ta bëja këtë apel, thotë, në rast se zoti Ambasador i Shteteve të Bashkuara nuk do të ishte me origjinë kineze. Ai është bir i një emigranti kinez që është larguar nga Kina rreth 60 vjet më parë për të njëjtat arsye si edhe unë. Ai pra, zoti Donald Lu, më kupton më mirë nga të gjithë për problemin që unë kam. Ka një ndryshim të madh midis meje dhe zotit Lu. Ai si qytetar amerikan, ka arritur të bëhet diplomat dhe të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Ndërsa unë në këtë vend jam thjesht një azilant dhe nuk gëzoj as të drejtat më minimale që më takojnë nga konventat ndërkombëtare, për të cilat SHBA lufton dhe i trumbeton në gjithë botën.

***

Abu Bakker Qazimi është një besimtar mysliman i devotshëm që shkon e falet thuajse çdo ditë në xhami. Kur e pyes se cila është dëshira e tij më e madhe, më thotë me një sinqeritet të admirueshëm:

– Të shkoj një herë në Mekë për haxh si gjithë myslimanët e tjerë!

Mirëpo për këtë i duhet një pasaportë që ai mezi pret ta marrë.

*************

 

Letër e një gazetareje taivaneze për shqiptarët

Të dashur miq,

Unë kam nevojë për ndihmën tuaj për të çliruar një njeri i etnisë ujgure, z.Abu Bakker, i cili jeton në Tiranë pa shtetësi prej 9 vjetësh. Pasi u kap në vitin 2001 nga trupat amerikane, të cilët gabimisht dyshuan ndaj tij për veprimtari terroriste, ai u mbajt i arrestuar në Gjirin Guantanamo të Kubës. Pas disa vjet burgim, autoritetet amerikane konstatuan se ai ishte arrestuar gabimisht, dhe urdhëruan lirimin e tij. Por ai nuk mund të kthehet në Kinë për arsye të të drejtave të njeriut. Ai u pranua nga qeveria juaj në vitin 2006, dhe zoti Bakker më tha se ai i ishte shumë mirënjohës qeverisë shqiptare për gatishmërinë e saj për të pranuar atë.

Carol Ann Chang

Carol Ann Chang

Por, problemi është se ai është bllokuar në Tiranë për gati 10 vjet. Qeveria juaj ka premtuar t’i japë atij një dokument udhëtimi apo një pasaportë, por nuk e ka mbajtur premtimin e saj! Dy muaj më parë, unë i kam shkruar një letër Ambasadës së SHBA (meqënëse janë ata që bënë gabimin fillestar), por deri tani nuk ka asnjë përgjigje prej saj.

Për arsyes se unë jam një gazetare nga Tajvani, unë dua të jeni të sigurt që nuk ka keqkuptim në lidhje me motivin tim pse e shkruaj këtë letër. Unë jam e shqetësuar vetëm për mirëqenien e z.Bakker. Sidoqoftë, unë nuk kam asnjë motivim politik, por do më vijë keq nëse qeveria kineze mund të marrë veprimin tim si armiqësor ndaj tyre. Përsëri, më lejoni të theksoj se ky nuk është rasti. Duke kërkuar ndihmë për z.Bakker, unë jam vetëm duke vepruar si gazetare dhe si një njeri, i cili është i lënduar kur sheh gjendjen e vështirë në të cilën gjendet zoti Bakker.

Unë besoj në fuqinë e njerëzve, dhe shpresoj se kjo letër mund t’u nxisë ju për të bërë një presion të vogël ndaj qeverisë tuaj për të NDIHMUAR z Bakker.

April 13, 2016 11:46
Komento

2 Komente

  1. koment proteste April 13, 15:07

    Kam pershtypjen se e keni tepruar me kete editorial ,ashtu sic vepruat dhe me 30 editorial..te Hysniut,Mehmetit dhe 2 Eqeremeve e saliceceneve.

    Duket sikur Xhevdeti eshte bere pjese e ndonje filiali te Elez Biebrajt dhe pasi I ka zgjidhur gjithe problemet e Shqiperise (qe ka shkuar per lesh) merret me plehrat qe la Saliqeni..qe per karrike ju luste amerikaneve :

    PLEASE..OUR FRIENDS AMERIKANE
    BINI NE SHQIPERI UJGURET SE LIDH USHKURET TE KARRIKJA PUSHTETET

    TE NJEJTEN GJE PO BEN DHE RAMA ME 5000 MUXHAHIDINET..

    EDHE USAID-I NE AMERIKE PERGEZOI SOT RAMEN PER MESIMET FETARE NE SHKOLLAT SHQIPTARE..

    qe keni rrjedhur atje ne shqiperi dihet por ju gazetaret po beni “dirty job”..

    Ju gazetaret normalisht duhet ti drejtoheni Edi rames dhe Donald lulushit

    JASHTE KETO PLEHRA NGA SHQIPERIA..dhe jo te meereni si Xhevoja jone me problem qe nuk I ka zhgjidhur Obama …po I zgjidh gazeta Dita.

    Reply to this comment
  2. dfg April 13, 20:25

    Me duket se gazeta DITA po punon me POROSI se si te terheqe vemendjen e popullit shqiptar nga KRIMET dhe POSHTERSITE e politikaneve!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*