Magjistari që lëviz në kohëra dhe hapësira si në kopshtin e vet

March 15, 2018 09:37

Magjistari që lëviz në kohëra dhe hapësira si në kopshtin e vet

Akademik Ali Aliu

Vepra  e Moikom Zeqos “Syri i Tretë” është e rrallë edhe si diskurs: pleksen dhe alternohen rrëfimi, eseu, traktati, monografia, analiza, poezia

Në librin, “Syri i Tretë” (titulli ka dalë nga një përrallë shqipe që besohet se konsulli francez August (1870) në Janinë ia ka rrëfyer Naim Frashëri) autori Moikom Zeqo, kryesisht bën fjalë për filozofinë e bektashizmit.

Pas kësaj shtylle qendrore, pleksen një shumësi çështjesh, sidomos nga mitologjia dhe mistika lindore, gjithnjë në funksion të ndriçimit të kohës dhe hapësirës që e parapërgatiti lindjen e Naim Frashërit, synim qendror i librit.

***

Vepra  e Moikom Zeqos është e rrallë edhe si diskurs: pleksen dhe alternohen rrëfimi, eseu, traktati, monografia, analiza, poezia…

Përfshirë është edhe një përzgjedhje poezish të shkruara brenda një harku kohor që shtrihet 15 shek. para Krishtit e deri në vargjet më të reja të autorit të librit.

Në këtë shëtitje poetike nëpër kohë e tejkohë lexuesi do të hasë në befasi, si rëndom në shkrimet dhe librat e Moikom Zeqos.

Po përmend, në këtë sens si befasi të këndshme vetëm tri tercetet e Hoxhë Tahsinit:

 

Shpendi i shpirtit tim

kërkon që të ndahet

nga banesa e paqëndrueshme

Kafazi

është i vjetër

nuk i mjafton më ky trup

Priret shpendi

nga qenia e vetmisë

kërkon jetën e amshuar.

Studiuesi me pasion liriku

Autori i këtij libri të veçantë, mbase do ta kishte përshkruar edhe kështu vetveten: … idhujtar i motshmërisë, kureshtar i padurueshëm dhe hulumtues kokëfortë që miklon tërë zanafillat e mundshme, na bën të shtegtojmë në anën e kundërt të kohës dhe hapësirës, kërkon të hapë rrugën e paralindjes së Naim Frashërit. Është i padurueshëm dhe jo pafantazi, kërkon përputhje me realitete akoma të largëta e më të largëta…

Libri që ka në duar lexuesi ftillëzohet nga disa ide të tejjetshme, të veprave poetike budiste, të kryeveprave alegorike të poetëve magjik të lindjes, të historisë që kanë gjeografi biblike midis 4 lumenjve të Edenit, njëri prej të cilëve është lumi Eufrat…

Të dhënat, zbulimet nga filozofia, mistika, mitologjia, kozmogonia, përshkrimet dhe portretimin e personaliteteve nga fushat dhe shekujt e ndryshëm, udhëtimet dhe takimet e shumta, shpesh të çuditshme, autori nuk i sjell si regjistrues indiferent, por me pasionin e lirikut të lindur dhe me bukurinë narrative të një esteti dhe eruditi.

Refleksi që sidomos e magjeps autorin e këtij libri voluminoz nga universi naimian, është ekumenizmi bektashian.

Në mbështetje të këtij vizioni, Moikom Zeqo thërret klithshëm, egzorcizon për një shkarkim, për një pastrim të shpirtit dhe mendjes shqiptare dhe njerëzore nga ligësia.

Jehonat që dalin nga ky libër me kaq dije të gjerë, në momente si të shkëputura e pezull në kohë dhe hapësirë, të kundërta e përjashtuese, nën pushtetin e imagjinatës të thuash të çmendur të autorit vihen nën një ftillim të përbashkët, edhe atëherë kur kjo duket e paimagjinueshme.

E bën këtë me lehtësinë e një magjistari që kërcen e lëviz nëpër shekuj e hapësirë si në kopshtin e vet.

Poezia si fshehtësi e mendimit

Në këtë libër Moikom Zeqo sjell edhe mjaft vargje të veta. Bindja më e hershme se ky poet ka pak lexues (sot, por, mbase jo edhe nesër) disi gjen mbështetje edhe në këtë rast.

Kështu, vargjet e tij të shtrira bie fjala në faqet 60-3 të librit, në formën e 35 distikësh, nuk hapen, apo nuk hapen lehtë, pa i lexuar njëherë të 60 faqet e tekstit narrativ që i prin poezisë, lidhur me temën bosht të librit, e ku bëhet fjalë kryesisht mbi bektashizmin e Naimit me rrënjë që nga Zarathustra dhe misticizmi pers.

Edhe poemthi – “Psalm i Naim Frashërit”, fillon e hapet para lexuesit vetëm pasi t’i kesh dalë në fund librit “Syri i Tretë”. Është e qartë se Moikom Zeqo poezinë e kupton (edhe) si shpalim fshehtësish të mendimit, të mistereve të shpirtit, të universit, të ekzistencës, mëtim që i jep asaj shijen e një mistike diskrete. Poezia e tij kështu, pas shtegtimeve të çuditshme, del labirinteve të ndriçuara dhe të errëta…

Jehonat e dijeve roitin dhe përplasen si reflekse që bëjnë presion, secila kokëmëvete që të dëgjohen, që të artikulohen si të tilla në poezi.

Kështu, vargu herë tingëllon si ritual, herë refleks pagan, herë ekumenik nën ndikimin e panteizmit bektashian, herë me shijen e misticizmit zarathustrian, pra me ngarkesën e tërë asaj dije e lashtësie që pak kush e njeh.

Në momente, poeti të ngjan në një pjesëtar sekte gnostike, i ulur këmbëkryq mes shkretëtirës, duke thurur mozaikun e fillimeve dhe ftillimeve, mozaikun e një bote të pastruar, me pasion e dashuri të madhe…

***

Si dukej fillimi poetik i M. Zeqos, këtu e 30 vjet të shkuara ? Nga vëllimi “Brenda vetes” (1973), botim i “Rilindjes”, po shkëpusim poezinë “Vetmi” – që është karakteristike për lirikën e asaj faze të këtij poeti:

 

Vetmia është një orë

Pa numra dhe akrepa

Kohë e palëvizur…

 

Është botë pa emra

Ku ti vetë s’ke emër

S’di pse ke lindur

 

Je jashtë njerëzve

Je jashtë çdo gjeje

Koha dhe hapësira të kanë braktisur

 

Ti thinjesh Robinson

Vetëm në një ishull

Edhe brenda vetes i mbyllur.

 

Vargjet janë shkruar në fillime të viteve 70, kur autori 20-vjeçar bënte hapat e parë në poezinë e atëhershme shqipe.

Të vëna në atë kontekst kohor poetik, vargjet e kësaj poezie tingëllojnë moderne, si të një krijuesi me talent të madh dhe me të nesërmen të shquar.

Për më shumë, poezia në fjalë, të bën përshtypje për guximin kreativ të imagjinatës, por edhe për guximin rebelues nga shumë vargjethurrës të kohës.

Vetmia si gjendja përjashtuese totale, mbyllet me vargun rrënqethës: “I mbyllur edhe brenda vetes…” Mbase nga frika e vetëdenoncimit, përherë i mundshëm.

***

Pas fillimit kaq premtues si poet lirik me ithtarë e lexues të shumtë aktualë, Moikom Zeqo, duket se, në fazën e mëvonshme, u përcaktua për lirikën e mbyllur, me rreth të pakët lexuesish sot, por mbase me adhurues të shumtë nesër.

March 15, 2018 09:37
Komento

2 Komente

  1. Krist March 15, 15:35

    E uroj Akademikun per deshiren e mire,por nja dy fjale do desheroja t’ja them.Poezia,eshte e bukur ne pergjithesi,por nese ajo eshte shkruajt,me shpirt (natyrisht nga nje i talentuar),dhe kuptohet qarte (pa nevojen e shpjegimeve te specialisteve),nga lexuesit masive.Kritikat,apo shkrimet si i zotit Akademin,jane shume te vlefshem dhe bejne edhe nje lloj vleresimi te poezise.Por nese keto shkrime (kritike),komplikohen pa aresye,dhe ndikojne,vetem ne qellimin e autorit te kritikes,por jo ne lehtesimin e poezise,prej lexuesve,vlera e tyre vihet ne “provim”.

    Reply to this comment
  2. Stalliere Akademike jetojne vetem ne Stanin Shqiperi March 15, 19:00

    cere !!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*