REFUZIMI I BERISHES

Nga PANDELI MAJKO March 12, 2013 01:01

REFUZIMI I BERISHES

Vetëlavdërimet më të rrezikshme në politikë janë ato që e “carmatosin” dëgjuesin me ciltërsinë e tyre. Sali Berisha e sfidoi marrëdhënien me median në Shqipëri dhe deklaroi me një “letër të hapur” se fushata elektorale që po vjen do të bëhet sipas “stilit” të tij… Ky është në fakt pohimi i forcës së tij mbi median private. Kryetari i Partisë Demokratike pohoi atë që dihet. Media është marrdhënia më e lobuar në vend. Reagimi i vakët tregon se fushata elektorale e qershorit do të jetë e deformuar edhe në këtë aspekt.

Kryeministri i një vendi që nuk pranon debatin me kreun e opozitës në një vend normal do të shkaktonte furtunë mediatike. Nënvleftësimi i irracionales tek Berisha është kthyer në një armë të këtij të fundit. Në median shqiptare kjo përjetohet në një mungesë e cila nuk dëshiron të shohë rrënimin që po ndodh. Të lidhur pas asaj që duket ajo ende padrejtësinë e lidh me formën më naive të saj… varfërinë. Shmangia e një pjese të medias nga përgjegjësitë kolektive po na con drejt një bote virtuale që nuk ekziston. Padrejtësia që ka molepsur shoqërinë po ngrihet në nivelin e një morali të mirëkuptueshëm pikërisht për arsye të dimensionit mediatik me të cilin ajo ofrohet si ambalazh…

Të arsyetosh me tepri pse Berisha nuk pranon një debat publik me Edi Ramën si një e drejtë e publikut është pak me rrezik. Ajo do kthehej në një nga “grackat” e doktorit të zemrës për të ngjallur zhurma anësore në një Shqipëri që po falimenton ngadalë por bindshëm. Këtë rradhë gjasat janë më keq se sa herën e parë në vitin 1997.

Sali Berisha po përgatit një strategji elektorale ku nuk do të ekzistojë ai lloj ballafaqimi që shohim në fushatat e demokracive perëndimore. Me një mënyrë të foluri ku mungon edhe kultura e ironisë kryeminstri fton kreun e opozitës të bëj debat televiziv me zëdhënësen e partisë së tij(?!) Fushata e qershorit të 2013 do të jetë tipike pikërisht për dimensionin e nënvleftësimit të opozitës dhe shfaqjen e saj si një rrezik kombëtar. Thelbi i kësaj strategjie vec sa ka filluar me deklarimet e zëdhënies politike të Partisë Demokratike. Fushata elektorale do të jetë një furtunë sharjesh dhe ofendimesh të cilat do zhvendosin vëmendjen e publikut dhe shikimin e saj si të një sherri të rëndomtë bordellosh. Kjo do të rrisë tensionin politik në Shqipëri dhe do ti japë krizës politike dimensionin e anarkisë.

Askush nuk beson se Sali Berisha ka ndërmend ta dorëzojë “pa cmimin” e rrëmujës pushtetin që zotëron. Ai nuk ka ndërmend të bëjë zgjedhje të lira në vend megjithësë vendi është në prag të një rrëzimi të dytë moral dhe financiar. Ky fakt nuk është pesimizëm por realizëm. Pa pohuar vërtetësinë e dramës shqiptare është e kotë të diskutojmë zgjidhjen e saj.

Sot shoqëria shqiptare ka kohë të shohi thellë brenda vetes në mostransformimin moral të saj duke mos trajtuar si duhet burimet e saj të zgjuarsisë dhe forcës shpirtërore me të cilën ajo filloi ndryshimet në vitet 1990-të. Pagimi i borxheve të vjetra të historisë është konsideruar një gjest teatral për psikologjinë politike shqiptare. Cinizmi ndaj vetes ka ushqyer një mungesë respekti që përjetohet si kulturë e moszbatimit të ligjit dhe e mbivlerësimit të këshillave që vijnë në gjuhë të huaj.

Sali Berisha nuk duhet nënvleftësuar. Ai është pamja më e qartë e dramës shqiptare. Ai është cilësia e mosmirëkuptimit që shqiptarët kanë me të metat e veta. Ai është cilësia e refuzimit për tu cliruar nga problemi dhe për të mos e zgjidhur atë. Këto dhe të tjera e bëjnë plakun e politikës aspak të lehtë për tu llogaritur si një cështje e mbyllur në zgjedhjet e qershorit 2013.

Prepotenca e kryeministrit është produkt i asaj që ekziston në Shqipëri dhe ku nuk ekziston “carrja” e natyrshme midis politikës dhe shtresës intelektuale. Në mungesë të saj në vend po vjen natyrshëm një brez i ri i bindur se po trashëgon një botë false të simbolizuar nga kultura e prindërve të tyre. Ky brez rrezikon të ndërtojë edhe për këtë arsye një marrëdhënie të keqkuptuar me politikën.

Kriza politike aktuale po i kthen shqiptarët tek pyetja e qëllimit të historisë nga vinë dhe ballafaqimin me vakumin e mendimit politik kombëtar shqiptar. Historia zbulon qëllimin e fatit të paarsyeshëm të cdo kombi. Sa më i vjetër të jetë një komb aq më misterioze duket historia e tij. Njeriu që drejton aktualisht Shqipërinë kërkon të vërtetojë të kundërtën me ofertën e tij të thjeshtë për “ndryshimin”. Një ndryshim që nuk ekziston askund por ka në thelb ruajtjen e statuskuosë së krizës aktuale. Ai i ngjason vargut të dramës së shpresës për varrin pa të vdekur dhe të vdekurin pa varr,…ku i vdekuri është vetë varri.

Politikani më i vjetër i lindjes ish komuniste po përpiqet të na ofrojë rregullin e tij të parë dhe të fundit në politikë për zgjedhjet elektorale të qershorit. Kjo është paturpësia! Ai nuk refuzoi vetëm një debat “rutinë” me kundërshtarin politik. Ai realisht refuzoi debatin me publikun e vendit të tij duke e trajtuar atë si një turmë që duhet vetëm të dëgjojë dhe kaq! Këto dhe shumë arsye të tjera po e sjellin 23 qershorin si referendumin më të arsyeshëm për ndryshimin e munguar të shoqërisë shqiptare. Ky referendum është mes Sali Berishës dhe të ardhmes së vendit pa atë në pushtet. Të kesh frikë të debatosh kështu është njerëzore. Por nuk shmang të pashmangshmen. Dalja në debat përballë kundërshtarit politik është detyrim dhe respekt ndaj publikut që vlen më shumë se cdo interes politik. Ajo përfaqëson hapin e parë të garancisë për kalimin paqësor të pushtetit pas leximit të matematikës së votave. Ky është një rregull që është vendosur shumë kohë përpara se doktor Berisha të merrej me politikë. Ky nuk është sistemi i tij. Padyshim!

Nga PANDELI MAJKO March 12, 2013 01:01
Komento

2 Komente

  1. L.Itali March 11, 21:40

    Drejt,duhen cilesuar zgjedhjet nje referendum!Nese opozita,Rama arrin ta bejë kete,Shqiperia ndahet nga Banda dhe vrasesi i pafytyre,Berisha qe duhet cilesuar,nuk do kete me Nano,Fino,Meta,Majko ta riciklojnë…Kjo eshte e rendesishme!Beteje e ashper,solide per të shkulur grdallen duargjakosur!Patjeter si referendum keto zgjedhje:”Doni a jo,vrasesin Berisha!”Kjo eshte fleta e votimit!Ne nderim dhe kujtim te atyre qe vrau me 21 janar,ne Gerdec,ne grevën e të persekutuareve politikë!Une keshtu do i shpallja keto zgjedhje!Natyrisht edhe duke ruantur me forcë voten,duke bindur qytetarin se kete rradhe do shkulim dhe prangosim vrasesin Berisha!Ne emigrantet do jemi aty!…Sigurisht!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*