Majko me komunitetin shqiptar në Turqi, pikënisje për bashkëpunim
Nga Arkiva
Qendra e Kulturës Shqiptare në Ankara e cilësoi ardhjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, si pikënisje të një bashkëpunimi të frytshëm me autoritetet shqiptare.
Të pranishëm në qendrën e kurseve dhe aktivitete të shumta kulturore, ishin përfaqësues të shoqatave shqiptare të tilla si, “Vatra” e “Çamëria”, studentë e profesionistë që kishin mbërritur edhe nga qytete të tjera të Turqisë, si Stambolli dhe Izmiri.
Majko përgëzoi diasporën në Turqi për punën e bërë deri më tani, në mbrojtje të gjuhës dhe identitetit shqiptar, dhe shprehu angazhimin e qeverisë lidhur me përmirësimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me diasporën.
Ndërkohë, përmendi hapat e ndërmarrë deri më tani për krijimin e strukturave mbështetëse për diasporën, si Agjencia për Diasporën e Këshilli Koordinues, që do të ketë përfaqësues nga shtete të ndryshme.
“Problemet e diasporës do të diskutohen në prani të Presidentit, Kryeministrit dhe ministrave kryesorë, e kjo është garanci e rëndësisë që do të kenë tani e tutje”, vijoi më tej Ministri.
Ai u ndal edhe tek përpjekjet që po bëhen në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, për krijimin e rrjeteve të profesionistëve dhe nxitjen e bashkëpunimeve mes tyre.
Në vizitën e zhvilluar në Qendrën e Kulturës Shqiptare në Ankara, Ministri Majko u shoqërua nga Ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës në Turqi, z. Genti Gazheli dhe z. Avni Spahiu.
s.a/dita
Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.
Komento