Majko: Me pak guxim, votimi i emigrantëve mund të bëhet realitet

November 12, 2017 15:08

Majko: Me pak guxim, votimi i emigrantëve mund të bëhet realitet

 

Aksesi në votime i të gjithë shqiptarëve kudo në botë, është një nga prioritetet e qeverisë “Rama 2”.

Për këtë Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ka depozituar pranë çdo anëtari të Komisionit të Reformës Elektorale informacionin dhe opinionin për të drejtën e votimit të shtetasve jashtë kufijve të vendit.

Ministri Majko ka hartuar një përmbledhje vlerësimesh mbi mundësitë ligjore dhe administrative për të drejtën e votës shtetasve shqiptarë të cilët jetojnë jashtë vendit.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Majko thekson se me pak guxim nga ana e politikës, votimi i emigrantëve mund të bëhet realitet.

Majko u shpreh se, “kjo është një përmbledhje, e cila i jep informacion të detajuar të gjithë deputetëve të majtë e të djathtë në Komisionin e Reformës Zgjedhore”.

“Shpresoj të jetë një pikë për të filluar diskutimet për këtë çështje shumë të rëndësishme, e cila ka brenda ankthin dhe kërkesën e të gjithë Diasporës dhe të Migracionit shqiptar, për ata që do të kenë të drejtën e votës duke filluar nga Kanadaja dhe SHBA, në Europë deri në Australi”, tha Majko.

“Mendoj që ne me pak guxim dhe me një sistem të përshtatshëm, të cilin unë u përpoqa ta vlerësoj aq sa më lejonte posti që mbaj, t’u them kolegëve të mi të majtë dhe të djathtë në Komisionin e Reformës se i kemi të gjitha mundësitë që me konsensus ne ta kalojmë këtë reformë të rëndësishme për t’u dhënë të drejtën e votës shtetasve shqiptarë jashtë vendit”, u shpreh Majko.

Në dokumentin e dorëzuar Majko, arsyeton se baza ligjore për të drejtën e votës në Shqipëri është jo koherente.

Sa i përket modelit të përfaqësimit politik të votuesve jashtë vendit, Majko deklaron se përfaqësimi i migracionit sipas qarqeve elektorale ekzistuese në vend është i duhuri.

Lidhur me regjistrimin e votuesve, Majko shprehet se, në këtë proces është e nevojshme që shtetasit jashtë vendit të shprehin vetë dëshirën e tyre për të votuar, duke bërë një kërkesë për këtë qëllim me anë të postës.

Kërkesa mund të bëhet edhe nëpërmjet postës elektronike duke ju drejtuar një strukture të posaçme të krijuar pranë institucionit përgjegjës (pranë KQZ-së), i cili do të merret me procesin e regjistrimit të votuesve. Ose mund të bëhet duke u paraqitur në misionet diplomatike të Shqipërisë.

Ndërsa për mundësimin e votimit jashtë vendit mundësohen dy procedura votimi, votimi i drejtpërdrejtë në qendra të posaçme votimi dhe votimi me postë.

Nga krahasimi i të dy procedurave të votimit (elektronik dhe me postë) vlerësohet se votimi me postë ka avantazhe për rastin e Shqipërisë. Ai është më i thjeshtë dhe më pak i kushtueshëm për sa u përket kostove, administrimit dhe garancive të sigurisë se sa votimi i drejtpërdrejtë elektronik.

November 12, 2017 15:08
Komento

4 Komente

  1. Emi Granti November 12, 16:09

    A ka kuptim qe nje qe nuk jeton fare ne Shqiperi te zgjedhe perfaqesues (deputete) dhe t’ua leje ne dere atyre qe jetojne aty?

    Nga e di nje emigrant se c’behet ne Shqiperi? Nga interneti e TV! Pra e ka me te degjuar, jo me te provuar.

    Emigranti te votoje aty ku jeton, pra ne shtetin prites. Madje ky eshte celsi i rregullimit e permiresimit te statusit tij aty ku jeton. Kete duhet te beje shteti Shqiptar: Emigrantet te kene te drejten e votes jo ne Shqiperi, por ne shtetin e per shtetin ku jetojne.

    Reply to this comment
  2. Zef November 12, 18:43

    Ne te drejten e votes e kemi por ajo qe duhet eshte te garantohet pjesemarja ne votime e emigrantve. Dhe kjo nuk behet me guxim, por vendosjne e nje sistemi te sigurte votimi ose me poste ose on -line

    Reply to this comment
  3. Lili November 12, 21:08

    Emi. Granti
    Atehere prano qe emigrantet te kene deputetet e tyre,si ne cdo vend te botes.
    Pse mendoni ju se ne nuk do votojme per te miren e familjareve tone atje?

    Reply to this comment
  4. Krist November 12, 23:10

    E ke mire Emi,por une do thoja,qe Majko,me shoket e tij te brigades se rilindjes,te punojne dhe te perpiqen,qe te bejne te mundur,te votojne (pra te marrin pjese ne votime)te gjithe shqiptaret qe kane te drejte vote dhe qe banojne ne vendin e tyre.Sikunder e dini ne votimet e fundit ,morren pjese dicka me pak se gjysma e atyre qe kane te drejte vote.Kur shqiptaret nuk votojne ne shqiperi,a jua ha mendja qe do votojne ata qe jetojne larg vendit te tyre,te harruar,pa asnje ndihme.Jo ndihme ,por edhe per procedura protokolli,ata duhet te paguajne neper konsullatat shqiptare,shuma te konsiderueshme,mbasi ta kane prure shpirtin ne maje te hundes,dhe bile ne disa raste nuk te mbarojne fare pune.Dhe Majko,po kerkon voten e diaspores,sepse eshte i sigurte qe ne votimet e ardheshme,do marrin pjese edhe me pak shqiptare te Shqiperise,te cilet nuk jane aspak te kenaqur me punen e qeverise.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*