Maksim Bushi, artisti magjistar i baltës

April 13, 2018 11:44

Maksim Bushi, artisti magjistar i baltës

Nga Dhimitër Shtëmbari

Ndërsa ishte në klasën e parë të shkollës shtatëvjeçare “Skënder Libohova” të qytetit të Lushnjës, në orën e vizatimit Maksim Bushi skiconte portrete shokësh, duke u shtuar edhe ndonjë detaj humoristik.

– Mësuese, Maksi po më tall, duke më pikturuar në mënyrë të shëmtuar, – rastiste të ankohej shoku që i rrinte prapa bangës.

Mësuesja i shkonte pranë Maksimit, i shikonte atë çka kishte vizatuar, vinte buzën në gaz dhe i drejtohej atij që sapo ishte ankuar:

— Nuk është e vërtetë. Ai nuk të ka pikturuar ty!

– Jo, jo, mësuese; mua më ka vizatuar, – vazhdonte të ngulte këmbë shoku i vetë.

Në fakt thoshte të vërtetën. Maksimi që fare i vogël, si i thonë, kishte dorë. E vizatonte tjetrin, duke realizuar një shëmbëllim shumë të përafërt.

Që në atë moshë ai arrinte të jepte shënjat e para të një skulptori të ardhshëm të talentuar.

– Mësuese, Maksi më ka tallur edhe mua dje mbasdite. Me baltë bëri një çun të vogël, me kokë, me sy e vesh, i vuri edhe një hundë të gjatë dhe ma tha mua: kush është ky?

– Dhe kush ishte ai?! – i qe drejtuar mësuesja.

Tjetri nuk dha përgjigja, buzëqeshi dhe la të kuptohej se ishte vet ai.

Atyre viteve të klasës së pestë e të gjashtë vizatimet i bënte si i bënte! Gjithësesi, shumë më bukur se tërë moshatarët e vetë.

– Vetëm në klasën e shtatë, kur mësues vizatimi do të kishim Faslli Halitin do të mësoja teknikën fillestare të të pikturuarit, – tregon Maksimi.

Disa nga ata që kishin rast të njiheshin me dhuntinë e Maksimit do të shpreheshin: “ I ngjan dajës, Zoi Shytit, atij Zoi që qysh në atë kohë do të spikaste për talentin e vetë si piktor. Vite më vonë e në vazhdim në Shqipëri, por sidomos në Amerikë, Zoi do të afirmohej si një artist me kontribut të vyer në fushën e pikturës.

– Kur mbarova klasën e shtatë, – tregon Maksimi, – prindërit donin që  të vazhdoja në ndonjë shkollë “për të garantuar jetën”, ndërsa mua më gërricte për artet.

Dhe nuk iu shkëput ëndrrës së vetë. Në vitin 1963 në Lushnje u organizua një konkurs në shkallë rrethi për të zbuluar më të aftët në fushën e pikturës, që do të dërgoheshin në Tiranë në Liceun Artistik “Jordan Misja”.

– Mbaj mënd se erdhën në Lushnje dy piktorë nga Tirana, krejt të panjohur për mua në atë moshë, – vazhdon të tregojë Maksimi, – por që nuk do të vonohesha t’í njihja. Ishin piktorët e mirënjohur, Sadik Kaceli e Zef Shoshi. Rrija me frikën, se a do të mund të isha fitues? Faslliu më jepte zemër, duke më garantuar se do të mund të fitoja.

Erdhën emrat e atyre që kishin fituar: Maksimi bëhej kandidat për të konkuruar në Tiranë, tashmë në shkallë Republike.

Me pasion e vullnet në rrugën e artit

Para se të niste konkursi kombëtar, që organizohej në Tiranë, pati nga ata që i patën fryrë në vesh Maksimit:

– Thuaj një fjalë Ilias (Shytit), sepse i njeh pedagogët e Liceut dhe të mbaron punë.

Teksa i thoshnin kështu, kandidatit lushnjar i shtohej edhe më tej meraku. Ja ma dhanë të drejtën për të vazhduar Liceun, mendonte me vete, por nuk do ta kem çdo ditë Zoin apo Ilian në shkollë!

– Në vitin e parë, – tregon Maksimi, – zhvillonim kryesisht lëndë të përgjithshme, ndërsa vitin e dytë na u kërkua që të zgjidhnim degën që dëshironim të ndiqnim.

I pëlqente piktura, por… mëndja Maksimit i flinte te skulptura. Dhe këtë degë zgjodhi. Pedagogë do të kishte të mrekullueshmit Andrea Mano e Uran Hajdari. Pasdite e deri në orët e vona qendronte para disa veprave skulpturore. Mundohej të diktonte te vepra e bronxtë frymën e atij që e kishte realizuar.

Në mbarim të shkollës së mesme i ndodhi ajo që nuk e kish pritur: dajë Zoi ishte arratisur nga Atdheu për në Amerikë! Nisën të shthureshin tërë ato ëndrra që ishin endur deri në këtë kohë, ndërkohë që talenti myzeqar priste të futej student në Instituin e Lartë të Arteve.

Pas disa peripecive, u fut në konkurs. Sigurisht, që nuk e pati të vështirë. Gjithësesi, brënda vetes jetonte stresin e natyrshëm. Tashmë pedagogë të tij do të ishin më të mëdhenjtë e skulpturës shqiptare: Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami dhe Thoma Thomaj.

Maksim Bushi pranë veprës së tij, bustit të Sulejman Delvinës.

Me mbarimin e Institutit nisi shqetësimi tjetër: ku do të mund të emrohej? E çfarë skulpturash do të mund të bënte në Lushnje! Por fati qe me studentin e ri: e emruan në Tiranë në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit. Mbas pak kohësh, e caktuan përgjegjës të sallës së shpërndarjes të këtyre veprave.

Mirëpo… në vitin 1975 do të frynte fuqishëm era e luftës kundër burokracisë. Dhe kjo erë e mori me vete edhe Maksin dhe e dërgoi në vendlindje. Seksioni i Arsim – Kulturës e emroi mësues vizatimi në shkollën tetëvjeçare të Fier – Sheganit.

– Ndërsa isha me punë në Tiranë, më qe dhënë mundësia të merja pjesë në një konkurs kombëtar dhe pata zënë vendin e parë me bustin e Asim Alikos (Hero i Popullit) – tregon Maksimi. – A nuk do të mund të bëja diçka të tillë edhe këtu në Lushnje?!

Me këtë pyetje brënda vetes shkoi në Komitetin e Partisë të rrethit. Dhe ia morën parasysh kërkesën. Dërgohej më afër qytetit; punonjes i Kulturës në sektorin e Dushkut të Ndërmarrjes Bujqësore “29 Nëntori”.

Në çdo vepër shpreh edhe vetveten

I prirur për t’i qendruar larg politikës së ditës, për mbrojtje diplome në Institutin e lartë të Arteve skulptori i ri lushnjar mendoi të paraqiste një vepër lirike: disa të moshuar në çast argëtimi, duke luajtur domino. Madje edhe punoi goxha kohë për këtë , por… “Do të ishte mirë që të sajosh diçka tjetër, që ka të bëjë me dinamikën e zhvillimeve aktuale” i thanë. Natyrisht, nuk kishte se si t’ua prishte: përgatiti një diçka tjetër, por koha nuk i mjaftoi për t’i shkuar deri në fund punës që kish nisur. Shkurt, u paraqit zbeht, por kjo nuk ia uli moralin për të vazhduar startin që kish nisur.

I aktivizuar herët në degën e Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve të rrethit të Lushnjes me kryetar të saj Murat Nexhën, Maksimi do të ishte shumë rezultativ në veprimtarinë e vetë krijuese. Nuk do të merrej me vepra madhore, se, kuptohet, të atilla i diktoheshin kushtet, por do t’i kushtohej punës për memoriale, buste dhe vepra të ndryshme parku.

Në vitin 1976 paraqitet në një konkurs kombëtar dhe meriton çmimin e dytë me bustin e Ludovik Shllakut – Dëshmor i Atdheut. Dy vjet më pas, së bashku me arkitektin Aleksandër Bregasi përgatiti një memorial kushtuar krijimit të Grupit I Partizan të Myzeqesë, vendosur në fshatin Ngurrëz të rrethit të Lushnjës, pikërisht në vendin ku qe krijuar ky formacion i madh partizan. Një vit më pas krijon “Orkestrina popullore”, vepër e vlerësuar lart dhe e vendosur në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Në vitin 1981 Maksim Bushi zgjidhet kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve të rrethit të Lushnjës. Tashmë kjo degë do të ishte ndër më aktivet në shkallë vendi. Në qoftë se në Lezhë do të lulëzonte poezia falë një grupi poetësh të talentuar, në Lushnje do të spikaste një kastë piktorësh e skulptorësh të talentuar. Sigurisht, në krye do të ishte pikërisht Maksimi. Në këtë vit (1981) ky do të krijonte veprën skulpturore “Fëmija mbi buallicë”, tepër e pëlqyer nga publiku i gjërë, por edhe mjaft e vlerësuar nga skulptorët më në zë vendit. Për veprën “Kiu Muzaka me hosten” do të meritonte çmimin e tretë në shkallë Republike.

Do të shkonin vite dhe Maksimi do të bëhej përherë e më prodhimtar dhe gjithmonë e më i pjekur si artist. Kështu, në vitin 1984 në konkursin kombëtar të shpallur me rastin e 40 vjetorit të çlirimit të Atdheut do të vlerësohej me çmimin e parë për veprën skulpturore “Gëzimi i fëmijëve.” Në po këtë vit përgatiti një memorial kushtuar të rënëve për atdhe, vendosur në Varrezat e Dëshmorëve të LANÇ të rrethit të Lushnjës.

Një vit më vonë (1985) skulptori lushnjar Maksim Bushi do të krijonte veprën “Valle dyshe myzeqare”, e vlerësuar dhe e vendosur në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Suksesi i skulptorit lushnjar buronte nga fakti, se në çdo vepër ai reflektonte vetveten.

Maraku: skulpturat t’u flasin kohërave

Edhe mbas viteve nëntëdhjetë, tashmë i ardhur me banim në Tiranë, Maksim Bushi e vazhdoi me më shumë intensitet veprimtarinë e vetë artistike. Ndërkohë që ishte pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja”, si dhe në një universitet privat, vazhdonte të krijonte në mënyrë të pandërprerë.

Me dashurinë e natyrshme për vendlindjen, skulptori myzeqar ka bërë përpjekje të parreshtura për ta pasuruar e zbukuruar dekorin historik të Lushnjes. Ai është autor i mjaft busteve të vendosura në këtë qytet. Kështu, me rastin e 95 vjetorit të Kongrest të Lushnjes përgatiti dhe vendosi në qytet bustin e Sulejman Delvinës, Kryeministrit të dalë nga ai Kongres Kombëtar.

Në vazhdim të veprimtarisë së vetë, ky skulptor i talentuar krijoi edhe të tjera vepra që lidhin periudhat historike dhe që i flasin kohës. Të tilla mund të përmëndim ato që përkujtojnë Besim Nurin (ish kryetarin e Bashkisë që pranoi të mbahej Kongresi i Lushnjes), Taulla Sinanin, Nebi Sefën, Roza Haxhiun, (futbollist i mirënjohur), Arben Voglin (dëshmor i demokracisë), Kol Allkanjarin (mësues i hershem dhe me shumë kontribut në rrethin e Lushnjes) e të tjerë.

Nga dora e kujdesshme e Maksim Bushit janë përgatitur edhe buste të tjera, si ajo kushtuar Komisarit të Policisë, të ndjerit Arben Zylyftari, bust i vendosur në Shkollën e Policisë në Tiranë, (shkollë që mban emrin e këtij dëshmori), si dhe në Berat.

Pinjoll i një familjeje të lidhur në breza me fatet e Atdheut, Maksim Bushi i është kushtuar sidomos temës së lavdisë së Atdheut, duke u dhënë frymë atdhetare dhe jetë historike disa prej figurave më të rëndësishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kështu, me vlera të larta artistike janë bustet kushtuar figurave të tilla historike, si ato të mallakastriotëve Dino Kalenja, Ismail Klosi, Hajredin Fratari e të tjerë.

Me nivel të lartë artistik skulptori myzeqar ka përgatitur edhe bustin e dëshmorit kosovar Xhaferr Abdullahu. Me mjete shprehëse ka përgatitur edhe bustin e Presidentit amerikan, Abraham Linkoln, i cili tashmë gjendet në bibilotekën e Shtëpisë së Bardhë në Amerikë.

Së toku, drejt të të njëjtit horizont artistik

I thjeshtë, i heshtur dhe shumë modest, Maksim Bushi është shquar dhe vazhdon të shquhet edhe si organizator i shokëve të vetë në veprimtari të ndryshme. Sa kohë që qe një Lushnje, ai arriti të çelte disa ekspozita lokale  me punët më të mira të shokëve të vetë piktorë e skulptorë.

– Ndjej kënaqësi kur shikoj e dëgjoj të ecin mbarë artistë të tillë myzeqarë të penelës apo të daltës, si Helidon Haliti, Luan Boriçi, Arjan Çakalli, Jerasimo Ruci, Armand e Blerta Xhomo, Mimoza Arapi, apo Edmond Papathimiu, Roland Shtëmbari, Arjan Bafa, Artur Sulçe e të tjerë e të tjerë, – shprehet Maksimi me gojën plot.

Edhe në Tiranë skulptori i talentuar myzeqar nuk hoqi dorë nga dëshira për të organizuar veprimtari të karakterit masiv artistik. Së bashku me piktorin e njohur Llazar Taçi, ka dhjetë vjet që në hyrje të pranverës të çelin në Muzeun Historik Kombëtar ekspozitën kombëtare “Pranverë – art”.

– Nuk është e lehtë të merresh me këtë detyrë, – na thotë Maksimi, – sepse të duhet të komunikosh me të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë në ekspozitë me punët e tyre. Pastaj… të duhet të merresh vet me përgatitjen konkrete të kësaj ekspozite… Sidoqoftë, ndihem mirë: këtu jemi së toku, me shikim drejt të të njëjtit horizont artistik…

Edhe në këto veprimtari kombëtare Maksimi është i pranishëm me veprat e veta, kryesisht të karakterit komik. Në një skulpturë të titulluar “Vetmohim” autori paraqet një njëri, që ve në punë gjithçka, veç mëndjes! Në një tjetër vepër skulpturore, titulluar “Pa titull” paraqet një kolltuk të vendosut mbi një trung, posht të cilit lëshohen rrënjë të shumta!

 

Në ekspozitën e fundit, hapur pak kohë më parë në Muzeun Historik Kombëtar, ky autor u paraqit me “Kushtrim i Kastriotit”: Skënderbeu mbi kal, me shpatën ngritur lart.

– Kur shkon në një qytet të një vendi tjetër, – shprehet Maksimi, – të  parat gjëra që të tërheqin vëmendjen janë skulpturat…

Ka shumë të drejtë. Por, a kanë skulptura qytetet tona?!

 

 

April 13, 2018 11:44
Komento

3 Komente

  1. sabo kurti April 13, 16:17

    ky artikull tregon per nje artist dhe njeri te talentuar qe vecon me krijimtarin e tija ,te tille e njofim ne gjat shume viteve Skluptorin dhe Njerjun e Persosur Maks Bushi

    Reply to this comment
  2. demo April 14, 04:32

    Gazetaria e provinces,ndihet era e pocit vojit me kacarrum misri.Kur lexoj Shtembarin dhe Ylli Pollovinen,sikur degjoj kapterrin pensionist te keshillit popullor,..Lushnja nuk ka nxjerre as Vace,as Pace,por ne 1972 nje meteor shpertheu ne Lushnje,; habiti te gjithe ata qe e pane dhe e kuptuan.Ky ishte poeti Faslli Haliti.Kur cfletoj Nentorin 1972 dhe shoh Njeriun me Kobure,me iku tepeleku,cfare ka bere vaki,KA VDEKUR SHOKU ENVER?Edhe Solzhenicini Arqipelagun Gulag e shkroi ne Amerike..Djelli dhe Rrekete,Gjethet e Vjeshtes,Rruga me Plepa,Vdekja babait,I madh ne Komitet,..Bo bo boooo!Cfare pashallare leshi,cfare pallati enderrave! Cikli i poezive te Faslli Halitit ne Nentori 72 ka hyre ne disidencen boterore antikomuniste si Klubi Petef ne revolucionin Hungarez.E di cfare llaporje duket arixhofka e Vucidolit 20 vjet pas Faslli Halitit?
    Lexova para ca kohesh nje mysybet per naten e clirimit te Lushnjes,si nata e shperthimit te depove ushtarake ne 97,kur u mbush qytetiti me arme e me krisma.Kishte renditur gjithe plakat dhe fiset e Lushnjes,me lepuj e pula e gjela.Ky eshte Faslli Haliti?Paska pjerdhur.Dajaku nuk ben mire.Paskan thene kot qe dajaku ben mire.Prandaj Lasgushi nuk shkroi me pas
    44.Ky Nasho pordha qe duket si dallkauk sot,kur ishte drejtor i perkthyesve me norme i yshte te kritikonin njeri tjetrin.Donte t`i ulte koken Lasgushit. Lasgushi shperthente:Kam Yllin e zemres dhe Vallen e Yjeve une!Kurse Faslli Haliti ka ate cikel tek Nentori,qe nuk i duhet te botoje me pacavure,se me aq eshte tek Lorka,Bodleri,Poe.Ju te tjeret me gjithe Vacen dhe Husniun jeni lushnjare.kaq.

    Reply to this comment
    • alo llushnja.. April 14, 23:18

      Mbahu demo !

      “province-era e pocit vojit me kacarrum misri-kapterr pensionist-pace-mysybet-nasho pordha-dallkauk-pacavure-llaporja-arixhofka-husniu…”

      tregojnë se kur Kostandin Kristoforidhi donte te mesonte shprehje vulgare popullore shkon ne pazar dhe “pa dashje” i thyen ca veze nje plake…Plaka ju versul dijetarit me nje fjalor te papare dhe pasi i shkruajti te gjitha sharjet popullorce…Konstandini i Madh i pagoi plakes leket e vezeve me bakshish dhe i tha faleminderit.

      Edhe nese i nderuari Fasli Haliti ka qene nje “Bodler”
      c’lidhje ka kjo me Maksim Shytin?Ke dy rruge i nderuar;
      Ose drejtohu në ndonjë spital të sëmundjeve mentale..ose dil me emër orgjinal dhe ndoshta je nga ato qe i futet gishtat ne fyt Fazlliut gjore qe ne ate vere te 1973 nuk ngeli “demo” pa e kryqzuar Solzhenicini-n e Lushnjës.
      .
      Mos u bëj si plaka e Konstandinit se qelbe kete forum !

      Si ka mundesi qe Kreshniku Fazlli i paska ngulur shpaten ne gjoks të mjerit Enver ne 1972 dhe demo-s i paska ikur tepeleku ?

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*