Makutëria…(Me duart në xhepat tona, me dhëmbët në mishin tonë!)

December 3, 2017 11:58

Makutëria…(Me duart në xhepat tona, me dhëmbët në mishin tonë!)

 

Ka vuajtur dhjetëra vjet,

dhe do vuajë njerëzia,

gjersa në të njëjtën rrugë,

ecën dhe makutëria!

 

Them se është makutëria,

porsi drogë dhe farmak,

njeriu krejt si padashur,

e fillon pak e nga pak!

 

E kërkon pak e nga pak,

po më pas nuk fle dot gjumë,

nuk njeh kufi edhe cak,

se kërkon shumë e më shumë!.

 

Nuk ndalet makutëria,

kërkon tjetër edhe tjetër,

s’të shpëton as Perëndia,

po mbete në atë kthetër!

 

çdo makut është i pështirë,

ndonjë mund ta njihni vetë,

por ai kthehet mynxyrë,

nëse merr dhe pak pushtet!

 

Nëse ka edhe pushtet,

s’është gjë mortja dhe tërbimi,

për të shtuar pasurinë,

s’ndalet para asnjë krimi!

 

Nëse njeh makutërinë,

sheh gremina të mëdha,

sa është pak që me shejtanin,

të pish gjak-të bëhesh vëlla!

 

Makutëria nuk ngopet,

ta kthejë vendin në varrezë,

në greminat njerëzore,

është gremina më e zezë!

 

Makutëria nuk ngopet,

me para dhe me pushtet,

si Klitgordi i lashtësisë,

ajo ha dhe bijtë e vet!

 

Nëse mendjen vrisni pak,

mos thoni:”S’i kemi hasur!”

se makutët te ky prag,

vite shumë i kemi pasur!

 

Një vend që drejtojnë makutët,

është si truri me tumor,

dhe t’i heqë metastazat,

ende s’ka lindur doktor!

 

T’i shpëtosh asaj murtaje,

duhet që të jesh një burrë,

po dolën makutë të rinj,

kokën s’do ta ngrëmë kurrë!

 

Jam vërtet i mrekulluar,

si kurrë s’kam qënë më parë,

se lexoj e mbaj në duar,

me të vërtetë një thesar!

 

Katër vargje-jo më shumë,

por katër margaritarë,

këto shtigje ku shkoj unë,

janë hapur shekuj më parë!

 

Katër vargje për makutët,

mrekulli me të vërtetë,

për kusarët dhe harbutët,

parazitët në pushtet!

 

“Të ngrehosur nëpër Frona,

parazitët janë gjithmonë,

me duart në xhepat tona,

me dhëmbët në mishin tonë!”

A.DUKA

December 3, 2017 11:58
Komento

2 Komente

  1. Kris 1 December 4, 02:59

    Nuk kemi as xhepa dhe as mish prandaj makutet nuk na trembin.

    Reply to this comment
  2. NjeQytetarOptimist December 4, 04:02

    E goditur !!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*