Çfarë po hamë?! Një pohim shokues i ministrit të Bujqësisë

Habjon Hasani - Erion Habilaj November 1, 2013 14:49

Çfarë po hamë?! Një pohim shokues i ministrit të Bujqësisë

Dje, autoritetet malazeze, bllokuan një kamion shqiptar me mbi 760 kilogramë kastravecë. Fabula është e tillë: Në këto kastravecë, nga kontrollet shkencore, u konstatua një nivel më i lartë se normat e lejuara të pesticidit “Spiroxamine”. Ishte një tejkalim afro sa dyfishi i normës standarde të lejuar nga BE-ja për këtë pesticid(nga 0.05 g/kg që është norma në 0.09 g/kg e konstatuar). Ka pasur raste edhe më serioze në konstatimin e këtij elementi kimik në produktet bimore edhe në vetë Malin e Zi, megjithatë çdo tejkalim nuk është për tu lënë pas dore. Problemi është i thjeshtë: Këto pesticide nxisin prodhimin në kohë të këtyre produkteve ushqimore, por duke u përdorur në sasi jashtë normave, bashkë me produktin që të ofrojnë në tryezë të sjellin dhe një rrezik të lartë helmimi ose kontakti me lëndë të dëmshme për trupin.

DITA kontaktoi dje ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti për këtë çështje, përgjigja e tij, që duhet thënë se ishte tepër informuese, i tejkaloi të gjitha parashikimet tona: Nuk ka kurrëfarë kontrolli shtetëror për mbetjet në produktet bimore. Madje nuk ka pasur ansjëherë shteti shqiptar “ngenë” për t’u marrë me këtë çështje. Pas këtij pohimi të sinqertë dhe tronditës njëkohësisht, nuk kishim më nevojë as ne si gazetarë të gërmonim më shumë, helmin në ushqim ia paskemi lënë në dorë të Gjithëfuqishmit, shteti është jashtë loje.  Në këto kushte mund të themi vetëm vetëm diçka: Ndihmona Zot.

 

 Panariti: Shqipëria nuk ushtron kontroll për helmin në ushqim

Pohimi tronditës i Edmond Panaritit: “Në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë kontrolle për mbetjet e rrezikshme tek produktet bimore”. Cili është plani kombëtar i kontrollit që ka urdhëruar Panariti dhe detajet e përdorimit të pesticidit “Spiroxamine” për tejkalimin e të cilit Mali i Zi bllokoi dje një maune të nisur nga Shqipëria

Intervistoi: Habjon Hasani

Zoti ministër, autoritetet malazeze kanë bllokuar një sasi prej 760 kg kastravecë. Sipas tyre sasia e sekuestruar kishte një nivel të lartë të pesticidit “Spiroxamine”, shumë më të lartë se normat e lejuara nga BE-ja. Si është kjo punë, çfarë ka ndodhur?

Së pari më lejoni t’iu them se nuk bëhet fjalë për një përqendrim “shumë më të lartë” se norma e sanksionuar nga BE-ja. Unë kam pasur sot(dje) komunikim me palën malazeze dhe bëhet fjalë për një tejkalim jo shumë të madh të normës. BE-ja sanksionon se elementi “Spiroxamine”  duhet të jetë deri në 0.05 g/kg, ndërsa në sasinë e ndaluar bëhet fjalë për një sasi prej 0.09g/kg. Pra është më e lartë por jo shumë më e lartë. Vetë autoritetet malazeze më kanë bërë të ditur se për të njëjtin artikull, pra kastravecë, nga importet e shteteve të tjera kanë konstatuar përqendrim dhe tejkalim disa herë  më të lartë se në rastin shqiptar por kësaj here mediet e kanë zmadhuar më tepër se ç’duhet.

Por ama ishte mbi normë apo jo?
Po. Ishte mbi normën e sanksionuar nga Bashkimi Evropian.

Si ka ndodhur që është tejkaluar norma zoti ministër? Kush i kontrollon si rregull fermerët shqiptarë që të mos e tejkalojnë normën në përdorimin e këtyre pesticideve që kanë dhe helme?

Për fat të keq unë kur kam shkuar në ministri nuk kam gjetur asnjë plan kombëtar kontrolli për mbetjet tek bimët. Sot kam urdhëruar një kontroll në fermën nga janë marrë këta kastravecë. Por nga ana tjetër, që ditën e parë si ministër kam urdhëruar nisjen e punës për hartimin e Planit Kombëtar të Kontrollit për mbetjet në bimësi. Shumë shpejt do e kemi këtë plan gati, brenda 100 ditëve të parë.

Zoti ministër, nëse e kuptova mirë, ju po thoni, se kur keni shkuar në zyrë, si ministër i Bujqësisë, ministria ku ju punoni, nuk kishte asnjë plan për kontrollin e pesticideve tek produktet bimore?

Fatkeqësisht kështu e gjeta gjendjen dhe menjëherë kam urdhëruar nisjen e punës për planin që iu përmenda për kontrollin e mbetjeve bimore.

Kjo është shumë e rëndësishme zoti ministër. Prej sa kohësh nuk hartohej një plan i tillë?

Nuk ka pasur një plan të tillë.  Kur shkova unë nuk kam gjetur.

Dakord, po prej sa kohësh nuk hartohej ky plan sigurie. Dua të kuptoj se prej sa javësh, muajsh apo vitesh, shqiptarët konsumojnë produkte bimore të pakontrolluara?

Një plan i tillë nuk ka ekzistuar asnjëherë në dijeninë time. Madje kjo është edhe një direktivë e Bashkimit Evropian, një kusht që ne duhet ta përmbushim duke hartuar këtë plan masash. Ju premtoj se shumë shpejt pa mbushur unë 100 ditë në zyrë ky plan do jetë gati, funksional dhe i detajuar.

Zoti ministër, po thoni se BE-ja po i “lutet” qeverisë shqiptare që të kontrollojë sigurinë ushqimore të qytetarëve të saj? Duhet të presim nga BE-ja ne që të na mësojë të kontrollojmë ushqimet tona, të cilat ne i konsumojmë vetë në radhë të parë?

Në fakt për sigurinë ushqimore duhej të kishte menduar vetë qeveria. Është e drejtë. Por kjo është situata, që të jem i sinqertë me ju. Ky është një problem i madh pasi sot në farmacitë bujqësore mund të shkojë çdo fermer të blejë pesticide të cilat në thelb janë helme dhe t’i përdorë si të dojë. Nuk ka rregullore, që garanton mirë përdorimin e tyre.

Po a duhet ngushtuar shpërndarja tek  persona të autorizuar për marrjen e këtyre lëndëve të rrezikshme?

Po, këtë jam duke thënë. Duhet një agronom që i jep dritën jeshile blerjes dhe kontrollon procesin e përdorimit. Sepse shumë mirë dikush mund të shkojë të blejë në sasi të konsiderueshme dhe lëndën ta hedhë në ujin e pijshëm duke shkaktuar probleme në masë. Në këtë kuptim ka nevojë urgjente për të vënë kontrollin dhe rritur nivelin e sigurisë.
Po para viteve ’90 ka pasur plane kontrolli për mbetjet bimore?
Jo nuk më rezulton se ka pasur. Prej kohësh është krijuar një ide në publik sikur atëherë konsumonim produkte “BIO”, por po ju them se  nuk është kështu. Janë përdorur shumë pesticide jashtë normave, mos harroni se në atë kohë kishte më shumë emergjencë, pasi kishte mungesa në ushqim dhe realiteti dhe cilësia në produktet bimore nuk ishte ashtu siç përflitet pasivisht sot. Janë përdorur dhe atëherë pesticide me rrezikshmëri helmuese jashtë normave.


Të ndalemi pak tek rasti konkret. Tek elementi i “Spiroxamine”-s, keni informacion nëse prodhohet në Shqipëri ky pesticid?

Jo ky element importohet në Shqipëri, nuk prodhohet në Shqipëri “Spiroxamine”. Në mos gaboj ka një licencë kompania “Bayer” për shpërndarjen e tij në vendin tonë. Pra ky element importohet dhe vjen nga jashtë.

Na rezulton se licenca  shtetërore është marrë në vitin 2009.  Emri i modelit të licencuar nga shteti shqiptar është “FALCON EC 460” dhe licenca i është dhënë pikërisht korporatës që ju përmendni. Por në Shqipëri ka hapur filial në Myzeqe dhe një korporatë e njohur, “Monsanto”, e cila ka kapacitete në prodhimin e këtij elementi për shembull.
..

Po iu them se në dijeninë time ky element, pra “Spiroxamina”,  importohet.  Në Shqipëri nuk prodhohet dhe asnjë subjekt nuk e prodhon në vendin tonë.

Zoti ministër, ju falënderoj që trajtuat me ne kaq hapur këtë temë të rëndësishme…
Ju falënderoj dhe unë. 

 

* * *

Dojaka: Gjendja, alarmante! Bord Emergjence dhe ekspertë të huaj te AKU-ja

 Artur Dojaka, një nga pionierët e bujqësisë organike në Shqipëri shpjegon çfarë po ndodh me prodhimet dhe kontrollin ushqimor në Shqipëri. A janë konsumuar edhe brenda tregut shqiptar perimet e kapura në kufi. Në cilën zonë prodhohen, kush duhet t’i kontrollojë, etj. A mund të rikthehet në treg prodhimi organik?

Skandali i helmeve në ushqime shqiptare nuk është problem i ri. Edhe herë të tjera kanë ardhur informacione të tilla, por nuk janë trajtuar me seriozitetin e duhur. Por ndërkohë kanceri është përhapur si grip dhe sëmundjet e brendshme janë shtuar. Shkaqet duhen parë sidomos tek ushqimi. Artur Dojaka, i cili ka 15 vite që merret me bujqësinë dhe blegtorine  organike analizon në këtë intervistë situatën.

 

Zoti Dojaka, u bënë disa raste që bllokohen ushqime shqiptare me përmbajtje helmesh, të dëmshme për organizmin. Duhet të kapen në kufi që ta marrim vesh. Ju merreni me këtë fushë. Një lajm i tillë ç’do të thotë për ju?

Nuk është hera e parë që  përballemi me lajme të tilla. Një lajm të ngjashëm e kishim pak muaj më parë edhe në fushën e qumështit, por kemi pasur dhe raste te tjera. Për mua kjo do të thotë se jetojmë në një situatë emergjence të plotë ashtu si dhe në fusha të tjera, por dua të veçoj se kjo është një emergjencë që vret, dhe vret pa e kuptuar. Qytetarët shqiptarë në kushtet e një mungese funksionimi të institucioneve janë totalisht të pambrojtur. Kjo ndodh ne rastin me te mire si rezultat i nje rrumpalle qe eshte krijuar ne vecanti ne dy vitet e fundit ne ketë institucion dhe ne rastin me te keq si rezultat i praktikave korruptive qe kane ndjekur drejtuesit e ketij institucioni. Mendoj qe rasti i dyte mbizoteron.

Të njëjtat perime që dalin jashtë, konsumohen edhe brenda në Shqipëri?

Të njëjtat, padyshim.

Prodhohen të gjithë në të njëjtën zonë?

Kryesisht prodhohen në të njëjtën zonë ku me e spikatura eshte zona e Lushnjes. Bëhet fjalë për zona fushore ku mbizotron nje klime e ngrohte dhe ne te cilat favorizohet kultivimi i perimeve ne sera

Cila është arsyeja që Mali i Zi apo vende të tjera marrin perime nga Shqipëria?

Arsyet kryesore jane te lidhura me faktoret klimaterike qe e favorizojne vendin tone ne raport me vende te tjera qe shtrihen me ne veri, por padyshim edhe cmimi luan nje rol te caktuar. Në Shqipëri prodhimi bëhet më shpejt për shkak se ka më shumë orë diell në vit dhe si rrjedhoje kostoja është më e ulet perkundrejt atyre vendeve ku nderhyet artificialisht per te arritur parametrat e caktuar qe i referohen prodhimit ne sera. Do te doja te shtoja qe edhe cilesia e mire e produkteve tona luan rolin e saj, por mungesa e ruajtjes se standartit si eshte rasti ne fjale ja humbet ketë vlerë të shtuar ketyre produkteve.

Këto kontrata bëhen mes prodhuesve shqiptarë dhe bleresve malazezë? Çfarë ndodh me to, qëndrojnë në Mal të Zi apo shkojnë në një treg tjetër?

Prodhimet shqiptare merren nga tregtare kosovare, malazezë, serbë apo maqedonas por ato ne disa raste nuk janë vende fundore. Produktet tona ripaketohen dhe nisen për vende të tjera, kryesisht në vende të Europës Veriore që në këto kohë për shkak të temperaturave te ulta nuk kanë mundësi të prodhojnë. Ripaketimi bëhet me etiketa nga këto shtete dhe jo nga Shqipëria për shkak se vendi ynë nuk gezon reputacionin e duhur per shkak te mungeses se standartizimit.

Ju si e shpjegoni praninë e spiroksaminës (lëndës së gjetur në kastravecët shqiptarë), çfarë ka ndodhur konkretisht?

Dihet që mungesa e kontrolleve nga institucionet të caktuara për ta bërë këtë punë, prej shume vitesh ka krijuar një hapësirë abuzive e nxitur  nga padituria dhe pse jo makuteria e disa fermereve, prodhuesve në përdorimin e lloj lloj pesticidesh dhe lëndësh helmuese te demshme per organizmin e njeriut dhe ambjentin.

Kush duhet t’i kontrollojë këto pesticide?

Mendoj që vetë Ministria e Bujqësisë ka organizmat e duhura dhe ajo që dallon në këtë fushë është Agjencia e Kontrollit të Ushqimit, organizëm ky i formuar me mbështetje të veçantë nga disa vende të Europës,ekspertet e te cilave kane hedhur themelet e ketij institucioni ne vendin tone. AKU është e detyruar me ligj të kontrollojë çdo element që lidhet me ushqimin si per produktet e imporit ashtu edhe per ato te eksportit.

Po pse një fermer shqiptar u drejtohet këtyre helmeve?

Siç e thashë më parë kjo vjen nga mungesa e kontrollit, si në importin e këtyre lëndeve por dhe nga mungesa e dijes nga ana e përdoruesve.Sidoqofte duhet theksuar se dëmi qe po shkaktohet i ka kaluar tashme kufijte e tolerances.

Nuk e bëjnë për të përshpejtuar prodhimin për të prodhuar më shpejt dhe më shumë?…

Në këtë pikë dua të ritheksoj se mungesa e dijes dhe kontrollit ka çuar në këtë situatë. Vendi duhej të ishte drejtuar drejt politikave të prodhimeve organike.

Pse është braktisur prodhimi organik në Shqipëri? Është çështje tregu apo politike?

Është çështje politike.

Si mund të rikthehet në treg prodhimi organik?

Prodhimi organik në Shqipëri rikthehet duke e shpallur si prioritet kombëtar. Që kjo si dhe shume politika te tjera ne mbeshtetje te sektorit bujqesur dhe blegtoral te gjejne  një implementin sa më të shpejtë, për konceptin tim ka ardhur koha e krijimit të një Bordi Kombëtar Emergjence për mbarëvajtjen e politikave te zhvillimit bujqësor dhe blektoral në vend. Mendoj se eshte rruga e vetme qe  me projekte afatgjatë t’i rikuperojmë demet e ketyre 23 viteve.

Ka zona në Shqipëri që kanë ende prodhime organike?

Patjetër që ka, nuk janë të shumta por ka. Iniciativa ekziston megjithëse është një iniciativë e pa mbështetur nga shteti shqiptar.

Si forcë politike ju kishit në programin tuaj elektoral në Shqipëri të zhvillimit të tregut të produkteve bio. Konkretisht çfarë do të thonit ju në këtë drejtim?

Në takimet që kemi patur me koleget tanë si nga PS ashtu dhe nga LSI kemi bërë të qartë kapacitetet dhe projektet tona në këtë fushë. Mund t’i ngjisim shkallët një e nga një. Jam të fillojmë me prodhimin organik dhe gjatë kësaj kohe të ecet paralelisht dhe me certifikimin bio të këtyre produkteve organike. Kjo do të thotë të reduktohet sa më shumë importi i pesticideve dhe të zhvillohet blegtoria. Kjo e fundit shërben jo vetëm për furnizimin e tregut me mish, qumësht dhe nenproduktet e tyre, por edhe si një burim kryesor për plehun organik.Njekohesisht egzistojne edhe shume teknika te tjera bashkekohore per aplikimin e metodave organike ne bujqesi.

Shkurtimisht do të theksoja se deri më sot jemi lodhur duke dëgjuar se Shqipëria ka një difekt të madh të trashëguar nga ligji 7501 i cili shkaktoi fragmentarizimin e terreneve. Kjo është e vërtetë, por pikërisht për këtë arsye ne jemi të destinuar për të prodhuar më shumë produkte organike. Duke patur terrene të tilla të fragmentarizuara, profitabiliteti do te jete shumë më i lartë nëse fokusohemi në mbjelljen dhe kultivimin me metotën organike të këtyre terreneve. Për bujqësi intensive dihet që duhen terrene të mëdha dhe të pandërprera.

Ju përmendët me parë konntrollin ushqimor, ka një mosbesim ekstrem të publikut në Shqipëri me kontrollet përgjithësisht shtetërore, por sidomos për çështje si ushqimi. Si mund të rikthehet besimi i konsumatorit?

Kthimi i besimit te publiku nuk mund të vije vetem në formë propagandistike, por nëpërmjet veprave konkrete. Fillon nga mbarëvajtja dhe drejtimi me specialistët e duhur të institucioneve të rëndësishme siç është AKU, e cila theksoj se është themeluar me mbështetje të plotë nga  Komuniteti Europian. Është një nga institucionet e pakta ku gurët e themelit janë hedhur nga ekspertët e KE-së dhe do të thoja që ky institucion me këtë rëndësi kaq të veçantë nuk mund të lihet mënjanë, ashtu siç është lënë në këto vitet e fundit dhe ka sjellë këto rezultate dhe impakte në treg.  Per sa thashe me lart dhe jo vetem,jam i mendimit qe AKU  të bashkëdrejtohet me ekspertë të huaj.

Konkretisht si mund të bëhet kjo?

Në kemi një fat që kufizohemi nga vende si Italia e cila rreshtohet në vend të parë në Komunitetin Europian sa i përket kontrollit ushqimor, por jo më pas vijnë vende si Gjermania apo Austria, të cilat janë vende që kanë kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të konsiderueshme në ngritjen e këtij institucioni. Ne duhet të kërkojmë mbështetjen e këtyre vendeve në angazhimin e ekspertëve të kësaj fushe për të bashkëdrejtuar këtë institucion. Dhe kjo gjë është e domosdoshme, nuk është dëshirë e njërës apo tjetrës palë. Nuk është turp, që kur nuk di të kërkosh ndihmë, dhe rasti konkret është i tillë. Autoriteti i Kontrollit Ushqimor nuk duhet parë si një polici ndëshkuese. Kur vjen fundi te ndëshkimi është vonë. Çështja është të jemi gardianë të ushqimit tonë, pra ta ruajmë para se të ndodhë e keqja.

 

 

Rrëfimi i mjekes: Analizat në Itali dëshmuan se tumori im ishte krijuar nga ushqimet

Ushqimet e pakontrolluara janë një ndër shkaqet e shtimit të pazakontë vitet e fundit të numrit të të prekurve nga tumoret në Shqipëri. Një mjeke që dëshiron ti ruhet anonimati rrëfen për DITA: Para disa muajsh konstatova në gjoksin tim të majtë një kokërr. Ishte shqetësuese dhe telefonova një kolegun tim i cili më sugjeroi analizat përkatëse dhe pas tyre mësuam me dhimbje që bëhej fjalë për një tumor. U nisa urgjent për në Itali, ku u ridiagnistikova dhe iu nënshtrova një ndërhyrje të shpejtë kirurgjikale. Pas ndërhyrjes kreva disa analiza të posacme, me anë të të cilave kërkoheshin shkaqet e shfaqjes së tumorit. Unë nuk kisha shkaqe trashëgimie. Analizat dëshmuan se tumori kishte shkaqe hormonale dhe ishte krijuar në trupin tim nga ushqimet që kisha konsumuar në 10 vitet e fundit.

 

Raste sporadike tregojnë që Lushnja është kthyer në “laborator helmesh”

Në Qendrën Spitalore Nënë Tereza në Tiranë para disa ditësh u paraqit në gjendje të rëndë me diegie të rënda në duar dhe në trup një fermer nga Lushnja i shoqëruar nga bashkëshortja. Kjo e fundit, këmbënguljes së mjekëve për të treguar me çfarë ishte djegur bashkëshorti i përgjigjej me heshtje të vazhdueshme. Një nga mjekët rrëfen: “Nuk e kuptonim me çfarë ishte djegur në atë gradë dhe gruaja i shmangej përgjigjes. Më në fund, vetëm kur e kërcënuam që nuk e mjekonim dot nëse nuk an tregonte shkakun dhe që pacienti mund të vdiste, pranoi të fliste. Tregoi se merreshin me rritjen e qershive dhe përdornin një pesticid që përzihej në enë të mëdha. Pas përzierjes merrnin qershi të mbledhura pa u pjekur dhe i linin në tretësirë për rreth 10 orë, pas kësaj kohe qershitë dilnin të pjekura, të mëdha, të kuqe. Me atë tretësirë ishte djegur bashkëshorti i saj”.

 

 

 

 

 

 

 


 

 

 

 

 

 

Habjon Hasani - Erion Habilaj November 1, 2013 14:49
Komento

15 Komente

  1. nerro24 October 30, 13:17

    Shume mire kane bere. po….r un them tu behen edhe analizat e mishit qe vjen nga Mali i Zi, te shohim sa bio eshte

    Reply to this comment
    • Arbri November 1, 08:40

      Edhe mishin e maqedonasit qe i kemben 3 vica te vet me 1 shqiptar

      dhe maqedonsi ka parrullen “t’i semurim shqiptaret”… po te investigoni shume pak do e kuptoni

      Reply to this comment
    • shqipetari November 1, 09:54

      Me siguri kastravecet jane futur perseri ne tregun Shqiptar

      Reply to this comment
  2. Pëllumb zaimi October 30, 20:50

    Mali i zi i ndaloi kastravecet tane dhe mirê beri! Por e keqja ështe se këta kastravecë do shiten ketu! Apo s’ka gje? Le ti hanë shqiptaret se ketu ministria e bujqesise dhe altini i konsumatorit dremisin? Merni masa se i vrate shqiptaret. Sapo mali i zi shpalli lajmin edhe ketu duhej dhenë alarmi por kjo nuk ndodhi dhe per këté faj duhet të ketë përgjegjës!?

    Reply to this comment
  3. gozhda October 31, 05:28

    po ketu tek ne kur do te kontrollohen keto perime dhe te ndalohet perdorimi i tyre apo hajt c’i … nonen se palla jemi ne shqiptaret ketu tek ne cdo gje rritet me pesticide te ndryshme dhe asnje njeri nuk e can bythen duke filluar nga qeveria e deri te strukturat me te vogla megjithese ky fenomen ka mbi dhjete vjet qe vazhdon “NATYRISHT QE PER TU ZBULUAR KY LLOJ FENOMENI DUHET SHUME KOHE SE SHTETI NUK E DI KU KULTIVOHEN KETO PERIME PER ARSYE TE TERRITORIT TE MADH QE KEMI”

    Reply to this comment
  4. gozhda October 31, 05:46

    ato kastravecat qe (PRODHOHEN)ne shqiperi jane te mire per politikanet ti mbajne nga mbrapa.

    Reply to this comment
    • Arbri November 1, 08:44

      kane kohe qe politikanet tane i mbajne nga mbrapa dhe c’eshte e drejta informacionet jane qe u pelqejne… pune dreqi…

      Reply to this comment
  5. Ema November 1, 08:56

    Kjo eshte tronditese, shiko sa urte rrine shqiptaret qe po i grin kanceri perdite.

    Pershendet iniciativen e Z. Panariti.

    Urgjentisht duhet vendosur kontrolli i ushqimeve, nuk dime se cfare po hame, po na semuren femijet.

    Reply to this comment
  6. sopiqoti November 1, 09:16

    Po shoqata e mbrojtjes te konsumatorit ku ishte deri tai? Kemi ndigjuar shume here nje fare Altin Goxhaj te na fliste brockulla per mbrojtjen e konsumatorit por anjehere nuk i ka hyre ne thellesi punes konkrete ne teren per te pare se si zbatohen nga prodhuesit kushtet tekniko-teknologjike per prodhimin e ushqimeve apo te produkteve bujqesore.
    Vleresoj reagimin e ministrit te bujqesise,inisiativa e te cilit te zgjoje dhe te nxisi edhe shoqaten e zyren e mbrojtjes te konsumatorit.

    Reply to this comment
  7. ab November 1, 14:59

    Nuk jane pesticidet ato qe rrisin kastravecat zoterinj gazetare,por hormonet bimore.

    Reply to this comment
    • Theofan November 1, 17:19

      Ministri Panariti gabon kur pohon se nuk jane bere ndonjehere kontrolle te ushqimit per konsumatoret. Para viteve 90-te prane cdo drejtorie te higjenes dhe epidemiologjise ne rrethe funksiononin laboratoret bromatologjike dhe nese ndodhte ndonje helmim ushqimor apo semundje pasoje e ushqimeve te pakontrolluara, pergjegjesia e punonjesve te ketyre laboratoreve ishte teper e rende. Akuza qe ngrihej ishte “veprimtari armiqesore”. Ka te drejte kur thote se sot nuk behen kontrolle te tilla, madje edhe ne supermerkatot me emer. P.sh. ne Conad shiten arrore te vjeteruar, qe dihet se kane permbajtje te larte aflatoksine, ne vecanti pistaket.

      Reply to this comment
  8. geno November 1, 18:21

    O DITA, dakort me ato qe ju ka then juve dje ne darke ne interviste, por sot doli e foli te kunderten ministri Edmond! Kaq shpejt, brenda nates e hengri “kastravecin” edhe Panariti, apo ia dha Likja si meze ne mengjes?! A u marrte purtha shalët shqiptarev qe edhe pas 23 vitesh merren me keta sharltan qe shesin e blejne gjithcka per pasuri.

    Reply to this comment
  9. linda November 1, 20:46

    vertet pse duhet te vij nga mali i zi bllokimi,po qeveria jone cfar ben ,apo ska gje per shqiptaret.turp dhe skandal.ai ministri mos te japi intervista po te ngrej grupe pune dhe kontrrolli.

    Reply to this comment
  10. Korabi November 2, 10:53

    Monsanto ne Lushnje? Keta qe po kancerizojne 7 miliarde njerez, na paskan futur edhe ne ne liste.

    Reply to this comment
  11. nora November 2, 14:32

    Ministri te marre masa urgjente per kontrollin e te gjitha ushqimeve qe ha populli dhe te mos mbajne fjalime koti per masat kunder kancerit te gjirit se u be kanceri si gripi.Pse para viteve 90 rastet me kancer numuroheshin me gisht,sepse kishte kontrolle te vazhdueshme,pa ce do c thote ministri,ai jetonte jashte shoqerise,sic duket.TUNDU QEVERI SE E HELMUAT POPULLIN…..MERRNI MASA,DERI NE BURG TI CONI ATA QE LUAJNE ME JETEN E NJEREZVE DHE SHIKOJNE FITIMET E TYRE.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*