Malli apo dashuria?!

February 9, 2019 13:14

Malli apo dashuria?!

Tridhjetë e më shumë vite,
që ty nuk të kam parë,
por s’tretet kurrë në jetë,
kujtim i mallit t’parë!

Të trembur si trumcakë,
dhe mend gjë tjetër s’mbaj,
që kurrë s’u ndezëm flakë,
dhe mbetëm të pafaj!

Të dy ishim një moshë,
gati një mituri,
që s’dinim ç’do të thosh,
dhe ç’qe një dashuri!

Atë vërtet s’e dinim,
po prapë ishim në hall,
dhe pak kur vetëm rrinim,
na kapte keq një mall!

Ja dilnim më në fund,
“gënjenim” për çdo rast,
na duhej goxha mund,
të rrinim tok një çast!

Të fshehur në një vathë,
të tretur në harrim,
mëkati më i madh,
ka qenë një përqafim!

Dhe prapë e prapë ne shkonim,
tek vendi ynë aty,
që hiç mos na dëgjonin,
ne flisnim veç me sy!

Po shpesh na ngrinin sytë,
dhe binim në një ëndërr,
më jepte syri yt,
një drithërimë në zemër!.

Njëlloj nga sytë e mia,
shigjeta mbi ty binin,
kjo ishte dashuria,
po neve nuk e dinim!

S’mbaj mend se si magjia,
mbaroi për ne të dy,
kur erdhi dashuria,
ne s’ishim më aty!

Këto që di tani,
aherë nuk i dija,
po ky ndryshon-s’e di,
malli nga dashuria?!

Enigmë s’mund të mbetet,
dhe s’pyes asnjeri,
një mall që kurrë s’tretet,
a s’është një dashuri?

Jam mbytur si në det,
kujtimeve të mia,
se malli rron në jetë,
më shumë se dashuria!

Më kot ky frymëzim,
s’më erdhi varg e varg,
por se një miku im,
të kishte parë nga larg!

Mbi flokun tënd-moj mike,
kish rënë goxha dëborë,
por prapë një zonjë fisnike,
dhe jo një plakë e gjorë!

Nuk dua ta takoj,
mendova ashtu kot,
se borën përmbi flokë,
nuk mund t’ja shikoj dot!

Një mituri pa faj,
tek unë dua të mbetet,
se nga dëborë e kohës,
gjithë malli mund të tretet!

Instinktivisht mendoj,
këtej s’ka për t’u dukur,
se mallin për atë,
kam mallin më të bukur!

Po mbase ka harruar,
atë që na ka ngjarë,
dhe vetëm unë kam mbetur,
një skllav i mallit parë!

Po prapë dhe kjo lirikë,
nuk është dhe fare pak,
ku ende të dy jemi,
të trembur-dy trumcakë!

A.DUKA

February 9, 2019 13:14
Komento

1 Koment

  1. poezi, s'bej dot....po as..proze..!?!?... February 9, 15:48

    ti te pakten e paske perqafuar ….une vetem me sy ..nga larg . m’u fiksua se, po me shikonte me te njejtin interes, qe po e shikoja une . ishim ne nje …shkolle, fare te rinj . nuk t’a them dot, qe kjo me ka ndodh dhe disa vjet me pare, se ty . por cudia eshte se ajo ndjenje, qe me mbertheu ate cast nuk me eshte zhdukur akoma, as ..SOT . kaq. nuk bisedova, nuk ja shpjegova, nuk u sqarova, ne me kishte pare (ishte sic thashe, pak larg qe t’a verifikoja vete) apo ndjere te njejten gje si une ..mendova ndryshe; jemi larg . ajo nga jugelindja e “shqiperise se jugut”, une nga “veriperendimi i shqiperise se jugut” . doja te hiqja “dore” ..e pa mundur …m’u fiksua tjeter gje .. ta pyes . e pa mundur . si t’a pyes ? kush jam une? me ke pare mua? me njeh mua? me ke shikuar “ate nate (e vitit te ri) mua” ? edhe sot s’kam hequr dore…..sepse per cudi, u afruam ndaj njeri tjetrit, per shkak te punes, ne te njejtin qytet (ironi e fatit) por situatat, kishin ndryshuar . qe ishim ne te njejtin vend, e muarem vesh me vone …kur te ty ishim martuar . kur e takova i thashe: paske ndryshuar . edhe ti shume, me tha (jo per keq natyrisht ishim; ne moshe te plote) ; u bllokova . i dhashe doren …sikur preka qiellin..komplet i mallengjyer…i bllokuar, mesi ja leshova doren, kur u ndame, duke shqiptuar nje; …mire u pafshim . me shume …me vete . por…c’te bej ? ajo s’do t’a mare vesh kurre c’me ndodhi me te ? po une, si t’a sqaroj, ne me kishte vene re apo …JO…!?!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim