Maman Saliu – Marathonomak i lirisë

November 20, 2014 13:29

Maman Saliu –   Marathonomak i lirisë

Nga Xhevdet SHEHU

 

Në vitin 1988 në Muzeun Historik Kombëtar mbahej një mbledhje e Komitetit Qëndror të Rinisë të asaj kohe. Në sallën e mbushur plot e përplot me përfaqësues nga të gjitha rrethet e vendit, diskutohej për problemet e rënda ekonomike dhe sociale. Në presidiumin e mbledhjes kishin zënë vend edhe dy të deleguar të KQ të Partisë, që ishin anëtarë të Byrosë Politike. U mbajt raporti kryesor i mbledhjes dhe filluan diskutimet. Të gjithë i vinin rrotull e rrotull, duke thënë pak a shumë se “nën udhëheqjen e partisë kemi arritur suksese madhështore, e kemi bërë Shqipërinë kopsht me lule, por rinia duhet të punojë më shumë për të mbajtur lart stafetën” etj., etj. Papritmas diku nga mesi i sallës ngrihet një djalë i ri dhe kërkon fjalën nga vendi. “Ka ikur koha e urrave”, tha ai. “Nëse e doni këtë popull e këtë vend, flisni troç. Ky vend është i mbushur plot me halle dhe ne flasim për suksese. Po ua them hapur: Udhëheqja e shtetit duhet të jetë me këmbë në tokë…”. Me këtë u duk sikur tha, ose la të nënkuptonte se “peshku është qelbur nga koka…”.

Ai djalosh u ul, por la pas efektin e një bombe në sallë. Ata në presidium pyetën njëri-tjetrin: Kush është ky? U munduan ta zbusnin situatën, por ishte e pamundur… Kërkuan një pushim të shkurtër.

Djaloshi, që fliste pa teklif afro 30 vjet më parë, quhej Arben Saliu. Nipi i Sali Vranishtit të famshëm, dhe i biri i Maman Saliut, po aq të famshëm. E kisha shok dhe sa herë takoheshim, atëherë dhe sot e kësaj dite, i kujtoj vargjet e një kënge labe: “Kapedan Sali Vranishti/ Sa rrojte të punoi gishti…”.

Këto ditë u takova me Benin dhe hapëm muhabete të asaj kohe dhe të kësaj kohe. Shpirti i tij rebel vazhdon të jetë i tillë edhe sot. “Eh, – më tha,- u mbushën dy vjet që ka vdekur im atë. Po të ishte gjallë, do ishte mërzitur shumë nga kjo atmosferë e vakët për 70-vjetorin e çlirimit të Atdheut. Të krijohet përshtypja sikur liria në këtë vend erdhi vetvetiu…”.

Kjo bisedë u bë shkak që unë të gërmoja dhe të grumbulloja fakte interesante nga jeta plot dinamizëm e Maman Saliut, si një homazh për të dhe brezin e tij për çka i blatuan historisë së këtij vendi. Maman Saliu u nda nga jeta në moshën 90 vjeçare. Ata që e njohën në luftë, punë e jetën e përditshme këtë  burrë të stërralltë të Labërisë, ndjehen krenarë që kishin një bashkëluftëtar, shok e mik të tillë. Një vlerësim i lartë për Maman Saliun u ndie dhe në ditën e përcjelljes së tij për në banesën e fundit, ku kortezhi i njerëzve nuk kishte të numëruar, ndërsa fjala që mbajti Rustem Peçi, kryetari i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës, shkaktoi emocione mjaft prekëse për të gjithë të pranishmit. Pikërisht atë ditë, krijuesi gjirokastrit Sejmen Gjokoli, shkroi këto vargje:

Malet e Vranishtit nxijnë

Qajnë për Maman Salinë

Qajnë për burrin e rëndë

S’do ta shohin më në këmbë…

Maman Sali Labëria

Mbi supe të rri lavdia

 

Kush ishte ky burrë?

Maman Saliu është djali i kapedanit famëmadh, Heroit të Popullit Sali Vranishti, që sa qe gjallë, i punoi gishti për çerek shekulli me radhë. Atdhetarizmin e babait të tij, Mamani e injektoi në mish e gjak qysh në hapat e parë të rezistencës antifashiste, kur ai do të rreshtohej në krah të atyre që nuk e prisnin lirinë, por e kërkonin atë me çdo çmim. Ishte ky angazhim kurajoz i tij, që fashizmi do ta përplaste në qelitë e burgjeve në Vlorë e Tiranë gjatë verës së vitit 1942; ishte pjekuria  e tij politike, që PKSH e pranoi në radhët e saj në dhjetorin e vitit 1942, në moshën 20 vjeçare;  ishte spikatja e tij si antifashist i vendosur me propagandë e pushkë, që i ngarkuan detyrën e komandantit të çetës partizane “Sali Vranishti” në gusht 1943 dhe më pas atë komisarit të batalionit në Brigadën e Pestë Sulmuese; ishte formimi i tij i shëndoshë intelektual, që mbas çlirimit i besuan funksione të larta në strukturat e Sigurisë Kombëtare; ishte karakteri i tij i fortë, që ia lartësoi emrin kur shkoi vullnetar në vendlindje për të kontribuar si veprimtar i palodhur; ishte stoicizmi i tij, që e bëri të mos përkulej kurrë përballë çdo vështirësie; ishte morali i tij i kristaltë, që e fisnikëroi gjatë gjithë jetës.

 

Udhëtim marathonomakësh

Gjatë luftimeve në mbrojtje të punimeve të Kongresit të Përmetit, në Fushë-Kabash të Leskovikut, si rezultat i shkëmbimit të zjarrit brenda rrethimit të një llogoreje naziste, Maman Saliu merr 13 plagë nga copat e tre bombave që i ranë në trup. Rast i rrallë, por mëse i vërtetë.

Për tre muaj kurohet në spitalet partizane. Në javën e parë të shtatorit 1944, bashkë me Heroin e Popullit Hysen Çino, nisen nga Piluri i Himarës në drejtim të Kukësit, ku operonte Brigada e Pestë. Mbas 10 ditësh janë midis shokëve. Gjatë këtij itinerari përballen me vështirësi, situata e rreziqe të ndryshme, por vendosmëria e tyre sfidon çdo pengesë. Në këtë udhëtim marathonomakësh, ata ndjejnë neveri për Pandi Kriston, komisarin e Zonës së Parë Operative, që refuzoi t’i pajiste me opinga, pasi kishin udhëtuar zbathur deri në Zagori; mbushen me optimizëm kur bashkëbisedojnë me Miladin Popoviçin; impresionojnë Haki Toskën, Mehmet Shehun e Haxhi Lleshin kur i takojnë gjatë itinerarit në vende të ndryshme, të cilët shohin se këta dy partizanë të plagosur shkojnë drejt luftës pa u shëruar mirë; lumturojnë shokët e Shtabit të Brigadës së Pestë kur natën e 16 shtatorit  gjenden befasisht midis tyre në Bicaj të Kukësit.

Letra e Haki Toskës për Mehmet Shehun:

“Shoku Mehmet.

Takova në udhë shokët e vjetër Hysen Çino dhe Maman Saliu. Siç do ta konstatosh dhe ti vetë, janë akoma të pashëruar mirë. Kanë nevojë për disa ditë banja në Peshkopi. Unë po udhëtoj për Zerqan. Mirë u pafshim. Hakiu VF- LP, 9/IX/ 1944”

AQSH, Fondi 202/AP, Viti 1944, Dosja 33, Fleta 3. (Shih faksimilen)

 

Kryeneçësi kombëtare

Ishte koha kur Brigada e Pestë operonte në Kosovë për çlirimin e saj nga okupatorët nazistë. Në Suharekë, në hyrje të ndërtesës ku kishte komandën batalioni i parë, ishte ngritur flamuri kombëtar shqiptar. Simboli i kombit shqiptar kishte irrituar një komisar Brigade të Ushtrisë Partizane Jugosllave, i cili kërkon që ai të hiqej. Por, kur iu kërkua arsyeja e heqjes së flamurit tonë, komisari jugosllav ishte shprehur se: “Në Kosovë, ku banojnë shqiptarë, po të shohin këtë  flamur, u ngjallet ndjenja kombëtare, gjë që bie në kundërshtim me internacionalizmin dhe vëllazërimin e popujve”. Ky qëndrim shovinist e detyroi Maman Saliun, që me cilësinë e komisarit të batalionit, t’i jepte kusurin duke i thënë: “Ndjenjat kombëtare të një populli janë të rrënjosura në shpirtin dhe historinë e tij dhe ato nuk mund të shuhen me pretekste të tilla, prandaj flamurin tonë nuk e heqim nga shtiza”.

 

Incidenti, partizanët shqiptarë nën flamurin jugosllav

Në vitin 1975, Maman Saliu do ishte anëtar i delegacionit të shtetit shqiptar për të tërhequr eshtrat e dëshmorëve tanë që ranë gjatë luftës në territoret e Jugosllavisë. Edhe në këtë mision, ai mbron me fanatizëm para shovinistëve serbomëdhenj flamurin kombëtar dhe gjakun e derdhur të partizanëve shqiptarë. Arkivolet e partizanëve shqiptarë, para se të transportoheshin për në Shqipëri, do grumbulloheshin në Titograd. Kur Maman Saliu shkon në Titograd për të bërë përcjelljen e tyre drejt Atdheut, vëren se arkivolet e grumbulluar në Shtëpinë Qendrore të Oficerëve ishin mbuluar me flamurin jugosllav dhe në krye të sallës qëndronte një fotografi e madhe e Josif Broz Titos. I revoltuar nga ky provokacion, Maman Saliu reagon ashpër ndaj autoriteteve jugosllave duke iu thënë: “Ç’është kjo që keni bërë? Për të ardhur nga tokat shqiptare deri këtu, ku kanë dhënë jetën këta partizanë janë udhëhequr nga flamuri shqiptar dhe jo nga ai jugosllav”!

Autoritetet jugosllave ishin justifikuar me pretekstin: “Nuk kemi flamur shqiptar”. Por Maman Saliu nuk tërhiqet. “Si ka mundësi, – iu thotë,- të mos keni flamur shqiptar, përderisa dy shtetet tona kanë marrëdhënie diplomatike”?! Por kapricçioja e tyre bëhet më irrituese për Maman Saliun kur tentojnë ta provokojnë politikisht. “Ti ndoshta kërkon që ne të heqim edhe fotografinë e Titos”!

Atëherë, Maman Saliu, si një shtetar i përgjegjshëm e kurajoz reagon: “Jo, një gjë të tillë s’mund ta kërkojmë. Tito aty e ka vendin, por jo flamuri me të cilin janë mbuluar këta dëshmorë”. Kur vuri re se ata po neglizhonin të hiqnin flamurin jugosllav, u revoltua dhe u thotë me ton të prerë: “Ose mbulojini me flamurin shqiptar,ose përndryshe do t’i fus të gjitha arkivolet në një dhomë hoteli derisa të vijë komisioni shqiptar që t’i marrë”. Kështu, autoritetet jugosllave, të vënë para një detyrimi diplomatik dhe përgjegjësie morale, të diktuara nga qëndrimi i vendosur i Maman Saliut, u vunë në lëvizje dhe e gjetën flamurin shqiptar me të cilin u mbuluan dëshmorët tanë.

 

Përplasja me zv.kryeministrin serb

Kur eshtrat e partizanëve shqiptarë në krahinën e Sanxhakut, të sistemuara në arkivolet përkatëse, i kishin grumbulluar në Shtëpinë e Rinisë në Prijepolje për t’i përcjellë drejt Shqipërisë, shkojnë aty dy oficerë të UDB të ardhur nga Prizreni dhe tinëzisht marrin një nga arkivolet, me motivin se ai ishte një dëshmor nga Zhuri e jo nga Shqipëria. Në momentin që merr këtë informacion, Maman Saliu ballafaqohet me oficerët e UDB-së dhe u thotë atyre: “Ne kemi një muaj e gjysmë që i kemi hapur këto varre, tani u kujtuat që ky është një dëshmor nga Zhuri dhe jo nga Shqipëria”?! Por udëbashët nuk kishin reflektuar. Atëhere Maman Saliu proteston në kanalet përkatëse në Beograd. Si rezultat i kësaj zhurme, ai dhe sekretari i parë i Ambasadës të shtetit shqiptar thirren në takim nga zv.kryeministri i Republikës së Serbisë.

Në takim me ta, zv.kryeministri serb iu thotë: “Ç’u bë, një më shumë e një më pak”?! Por Maman Saliu nuk lëshon pe: “Ne nuk i shtojmë dhe as i pakësojmë të rënët tanë. Ne do marrim aq sa kemi. Nuk kemi marrë vetëm ata që janë varrosur së bashku me partizanët jugosllavë, pasi nuk i identifikojmë dot”.

Pas këtyre fjalëve, zv.kryeministri serb bëri gafën e dytë: “Po qe se e keni kaq problem, fundja zhvarrosni ndonjë gjerman këtu dhe çojeni në Shqipëri”! Në këto kushte, indinjata e Maman Saliut qe e thellë: “Po të ishte për ushtarë gjermanë, kemi plot në Shqipëri dhe nuk ngriheshim për t’i zhvarrosur në tokat tuaja”.

Me mbarimin e Luftës së Dytë Botrore, Maman Saliu ishte një nga partizanët shqiptarë të dekoruar nga shteti jugosllav. Me prishjen e marrëdhënieve me regjimin titist, gjithë të dekoruarit shqiptarë i kishin kthyer dekoratat mbrapsht. Medalionin dhe çertifikatën përkatëse të Urdhërit të Trimërsisë, që jugosllavët i kishin akorduar Maman Saliut, ata i mbanin të arkivuara qysh nga viti 1948, kurse trimërinë ai e kishte me vete. Këtë gjë e faktuan prapë serbomëdhenjtë me Maman Saliun më 1975.

 

Edhe rusët e njohën mirë Maman Saliun

Nga radiogrami i Ambasadës të Republikës Popullore të Shqipërisë  në Moskë Nr.285, datë 6.VI. 1961, njoftohet Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë se:

“Komandanti i Shkollës së Lartë “F.Xherxhinski”, Gjeneral Koljankov, thirri përgjegjësin e studentëve shqiptarë Maman Saliun dhe e njoftoi se duhej të largohej nga territori i Bashkimit Sovjetik më datë 8 qershor 1961 pasi ishte përjashtuar nga shkolla me këtë motivacion:

“Nuk ka mbajtur qëndrim të drejtë në një seminar, është ankuar pse shtypi sovjetik nuk shkruan për Shqipërinë dhe si përgjegjës grupi ka lejuar që studentët të merren me politikë”.

Krahas Maman Saliut, u përjashtua nga kjo shkollë edhe Thoma Duro, sekretar i organizatës bazë të PPSH. Gjithashtu u përjashtuan nga Shkolla e Sigurimit Politik Vangjel Xhixho e Malo Idrizi si dhe Andrea Ndridhori nga Shkolla e Sigurimit në Leningrad.

Ndërsa nga Informacioni Telegrafik i Ambasadës të RPSH në Moskë, nënvizohet:

“Nisur nga kjo ngjarje, më 7 qershor 1961, Ambasadori i Republikës Popullore të Shqipërisë në Moskë, Nesti Nase, mori takim me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të BS Kuznecov dhe me porosi të Qeverisë sonë i shtroi çështjen e oficerëve tanë të përjashtuar nga shkollat ushtarake. Nesti Nase i vuri në dukje se nga ana e komandave të shkollave karshi ushtarakëve tanë janë bërë provokacione të ndryshme. Ai e quajti vendimin për përjashtimin e tyre nga shkolla si një masë për të mbuluar veprimtarinë e tyre jo miqësore kundër vendit tonë. Pastaj në emër të Qeverisë tonë kërkoi kthimin e gjithë ushtarakëve tonë të Sigurimit, Kufirit dhe Policisë në Atdhe”.

Më 13 qershor 1961, kryetari i Degës të Ministrisë së Punëve të Jashtme të B.S Astavin thirri ambasadorin Nesti Nase dhe i dorëzoi një promemorje të Ministrisë së Jashtme. Shkurtimisht përmbajtja e saj është e tillë:

“Kohët e fundit disa ushtarakë shqiptarë kanë bërë goditje armiqësore dhe shpifje kundër PK të BS dhe qeverisë sovjetike, kanë prishur disiplinën ushtarake, kanë injoruar komandat e shkollave, kanë shpifur mbi politikën e jashtme të B.Sovjetik, nuk kanë treguar kujdes për të mësuar historinë e PK të BS, kanë kërcënuar dhe ofenduar oficerët sovjetikë”. Në fund të promemorjes, thuhet se Ministria e Punëve të Jashtme të BS është e ngarkuar të deklarojë se këto veprime u sjellin dëm marrëdhënieve sovjeto-shqiptare…”

(Arkivi i MPJ, Viti 1961, Dosja 42/10, Fletët 26-28)

Janë fakte që dëshmojnë se Maman Saliut gjatë periudhës së “dimrit të vetmisë së madhe” nuk ishte pjesë e “kallaballëkut”, por një nga ushtarakët kurajozë shqiptarë që vunë në lëvizje KGB dhe Ministrinë e Jashtme sovjetike.

 

Përsëri partizan

Një rapsod i njohur vlonjat si Tomorr Lelua, për aktin kurajoz që ndërmori kuadri i lartë Maman Saliu për t’u rikthyer pas dy dekadash e ca në gjirin e Labërisë, ka shkruar kështu për të: “Si dikur kur armët ngjeshi/ Për punë llërët i përveshi/ Shumë e donin, shumë i deshi/ Lumë i Vlorës, Kurveleshi”.

Maman Saliu doli dy herë partizan. Fillimisht, në gusht 1943 dhe për herë të dytë në mars 1966,  kur në kulmin e karrierës, në moshën 44 vjeçare, mori iniciativën për të shkuar vullnetarisht në fshat familjarisht. Para se të ndahej në Tiranë me drejtuesit e dikasterit dhe bashkëpunëtorët e tij, ai do të deklaronte: “Unë nuk shkoj në vendlindje për klimë ose pushime verore. I di vështirësitë që më presin. Kini besim se kam akoma shumë forca për t’i përballuar e mposhtur ato”.

Dhe Maman Saliu e mbajti llafin. I zhveshur nga çdo funksion shtetëror, me cilësinë e veprimtarit politik e shoqëror, ai përgjatë dy dekadave që jetoi në zemrën e Labërisë la gjurmë të thella të një njeriu që kishte shkuar në vendlindje jo vetëm për t’iu bërë ballë vështirësive, por për të qëndruar edhe në ballë të punëve. Dhe këto gjurmë janë të prekshme nga të gjithë ata që kanë memorje. Pse jo dhe nga nihilistët.

Edhe kur i trokiti pleqëria, Maman Saliu kreu prapë një detyrë fisnike. Shkroi dy libra me kujtime historike: “Trokitje në kujtesë” dhe “Në vorbullën e jetës”. Janë libra që dëshmojnë se ai mbeti një idealist i pakorrigjueshëm. Për ndryshe, ai nuk do kishte qenë Maman Saliu.

 

Në vend të epilogut

Në përfundim të këtyre pak rreshtave, po sjell edhe këto vargje të mikut tim piluriot, Lefter Çipa, i cili ka shkruar kështu për mikun e tij Maman Saliu:

Ai s’ndalet kurrë nga jeta

Ndaj t’i nderojmë burrërinë

Guximi i tij s’ndahet me feta

Kush nuk ja njeh Historinë.

 

November 20, 2014 13:29
Komento

4 Komente

  1. jona November 20, 17:40

    Jam krenare qe jam pasardhëse e këtij Burri me cilësi të rralla atdhetare e njerëzore.

    Reply to this comment
  2. V etetima March 25, 21:11

    BURRE i MADH.

    Reply to this comment
  3. ardian March 25, 23:19

    Kam pas fatin ta njoh nga afer kete burre te shquar te Laberise. Nuk do gaboja te thosha se ka qene nje personalitet ne kuptimin e gjere te fjales. Njerez te tille nuk nderojne vetem familjen, fisin, fshatin, apo krahinen e tyre, por gjithe vendin.

    Reply to this comment
  4. Kristo March 25, 23:29

    Mirenjohje te pakufishme per kete burre te sterrallte te Laberise.

    Reply to this comment
  5. Hasan Mucostepa February 4, 22:36

    Gezohem pa mase qe kujtohet nje njeri i ndershem, nje luftetar i madh i lirise, nje personalitet i rralle, nje figure e pa perseriteshme, nje burre i vertete, nje mik me vlera te medha, nje pishtar i pa shuar i idealizmit perparimtar. I pa harruar kujtimi dhe vepra e tij e ndritur.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*