Mangësitë e turizmit, operatorët: Nuk ka guida dhe transport publik të rregullt

August 4, 2018 15:59

Mangësitë e turizmit, operatorët: Nuk ka guida dhe transport publik të rregullt

Krahas arritjeve dhe investimeve të bëra në sektorin e turizmit, ky sezon është pikasur edhe me problematika të hershme.

Kreu i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Sokol Hoxha ka thënë për Top Channel se transporti publik, sinjalistika rrugore dhe plehrat jane ende probleme ekzistuese nëpër plazhet e Shqipërisë.

“Përmirësimi i kushteve në turizëm është i domosdoshëm. Akoma kryesore mbeten transporti turistik, sinjalistika rrugore, plehrat…ende diskutohen. Në zonën e Golemit ka probleme ende me infrastrukturën, siç është rruga, mungon ndriçimi në rrugë, mungon një trotuar. Ndaj duhet të punojmë të gjithë bashkë që ta plotësojmë më tepër ofertën turistike. Duhet menduar që tani për sezonin tjetër. Nuk është fjala vetëm për bashkinë e Durrësit, po për të gjitha bashkitë bregdetare. Duhet të punojmë të gjithë bashkë, pushteti vendor e qendror, me të gjitha ministritë, pasi nuk mjafton që turisti të shkojë nga plazhi në dhomën e hotelit”, ka thënë ai.

Hoxha është shprehur se zgjidhja e këtyre problematikave duhet të shoqërohet me plotësimin e ofertës turistike me elementë të rëndësishëm që përmbushin kërkesat e turistëve.

Ai ka cilësuar si problematikë edhe mungesën e një axhende kulturore në ambiente të hapura, që të vihet në dispozicion të pushuesve e të publikohet para nisjes së sezonit.

Hoxha thekson se bizneset turistike këtë sezon janë hasur me një numër të pakët pushuesish vendas, si dhe me rënien e euros.

“Jemi në kulmin e sezonit turistik dhe situata është e njëjtë nga Velipoja në Ksamil. Në fundjavë plazhet janë të mbushura, po gjatë javës ka hapësirë. Hotelet janë plot me turistë të huaj, po mungojnë turistët vendas. Ky është viti më pozitiv për ardhjen e turistëve të huaj, po pushuesit e tjerë kanë qenë më të paktë. Kriza ekonomike, moti i paqëndrueshëm gjatë muajit korrik, si dhe rritja e çmimeve dhe të gjitha bashkë ndikojnë. Operatorët kanë në xhepin e vet më pak të ardhura se një vit më parë, si rezultat i rënies së euros”, ka shpjeguar ai.

s.a/dita

August 4, 2018 15:59
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*