Maqedoni, Menduh Thaçi nuk voton, nuk gjeti emrin në listë

Redaksia Online March 24, 2013 16:45

Maqedoni, Menduh Thaçi nuk voton, nuk gjeti emrin në listë

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi nuk arriti të votojë sot në Tetovë, pasi emri i tij nuk figuronte në listën e votuesve në vendvotimin në Kopshtin e vjetër në Tetovë. Thaçi ka pritur që familjarët e tij të hidhnin votën në kuti dhe më pas është shfaqur para medieve duke deklaruar se i është hequr e drejta e votimit.  “Nuk isha në listën zgjedhore edhe pse dokumentin e kam biometrik, kam pasaportë biometrike. MPB, njësia rajonale e Tetovës nuk e ka informuar entin statistikor se unë kam dokument biometrik dhe kam të drejtë të votoj. Kjo na shtyn të dyshojmë se shumë çështje janë të parregullta, sipas informacioneve që kemi në shtabin tonë. Shpresoj që gjithçka do të jetë në rregull, por ky është një sinjal shumë i keq për mundësinë e manipulimit të procesit zgjedhor”, ka theksuar kryetari i PDSH-së. Ai para mediave ka treguar pasaportën biometrike dhe theksoi se pavarësisht se është i pajisur me një dokument të tillë, emri i tij nuk është në listën e votuesve.

Maqedonia, sot në zgjedhje lokale

Në Maqedoni sot po mbahen zgjedhjet lokale në 80 komuna dhe qytetin e Shkupit.

Në orën 07.00 të mëngjesit janë hapur kutitë e votimit në 2 976 qendra të votimit, ndërsa të drejtën e votës e kanë 1 743 403 qytetarë.

Një ditë para zgjedhjeve, përkatësisht të shtunën votuan mbi 1 446 të burgosur nëpër burgjet e vendit, 136 qytetarë me status të të zhvendosurve si dhe personat e sëmurë.

Këto zgjedhje do të monitorohen nga 8 379  vëzhgues vendorë dhe 410 vëzhgues të huaj të akredituar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

Një garë e fortë pritet të jetë për qendrat kryesore si Shkupin, Tetovën, Kumanovën,  Gostivarin, Strugën, Kërçovën, Manastirin, Ohrin dhe komunat e tjera.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të ndikojnë edhe në mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Këto janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni. Të parat u mbajtën në vitin 1990, më pas në vitin 1996, në vitin 2000, në vitin 2005, ndërsa të fundit në vitin 2009. (INA)

 

Redaksia Online March 24, 2013 16:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*