Maqedonia, Palestina e Ballkanit

Ben Blushi May 11, 2015 18:44

Maqedonia, Palestina e Ballkanit

Maqedonija ka qenë gjithmonë një shtet për të cilin ia vlente të  vije bast se nuk do egzistonte më. Megjithatë sot gati 20 vjet pas krijimit të saj ajo egziston. Nuk është një shtet më i qetë, nuk është më i forte, nuk është me i pasur, por sidoqofte është.

Më shumë se dëshira e dy popujve që e përbëjnë atë, Maqedoninë e ka mbajtur në këmbë vullneti ndërkombëtar si dhe konteksti i ndërlikuar i shteteve përreth saj. Kushdo që  mund të  kishte në dorë ndryshimin e hartës së Ballkanit,kur vjen puna tek Maqedonija nuk do dinte si ta prishte. Kujt ti’a bashkonte dy copat e saj. As Serbisë, që  ende nuk ka dalë  plotësisht nga konfliktet, as Shqipërisë që vazhdon të jetë një shtet shumë i dobët dhe as Bullgarisë me të cilen pjesa më e madhe e maqedonasve nuk do donin të bashkoheshin për krenari kombëtare.

Megjiëthatë koha po provon se të prishesh Maqedoninë është ndoshta po aq e pamundur se ta rregullosh atë. Ky shtet ka një fat të  keq: ai as bashkohet dhe as ndahet. Dy pjesët e saj jetojnë të ndara në bashkim dhe të bashkuara në ndarje. Ata janë dy që bëjnë një dhe një që bëjnë dy.

Pikepyetjet më të mëdha për Maqedonine lindin nga bashkëjetesa e dhimbshme mes shqiptareve dhe maqedonasve.Të parët besojnë se janë të diskriminuar nga të  dytët. Të dytët janë të bindur se nese nuk i nënshtrojnë të  parët do nënshtrohen prej tyre. Maqedonija është një dyshim recipok që nuk kthehet dot në besim. Asnjë palë nuk i beson palës tjetër. Kush beson më shumë mundet i pari.

Ky dyshim i përjetshëm ka patur produktet e veta të cilat nëse nuk janë të përjetshëm po kapercejnë cdo kufi duke u kthyer ne të përhershem. Produkti me ideal i dyshimit është qeveria e Nikola Gruevskit,  njeriut që qeveris prej dhjetë vitesh duke e kthyer Maqedoninë në pasqyrën më tipike të mënyrës se si qeveriset Ballkani sot dhe ndoshta edhe nesër.

Ai ka qenë deri tani më i sinqertë nga të gjithë artizanet e pushtetit në Ballkan. Ai është një partizan i forcës, i dhunes, i dinakërisë, i përplasjes, i ndërtimit të identitetit, i kombësisë dhe i qëndresës. Për të gjitha këto qëllime ka cënuar demokracine e Maqedonise dhe nuk e ka fshehur. Nuk ka fshehur nevojën për dominim, për të diktuar, për të mbytur liritë civile dhe etnike duke i bindur maqedonasit se vetem ai mund ti mbrojë nga vjedhja e identitetit prej grekeve dhe grabitja e territorit prej shqiptarëve.

Gruevski është diktatori liliput i një shteti të vogel, kompleks të  cilin e ka kuruar duke krijuar një kryeqytet gjigandoman të  mbushur me statuja heronjsh. Ai beson se është njëri nga statujat që ndërton në Shkup. Ai ka ndërtuar pushtetin e vet mbi nevojën që kanë maqedonasit për të krijuar identitet të  qëndrueshëm kombëtar jo vetem mbi greket, as vetëm mbi bullgarët por mbi të gjitha mbi shqiptarët.

Mbi ketë sentiment ai po lëndon më shumë maqedonasit duke e ditur shumë mire se sikur të ishte vetëm për ata mund të qëndronte në pushtet edhe dhjetë vjet të tjera. Gruevksi beson se është një statuje që duhet mbrojtur nga shteti. Ndërsa shteti duhet të mbrohet nga maqedonasit të cilët do pranonin më mirë një qeveri që ndëshkon shqiptaret sesa një qeveri që mund të ndëshkohet nga shqiptarët.

Gruevski pretendon se ka sot përgjigjen më të mirë nga të  gjithë lidrët maqedonas për kërcenim që ata besojnë se vjen nga shqiptarët. Unë besoj se edhe pasi ai të mos jetë, herët apo vonë, maqedonasit nuk do shkëputen dot nga statuja e tij. Në fund të fundit ata e kanë ngritur dhe ata e mbajnë në këmbë. Maqedonasit nuk mendojnë se kush qeveris Maqedoninë duhet të jetë detyrimisht demokrat. Ata besojnë se të qeverisësh Maqedonine duhet të jesh i fortë. Duhet të  nënshtrosh shqiptarët. Dhe deri diku ia kanë arritur.

Sot shqiptarët atje kanë më pak të drejta se maqedonasit, punësohen më pak, kanë më pak pasuri, kanë më pak prona, marrin më pak vendime, arsimohen më keq dhe jetojnë shumë me keq.

Shqiptarët kanë vetëm një avantazh ndaj maqedonasve. Lindin më shumë. Kjo i kthen ata në një kërcenim. Tridhjetë vjet më vonë ndoshta Maqedonija do ketë më shumë shqiptarë se maqedonas. Kjo është frika që kane gjithë maqedonasit. Këtë raport me të ardhmen ata nuk e zgjidhin dot sepse frymezimi për të lindur dhe për tu shtuar nuk behet dot me urdhër.

Dyshimi se ndonjë ditë do jenë më pak duke lëshuar territoret, pasuritë dhe shtetin mban maqedonasit në një gjendje kronike dyshimi. As partitë politike, as demokratizimi i vendit dhe as bashkimi me Evropën nuk kanë fuqi për ti shpëtuar nga ky dyshim. Para se të jenë evropiane, duan të  jene maqedonas dhe Gruevski po i ndihmon.

Për fat të  keq edhe ngjarjet e Kumanoves i bindin të  ndihmojnë  Gruevskin.  Jam i bindur se shumë maqedonas megjithë pakënaqësitë që kanë sot për Gruevskin, në masë, besojnë se terroristet shqiptarë të Kumanovës kishin qëllim të hapnin një luftë për të marë pushtetin që u takon atyre.

Shqiptarët nga ana e tyre nën pergjumjen e qëllimshme të  partive që kane zgjdhur nuk kanë asnjë mundësi dhe ndoshta as arsye të shpëtojnë nga paragjykimet për palën tjetër. Ata e dine se edhe nëse ikën Gruekvski shumë pak do ndryshojë.Partitë e tyre nuk kanë as forcë dhe as moral për të  balancuar të  drejtat civile dhe ato administrative në raport me maqedonasit që  kanë partite me të mëdha në numër dhe më të forta ekonomikisht. Ndoshta edhe akti i Kumanovës, nese nuk ishte i stisur, më shumë se një reagim ndaj Gruevskit ishte një dëshpërim ndaj partive shiqiptare në Maqedoni.

Nëse shumica e maqedonasve beson se mund ti ndryshojë partite maqedonase përmes votës, dëshperimi në palën shqiptare është edhe më i madh. Shumica e shqiptarëve ndoshta besojnë se mund ti ndryshojnë partitë e tyre përmes armeve si rruga e fundit e mundshme. Gjithnjë, nese rasti i Kumanoves nuk ishte i sajuar, kështu mund të lexohet.

Shqiptarët besojnë se mund ti kushtezojnë maqedonasit duke ndryshuar artin e revoltes ndaj tyre. Ata janë të bindur së janë në një betejë të cilen e kanë humbur për shkak të armeve që  kane zgjedhur. Duan të ndryshojne armet. Duan parti me radikale, me të vendosura dhe me të pakorruptuara nga qeverite maqedonase. Natyrisht kane të drejtë pavaresisht nga dëshpërimi dhe stili i reagimit.

Kjo do të  thotë se sa kohë që dyshimi i palëve ndaj njëra tjetrës dhe ndaj vetes nuk hollohet, Maqedonija do vazhdoje të  jetojë nga një krizë në tjetrën. E vetmja zgjidhje që gjejnë palët është të sajojnë një krizë. Kriza është paqe dhe armepushim. Kriza është ekonomi dhe fuqi. Kriza është mendje dhe vëmendje. Mes dy krizave jeta është me e zymtë. Depresioni rritet, Dëshpërimi shtohet. Kur ka kriza, si ajo e Kumanovës, palet marrin fryme lirisht. Besojnë se kanë bërë atë që duhet. Kanë sulmuar dhe janë mbrojtur. Aftesia për të  shkaktuar krizë i provon popujve se egzistojnë.Te dyja palët në Maqedoni kanë nevojë jetike tia njohin vetes këtë aftësi.

Dhe duke shkuar nga një krizë në tjetrën Maqedonija po kthehet gradualisht në një Palestine të Ballkanit. Po kthehet në një problem kronik, zgjidhja e të cilit është mungesa e zgjidhjes. Si në Palestinë ashtu edhe në Maqedoni, palët besojnë se e vetmja mundesi për ta zgjidhur është të jetojne sa me gjatë. Kush jeton pa u zhdukur fiton. Kush shkakton më shumë konflikt fiton. Kush ka më shume fantazi mbijeton.

Në këtë kuptim, Palestina e Ballkanit do vazhdoje të prodhoje Kumanova dhe të sajoje Kumanova. Pa pushim. Sepse Palestina si model, egziston për ti mbushur popujt me detyrimin e dyshimit te egzistenca e tyre. Prandaj atje të gjitha shpresat janë jo për eleminimin e krizave, por për përmiresimin e cilësisë së krizave. Nëse popujt në konflikt për të njejtin territor kanë një zgjidhje, kjo është të prodhojnë një krize që  nuk i ka ngjarë krizes para saj. Popujt vihen në garë me fantazinë e krizës.

Prandaj ndoshta sot,  askush nuk ka një zgjidhje për Palestinen e Ballkanit, sepse askush nuk ka më shumë fantazi se vetë popujt e saj. Ne duhet të mësohemi të jetojmë në kufi me Palestinën ndërsa vetë Palestina po mësohet të jetojë në paqe me krizen e vet./ lapsi.al

Ben Blushi May 11, 2015 18:44
Komento

3 Komente

  1. sala May 11, 19:06

    pse nuk shkruajte ne fund qe nuk ka mbajtur premtimet Rama per maqedonine o blush

    Reply to this comment
    • Partizani May 11, 20:36

      Perseri,o Blushi po tregon se nuk je POLITIKAN I ZOTI DHE IDEALIST!
      Kujt i duhen keto zhgarravina letrareske,per Maqedonine,kur ngjarja eshte konkrete eKRIMINALE dhe me pasoja te renda per popullin shqiptar ne Maqedoni!
      Tani e kishje rastin ta DEWRRMOJE EDI RAMEN dhe ministrin e Jashtem Bushati per reagimin e PA PRECEDENTE te qeverise ndaj sulmeve banditeske te policise maqedonase kunder popullsise shqiptare!
      Ne nje rast analog cdo qeveri do te kishte kerkuar MBLEDHJEN URGJENTE TE KESHILLIT TE SIGURIMIT TE OKB-se,por bythpambuket tane NUK E BENE!!!
      TURPI JU MBULOFTE!!!

      Reply to this comment
  2. Vëzhguesi F May 11, 19:34

    Nje analize e sakte dhe nje paralelizem tejet objektiv. Palestina e Ballkanit, nje shtet qe nuk eshte shtet dhe me e lehte te çbehet se sa te behet shtet. Shkaku i vertete jane kriza e gjithanshme qe ka kapluar kete shtet te sajuar ( ku çdo gje eshte e sajuar, dhe emri dhe bashkejetesa, qeverisja, partite, politika, ekonomia) dhe burimi i ketij shkaku jane politika nacional fashiste me orekset e saj per te shtypur dhe sunduar me forcen dhe dhunen e makinerise shteterore. Ngjarja e Kumanoves?! Revolte apo sajese?! Ne kete fare feje qe eshte katandisur ai vend, ku rracizmi dhe nacionalizmi sllav i ka ndare qytetaret ne dy kategori, ose qytetar te dores se pare dhe qytetare te dores se dyte, njelloj si ne Afriken e Jugut ne kohen e genocidit rracist, mund te qendrojne te dyja versionet, pra edhe revolte edhe sajese, ose sajese dhe revolte. Shikoni dhe degjoni si nxitojne serbet e Sheshelit, Nikoliçit dhe Vuçiçit te deklarojne se sherbimet e tyre inteligjente e paskeshin ditur se do te ndodhte ngjarja e Kumanoves. Jane po ato sherbime, bijeza te UDB-es dhe KGB-es se Putinit qe jo vetem gomarin mashkull e bejne me barre por dhe ujin e mpiksin dhe e bejne kos. Eshte çeshtje pervoje qe buron nga nje shpirteligesi, armiqesi patologjike qe me nje gur (pavarsisht kostos qe mund te kete) te mundin te vrasin dy dhe me shume zogj. Skenar te tille nuk jane te padegjuara me pare. Nuk ka rast me te qarte per ta ilustruar se ngjarjet ne Ukraine dhe Krime.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*