Marie Logoreci, një ikonë e skenës dhe ekranit shqiptar

September 25, 2013 09:23

Marie Logoreci, një ikonë e skenës dhe ekranit shqiptar

Nga Lek Gjokaj

Maria lindi në Shkodër më 23 Shtator 1920. I jati Palok Çurçia ishte zejtar kurse e ëma Roza, shtëpiake. Paloka ishte një nga themeluesit e “Shoqërisë punëtore” një shoqëri sindikaliste. Që në vegjëli Marien e thirrën me përkëdheli Tushi. Ajo ndoqi shkollën femërore të “Motrave Stigmatine”, ne Shkoder, një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative.
Në gjimnaz filluan të duken prirjet e para, Maria vizaton bukur, këndon dhe më vonë fillon t’a shoqërojë veten me mandolinë ose kitarë, nuk i pëlqen matematika dhe lënda e Besimit. Por kënga e vizatimi ishin pasioni i moshës. Ne Arkivin Privat Logoreci ruhen rreth 20 vizatime të asaj kohe në të cilat dëshmojne një shpirt të butë e delikat dhe një raport fin me objektin që vizaton; dashuria, syri i mprehtë e vëzhgues, harmonia e ngjyrave dhe fantazia në vizatim të bëjnë të mendosh vetëm për talent.

Brenda një kohe të shkurtër mësoi gjuhët italiane e malazeze, por ajo që ndikoi fuqimisht në shpirtin e saj dhe që la gjurmë përjetë ishte njohja që në vogli me zakonet, traditat dhe eposin e veriut. Njohja dhe më vonë studimi i këtyre zakoneve, mjedisit, folklorit e etnografisë u bë një pasion i ri për Marien. Të jatit kur i thonin se Tushi është e shkathët si djalë, bisedon me të rriturit këndon dhe i bie mandolinës shumë mirë, ai përgjigjej: – “Po, por nuk është djalë!” …Kujtonte kështu fëmijën e parë, djalin që I kishte vdekur.

Duke shfletuar ne Arkiv fletoren e hartimet e shkollës së kësaj periudhe ndeshim një me titull: “Dje në Tiranë…sot në Shkodër…”

Më 27 të Nandorit shkova në Tiranë me e pritë kremtjen e flamurit. Atje ndeja edhe do dit të tjera me e pa ma mirë kryeqytetin,… – dhe pasi përshkruan bukuritë e Tiranes, vazhdon – Mbasi e njofta mirë, ktheva në Shkodër e u kujtova se më kishte marrë malli për njato pak dit që ndenja atje.
Mandej thashë: dje në Tiranë sot në Shkodër, ma mirë sot se dje, se si i thonë një fjalës: Vendin e huej ta lëvdoshin, por mbrendë mos i shkosh.

Por nuk kaluan as 6 vjet dhe Maria shkoi përgjithmonë në Tiranë. Ajo u largua nga Shkodra në vitin 1937. Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin i cili në atë kohë ishte kthyer nga Vjena ku kishte mbaruar studimet e mesme e të larta për ekonomi. Pranë “Miqve të muzikës” kishte ndjekur për pesë vjet mësimet për instrumentin e dashur të Vjenës, violinën. Ai ishte ekonomist shumë i zoti dhe brenda disa vjetësh u bë Shef i Buxhetit të Shtetit dhe mori titullin më të lartë të kohës në Shqipëri “Kalorës i urdhërit të Skënderbeut”. Kola ishte djali i madh i atdhetarit e gjuhëtarit Mati Logoreci (Mësues i Popullit) një nga figurat e njohura të shoqërisë së kohës. Ai rridhte nga familja e njohur e Logorecëve që përmendet që në vitin 1300 me emrin Logoreseos. Në shtëpinë e Logorecëve Maria ra në kontakt me shoqërinë e kohës me bisedat e Matisë me Fishtën, Koliqin, Çabejin, Xhuvanin dhe me kujtimet për Luigj Gurakuqin, e Mjedën qe sapo kishte vdekur të cilin Matia e kishte djalë halle.
Në këtë mjedis pasioni i Maries gjeti terren që të zhvillohej dhe bota e saj shpirtërore e intelektuale u bë më e gjerë. Ajo filloi të mësojë nga i shoqi gjermanisht. Në pasionet e saj u fut edhe biçikleta. Bënte shëtitje duke shkuar me të shoqin me biçikleta shpesh në Durrës, por edhe deri në Shkodër.

Jeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945 ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20 minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, të Shqipërisë së mesme dhe këngë partizane. Ndërkohë ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit). Filloi të këndojë gjithashtu në koncerte që jepeshin në kryeqytet në raste të ndryshme.Në vitin 1947 bëri pjesë si soliste në korin e përgjithshëm të Shtetit me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit.

Duke parë aftësinë interpretuese të Maries kur këndonte i propozuan të punonte në Teatrin Popullor. Ky kalim ishte i vështirë edhe për Marien dhe për mjedisin. Por familja e emancipuar dhe i shoqi Kola luajti një rol të madh, duke e ndihmuar që ajo të ecte përpara, të zhvillonte talentin e saj. Kështu në Nëntor të vitit 1947 për Marien u hap perdja e jetës së vërtetë skenike, ajo tashmë ishte aktore e Teatrit Popullor.
Rruga e saj skenike kaloi me perpjekje, por me kënaqësinë, e përmbushjes së pasionit dhe suksesit.

Me punën e saj krijuese Marie Logoreci na ka dhënë një galeri të pasur figurash që nuk harrohen për skalitjen me mjeshtri, për forcën shprehëse e realizmin. Gama e roleve të interpretuara nga Maria është e gjerë dhe e pasur në tipa e karaktere të afërt e të kundërt. Mjeshtëria interpretative dhe forca e saj emocionale janë shtrirë që nga anët më të ndritshme të shpirtit njerëzor deri në skajet më të errta, tek rolet Alisa Lengton, ne “Rrënjët e thella”, Kristina Padera, ne “Komplloti i të dënuarve”, Gertruda, tek “Hamleti”, Fatimja, te “Halili dhe Hajria”.
Bernarda Alba, tek :Shtepia e Bernarda Albes , Lady Milford ne “Intrige e dashuri” Gjela tek “Permbytja e madhe” etj.
Kush e ka parë, nuk u emocionua e nuk fshiu një lot të fshehtë nga interpretimi i Maries në Loken te “Toka jonë”.
Kështu në veprat e Shekspirit, Molierit, Lorkës, Gorkit etj., si dhe në veprat kombëtare të Kolë Jakovës, Ndrekë Lucës etj.,
Maria ishte edhe pioniere e kinematografisë shqiptare. Ajo ishte interpretuese në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër, :Femijet e saj dhe në 12 filma të Kinostudios dhe Televizionit. Interpretimi i Marie Logorecit në film ruan deri në një farë mase tiparet e interpretimit skenik. Heroinat e krijuara nga Maria në film, janë figura të individualizuara, çka ruajnë vlerën e tyre në historinë e filmit shqiptar në raport me kohën.
Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj duke mbetur per artdashesin simboli I nenes shqiptare Lokja.
Rolet më të suksesshëm të saj sipas kritikes janë: Xhesi te “Çeshtja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, Lokja te “Toka jonë”, Ledi Milford te “Intrigë e dashuri”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Gertruda te “Hamleti”, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Tadrahova te “Morali i zonjës Dulska”, Nëna Xhun te “Muri i madh pakapërcyeshëm”, Mara te “Përkolgjinajt”, Plaka te “Çatia e të gjithëve”, Nëna te “Cuca e maleve”, Gjela te “Përmbytja e madhe” etj.
Marie Logoreci eshte vleresuar disa here per punen e saj artistike. Ajo mban titullin me te larte artistik “Artiste e Popullit”

Intervista

Perfitova nga rasti qe keto dite Pjerini eshte ketu ne Florida per ta takuar dhe per te bere nje bisede me te ne lidhje me kete pervjetor te Marie Logorecit.
Me 23 shtator eshte 93 vjetoi i lindjes se Marie Logorecit. Si e perjetoni dhe si festonit kur ishte gjalle?

Sigurisht qe nuk eshte nje dite e zakoneshme, zakonisht shkojne disa dite perpara qe ne cdo rast pergatis dicka ne lidhje me Marien qe se bashku me materialet e pergatitur nga gazetaret apo koleget e saj perbejne ate qe po e quaj tufa e luleve ne kujtim te Maries. Fatkeqesisht duhet te them te verteten se mendoj qe tani i kushtojme me teper kohe ditelindjes se saj se sa kur ishte gjalle. Edhe ajo vete nuk i kushtonte shume rendesi. Sigurisht qe shpesh pervec nesh, dmth. familjes vinte edhe ndokush tjeter dhe kaq. Perkundrazi e madhe behej ne ate kohe ditelindja ime.

Na thoni disa fjale per familjen Logoreci, cilet jane njerezit e saj te permendur.

Po them fillimisht se Maria mbiemrin e saj e kishte Çurçia, nje familje qe vazhdon te jetoje ne Shkoder e Tirane, ne Itali, ne Mal te Zi dhe Serbi. Te njohur nga kjo familje jane Arqipeshkvi Luigj Curcia, Gasper Curcia, trombisti dhe drejtuesi i orkestres se muzikes se lehte ne RTV. Ne familjen Logoreci Maria shkoi nuse. Logorecet kane pasur dhe kane njerez te njohur, Arqipeshkvi Andrea Logoreci, Mati Logoreci gjuhetar (nipi i Andreas) Kole Logoreci economist (I biri i Matise), Anton Logoreci gazetar (I nipi i matise), sot eshte Susan Logoreci Ilustratore (stermbesa e Matise)

Cila ishte jeta ne familjen e Maries?
Ka qene nje jete normale e intelektualeve te asaj periudhe, ku kryesisht familja merrej me preokupimet e mbarevajtjes se shfaqeve. Bisedat kryesore ishin gjithashtu te lidhura me artin. Shpesh babai I binte violins kryesisht valseve te Shtrausit. Shume me rralle Maria I binte mandolines. Ajo gjithnje e me teper lexonte, degjonte muzike . Une meqe punoja ne Radio Tirana (ne ate kohe) kujdesesha qe te regjistroja per magnetofonin muziken qe ajo donte, qe ishin vepra klasike simfonike dhe operistike.
Me pak fjale Jeten e Maries shoket e saj e kane percaktuar keshtu. Cohej shpejt ushqente qente, macet, pellumbat, gatuante dhe nisej vone per ne pune. Sander prosi thoshte “Maria niset nga shtepia ne oren 9 dhe do te arrije ne pune ne 9 pa pese”
Mbasditja gjithashtu ishte e ngarkuar edhe kur nuk kishte shfaqe, sepse kishte deshire ti ushqente vete breshkat qe mbante, te lagte lulet, dhe ne fund ulej te lexonte. Autoret e saj te preferuar, ishin Shekspiri, Cehovi, Balzaku, Dostojevski…

A do te kete ndonje organizim me rastin e ketij pervjetori?
Jo, zakonisht organizojme dicka ne pervjetore te plote te lindjes apo edhe te vdekjes. Ky eshte 93 vjetori, keshtuqe do te kete dicka me te madhe me rastin e 95 vjetorit. Ne kete pervjetor mbaron ripunimi i faqes se internetit www.marielogoreci.com, u publikua ne Apple ibook dhe apple iTunes ne 51 shtete libri elektronik Marie Logoreci ne tre gjuhe, anglisht, italisht dhe shqip per perdoruesit e celulareve iphone dhe tableteve te apple. Dhe keto dite po ky liber, gjithmone pa pagese do te publikohet ne google books dhe google play, per celularet dhe tabletet qe perdorin android.

Faleminderit Pjerin
Ju faleminderit Juve Lek!

September 25, 2013 09:23
Komento

7 Komente

  1. ARVANITASI September 25, 10:16

    NA MUNGON E MADHJA MARIE LOGORECI ( LOKJA ) SIKUR JEMI MESUAR TI THEMI. NDIHEM KRENAR SA HERE QE LEXOJ E DEGJOJ PER TE SEPSE ISHTE NJE ARTISTE E PERMASAVE BOTERORE. I UROJ FEMIJEVE TE SAJ, NIPERVE E MBESAVE, TE JETOJNE SA ME GJATE E TA KUJTOJNE SA ME SHUME, MARIE LOGORECIN.

    Reply to this comment
  2. Klementi September 25, 12:47

    U prehte na paqe e madhja Mari! Na mungon shume edhe ne qe e kemi ndjeke rrugen artistike te saj.

    Reply to this comment
  3. Horri i Bulevardit September 25, 17:19

    Gjigande te skenes dhe ekranit si e madhja Marije Logoreci, jetojne gjithmone, ato skane vdekur, ato kane futur ne mendjet tona rolet mbreslenese, qe nuk mund te harrohen.
    Plejada e artisteve te mbas luftes se dyte boterore, ka qene nje plejade artistesh qe edhe Hollivudi do ti kishte zili.
    Respekt per Marije Logorecin, kete artiste te madhe dhe respekt per te gjithe ate plejade artistesh shqiptare. qe na dhane me te miren e tyre.

    Reply to this comment
  4. tefta September 25, 17:50

    NJE YLL NJE DRITE SHQIPTARE ME PERMASAT BOTERORE TE ARTISTES DHE TE BUKURISE ! TE LUMTUR DHE KRENARE PER ARTISTEN E JASHTEZAKONSHME ME ZERIN E MREKOLLOSHM QE NDODHI TE JETE SHQIPTARE DHE SHEMBULLL E FANAR NDRICUS per BREZAt E ARDHESHEM

    Reply to this comment
  5. miri September 26, 09:52

    jena rrit me filmat e marie logorecit……..eh sa mall per yjet qe nuk perseriten me per brezin tone.faleminderit marie………………………………………………………………………………………………..

    Reply to this comment
  6. burreria September 26, 11:03

    TVSH,
    Beni publik te vertete televizorin shqiptar,pasi le per te deshiruar.
    Ne programet televizive te jepet jeta e koloseve te artit dramatik e skenik,e gjinive te tjera te cilet duke perfituar nga rasti qe me jepet, shpreh mendimin te gjithe jane Nderi i Kombit, duke filluar nga LOKJA, kjo burrneshe e madhe e urte fjale magjike,e me vlera te medha edukuese per brezat e ardhshem.
    uroj qe filmi e drama e ketyre koloseve te jete ne ekranet e TVSH.
    I perjetshem qofte KUJTIMI I Tyre, Ne u rritem me veprat e medha te ketyre koloseve.

    Reply to this comment
  7. Tefta Cani September 26, 16:24

    Nderime dhe përkulje me shumë respekt ndaj jetës dhe krijimtarisë fondamentale të Marije Logorecit, “Artistes së Popullit “! Ajo ishte dhe mbetet një meteor në teatrin e kinematografinë shqiptare, që shkëlqeu e do të rrezatojë gjithmonë. Marije Logoreci hodhi themelet e krijoi shkollën e dramaturgjisë e të kinematografisë shqiptare në nivele artistike botërore. Nderim e respekt të përhershëm! Tefta Cani-Cami

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*