Marin Barleti, vepër monumentale

July 18, 2018 19:13

Marin Barleti, vepër monumentale

Moikom Zeqo

Ribotimi i veprës “Rrethimi i Shkodrës” i Marin Barletit ka dhe diçka të re: përkthyesi Henrik Lacaj këtë botim e paraqet në formën e normës së gjuhës letrare shqipe, duke u ngritur kështu mbi disa forma dialektore të gegërishtes të përdorura prej tij më parë, duke saktësuar në ndonjë vend dhe përmbajtjen e ndonjë fraze apo fjalie duke e pasuruar strukturën e përkthimit, – e kjo bën që lexuesi ta lexojë e ta rilexojë edhe më me endje veprën e Barletit.

Vepra “Rrethimi i Shkodrës” u botua latinisht në Venedik në datën 10 Janar të vitit 1504 nga tipografi me origjinë shqiptare Bernard-Vitabuli, shqiptarësinë e të cilit e thekson sidomos dijetari venedikas bashkëkohor, Antonio Sabaliko (1436-1506).

Sapo u botua, vepra pati një jehonë të madhe jo vetëm te shqiptarët e diasporës në Itali, por në tërë Evropën gjë që bëri të njohur Marin Barletin si një nga figurat e shquara të humanizmit evropian dhe padyshim si kryefigurën e humanizmit kulturor shqiptar.

Marin Barleti ishte në moshë të re kur qyteti i tij i lindjes Shkodra, përjetoi rrethimet e saj të egra nga ushtritë osmane.

Siç e tregon vetë Barleti, në atë kohë ai rrëmbeu shpatën e luftoi mbi bedenat e kështjellës si luftëtar për të mbrojtur Shkodrën e lirinë.

Pra, Barleti fitoi kështu të drejtën e dëshmitarit të ngjarjeve të kronikanit që kishte parë e përjetuar gjithçka drejtpërsëdrejti “in visu”.

***

Me librin e tij “Rrethimi i Shkodrës” Marin Barleti është themeluesi e babai i historiografisë shqiptare, të cilën ai e paraqiti me dinjitet e krenari përballë tërë veprave historiografike të popujve të tjerë të kontinentit.

Gjithashtu, Barleti, si tek “Rrethimi i Shkodrës” e sidomos tek kryevepra e tij mbi jetën e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut paraqitet jo vetëm si një dijetar i shkencës historike, por dhe si një shkrimtar me një stil të fuqishëm që e kërkon dhe e përdor siç duhet forcën e fjalës, që përdor një botë figurash të guximshme e , i frymëzuar thellësisht nga kultura e lashtë, si dhe nga kultura popullore e folklori shqiptar.

***

Vepra “Rrethimi i Shkodrës” nis me një parathënie të Barletit ku ai shtjellon arsyet që e shtynë për ta shkruar veprën e tij si dhe mendimet humaniste të cilat i ka kudo, të punës e të krijimit.

Kështu ai shkruan:

“Kur në historinë e njerëzimit ndodh diçka e jashtëzakonshme… dalin disa njerëz, të cilët jo vetëm që e vështrojnë me njëfarë admirimi atë ngjarje… por, për më tepër përpiqen ta përjetësojnë dhe me anën e penës…

Kurrë s’do të kaloja në heshtje e me mosmirënjohje një ngjarje kaq të rëndësishme (është fjala për rrethimin e Shkodrës në 1474 dhe 1476 – shënimi im M.Z.), por me një mënyrë ose më një tjetër do të orvatesha ta përjetësoja me një përmendore letrare…

 Qëllimi ishte që të dukej se e kreva detyrën time ndaj Atdheut si qytetar i ndershëm”.

Këto rreshta flasin qartë për veprën patriotike të ndërmarrë nga Barleti, për motivet shtytëse e burimin e frymëzimit.

Vepra “Rrethimi i Shkodrës”, është ndërtuar në formën e 3 librave, që lidhen me njëri-tjetrin nga përmbajtja e nga forma.

Në librin e parë Barleti me erudicion të madh për kohën jep mendime të autorëve të lashtë e bashkëkohës mbi origjinën e turqve, flet për pushtimet e tyre, për emrat e sulltanëve deri në pushtimin e Konstandinopojës në vitin 1453.

Në librin e parë Barleti përqendrohet edhe rreth origjinës së vetë qytetit të Shkodrës duke dhënë mjaft shënime historike e gojëdhëna, si dhe bën një përshkrim gjeografik e arkitektonik të kështjellës së Shkodrës.

Këto shënime janë me vlera dhe e tregojnë autorin si një njeri me njohje të gjerë.

Barleti ka të drejtë kur e cilëson Shkodrën si një qytet që s’e ka themeluar Aleksandri i Madh, se Shkodra është shumë e vjetër në kohë.

Barleti shkruan:

 “Më patën rënë në dorë disa shkrime, më tepër se sa anale ku flitej më shumë për meremetimin që i bënë këtij qyteti stërgjyshërit tanë, se sa për ndërtimin e tij.

Ishte shkruar aty në gjuhën popullore se njëfarë Roze, me motrën e saj të quajtur Fa, qenë themelueset e para të Shkodrës e prandaj fortesa e saj u quajt Rozafa”

Nga këto rreshta mësojmë se të paktën deri në fund të shekullit XV ekzistonin akoma dorëshkrime e dokumente “në gjuhën popullore”, d.m.th. në gjuhën shqipe, gjithashtu mësojmë edhe shpjegimin e parë për emrin e legjendës tregimtare të kalasë së Rozafës, që i atribuohet dy motrave.

Edhe në legjendën e kënduar nga rapsodët, riti i sakrificës njerëzore në themelet e mureve lidhet po me figurën e një gruaje që në këtë rast mban emrin Rozafa, emër të cilin Barleti e shpjegon si sintezë e bashkëngjitje të y emrave të bashkëthemelueseve të Shkodrës.

E dhëna e Barletit është me interes për folkloristikën tonë e atë Ballkanike, gjë e cila do të përbënte në vetvete një subjekt studimi të veçantë.

***

Në librin e dytë Barleti përshkruan të gjitha përpjekjet e sforcuara që bën Sulltan Mehmeti II për pushtimin e rrethimin e Shkodrës në 1474 e 1478.

Përshkrimet këtu kanë karakter epik, gjë që u jep paraqitja e operacioneve ushtarake të rrethimit, e bombardimeve të rënda të artilerisë dhe e qëndresës së madhe të kështjellarëve arbër.

***

Libri i dytë përbën kulminacionin e tërë veprës.

Në librin e tretë Barleti na jep epilogun tragjik të luftimeve, rënien heroike të kështjellave të Zhabjakut, Drishtit, Lezhës e, në fund fare, të vetë Shkodrës.

***

Barleti e botoi veprën e tij në vitin 1504.

Në vitin 1474 Gjergj Merula (1431-1494) hartoi relacionin e tij me njoftime historike të quajtur „Lufta e Shkodrës“ në formën e një letre drejtuar Jakov Merulës e Françesk Gambarinit.

Në vitin 1503, humanisti shqiptar me origjinë nga Shkodra Marin Biçikemi kishte botuar një fjalim panegjirik ku, i nisur nga motive atdhetare ngriti lart heroizmin e shkodranëve.

 „Unë vetë e mora, përsipër barrën, shkruan Biçikemi, që të mos flisja si një letrar privat, por si një orator i atdheut tim fatzi“.

 

Marin Barleti i ka njohur shkrimet e Marulës e Biçikemit, por nga shumësia e të dhënave, nga struktura epike e ndërtimit të veprës së tij, nga pasioni e forca e të shkruarit, nga logjika e fakteve historike ia kalon e i kapërcen shumë dy të parët.

Ai paraqitet në veprën „Rrethimi i Shkodrës si një historian humanist, e shkrimtar i shquar, i formuar nga pikëpamja kulturore, i mbrujtur me një koherencë konceptesh e mendimesh atdhetare, shkencore dhe letrare.

Vepra „Rrethimi i Shkodrës“ është në fakt parathënia e veprës mbi Skënderbeun që do të botonte në vitet 1508-1510 në Romë.

Barleti me këto vepra do të bëhej autori i parë shqiptar me famë botërore, që do të përkthehej e ribotohej vazhdimisht për shekuj me radhë.

***

„Rrethimi i Shkodrës“, është një përmendore letrare e heroizmit të shqiptarëve në fundin e shekullit XV në muret e qytetit të Shkodrës, që përsëriste epopenë madhështore të rrethimeve të Krujës.

Barleti, përveç përshkrimit të situatave, ngjarjeve e informacionit historik ndalet në figurat e mbrojtësve me emra duke i portretizuar me dashuri.

***

Kështu Barleti flet për kryearkitektin e Shkodrës të quajtur Donat, për trimat luftëtarë Llesh e Nikollë Begani, për Bartolomeon, që kishte shërbyer vite më parë nën urdhrat e vetë Skënderbeut të madh, për Nikollë, Jakob dhe Moncin Movetën – tre vëllezër që u shquan në luftime etj.

Barleti mburret për origjinën e të parëve, të shqiptarëve, të cilët sipas tij rrjedhin nga Pirroja i madh.

Barleti për shqiptarët shkruan se:

 „Ata s’përkulen, s’thyhen dhe si të pathyeshëm që janë ata nuk shtrohen me armë…, ata s’e pranojnë sundimin e të huajit.“

Libri „Rrethimi i Shkodrës“ ka interes të veçantë dhe për gjuhëtarët, etnografët, arkeologët, për arsye se Barleti i jep të dhëna interesante në këto drejtime.

Kështu, kur flet për qytetin e Krujës Barleti bën një shpjegim etimologjik të drejtë shkencor e është i pari dijetar që e shpjegon emrin e Krujës me fjalën shqipe krua, burim – gjë që e ka pranuar si të drejtë shkenca gjuhësore e sotme.

Barleti vë në dukje „se fjala „besë“ për ta (është fjala për shqiptarët – shënim im, M.Z.) është diçka e veçantë dhe tradicionale“ duke na dëshmuar kështu i pari një element kyç të ekzistencës së kanunit të lashtë shqiptar të veriut, që njihet sot me emrin e Lekë Dukagjinit.

Gjithashtu, Barleti përshkruan gërmadha monumentesh, qytetesh, objektesh kulti etj., që u interesojnë historianëve të arkitekturës e të artit.

Natyrisht lëvdatat panegjirike ndaj Venedikut te Barleti kanë karakter koniunkturor e të sipërfaqshëm, që në fakt janë larg thelbit racional të veprës e dashurisë së tij të pavdekshme për mëmëdhenë.

***

Libri mbyllet me epilogun tragjik të rënies së Shkodrës, por në të nuk ndihet asnjë frymë disfatizmi apo fatalizmi, por përkundrazi, e tërë vepra është plot optimizëm, plot besim në fitoren mbi armiqtë, plot atdhedashuri, duke u lënë e transmetuar brezave mesazhin e pamortshëm të qëndresës e vazhdimësisë. (Viti 1983)

July 18, 2018 19:13
Komento

5 Komente

  1. Arben July 19, 05:40

    Per njohuri shkodra ishte e venedikut, dhe pas

    Marries se saj nga Shqipetaret Osmanllinj, Shqipetaria

    Mori hovin me te madh te njohur ndonjehere

    Reply to this comment
  2. Messerschmitt July 19, 11:59

    Sa per njohuri ate Vendikun tat Shqiptaret e kane themeluar deri sa u futen dhe atje si tek ne rracedhjeret me emrat Arben !

    Reply to this comment
  3. Pellazgos July 19, 13:33

    D.m.th Pirrua i Madh,luftoi me ushtri per te cliruar jugun e Italise qe quhej nga vete historia Magna Grecia nga barbaret dhe nuk ka asnje emer “Shqipetare apo Arber” qe te perjetesohet apo te Shqipetarizohet Shqiperia!
    Nuk ka as edhe nje historian te deklaroje qe Pirrua nuk ishte mbret,nuk kishte mbreteri,nuk kishte institucione,nuk kishte kulture,nuk ishte gjak me Aleksandrin qe do te thote qe fliste dhe shkruante Greqisht,ishte Epirote qe “Shqipetaret” myslimane ne Identitet nuk e njohin Epirin apo Vorio Epirin.
    Aresyeja dihet se jane pro turq,armiq te Epirit dhe Prijesit te Saj Epirote Jeorgios Kastriotis.
    Keto edhe sipas “Marin Barletit” nje figure e shpifur nga propaganda e Perandorise famekeqe te Vatikanit qe nuk kane lidhje me “Zotin”,bile jane te denueshem dhe per keto jane fakte historike te pa kundershtueshme.
    E them kete se para pushtimit te Epirit kemi qene te gjithe per 1100 vjet Orthodhokse d.m.th nga na del ky me emrin Marin apo Barletti!
    Emri Albania eshte krijuar ne shekujt e mevon0shem qe nuk ja dime kuptimin,kjo eshte “historia” jone dhe sa per Arber dhe Arberi nuk eshte e veshtire te konkludohet ne lidhjen Arnaute,Arberesh,Arvanitas etj.
    Vete Papas Antonio Belushi nga Magna Grecia e Italise para disa muajve deklaronte qe ne jemi Orthodhokse dhe e shpjegonte vajtjen e te pareve ashtuquajtureve Arberesh ne Magna Grecia duke bere krahasimet me te sotmen qe ikin me lotto per nje jete me te mire,kurse atehere ishin Osmanet dhe Hamzate.
    Shumica e Arberve qe shqetesohen sot dhe kane merak per Erdoganin te zgjidhet apo jo tregon me se miri karakterin,poshtersine,idjotllekun,hipokrizine e Arberve qe vetequhen Shqipetare.
    Po te krahasosh vleresimin e Maltusit per Arberine e Sulltanit atehere duket sheshit qe ky vend nuk ka as edhe nje lidhje me identitetin e Lashte Epirote,eshte thjesht nje Nocion Gjeografik pa histori,ose kuptohet nga Arkeollogjia,Historia,Emrat e atyre qe nuk u turqizuan apo nuk u Latinizuan dhe keta jane Epirotet qe historia e botes dhe bota i njef per Greke,Helene.
    Ndryshe nuk shpjegohet injoranca dhe urrejtja per ata qe nuk u tjetersuan.

    Reply to this comment
  4. iliria July 19, 21:02

    Ajo qe ti turimajmun Belasgos quan Piana dei greci ishte nje emertim i gabuar e i perkohshem nga ana e latineve qe kujtonin se arberit qe vinin nga moreja ishin grek Po te lexosh pa syzet e ligesise suaj= me vone kjo u korigjua e tani viset ku jetojne arbereshet quhen PIANA DEI ALBANEZI tjeter eshte piana dei greci(nje zone e vogel ne fund te gadishullit italian)

    Reply to this comment
  5. Alban July 26, 21:43

    I dashur Moikom, cfare mendimi keni per pedagogun e madh te oratories Marin Becikemin dhe Marin Barletin, a nuk jane dy emra per te njejtin njeri?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*