Marksi si një mendimtar “jo marksist”

May 15, 2018 10:37

Marksi si një mendimtar “jo marksist”

Prof. Fatos Tarifa

Nuk do të kisha arsye t’i shkruaja këto radhë sot, nëse këto ditë, kur më 5 maj u shënua 200 vjetori i lindjes së Karl Marksit, për të u shkrua dhe u tha çdo gjë. Debatet për Marksin duket se morën shkas edhe nga një episod i thjeshtë, siç ishte ngritja në qytetin e tij të lindjes, në Trir (Gjermani) e një shtatoreje, krijuar nga një skulptor kinez.

Kam shkruar edhe më parë për Marksin, duke e vlerësuar atësi një mendimtar gjenial dhe si një ndër themeluesit e sociologjisë. Botova edhe së fundmi një ese të titulluar “Ç’u bënë marksistët shqiptarë” dhe, si në çdo rast, vura re një ndarje të hatashme në opinionet që shprehen për Marksin, si dhe për këdo që shkruan për të.

Këto radhë sot nuk i shkruaj për të sqaruar raportet e mia me teorinë e Marksit. Këtë e kam bërë kohë më parë, edhe pse Stenaldo Mëhillit, studentit tim të shkëlqyer në shkencat politike në Universitetin e Nju Jorkut Tiranë, që më pyeti këto ditë se “sa marksist” jam unë, mund t’i jap po atë përgjigje që kam artikuluar në librin tim Imagjinata sociologjike dhe bota jonë sociale (Onufri, 2014). Dhe kjo përgjigje është: As Marksin dhe teorinë e tij dhe asnjë autoritet tjetër unë nuk i shoh si fjalën e fundit në shkencë, apo si burim të së “vërtetës absolute”. Unë nuk besoj në të vërteta absolute, të përhershme. E vërteta është gjithnjë relative, e pjesshme dhe e përkohshme. Marksi dhe teoria nuk bëjnë përjashtim nga kjo.

Por unë mendoj se teoritë sociale janë e mund të jenë praktikisht të dobishme për shoqërinë. Dobia praktike e teorive sociologjike bëhet edhe më evidente pikërisht për shkak se ato nuk janë teori “të mbyllura”, “përfundimtare”, ose “fjala e fundit dhe e vetme” për shpjegimin e marrëdhënieve, të institucioneve e të problemeve shoqërore, por janë të hapura ndaj çdo evidence të re empirike që kërkon interpretim të ri. Edhe në këtë vështrim, teoria e Marksit nuk bën përjashtim. Ajo nuk është Bibla e atyre që studiojnë shoqërinë, institucionet dhe marrëdhëniet e saj.

* * *

Përveçse shpjegime ose interpretime të ngjarjeve dhe dukurive shoqërore, teoritë sociologjike janë gjithashtu modele. Për shembull, nëse marrim për bazë shpjegimin sistemik që i bënte shoqërisë Talcott Parsons, i njohur si funksionalizëm strukturor; ose sociologë të tjerë funksionalistë, që argumentojnë se shoqëria i ngjan një organizmi, në të cilin çdo pjesë e tij është e lidhur funksionalisht me pjesët e tjera, dhe se përmes ekzistencës së saj dhe të funksioneve që kryen çdo pjesë e veçantë mundësohet ekzistenca dhe funksionimi i krejt sistemit shoqëror; ose nëse gjykojmë se shoqëria i ngjan një “fushe lufte, në të cilën individët dhe grupet sociale që e përbëjnë atë konkurrojnë vazhdimisht për resurset e kufizuara të saj”, ose, më tej, nëse mendojmë se shoqëria i ngjan një “kompjuteri” kompleks, në të cilin individët janë të lidhur me njëri-tjetrin përmes linjave të shumta të komunikimit—në të gjitha këto raste, ne përdorim teori të caktuara si modele: funksionalizmin (functionalism), teorinë e konfliktit (conflict theory), ose ndërveprimin simbolik (symbolic interactionism), pasi priremi, ose zgjedhim ta shohim shoqërinë në një mënyrë të caktuar, ose përmes një lenteje të caktuar.

Teoritë sociale (ndër to edhe teoritë sociologjike), pasqyrojnë mënyrën e organizimit e të funksionimit të shoqërisë, si dhe ndërveprimin dhe marrëdhëniet mes anëtarëve dhe institucioneve të saj, por ato nuk janë një realitet proksi, një surrogat i shoqërisë. Si modele të përafërta, jo të gjitha teoritë sociologjike janë njëlloj efektive. Sidoqoftë, nëse je i familjarizuar jo me një, por me disa modele (teori), dhe nëse di t’i shfrytëzosh avantazhet që ofron çdonjëra prej tyre, kjo e bën më të lehtë zbulimin e shkaqeve të dukurive shoqërore dhe shpjegimin e tyre. Në këtë kuptim, teoritë sociologjike kanë vlerë pragmatike.

Mua më pëlqen t’i krahasoj teoritë sociologjike me hartat, sepse ato na mundësojnë të “udhëtojmë” përmes realitetit shoqëror dhe të kuptojmë “terrenin” social në të cilin jetojmë. Sidoqoftë, “rrugët” që ofron një “teori-hartë” jo vetëm mundësojnë “lëvizjen” tonë në terrenin e këtij realiteti shoqëror në të cilin jetojmë, por edhe na kufizojnë se deri ku mund të shkojmë në këtë journey. Përveç kësaj, edhe pse shumë harta mund të përfaqësojnë—vizualisht dhe simbolikisht—të njëjtën hapësirë fizike të realitetit, në të cilin lëvizim dhe veprojmë, jo të gjitha hartat janë njëlloj; disa janë më të mira e më të sakta se të tjerat. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për “pesëdhjetë e shtatë sistemet sociologjikë dhe njëqind e pesëdhjetë e shtatë teoritë mbi shoqërinë”, po të përdor një shprehje të famshme të sociologut amerikan Russell Gordon Smith.

Pyetjet që ne shtrojmë, ajo çfarë shohim dhe mënyra se si e interpretojmë dhe e shpjegojmë atë që shohim në realitetin shoqëror, jo vetëm përcaktohen, por edhe janë të kufizuara nga korniza teorike në të cilën e imagjinojmë ne këtë realitet. Mbani parasysh këtu kufizimet që na vinte “korniza marksiste” neve, studiuesve shqiptarë të shkencave shoqërore, në të kaluarën. Por, ndërsa në kushtet e një shoqërie politike moniste, siç ishte socializmi shtetëror, nuk mund të kishte pluralizëm ideologjik, pra as pluralizëmsociologjik, në kushtet e një shoqërie pluraliste bëhet jo vetëm praktikisht e mundur, por edhe edomosdoshme që studimi i jetës shoqërore të bëhet nga perspektiva të ndryshme teorike.

Nëse i konsiderojmë teoritë sociologjike si korniza, ose si modele konceptuale, mund të themi se asgjë nuk është më praktike dhe praktikisht e dobishme sesa një teori e mirë. Dhe teoritë nuk janë vetëm për akademikët, ose për studiuesit që dëshirojnë të botojnë në revista për të impresionuar kolegët e tyre të së njëjtës disiplinë. Ato janë të dobishme për çdo individ të zakonshëm, i cili dëshiron të kuptojë pse ngjarje të caktuara ndodhin në atë mënyrë që ndodhin dhe jo ndryshe, pse disa dukuri shoqërore kanë tendencë të shfaqen në këtë apo atë formë dhe me këtë apo atë intensitet, ose pse njerëzit, në situata të caktuara, veprojnë dhe sillen në këtë apo atë mënyrë.

* * *

Nga sa vura në dukje më sipër, mund të vij në përfundimin se teoria sociologjike që krijuan Marksi dhe Engelsi ka një forcë shpjeguese veçanërisht të spikatur. Kjo edhe shpjegon përse gjatë 150 viteve të fundit Marksi ka qenë dhe mbetet një ndër figurat intelektuale më të rëndësishme të planetit. Thuajse njëlloj i adhuruar dhe i urryer. Sidoqoftë, reagimet që ka provokuar teoria e tij vazhdojnë të influencojnë mendimin e sotëm shoqëror dhe zhvillimet politike e shoqërore në mbarë globin. Asnjë mendimtar tjetër deri më sot nuk mund të thuhet se ka pasur të njëjtën meritë.

Nëse flasim jo për teorinë sociologjike të Marksit (e cila nuk mund të reduktohet kurrsesi në teorinë ekonomike të tij dhe as në të ashtuquajturin materializëm historik, kjo e fundit një krijesë staliniste), por për ideologjinë e Marksizmit, është e vërtetë se kjo e fundit është përdorur si një maskim për të justifikuar legjitimitetin e sistemeve politikë represivë, si socializmi shtetëror që u vendos në Bashkimin Sovjetik pas Luftës së Parë Botërore dhe në Kinë e në të gjitha vendet e Europës Lindore pas Luftës së Dytë Botërore.

Por, nuk duhet harruar se edhe antimarksizmi ka shërbyer si një ideologji negative për shumë intelektualë reaksionarë, të cilët janë shumë më të sigurt për ato çfarë nuk pëlqejnë (te Marksi) pa qenë të sigurt dhe pa thënë ata vetë se çfarë kërkojnë. Të tjerë, duke mos parë se si idetë e Marksit mund të jenë të dobishme në shekullit e 21-të, përpiqen të rrëmojnë në tekstet e hershme të Marksit të ri në kërkim të ndonjë pasazhi me të cilin këta të mund të kritikonin shoqërinë e sotme kapitaliste.

Fakti që për imazhin dhe tekstet e Marksit flitet e shkruhet edhe sot me kaq shumë pasion politik—nga të ashtuquajturit të majtë e të djathtë—flet për influencën e jashtëzakonshme, madje unike, të këtij mendimtari radikal e paradigmatik. Vetë fakti që Marksi është shndërruar në një industri ideologjike dëshmon më së miri rëndësinë e trashëgimisë së tij intelektuale.

Nëse Marksin e lidh me ideologjinë dhe lëvizjet politike që kanë vepruar e veprojnë në emër të “Marksizmit” dhe e bën përgjegjës për to, kjo e bën edhe më të vështirë vlerësimin për të.Ashtu sikurse, në një mënyrë teleologjikisht fataliste, që shkakun e çdo të keqeje e sheh te mëkati i parë,Marksi është konsideruar si frymëzuesi i Stalinit dhe i Maos dhe si burimi i të gjitha krimeve e të këqijave në shoqërinë e sotme, njëlloj si për ardhjen në pushtet të Hitlerit është fajësuar një komb i tërë. Në të vërtetë, shumë nga ato çka thuhen e pretendohen se janë idetë e Marksit në fakt janë një karikaturë e teorisë së tij sociale. Nëse Marksi do të jetonte sot, ai do të tmerrohej të shihte se si idetë e tij janë fosilizuar, duke u shndërruar gati-gati në një dogmë fetare.

Sidoqoftë, janë të shumtë ata komentues të Marksit që refuzojnë ta lexojnë këtë mendimtar në atë mënyrë që t’i atribuojnë atij gjithçka që është thënë ose është bërë në emrin e tij. Unë bashkohem me ta. Ata që besojnë se Marksi është autori, ose shkaku i monstruozitetit të regjimeve totalitariste duhet të kujtojnë përkushtimin e tij ndaj lirisë. Ishte pikërisht dashuriapër lirinë ajo që motivoi qëndrimin opozitar të tij ndaj censurës së shtypit nga autoritetet prusiane në vitin 1842. Në atë kohë Marksi shkroi: “Gëte ka thënë se piktori arrin sukses vetëm me një lloj bukurie feminine, të cilën ai vetë e kishte dashur të paktën te një qenie humane. Liria e shtypit, gjithashtu, ka bukurinë e vet—edhe pse jo tamam një bukuri feminine—të cilën duhet ta duash që të jesh në gjendje ta mbrosh. Nëse unë vërtet e dashuroj diçka, atëherë ndiej se ekzistenca e saj është esenciale, se ajo është diçka për të cilën unë kam nevojë, pa të cilën natyra ime s’mund të ketë një ekzistencë të plotë, të kënaqshme, tërësore”.

Fjalë të tilla janë e kundërta e asaj klime konformizmi dhe censure që shohim sot thuajse kudo, sidomos në vendin tonë.Dhe ishte pikërisht e njëjta dashuri për lirinë ajo që, në analizë të fundit, i përmbysi diktaturat që qenë krijuar gjoja në emër të Marksit.

* * *

A nuk thoshte vetë Marksi, në vitet e fundit të jetës së tij, se “ajo që unë di është se nuk jam marksist”? Pak kohë para se të vdiste, Engelsi e shpjegonte në këtë mënyrë shprehjen e mësipërme të Marksit: “Kuptimi materialist i historisë ka sot shumë përkrahës, të cilëve ai u shërben si një pretekst për të mos e studiuar historinë. Me ndjekës të tillë, nuk do të duhej të habiteshim nëse, pa kaluar shumë kohë, Marksizmi do të shkëputej nga ai vitalitet human që frymëzoi vetë Marksin”.

Është e vështirë të flasësh për rolin dhe kontributin e vërtetë të Marksit për shkak se shumë nga idetë që i atribuohen atij vijnë nga njerëz që e konsiderojnë veten “marksistë”. Gjithmonë më ka bërë përshtypje sesa absurditete i atribuohen Marksit dhe teorisë së tij, dhe se si shumë njerëz gjejnë te Marksi një lidhje shkakësore me dukuri shoqërore për të cilën Marksi nuk ka shkruar kurrë. Çuditërisht, sidomos në vendin tonë, ata që shajnë dhe mallkojnë më shumë Marksin dhe teorinë e tij sociale janë njerëz që nuk kanë lexuar kurrë ndonjë rresht nga vepra e tij.

S’ka shumë kohë që, në debat me një mikun tim, edhe ai profesor si unë, ky më foli gjatë për teorinë e Marksit mbi ndërgjegjjen e rreme të proletariatit si klasë. Kur i thashë se Marksi vetë nuk e ka përdorur këtë term në asnjë prej veprave të tij dhe se, për më tepër, ky nocion elitist ka qenë tërësisht i huaj për Marksin, kolegu im më vështroi me habi dhe u tërhoq nga biseda. U duk qartë se, ai, si mijëra e mijëra të tjerë, që e konsiderojnë veten “marksistë”, ose që pretendojnë se e njohin teorinë e Marksit, nuk është munduar ndonjëherë të lexojë ndonjë prej veprave të tij nga kreu në fund, por flasin thjesht nisur nga ato çfarë dëgjojnë lart e poshtë.

Është shumë e lehtë ta keqinterpretosh teorinë sociale të Marksit nëse thjesht mbështetesh tek ato ç’kanë thënë për të interpretuesit e saj. Disa nga konceptet “marksiste” më të debatuara madje as nuk e kanë origjinën e tyre në krijimtarinë intelektuale të Marksit. Për shembull, ideja se gjoja Marksi ishte më i interesuar për “shoqëroren”, ndërsa mendimtarë të tjerë e vinin theksin te individi, nuk është e saktë. Një kundërvënie e tillë mes individit dhe shoqëroresishte e huaj për mendimin e Marksit. Aie shihte zhvillimin e individit dhe realizimin e potencialeve të tij individuale si standardin me të cilin duhet të vlerësohetçdo shoqëri e dhënë. Saktë ose në mënyrë të gabuar, Marksi mendonte se individualiteti i vërtetë i njeriut nuk mund të realizohej plotësisht në shoqërinë kapitaliste. Në fakt, kritika e kapitalizmit prej tij motivohej, në një masë të madhe, nga rëndësia që Marksii kushtonte realizimit të individit njerëzor.

Ne mund të mësojmë sot nga teoria e Marksit mbi zhvillimin e historisë, si dhe mbi mënyrën se si funksionon shoqëria kapitaliste. Fakti që kaq shumë mendimtarë të shquar gjatë shekullit të 20-të dhe tani në shekullin e 21-të flasin për Marksin dhe reagojnë ndaj ideve të tij flet, siç vura në dukje edhe më sipër, për trashëgiminë intelektuale të jashtëzakonshme të tij.

May 15, 2018 10:37
Komento

6 Komente

  1. Javer May 15, 18:46

    Ke te drejte, ndoshta askush nuk e ka lexuar gjithe Kapitalin e Marksit, se pse askush nuk ka kohe te tepert per te. Por thuajse cdo student ne bote ka lexuar Manifestin. Revolucionit Proletar, kesaj shpikjeje te Marksit I ka kaluar koha.

    Reply to this comment
  2. demo May 15, 20:23

    Tani luaj me Lojna fjalesh! Demek keta qe e praktikuan teorine e Marxit,nuk e kane kuptuar,e kane aplikuar gabim,
    Corbes me receta te Marxit,keta Marxistet,nuk i kane hedhur veze,karrota sa duhet,kurse kripen dhe orizin e hodhen me teprice dhe u doli LLAPE QENSH.Prandaj duhen nderruar kuzhinieret.Dhe ja,Fatos Tarifa nuk permend me Lenin,Stalin,Mao,Enver,as shoqen Nezhmie qe eshte specialiste e luftes marxiste te klasave,por rekomandon ca emra Amerikanesh,Evropianesh profesore kuzhine kapitaliste,qe e qajne supen Marxiste..Prandaj duhet gatuar prape corba marxiste,jo si ne revolucionin e tetorit,por ndryshe,me ca kuzhinire amerikane qe i ka shoke Fatos Tarifa..Ne nje kuptim te kalamburit te tiuj,Marxi eshte jo marxist,i jap te drejte Tarifes,spse me PARAZITE,DEMAGOGE,HIPOKRITE,HAJDUTE SI MARXI,ENVERI,TARIFA NUK MUND TE NDERTOSH
    AS SHOQERI KOMUNISTE,AS KAPITALISTE,Madje une them qe kjo kategori s`duhet te ndertoje as familje.

    Reply to this comment
  3. NNP May 17, 14:31

    Komunizmi eshte e ardhmja e botes( eppur si muove)!

    Reply to this comment
  4. IVONI May 18, 12:17

    ATA QE NUK E DUAN MARKSIZMIN , KRYESISHT BORGJEZET , NUK DUHET TE MEREN ME TE . AJO FILOZOFI JU TAKON NJEREZVE TE PUNES , TE HALLEVE ..!

    Reply to this comment
  5. demo May 19, 18:11

    Une jam borgjez me biciklete kineze,model Shangai 1973,moj IVONI!.Gji ndonje nga keto me Fuoristrade Toijota,me Hummer,me pallate,me resorte ne bregdet,me zona Rezidenciale,keta proletaret,morracaket maloke,qe u bene zengjina ne kohen e rrumpalles.Keta vdesin per Marxin tend.Mezi presin t`ja perpijne Kapitalin,me gjithe Komunen e Parisit.,.,te shtetezojne vilat,makinat,biznest,lokalet,Santa Quaranten.Mezi po presin te ngjallet Marxi dhe t`jua shtetezoje.Se keta kane qene klase punetore,fshatarsi punonjese.Ne borgjezo-feudalet kemi mbetur ne biciklete.Edhe t`ja fal Marxit une ate bicikleten 50 vjecare,ajo s`i hyn ne pune Marxit as per skrap.

    Reply to this comment
  6. Kasandra May 20, 12:10

    Ky artikull është në vazhdën e përpjekjeve për ta bërë Marksin të “padëmshëm” e të padobishëm për luftën për një shoqëri të drejtë. Kasandra.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*