Marotta: Dybala-n nuk e shesim, Allegri do qëndrojë. Sezonin e ardhshëm synojmë Champions-in

May 14, 2018 14:41

Marotta: Dybala-n nuk e shesim, Allegri do qëndrojë. Sezonin e ardhshëm synojmë Champions-in

 

Për yjet e një ekipi kampion asnjëherë nuk mungojnë si zërat, po ashtu edhe ofertat nga klube të të tjera. E për rastin e dyshes sulmuese të Juventus, Dybala dhe Higuain, nuk ka pasur përjashtim.

Para pak ditësh, dy argjentinasit që i dhuruan titullin e 7-të radhazi Juves, dolën në shitje nga zërat e merkatos, por ka qenë vetë Drejtori i Përgjithshëm i bardhezinjve Giuseppe Marotta, i cili ka sqaruar edhe situatën e dy sulmuesve.

“Juventusi nuk është mësuar të shesë lojtarë, e bën një gjë të të tillë vetëm nëse e kërkojnë vetë ata. E deri më sot nga Higuain dhe Dybala nuk ka pasur asnjë kërkesë të tillë”, ka deklaruar Marotta për mediat italiane.

Champions-i

“Real Madridi është sot skuadra më e mirë në botë”. Me këtë fjali e ka përshkruar drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Giuseppe Marotta, skuadrën e bardhë, vetëm disa javë pasi bardhezinjtë u eliminuan në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nga “Los Blancos” e drejtuar nga Zinedine Zidane.

Ky vlerësim, pavarësisht penalltisë së diskutueshme të Lucas Vázquez, që lejoi kualifikimin “in extremis” të Real Madridit.

Drejtori i Juventusit pranon se “skuadra spanjolle është superiore ndaj të tjerëve, siç dëshmohet nga rezultatet e viteve. Real Madridi është në rrugën e fitimit përsëri të Ligës së Kampionëve. Unë dua të kujtoj se ishte Juventusi, skuadra e fundit që e ka eliminuar Realin në Europë, në pesë vitet e fundit, por sot është skuadra më e mirë në botë”.

Marotta e konsideron arritjen e të tijve dy herë në finalen e Champions-it, në tri vitet e fundit, si diçka të jashtëzakonshme: “Kur njerëzit thonë se ne kemi fituar vetëm në Itali, ngaqë nuk ka konkurrencë, iu kujtoj se në Europë gjithmonë luajmë në nivele shumë të larta”.

Pas pushtimit të titullit të shtatë radhazi (rekord absolut në Itali), drejtuesi i bardhezinjve nuk e fsheh se Liga e Kampionëve është qëllimi i madh për sezonin e ardhshëm: “Ne jemi gjithmonë afër fitimit të Ligës së Kampionëve. Kjo është një ndjenjë e të gjithë trajnerëve, lojtarëve dhe tifozëve. Objektivi kryesor është ky kompeticion, por vështirësitë për ta fituar atë janë shumë më të mëdha se në Seria A. Fitimi i Champions-it është qëllimi ynë i menjëhershëm për sezonin e ardhshëm”.

Merkato

Sa për planifikimin sportiv, Marotta zbulon: “Parametrat mbrojtës të Juventusit këtë edicion kanë qenë më të mirët në botë, çka na ka lejuar të konkurrojmë me Real Madridin. Por, në qoftë se duam të rivalizojmë për Champions-in në të ardhmen, duhet të investojmë dhe t’i kemi të gjithë repartet në konsoliduara. Ne kemi Dybala dhe Bernardeschi, të cilët nuk janë ende 26 vjeç dhe që do të mbeten me siguri te Juve”.

Në vend të kësaj, Marotta nuk mund të sigurojë vazhdimësinë e Allegrit: “Ne do të kemi një takim me të, në ditët e ardhshme, për shkak se gjithçka varet nga mendimi i tij dhe vlerësimet tona. Ka optimizëm të madh, përtej aspektit formal të kontratës. Ai ka ende dy vite marrëveshje me ne. Trajneri e ka dëshmuar vlerën e tij dhe unë besoj se kjo marrëdhënie do të vazhdojë”.

a.s/dita

May 14, 2018 14:41
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*