Marrëdhënia nënë e bijë e Rajna Kovaçit dhe Ramona Tullumanit

March 8, 2018 20:10

Marrëdhënia nënë e bijë e Rajna Kovaçit dhe Ramona Tullumanit

Sot është 8 Marsi, një ditë kushtuar grave për kontributin e tyre të pashtershëm. Një ditë për të nderuar ato që sjellin në jetë fëmijët, që sakrifikojnë, që ndërtojnë karrierë dhe që janë motori i shoqërisë.

Pikërisht në ditën e gruas në studion “Rudina” ishin të ftuara dy gra që kanë arritur të janë të suksesshme në fushat e tyre. Rajna Kovaçi publiciste, e fokusuar me shkrime për çështjet sociale dhe Ramona Tullumani një soprano e njohur. Por krahas suksesit të secilës nga ana profesionale, ato janë nënë e bijë.

Kovaçi është po ashtu trashëgimtarja e artistit të madh, Ramiz Kovaçi. Gjatë emisionit ato rrëfyen marrëdhënien nënë e bijë duke u rikthyer pas në kohë përmes kujtimeve.

“Në Shqipëri gratë tona festojnë në mënyra të ndryshme. Në fakt 8 Marsi është një ditë proteste pasi OKB vendosi ta quajë këtë ditë ditën e gruas. Duhet shkruar çdo ditë për gruan dhe jo vetëm një ditë. Nuk është e lehtë të jesh nënë dhe e suksesshme profesionalisht, por nëna ime më ka ndihmuar shumë.

Kur lindi Ramona unë qeshja, isha shumë e lumtur që ishte vajzë. Unë kam qenë 23 vjeç kur kam lindur dhe jemi rritur bashkë. Por unë kam qenë gjithnjë në pozicionin e nënës dhe jo të shoqes. Vajzat janë shumë të lidhura shpirtërisht me baballarët, por ato imitojnë nënat dhe ndjekin shembullin e tyre dhe unë jam munduar që emocionet e tepërta t’i kanalizoj pasi dy sy më ndiqnin vazhdimisht. Edhe pse Ramona është bërë nënë, unë jam ende busulla e saj. Jam munduar të jem në ekuilibër për të mos i përçuar asaj emocione negative”, tha Kovaçi.

Ndërkohë ndryshe nga nëna e saj, Tullumani tha se duke iu referuar moshës së re të nënës, e ka parë atë si shoqe dhe kujton se ka luajtur shumë me të.

“Fakti që mamaja ka qenë shumë e re kur unë kam lindur, më bënte ta shikoja si shoqe. Ne luanim si shoqe, luanim shumë bashkë. Mamaja kur nuk shkonim në teatër improvizonte teatër në shtëpi dhe më bënte lodra pa fund”, rrëfeu Tullumani.

o.j/dita

March 8, 2018 20:10
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*