Marrëveshja e Mukjes dhe qëndrimi i Ballit Kombëtar gjatë pushtimit gjerman

Dr. Marenglen KASMI August 1, 2014 10:40

Marrëveshja e Mukjes dhe qëndrimi i Ballit Kombëtar gjatë pushtimit gjerman

Këtë fillim gushti mbushen plot 71 vjet nga mbajtja e Mbledhjes së Mukjes në datat 1-3 gusht 1943. Mbledhja e Mukjes shënon një nga pikat më kulmore të marrëdhënieve të forcave politike shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe vazhdon ende sot të mbetet një nga çështjet më të debatueshme në histori. Pyetje si, përse u prish marrëveshja e arritur ndërmjet delegatëve të Ballit Kombëtar dhe atyre të Frontit Nacionalçlirimtar për bashkimin në një front të vetëm në luftën kundër pushtuesve dhe cilat ishin shkaqet e vërteta të kësaj prishje si dhe kalimi në armiqësi të hapur i këtyre forcave vazhdojnë ende sot të interpretohen në mënyrë të ndryshme. Ajo çka vihet re është që edhe pas mëse 70 vjetësh, kjo ngjarje ende nuk arrihet të trajtohet me paanshmëri dhe në mënyrë shkencore historike, pa i shpëtuar fenomenit të revizionizmit të historisë, madje për fat të keq edhe pa u përdorur hera-herës edhe politikisht. 

Një rol vendimtar në krijimin përfundimtar të kampeve politiko-ushtarake në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore luan pa dyshim takimi i përfaqësuesve të Frontit Nacionalçlirimtar (FNÇ) dhe Ballit Kombëtar në Mukje, më 1-3gusht 1943. Kësaj marrëveshje i paraprinë një sërë ngjarjesh të rëndësishme në planin botëror, siç ishte kalimi i forcave të Boshtit Qendror në mbrojtje në Stalingrad, zbarkimi aleat në Siçili në natën e 9 korrikut, rritja e mosbesimit të Commando Supremo-s ndaj elitës politike italiane si edhe shumë faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm, të cilët çuan në rënien e Mussolini-t më 24 korrik 1943 dhe krijimin e qeverisë Badoglio.

Këto zhvillime ishin tepër domethënëse për kampet politike shqiptare. Shkërmoqja e shpejtë e shtetit italian i detyronte ato të ridimensionin edhe njëherë qëndrimet politike përkundrejt njëra-tjetrës, por edhe aleatëve, e sidomos tani, kur e ardhmja e Shqipërisë ishte e paqartë. Vakuumi që shkaktonte tërheqja e ushtrisë italiane nga Shqipëria përbënte një sfidë për shqiptarët si në pikëpamje politike, ashtu edhe në atë ushtarake, strategjike dhe operative.

Në situatën e krijuar, zbarkimi i trupave aleate në Shqipëri apo pushtimi i Shqipërisë nga trupat gjermane ishin opsione të mundshme, madje ishin çështjet më të diskutuara. Po ashtu, të paktën për forcat nacionaliste, një opsion ishte edhe rrëmbimi i pushtetit nga komunistët, të cilët përbënin edhe forcën politike më të organizuar në vend. Strategjia pragmatike e njohur e Ballit Kombëtar e «aurea mediocritas» (shqip: rrugës së mesme, mesit të artë), e cila bazohej mbi mosbashkëpunimin me italianët, por edhe mbi qëndrimin ushtarak pasiv ndaj tyre, nuk rezultoi efikase, ose të paktën jo shumë produktive, për fuqizimin e këtij kampi politik.

Ky fakt, i përforcuar edhe nga mendimi se, deri në verën e vitit 1943, FNÇ-ja përbënte të vetmin grupim që kishte luftuar në mënyrë aktive ndaj pushtuesve italianë, e shtyu Ballin Kombëtar të kërkonte negociata me palën tjetër, e sidomos tani, kur zbarkimi aleat në brigjet e Shqipërisë ishte për aleatët angloamerikanë një opsion strategjik tepër i diskutuar. Pra, Balli Kombëtar, nxitoj të shndërrohej ndonëse me vonesë në protagonist kryesor i luftës kundër pushtuesve italianë, tashmë në pikëpamje ushtarake të shpartalluar dhe politikisht pa krye. Zbarkimi i shumëdëshiruar aleat në Shqipëri duhej ta gjente organizatën politike të Ballit Kombëtar jo në hije të Partisë Komuniste, por superiore ndaj saj dhe në ballë të luftës.

Për t’i hapur rrugën negociatave, në verën e vitit 1943, Balli Kombëtar u distancua nga mbështetja që i kishte dhënë qeverisë kolaboracioniste shqiptare dhe më pas kaloi në propagandë të hapur antiqeveritare, duke forcuar edhe çetat balliste.

Edhe Partia Komuniste kishte interesa në këtë bashkëpunim. Së pari, duhet theksuar se Komiterni udhëzonte kryerjen e një lufte të bashkuar në një front të vetëm kundër gjermanëve dhe së dyti, ishte edhe presioni i ushtruar nga oficerët ndërlidhës britanikë, të cilët e kërkonin me çdo kusht bashkëpunimin e shqiptarëve në një front të vetëm. Madje, ishte pikërisht misioni britanik, gjenerali Davies, që këmbënguli për këtë takim dhe jo Balli Kombëtar, siç interpretohet heraherës sot.

Ajo çka i ndante këto dy forca nga njëra-tjetra ishte pikërisht mosbesimi i madh që kishin kundrejt njëri-tjetrit. Për Partinë Komuniste, Balli Kombëtar përbënte një grupim tradhtarësh, që kishin bojkotuar luftën ndaj pushtuesve italiane, madje që kishte bërë edhe marrëveshje me ta, siç ishte marrëveshja Dalmazzo-Këlcyra. Ndërkohë që, për palën tjetër, lufta nuk ishte asgjë tjetër veçse një instrument i komunistëve për të ardhur në pushtet.

Përfundimisht të dy palët ranë dakord dhe takimi i tyre u realizua së pari në Tapizë, më 26 korrik, e më pas në Mukje më 13 gusht 1943.

 

Negociatat dhe arritja e marrëveshjes

Për drejtimin e mbledhjes u caktua përfaqësuesi i Ballit Kombëtar Thoma Orollogaj. Sekretar u zgjodh përfaqësuesi i FNÇsë, Mustafa Gjinishi. Delegatët e të dy palëve ranë në parim dakord për vazhdimin e përbashkët të luftës ndaj pushtuesve të huaj, duke miratuar krijimin e Komitetit të Përkohshëm të Shpëtimit të Shqipërisë, i përbërë nga 12 anëtarë, gjashtë anëtarë për secilën palë. Një nga pikat kryesore të marrëveshjes ishte që lufta do të bëhej për një Shqipëri independente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri Etnike, një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore. Më tej, pas mbarimit të luftës, do të ishte populli ai që do të përcaktonte formën e qeverisjes dhe po ashtu do të zgjidhte forcën politike që duhej të drejtonte vendin.

Mosmarrëveshjet më të mëdha ndërmjet këtyre dy forcave, që çuan deri në prishjen e njëanshme të marrëveshjes nga Partia Komuniste,i krijoi pikërisht formimi i “Komitetit të Përkohshëm të Shpëtimit të Shqipërisë”, i cili në fakt duhej të kryente edhe rolin e Qeverisë së Përkohshme deri në krijimin e saj dhe jo çështja e bashkimit me Kosovën – siç vazhdon të interpretohet ndonjëherë edhe sot. Në krye të Qeverisë së Përkohshme  mendohej të zgjidhej Hasan Dosti.

 

Cilat ishin arsyet e prishjes së marrëveshjes?

Ky organizim i ri i dalë nga Mukja e godiste rëndë pozicionin e Partisë Komuniste. Nëpërmjet këtij vendimi ata shndërroheshin në forcë e dytë politike në vend. Më tej, Komiteti duhej të merrte drejtimin e luftës ndaj pushtuesve të huaj, në një kohë që PKSHja që prej Konferencës së Pezës, më 16 shtator 1942, e kishte filluar qëndresën ndaj pushtuesve italianë. Po ashtu, PKSH nuk ishte e përfaqësuar fuqimisht në këtë Komitet. Për shembull, anëtarë të Komitetit të Përkohshëm do të zgjidheshin nga radhët e FNÇ-së edhe Abaz Kupi dhe Myslim Peza, të cilët në mënyrë absolute nuk kishin bindje komuniste. Madje, edhe postet që ata mendohej të merrnin, Abaz Kupi, Komandant i Përgjithshëm i forcave ushtarake dhe Myslim Peza, komandant i forcave operative në rajonin e Tiranës, ishin poste me karakter të mirëfilltë ushtarak. Ndërkaq, Komiteti i Përkohshëm përbëhej thuajse vetëm nga ballistë dhe nacionalistë. PKSH-ja, e cila drejtonte qëndresën aktive në këtë kohë, nuk mund ta «kapërdinte» këtë zhvillim. Kjo gjë që ja zbehte asaj më pas shanset për të marrë drejtimin e vendit.

Ajo ç’ka ishte më thelbësorja ishte që, në Mukje nuk u diskutua për të ardhmen e Këshillave Nacionalçlirimtarë, të cilët përbënin thelbin e FNÇsë. Këto Këshilla tashmë kishin dhënë prova si organe mbështetëse të luftës kundër pushtuesve italianë. Sipas marrëveshjes, ato nuk do të përfshiheshin në organizimin e ri si organe vendore të Komitetit Provizor e Qeverisë së Përkohshme, por duhej të krijoheshin të tjera struktura. Në këtë mënyrë anashkalohej plotësisht organizimi dhe lufta e bërë tashmë nga FNÇ-ja dhe Partia Komuniste. Me të drejtë lind pyetja, se kush është ajo forcë politike edhe sot, pa dashur ta thjeshtëzojmë problemin, e cila do të binte dakord me prishjen e strukturave të saj mbështetëse dhe do të lejonte delegimin e potencës së saj te kundërshtari politik?

Gjatë negociatave përfaqësuesit ballistë dominuan zhvillimin e bisedimeve. Rënia dakord për krijimin e Komitetit të Përkohshëm përbënte një sukses për Ballin Kombëtar. Sado paradoksal të ishte ky kompromis për komunistët, arsyet e bindjes së përfaqësuesve komunistë për këtë vendim duhen kërkuar në aftësitë negociuese të Mit’hat Frashërit dhe forcën argumentuese të «juristit skolastik» Hasan Dosti, çka edhe vetë Enver Hoxhës do t’i duhej ta pranonte. “Ju, shkruante në letrën e tij Enver Hoxha drejtuar Ymer Dishnicës, duke harruar objektivat, keni arritur të diskutoni dhe të votoni dëshirat e Ballit dhe jo tonat […]”.

Kështu që, disa ditë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, PKSH hoqi dorë nga zbatimi i saj, gjë që sigurisht e thelloi hendekun e mosmarrëveshjes ndërmjet shqiptarëve dhe nuk ishte një zhvillim pozitiv për vendin. Po ashtu edhe në pikëpamje etike kjo gjë ishte e gabuar, sepse PKSHja ra dakord për të bërë marrëveshje, kështu që duhej të respektonte vendimin e delegatëve të saj.

Historiografia shqiptare e paraviteve ‘90 është e mendimit se, delegatët e FNÇsë, M. Gjinishi dhe Y. Dishnica, nuk vepruan në harmoni me vijën e Partisë dhe e nënshkruan marrëveshjen pa dijeninë e Komitetit Qendror të PKSH. Madje, Enver Hoxha flet edhe për vështirësi komunikimi ndërmjet Komitetit Qendror të PKSH dhe delegatëve Gjinishi dhe Dishnica. Ndërkohë që Balli Kombëtar përfaqësohej nga eksponentët e tij më të lartë, Enver Hoxha nuk mori vetë pjesë në këtë takim. Teza që ai nuk mori pjesë në diskutime, sepse nuk ndihej në lartësinë intelektuale të kundërshtarëve të tij politike – nuk është bindëse. Mospjesëmarrja e E. Hoxhës në tryezën më të rëndësishme politike të kohës mund të shpjegohet me shumë rezervë me nënvlerësimin që ai i bëri këtij takimi, duke e konsideruar atë një takim të zakonshëm dhe që nuk e kishte menduar kurrsesi se kjo mbledhje do të merrte këtë rrjedhë dhe do të dilte me këto vendime. Po ashtu, për të ishte më e lehtë të tërhiqej nga marrëveshja, nëse ajo nuk i përshtatej, duke akuzuar delegatët e FNÇ-së për devijim të vijës së luftës.

Historiografia jugosllave dhe disa historianë shqiptarë, shkruajnë pas viteve ’90se Enver Hoxha dhe Komiteti Qendror i PKSH ishin dakord me vendimet e Konferencës së Mukjes, por ata duhej t’i anulonin vendimet e saj si pasojë e presionit jugosllav. Është qartësisht e kuptueshme që Partia Komuniste Jugosllave nuk mund të miratonin vendime që rrezikonin mospërfshirjen e Kosovës brenda kufirit jugosllav, por ky nuk mund të jetë shkaku kryesor i prishjes së marrëveshjes.

Siç u theksua qysh në fillim të shkrimit, shkaku i prishjes duhet kërkuar te krijimi i Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë, i cili rrezikonte pozitat e PKSH dhe të E. Hoxhës. Kësisoj, atij nuk i nevojitej ndonjë këshillë apo urdhër nga pala jugosllave për të prishur diçka që edhe atij vetë nuk i vinte për shtat. Edhe Enver Hoxha në Konferencën e Labinotit, 4-9 nëntor 1943, artikuloi të njëjtin mendim si ballistët në Mukje, në lidhje me të ardhmen e Kosovës, pra që e ardhmja e Shqipërisë etnike varej nga respektimi i Kartës së Atlantikut.

Në ndryshim nga tezat e hedhura më sipër, Harry Fultz, i cili e njihte mirë Shqipërinë, arrin në përfundimin se “Balli Kombëtar ndoshta kërkonte ndonjë arsye për të prishur marrëveshjen kur u bë e qartë se ai mund të kishte një shans për të punuar me gjermanët. Për këtë arsye qëndrimi i Hoxhës i leverdiste Ballit Kombëtar dhe veç kësaj i sillte edhe njëfarë kapitali politik. Fundja, Balli Kombëtar kështu nuk mund të mbahej përgjegjës për prishjen e marrëveshjes”.

Këtë tezë të Fultzit e mbështesin edhe raportet e Legatës gjermane në Tiranë drejtuar Berlinit. Më 23 gusht 1943, konsulli gjerman në Tiranë Schliep, raportonte se Balli Kombëtar e kishte njoftuar se, ata luftonin kundër italianëve dhe nuk do të luftonin kundër gjermanëve. Pra, për çfarë lufte fliste Balli Kombëtar në Mukje? Po ashtu, prishja e Marrëveshjes së Mukjes u shpall së pari nga E. Hoxha në Labinot, më 49 shtator 1943, nëse do të mendojmë se ky njoftim ishte një pasojë e prishjes në Mukje.

Balli Kombëtar, si para ashtu edhe pas marrëveshjes së Mukjes, dominohej nga përçarja dhe mosmarrëveshjet ndërmjet rrymave të brendshme, duke mos arritur asnjëherë të konsolidonte një mendim politik dhe ushtarak për qëndrimin që duhej të mbante kjo organizatë ndaj pushtuesve. Sigurisht që kjo gjë i vinte për shtat komunistëve. Madje, mund të thuhet se prishja e marrëveshjes së Mukjes nga Partia Komuniste, do të përdorej dhe vazhdon të përdoret ende sot si argument jo vetëm për të justifikuar dështimin politiko-ushtarak të Ballit Kombëtar gjatë luftës, por po ashtu për të justifikuar edhe bashkëpunimin e tyre me pushtuesit gjermanë.

Pa vënë asnjëherë në dyshim patriotizmin dhe ndjenjën kombëtare të përfaqësuesve të Ballit Kombëtar dhe dëshirën e tyre për një të ardhme demokratike dhe perëndimore për Shqipërinë, trajtimi i çështjes së bashkimit etnik të shqiptarëve në Mukje në këto momente mund të konsiderohet edhe si një slogan për t’u mbushur mendjen shqiptarëve për seriozitetin dhe rrokjen e organizuar të armëve nga Balli Kombëtar, ndonëse të vonuar. Kur ata ishin për bashkimin e luftës, përse shumë nacionalistë, e sidomos ata që më vonë drejtuan Ballin Kombëtar, nuk e përkrahën platformën e Pezës dhe e refuzuan bashkëpunimin me komunistët? Madje, mospjesëmarrja e elitës nacionaliste në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, mund të quhet pa hezitim dështimi i parë i nacionalizmit shqiptar për tu bashkuar në një front të vetëm kundër pushtuesit. Sigurisht që Balli Kombëtar nuk mund të fajësohet për këtë gjë, sepse ende nuk ishte krijuar si organizatë, pavarësisht tendencave për ta nxjerrë atë si të formuar më kahershëm. Një prezencë më e madhe nacionaliste në Pezë nuk do të kishte lejuar, ose të paktën do ja kishte vështirësuar punën PKSH-së, që ajo gradualisht të mbyste ndikimin nacionalist në FNÇ, ta dominonte atë, e nëpërmjet luftës të siguronte ardhjen në pushtet. Flegmatizmi nacionalist lejoi që në Pezë të hidheshin rrënjët e komunizmit në Shqipëri. Kush i njihte dhe përkrahte komunistët në këtë kohë, e aq më pak në një vend ku komunizmi si ideologji as njihej e perceptohej fare? Koha tregoi se, pasi PKSH-ja me ndihmën e nacionalistëve si Myslim Peza e Abaz Kupi, duke përdorur si lajtmotiv luftën kundër pushtuesit, siguroi mbështetjen e një pjese të madhe të popullit. Më pas i flaku tej elementët e padëshiruar, siç ishte Abaz Kupi. Nëse në Pezë bëhej fjalë për të formuar një organizatë të përbashkët politiko-ushtarake me pjesëmarrje të gjerë ku mund të arrihej lehtë kalimi në minorancë i PKSH, në Mukje rrymat kryesore politike vinin si forca politike të organizuara dhe kërkonin realizimin e një aleance midis tyre.

Duke ndjekur zhvillimet politike dhe ushtarake, si brenda edhe jashtë Shqipërisë, Balli Kombëtar e kuptoi që qëndrimi i mënjanuar e dëmtonte atë, prandaj duhej të bënte një përpjekje bashkimi, ose të paktën të krijohej përshtypja se ata, tashmë ishin gati që për të mirën e vendit, të bashkëpunonin edhe me komunistët. Është e vështirë të besohet që Balli Kombëtar besonte vërtet se komunistët do të miratonin vendime kaq diskriminuese ndaj tyre. Gjithsesi, nëse marrëveshja do të prishej, ishin komunistët ata që do ishin shkaktarët. Aq më tepër kur kjo prishje do të bëhej duke refuzuar një aspiratë madhore, siç ishte bashkimi etnik i shqiptarëve. Kështu që, më tepër se një dëshirë e vërtetë për bashkim, të krijohet përshtypja e një loje të hollë politike. Nëse marrëveshja funksiononte, Balli merrte drejtimin e luftës. Nëse jo, ata ishin të justifikuar ashtu edhe siç vazhdohet të interpretohet ende sot.

Pra, për të përfituar politikisht, Balli Kombëtar duhet që ti jepte luftës në Mukje një karakter më të gjerë, më mbarëkombëtar. Bashkimi kombëtar duhej të bënte dallimin e Mukjes. Në këtë mënyrë ata shpresonin të fitonin një përkrahje më të gjerë në popull se PKSH-ja. Vetëm thirrja për të luftuar nuk mjaftonte. Një pjesë e mirë e shqiptarëve kishte kohë që e kishte filluar luftën.

Kësisoj, duke vlerësuar problematikën e kohës, situatën që po kalonte vendi si edhe pafuqinë që kishin shqiptarët për të ndikuar në vendimet e më të mëdhenjve, vendosja e theksit nga Balli Kombëtar te bashkimi i menjëhershëm me Kosovën, me shumë gjasa kishte më tepër karakter propagandistik dhe demagogjik. Delegatët e Ballit Kombëtar këmbëngulnin që bashkimi me Kosovën të përfshihej si detyrë e ditës. Sipas tyre, detyra kryesore e shqiptarëve ishte të luftonin për mbrojtjen e Kosovës që gjatë luftës. Pas debatesh të zjarrta për çështjen etnike, u arrit që fjala «të luftojmë» që propozonte Balli, të zëvendësohej me «të përpiqemi» për çlirimin e Kosovës. Me të drejtë K. Frashëri thekson se në thelbin e vet ky dallim nuk kishte karakter gjuhësor, por krejtësisht politik, sepse të luftoje për bashkimin e Shqipërisë gjatë luftës, do të thoshe që së pari të dilje kundër vendimeve të viti 1913, vendime të marra nga vendet aleate dhe së dyti të bëje luftë kundër çetnikëve nacionalistë jugosllavë dhe natyrisht edhe kundër reparteve partizane jugosllave, që ishin pjesë e koalicionit antifashist. Me një fjalë të bëheshe palë me politikën gjermane dhe të bije ndesh me udhëzimet dhe kërkesat e aleatëve anglo-amerikanë. Sigurisht që kjo ishte një çështje që mund të zgjidhej vetëm pas lufte dhe në respekt të Kartës së Atlantikut. Po ashtu, është e pamundur të mendohet se Mit’hat Frashëri nuk e dinte se cila ishte rruga e bashkimit të shqiptarëve dhe kush e vendoste në fund të fundit këtë bashkim. Në vitin 1920 ai kishte luftuar vetë për këtë gjë në Paris, rezultati është i njohur për të gjithë ne.

Çarja e Mukjes ishte e destinuar qysh në fillimet e saj. Nuk ishte Çështja Etnike ajo që prishi marrëveshjen, madje të pretendosh se nacionalistët shqiptarë u sakrifikuan për çështjen e Kosovës është naivitet. Edhe sikur ajo të mos ishte trajtuar në Mukje, me gjasat më të shumta ky bashkëpunim nuk do të kishte funksionuar. Nëse FNÇ-ja ishte nën dominimin komunist, Komiteti i Përkohshëm i dalë nga Mukja mbizotërohej nga ballistët. Të dyja palët nuk ishin të gatshme të pranonin rolin drejtues të palës tjetër, kështu që është absurde të mendohet që Partia Komuniste mund të pranonte një strukturë drejtuese të luftës që nuk drejtohej prej saj, e sidomos në një kohë kur kishte afro dy vjet që luftonte. Përvoja historike ka treguar që një aleancë mund të funksionojë vetëm nëse midis palëve ruhen balancat. Për PKSH, Mukja jo vetëm që nuk i ruante balancat, por i përkeqësonte ato.

 

Prishja e marrëveshjes dhe pushtimi gjerman

Pas pushtimit gjerman, antagonizmi në rritje ndërmjet Ballit Kombëtar dhe FNÇ-së u bë një nga faktorët kyç për politikën e jashtme gjermane në Shqipëri. Premtimet e tyre, që pushtimi ishte një pasojë e pastër e nevojave ushtarake, lidhur me garancinë e një Shqipërie të pavarur, zgjonte te nacionalistët shqiptarë shpresën për realizimin e një politike të brendshme dhe të jashtme relativisht të pavarur.

Mesa duket edhe për ballistët pavarësia e pretenduar mjaftoi për të shmangur konfrontimin me trupat gjermane dhe si fillim të pranonin realitetin e vendit të pushtuar. Argumenti i gjermanëve, që në vend duhej të mbizotëronte rendi dhe qetësia u pranua nga gjithë forcat nacionaliste, me përjashtim të Lëvizjes Nacionalçlirimtare partizane.

Është e pakundërshtueshme që E. Hoxha ishte i interesuar të sundonte i vetëm pas luftës, por që t´ia hedhësh vetëm atij fajin e dështimit të një bashkëpunimi mes këtyre dy grupeve nuk përkon plotësisht me realitetin. Supozimi që Balli Kombëtar ishte i detyruar të bashkëpunonte me gjermanët, si pasojë e fillimit të luftës civile pas prishjes në Mukje, është tepër i dyshimtë dhe i diskutueshëm. Deri në fund të tetorit 1943, ndërmjet partizanëve dhe ballistëve kishin ndodhur vetëm përplasje ushtarake sporadike dhe nuk ekzistonte akoma asnjë direktivë e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ për të luftuar kundër Ballit Kombëtar apo grupimeve të tjera jokomuniste. Si Balli Kombëtar, ashtu edhe Partia Komuniste, kishin të njëjtin shqetësim, sigurimin e drejtimit të vendit pas largimit, tashmë të parashikueshëm, të gjermanëve nga Shqipëria. Këtë e dëshmon edhe fakti që, gjatë Operacionit të Dimrit, kur lëvizja partizane thuajse u likuidua plotësisht, Balli Kombëtar e intensifikoi bashkëpunimin me gjermanët, sepse e shikonte më pranë karrigen e pushtetit, pas largimit të gjermanëve. Edhe pretendimi që artikulohet sot, se Balli Kombëtar ishte i interesuar në formën e qeverisjes dhe jo të vinte në qeveri është po ashtu i pasaktë dhe krejtësisht jo logjik. Një forcë politike punon për të ardhur në pushtet, prandaj përse duhet që Balli Kombëtar të mendonte e vepronte ndryshe? Sigurisht që pushteti nuk mund dhe nuk duhej të merrej me dhunë, por Balli Kombëtar tashmë ishte diskretituar në sytë e shqiptarëve si bashkëpunëtor i pushtuesve. Fajtori kryesor për këtë gjë ishte ai vetë, e jo komunistët.

Pavarësisht se Marrëveshja e Mukjes nuk u pranua nga PKSHja, për Ballin Kombëtar opsioni i luftës kundër pushtuesve gjermanë, pa bashkëpunuar me LNÇ, por me grupimet e tjera nacionaliste dhe me mbështetjen e anglezëve, mbeti gjithnjë i hapur. Balli Kombëtar ishte e vetmja forcë politike shqiptare, në të cilën nuk u atashua zyrtarisht asnjë mision aleat gjatë luftës. E para, sepse ai konsiderohej nga aleatët si bashkëpunëtori gjermanëve dhe së dyti dhe më kryesorja, Balli Kombëtar nuk arriti asnjëherë të formatohej si një organizatë kompakte politiko-ushtarake. Edhe nëse aleatët do të tentonin të dërgonin ndonjë oficer ndërlidhës pranë tij, do t’u duheshin shumë të tillë – një për kokë , sepse mungonte drejtimi i unifikuar e aq më pak prania e një shtabi të mirëfilltë ushtarak.

Ndërkohë opsione të tjera ishin edhe qëndrimi neutral dhe në pritje e ndonjë zbarkimi të aleatëve ose bashkimi me pushtuesit gjermanë dhe së bashku me ta, të luftonin kundër partizanëve, gjë që edhe ndodhi.

Kjo taktikë e çoroditur e Ballit Kombëtar i vinte për shtat Partisë Komuniste. Ajo intensifikoi propagandën kundër Ballit Kombëtar dhe duke e konsideruar atë si bashkëpunëtorë me pushtuesit,  ndërmori aksionet e para luftarake kundër tij.

Bashkëpunimi, si mjet për të asgjësuar partinë rivale, në fund të vitit 1943, ndonëse u paralajmëruan nga anglezët për konsekuencat politike të kësaj strategjie, u dukej ballistëve si rruga më e sigurtë dhe, me sa duket edhe më komode, për të ndaluar rritjen e lëvizjes komuniste. Kjo gjë e ndihmoi Partinë Komuniste që si fillim, ta demaskonte atë në popull dhe më vonë ta godiste përfundimisht.

Interpretimet e sotme, ku në qendër të tyre vendoset viktimizimi i Ballit Kombëtar nga komunistët, duke mos bëra analiza gjithëpërfshirëse historike, por duke u bazuar kryesisht në vlerësime emocionale dhe kujtime personale të protagonistëve ballistë, të shkruara kohë më vonë dhe siç ndodh shpesh në këtë gjini shkrimi, me ngjyrime narciste, nuk e shmangin dot përgjegjësinë politike të Ballit Kombëtar për ndihmën që i dha komunistëve për të ardhur në pushtet.

*Studiues i Shkencave Historike

 

Dr. Marenglen KASMI August 1, 2014 10:40
Komento

8 Komente

  1. guri August 1, 15:29

    i nderuar Merenglen besoje se ndikimi jugosllav dhe ne vecanti ai serb ishte percaktues,gjithsesi tashme dihet mire se ne strategjine e komunizmit nuk pranohej,sikurse nuk u pranua ne Shqiperi, pluralizmi,Mjafton keto dy linja per te kuptuar thelbin e asaj qe ndodhi ne Peze…..ne vijim edhe ne 50 vjetet qe do te vinin ne vendin ton.

    Reply to this comment
  2. Pac August 1, 17:30

    Balli e kishte shum te veshtire te dilte ne mal i organizuar ne lufte te pa kompromis me pushtuesit dhe te bente haram pulat e pjekura .

    Reply to this comment
  3. Bledi August 2, 08:53

    Te lumte marenglen, vazhdon te besh shkrime prestigjoze dhe me argumenta

    Reply to this comment
  4. Milua August 2, 09:37

    Kjo amulli do te vazhdoje ne shekuj, perderisa largimit te autokolonave gjermane drejt Gjermanise, ne do t’i themi Clirim. Dhe ndjekjen pas kolonave duke perzene nga ndjekja tere ata qe nuk i duam do ta quajme Lufte Nacional Clirimtare. Cfare lufte paten bere Enveri dhe Mehmeti deri ne Korrik e Gusht te 1943? Te dy forcat rivale e ndjene eren e gostise qe pergatitej pas Stalingradit dhe El Alamejnit. Humbja e Boshtit nazifashist kish filluar. Goditjet e trembura qe u beheshin gjermaneve ne Shqiperi nuk ishin per Clirim, por per te regjistruar merita. Hileqaret shqiptare u mblodhen ne Mukje thuajse pa hedhur fare pushke “clirimtare” deri atehere. Ishte nje pike e luftes boterore kur vezullimi i pushtetit do te prodhonte pa tjeter lufte civile. Dhe lufta civile nuk pushon kurre ne Shqiperi. As sot! (shkruar me 1 gusht 2014)

    Reply to this comment
  5. Vëzhguesi F August 2, 20:08

    @ Milua! O Milo, o dallkauk dhe kopuk, zedhenes i kolaboracionisteve dhe pjelle e tyre, çfare pordhesh po nxjerr nga goja? Ku je ketu mor gjytrym ne Burkina Faso apo ne fiset Zulu, qe na bene historine e pordheve te qoftelargut. Po shkon shume larg mor mavriu Milo a bilo,sepse dhe vete pushtuesit ne dokumentat e tyre historike autentike, qofshin italianet dhe qofshin gjermanet e kane njohur luften nacional -çlirimtare dhe ushtrine partizane te popullit shqiptar, ndersa ty dhe nje takemi si ty qe kushedi se ku dreqin jeni ngjizur doni ta mohoni! O idiot me brire po ata qe u vrane dhe u dogjen, po ata qe u torturuan dhe u internuan ne kampet famkeqe naziste dhe fashiste, apo jane trillime, se keshtu e kerkon mideja jote prej sharlatani anrtishqiptar. Ptfu rrace e felliqur qe jeni shtuar si fara e hithrit, bastard dhe bije bastardesh!

    Reply to this comment
  6. Dr.Vehip (Veip) Proda August 3, 10:07

    Si sot, 71 vjet më parë, përfundoi takimi ballisto-komunist në Mukje. Që të flasësh për këtë ngjarje duhet të kesh në konsideratë situatën e brendshme dhe atë ndërkombëtare, por duhet të njohësh mirë edhe dy “Mukjet” e fqinjëve: Marrëveshjen e Varkizës në Greqi dhe Marrëveshjen e Visit në ish-Jugosllavi, të dyja midis forcave komuniste dhe “nacionaliste”, të sponsorizuara nga britanikët dhe të përfunduara në tragjedi të vërteta, sepse ishte fjala kush do të kishte pushtetin në të ardhmen. Pra, edhe Mukja jonë këtij qëllimi i shkonte: kush do të kishte pushtetin në të ardhmen, aq më tepër që situata ndërkombëtare shënonte kthesën në favor të Koalicionit Kundërfashist Botëror dhe rrëshqitjen e Boshtit nazifashist. Edhe situata e brendshme qe e tillë. Ishte koha kur në Shqipëri u formuan dhe vepronin aktivisht: Këshilli Kundërfashist Nacionalçlirimtar, Fronti Nacionalçlirimtar dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, e cila kishte treguar se i kishte dalë Zot atdheut të pushtuar. Balli Kombëtar, krijesa e dytë e vonuar politike, kishte ngritur formacionet e tij, por që deri në atë kohë kishte zgjedhur rrugën e “neutralitetit”, të “pritshmërisë” ndaj fashizmit Italian, çka u kompromentua rëndë me Marrëveshjen Dalmazzo-Këlcyra. Ndërkohë, ushtria pushtuese e Italisë Fashiste gjendej në prag të shpartallimit. Të dyja forcat politike, komunistja në aksione dhe ballistja në komoditet, gjendeshin para rrezikut gjerman, në vend të atij Italian.
    Marrëveshja e Mukjes vendosi në esencë: të krijohej”Komiteti i Përkohshëm i Shpëtimit të Shqipërisë”, përndryshe “Qeveria e Përkohshme”, e cila do ndërtohej në mënyrë të tillë sa margjinalizonte dhe godiste për vdekje Nacionalçlirimtaren. Lind pyetja: cila ka qënë ajo forcë politike aktive, që ia ka lëshuar me vetëdashje epërsinë politike një force tjetër diametrale dhe të dyshimtë në qëndrime e veprime, aq më tepër kur vendi ishte i pushtuar? Hiqni vetëm një paralele me të sotmen se çfarë bëhet për pushtetin dhe me pushtetin, domethënë me etjen për kolltuqe, lavdi e pasuri, për të kuptuar përse u ndërthur mbrapsht që në fillesë Mukja, nga “baballarët e kombit” dhe përfaqësuesit e çlirimtares e të PKSH-së!
    Dështimi i Mukjes ishte një fatmirësi kombëtare, shoqërore dhe politike, për vetë pozicionin dhe pozitën e Shqipërisë, sidomos në aspektin ndërkombëtar: Ajo tregoi konsekuencën e Lëvizjes Kundërfashiste Nacionalclirimtare për ta rreshtuar me këmbëngulje Shqipërinë, si subjektivitet politik, ushtarak e juridik, në anën e Koalicionit Kundërfashist Botëror, gjë që Balli s`e bëri, sepse as deshi dhe as mundej ta bënte me platformën, strategjinë dhe programin, që kishte hartuar dhe kishte zbatuar e mendonte të zbatonte në të ardhmen. Përsa i përket ndikimit jugosllav, që përmendet aq shpesh, as që mund të mendohet, kur Shtabi Suprem Nacionalçlirimtar Jugosllav dhe PKJ punonin vetë për “ Mukjen” e tyre. Duhet thënë se “Mukjet” ballkanike ishin veprime që vinin edhe në zbatim të porosisë së Kominternit dhe të Basdhkimit Sovjetik, për krijimin e Frontit të Bashkuar kundër nazifashismit. Ndërkohë, as çështja e Kosovës nuk ishte shkaku i prishjes, sepse Partia Komuniste Jugosllave (PKJ), për gati 20 vjet, ishte shumë më e avancuar në raport me Partinë Komuniste Shqiptare (PKSH), me parrullat dhe deklaratat, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës e viseve nëpërmjet pjesëmarrjes së shqiptarëve në luftë kundër nazifashizmit dhe bashkimin me Shqipërinë nëpërmjet rrugës së vetëvendosjes, pas Lufte. Partia Komuniste Shqiptare ishte pozicionuar shumë drejtë lidhur me çështjen në fjalë, duke iu referuar Kartës së Atlantikut. Por, edhe sikur të ishte kjo shkaku, PKSH veproi drejt, sepse Balli kërkonte shpalljen e krijimit të Shqipërisë Etnike, kur kjo ishte afishuar si zgjidhje pas fitores mbi nazifashizmin nga Koalicionin Kundërfashist Botëror, mbi bazën e kontributit që do të jepej nga çdo komb e shtet në atë Luftë për jetë a vdekje; kur Gjermania Naziste i kishte shpërndarë trojet etnike shqiptare të mbetura jashtë atdheut mbi bazën e Londrës e Versajë-Parisit, brenda kufijve imagjinarë të Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë. Pra, edhe në raport me gjermanët, dalja me parrullën për Shqipërinë Etnike ishte sa aventurë, aq edhe provokim. Ishte pikërisht ajo parrullë që i mori në qafë forcat nacionaliste në Kosovë e vise, sepse ato, pse jo dhe Çamëria e viset, në përfundim të Luftës II Botërore, u trajtuan qëllimisht nga të mëdhenjtë në anën e të mundurve, krah për krahë me Gjermaninë naziste, Italinë fashiste, si bashkëpuntore me to, ashtu siç u trajtuan edhe Hungaria, Rumania, Bullgaria në anën e të mundurve, ndonëse kishin dhënë ndihmesë me çlirimtaret e tyre!
    Prishja e Marrëveshjes së Mukjes e shpëtoi Shqipërinë nga një luftë e tmerrshme civile dhe i demaskoi përfundimisht krerët tradhëtarë të Ballit e të Legalitetit, të cilët, hapur a fshehtas, bashkëpunuan me nazifashizmin. Kujtojmë: ndonëse Shqipëria u rreshtua dhe u njoh nga treshja udhëheqëse e Koalicionit Kundërfashist Botëror, përsëri u trajtua më keq se shtetet e mundura. Kujtoni deklaratën e Londrës për zgjidhjen e çështjes së kufijve (në favor të Gresisë) pas Lufte, kujtoni fshirjen nga faqja e dheut në pazarin prej pramatarësh në Jaltë, kujtoni Konferencën e Parisit të 1946-ës, për të mos shkuar më tej.
    Doni të jeni realist lidhur me Mukjen? Studjoni thellë, ju lutem, Varkizën dhe Visin, që i shpunë popujt të vriteshin ndër vete dhe të rridhte gjaku lumë n ëish-Jugosllavi dhe në Greqi, për atë të “shkretë pushtet…!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*