Marrëveshja me Turqinë që po turpëron Evropën

December 18, 2015 13:29

Marrëveshja me Turqinë që po turpëron Evropën

Krerët e qeverive dhe të shteteve të Unionit kanë mbështetur planin për shpëtimin e zonës Shengen.  Pavarësisht debateve apo qëndrimeve të ndryshme në lidhje me çështjen e sovranitetit, vendet anëtare kanë gjetur dje gjuhën e përbashkët, për të mos dobësuar më tej zonën Shengen. Ndonëse iniciativa legjislative do të kërkojë kohën e vet procedurale, i rëndësishëm është fakti që nga njëra anë lidhet me përforcimin e qëndrimit politik të Unionit se, zona Shengen nuk duhet të cëntohet, por edhe me përqasjen apo avancimin, që mbart ky qëndrim drejt një konceptimi me elementë federalë.

Vendet anëtare në tërësi kanë reaguar pozitivisht ndaj këtij propozimi. Edhe vendet e Visegradit, Hungaria, Polonia, Sllovakia dhe Republika Çeke e kanë mirëpritur propozimin e Komisionit, bile duke shkuar edhe më tej në këtë propozim, pasi kërkojnë që pikat apo qendrat pritëse (hot spots) që pritet të instalohen tërësisht në kufijtë e jashtëm të Unionit, të kenë edhe “kapacitet burgimi”. Një ide, që është shprehur edhe nga kreu i Këshillit Evropian, polaku Donald Tusk vetëm para pak kohësh, përgjatë një interviste për shtypin gjerman, duke theksuar se rregullat ndërkombëtare e lejojnë mbajtjen deri në 18 muaj për kontrolle të plota verifikuese. Ky qëndrim pro qendrave të burgosjes, është konstatuar edhe tek vendet që mbështesin Italinë dhe Greqinë.

Një qëndrim, që gjithsesi bie ndesh me rekomandimet për burgosjen apo mbajtjen e azilkërkuesve, që duhet të kryhet vetëm si një mjet i fundit, në ezaurim të alternativave dhe i kushtëzuar nga rrethana të skajshme. Nga pikëpamja juridike ajo bie ndesh edhe me Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, por edhe me një sërë organizmash që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe kryesisht ato të refugjatëve dhe azilkërkuesve. Nga pikëpamja politike, ajo dëmton rëndë imazhin e Unionit si mbrojtës absolut dhe promovues ndërkombëtar i të drejtave dhe lirive të njeriut.

Vendet, që kanë shfaqur hezitim, të paktën sipas deklaratave paraprake para zhvillimit të Samitit, janë përqendruar tek çështja e “pushtimit”, pra të konsiderimit si të tillë, të dërgimit të forcave përforcuese evropiane në kufi, pa pasur konsensusin e vendit anëtar. Ndër to Suedia, dhe Danimarka u shprehën se dëshirojnë që kjo kompetencë, duhet të ngelet një përgjegjësi kombëtare. Gjithsesi, ndonëse në parim ka një lloj dakordësie, diskutimet e thelluara pritet të fillojnë në nivel ministrash, me marrjen e presidencës së radhës nga Holanda. Ambiciet për miratimin e planit janë shprehur për një realizim të objektivit, brenda afatit 6-mujor të presidencës holandeze.

Në fakt, paketa e propozuar nga Komisioni Evropian është e gjerë dhe prek edhe elementë të tjerë. Ndër to, tërheq vëmendjen edhe një element, që lidhet me kontrollet hyrëse dhe dalëse në Union, por të “shtetasve të vendeve të treta”. Nëse, këto qytetarë më përpara kontrolloheshin vetëm kur hynin në Union, tashmë teksti parashikon që ato do të kontrollohen edhe kur të dalin nga Unioni.

Turqia rol kyç në zgjidhjen e problemit

Ndër të tjera, roli i Turqisë po merr gjithnjë e më shumë një përmasë të rëndësishme. Në fund të nëntorit, BE dhe Turqia ranë dakord duke nënshkruar një Marrëveshje, që parashikon sa menaxhimin e fluksit të lartë të refugjatëve, ndalimin e tyre për të avancuar më tej në Union, si edhe integrimin e tyre të mundshëm në shoqërinë turke. Marrëveshje e shoqëruar si me një nivel financiar të konsiderueshëm, por edhe me oferta dhe realizime konkrete për avancimin e dosjes së integrimit turk në Union, nëpërmjet hapjes së kapitujve të negocimit. Mbajtja në territorin turk të refugjatëve, krijimi i kushteve për qëndrim dhe integrim të mëtejshëm në Turqi, u pasqyruan në kuadrin e një objektivi për të mos inkurajuar lëvizjen e mëtejshëm të këtij fluksi migrimi, drejt Unionit.

Zhvillimet e fundit kanë njohur gjithashtu edhe organizimin e një mini-Samiti mes Turqisë dhe vetëm disa vendeve të Unionit, i quajtur si “Koalicioni i vullnetit” pra vetëm mes vendeve, që pranojnë të marrin pjesë në shpërndarjen e kuotave të refugjatëve, që mund të dërgohen nga Turqia në Union (Austria, Gjermania, Suedia, Finlanda, Franca, Belgjika, Luksemburgu, Holanda, Greqia, Portugalia, dhe Sllovenia). Ndonëse janë shfaqur shenjat e një përplasje institucionale në parim, pasi organizimi i Samiteve apo mini Samiteve është kompetencë e Këshillit Evropian, duket se ka një vullnet të qartë me orientim nga Berlini, për të avancuar në këtë drejtim edhe pse ka rezistencë, apo refuzim për pjesëmarrje nga shtete të ndryshme të Unionit. Gjithsesi Samiti i radhës, që pritet të organizohet mes Unionit dhe Turqisë, do të njohë ambicie edhe më të larta, nëse i referohemi deklaratave, që vijnë nga Holanda që merr presidencën e radhës në muajin janar, se përpara se të akordohet shifra financiare prej tre miliardë euro Turqisë, flukset e migrimit në Union, duhet të arrijnë në nivelin zero.

Por, çfarë ka ndodhur ndërkohë pas Marrëveshjes, që Unioni ka nënshkruar me Turqinë ? A është realizuar objektivi për mbajtjen e azilkërkuesve në territorin turk, krijimi i kushteve të duhura për qëndrim, punësim dhe integrim të mëtejshëm të tyre ?

Situata është zbardhur vetëm para dy ditësh nga një raport i kryer nga Amnesty International (AI). Një raport shumë shqetësues dhe që ka ngjallur një sërë polemikash.

AI paralajmëron Unionin se, po rrezikon të bëhet bashkëpunëtor në dhunimet, burgosjen dhe trajtimin e paligjshëm, që Turqia po kryen ndaj azilkërkuesve, pas nënshkrimit të Marrëveshjes.

Raporti specifikon se, që prej muajit shtator, paralelisht me bisedimet që BE kishte filluar me Turqinë, mbi çështjen e flukseve të migrimit, autoritetet turke kanë ndaluar dhe arrestuar qindra azilkërkues, duke i futur në qendrat e burgimit, që mbahen sekret. Dëshmitë flasin për keqtrajtime të rënda (të prangosur  duar dhe këmbë prej ditësh, të rrahur dhe të rikthyer me forcë andej nga kishin ardhur) në dhunim me të drejtën ndërkombëtare.

Amnesty International i kujton Unionit se : “Duke i caktuar Turqisë rolin e gardianit të Evropës në krizën e refugjatëve, BE rrezikon të mbyllë sytë, mbi cenimet e rënda të të drejtave të njeriut duke i favorizuar ato. Bashkëpunimi midis BE-së dhe Turqisë në fushën e migrimit, duhet të pezullohet, deri sa dhunimet të rreshtin dhe të bëhen objekt i hetimeve”…(…)…”Është e çuditshme që paratë e BE-së, shërbejnë për të financuar burgosjen e paligjshme dhe programin e rikthimit”.

Sipas Raportit, të burgosurit në këto qendra kanë dëshmuar përtej keqtrajtimeve se, në krevatet e qendrave të burgimit dhe në tasat e ushqimit ka etiketa, që tregojnë se qendra është financuar në kuadrin e programit të paraaderimit të Turqisë në BE. AI i bën thirrje Turqisë të rresht abuzimet ndaj azilkërkuesve dhe të respektojë të drejtat e njeriut, duke i bërë thirrje njëkohësisht edhe Unionit që t’i japë fund Marrëveshjes së nënshkruar me Turqinë, deri në hetimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjeve.

Situata duket se është komplikuar dhe Unioni, të paktën deri më tani, është distancuar nga kjo situatë, duke u pozicionuar në një mos dije tërësore ndaj këtij fenomeni, që po zhvillohet në Turqi. Nuk dihet se si do të reagohet në vijim ndaj Turqisë dhe presioneve në rritje, që po vijnë nga organizmat e të drejtave të njeriut. Kjo pasi, Turqia mban “çelësin ” e frenimit të  fluksit të migrimit drejt BE-së, që për momentin nuk njeh ulje. BE e “shpërbleu” Turqinë me avancimin e dosjes së integrimit, duke hapur kapitullin e radhës, duke mos publikuar në kohë progres raportin vjetor, ku raportoheshin dhunimet e të drejtave të njeriut, si edhe duke premtuar përshpejtim të procesit të liberalizimit të vizave. Dhe politika turke, po i përdor paratë e Unionit për të burgosur, keqtrajtuar, dhunuar dhe zmbrapsur këtë fluks migrimi. Çka rikthen sërish në vëmendje, reflektimin ndoshta të munguar të Unionit, në një marrëveshje të nxituar me Turqinë, e cila në vend të shërbente si një zgjidhje e përkohshme e situatës, u shndërrua në një fenomen përkeqësues, duke rrezikuar të implikojë edhe vetë BE-në në këtë proces. /im.ta/

Shkrime të tjera:

Propozimi shokues i BE-së

Turqia shumë shpejt në BE

 

 

December 18, 2015 13:29