Marrëveshjet e Kartelit, Autoriteti lehtësim gjobash për bashkëpunëtorët

June 26, 2015 12:16

Marrëveshjet e Kartelit, Autoriteti lehtësim gjobash për bashkëpunëtorët

Autoriteti i Konkurrencës ka hedhur për diskutim një program të lehtësimit nga gjobat për marrëveshjet e ndaluara, të ashtuquajtura “kartel”, të cilat konsiderohen si shkeljet më të rënda të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.

Ky mekanizëm është programi i lehtësimit të plotë apo të pjesshëm nga gjobat për ato ndërmarrje që ofrojnë informacion dhe bashkëpunim për të zbuluar marrëveshje të këtij lloji. Autoriteti i Konkurrencës argumenton se zbulimi dhe ndëshkimi i kartelit, e kalon interesin për ndëshkimin e një ndërmarrjeje ose individi, sepse këto marrëveshje dëmtojnë konsumatorët dhe, në terma afatgjatë, çojnë në humbje të konkurrueshmërisë dhe zvogëlojnë numrin e mundësive për punësim.

Ndërmarrjet e përfshira në këto lloje aktivitetesh, të cilat kanë vullnetin për të mos qenë më pjesë e këtyre marrëveshjeve dhe që informojnë Autoritetin për ekzistencën e aktiviteteve të tilla përftojnë pikërisht nëpërmjet këtij programi të lehtësimit nga gjoba. Kur një shkelje e ligjit përfshin aktivitetet e kartelit, gjobat mund të arrijnë deri në 10 % të xhiros vjetore të një ndërmarrje, ndaj lehtësimi nga gjoba mund të jetë një stimul i rëndësishëm për të bashkëpunuar.

Një ndërmarrje do të kualifikohet për të përftuar lehtësim nga gjoba, nëse ndërpret përfshirjen e saj në kartel dhe i siguron Autoritetit të gjithë informacionin që zotëron. Sidoqoftë, ndërmarrjet do të përfitojnë lehtësim të plotë nga gjobat vetëm në rast se deri në momentin e deklarimit të tyre Autoriteti i Konkurrencës nuk ka pasur të dhëna të mjaftueshme për të ndërmarrë një hetim mbi çështjen.

Në rast se ndërmarrjet mund të japin informacion të vlefshëm për të ndihmuar hetimin dhe ekzistencën e një marrëveshjeje të ndaluar, ato mund të përfitojnë lehtësim të pjesshëm nga gjoba në masën 20% deri në 50%.

Çfarë nënkupton lehtësimi nga gjobat?

Lehtësimi nënkupton imunitetin por edhe reduktimin nga çdo gjobë që do të vendosej për një pjesëmarrës në një marrëveshje të ndaluar, në shkëmbim të zbulimit vullnetar të informacionit për sa i përket kartelit, para ose përgjatë fazës hetimore të një rasti. Sipas Autoritetit, programi vendos një strukturë për vlerësimin e bashkëpunimit të ndërmarrjeve të cilat janë palë në marrëveshje dhe praktika që janë objekti i ligjit.

Programi i lehtësimit nga gjobat, është një instrument i rëndësishëm në luftën kundër marrëveshjeve të ndaluara, duke qenë se ato inkurajojnë ndërmarrjet që të ofrojnë informacion pranë Autoritetit të Konkurrencës, në lidhje me shkeljet e mundshme të konkurrencës.

Programi i lehtësimit nga gjobat, lejon Autoritetin e Konkurrencës që të ofrojë imunitet të plotë ose reduktim nga gjobat, që në të kundërt do të ishin vendosur për një pjesëmarrës në marrëveshje të ndaluar, gjithmonë në shkëmbim të zbulimit të informacionit mbi këtë marrëveshje të ndaluar dhe bashkëpunimit me Autoritetin e Konkurrencës. Programi zbatohet ndaj ndërmarrjeve që veprojnë në treg dhe që janë pjesë e marrëveshjeve të ndaluara.

Me qëllim që të sigurohet se programi i lehtësimit punon me efektivitet, është e rëndësishme të mbrohen nëpunësit dhe drejtorët e ndërmarrjes duke aplikuar imunitet dhe mbrojtje nga sanksionet individuale. Programi, gjithashtu ofron mbrojtje të informacionit të dhënë për përftimin e lehtësimit.

Me qëllim sigurimin e mekanizmave për bashkëpunim duke inkurajuar aplikuesit për raportim vullnetar në lidhje me marrëveshjet e ndaluara dhe aktivitetet në lidhje me to, është e nevojshme mbrojtja në lidhje me informacionin e dhënë. Informacioni në lidhje me një lehtësim nuk mund të përdoret nga ndonjë autoritet tjetër.

June 26, 2015 12:16
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*